Sufizmi në Islam

Imam Hamza Jusuf, n raste të ndryshme edhe hatib i Shoqatës së Bashkësisë Myslimane në Santa Karla, Kaliforni, foli mbi sufizmin në Islam, menjëherë pas një leksioni të mbajtur nga Dr. Anne-Marie Schimmel, ish profesore në Harvard për studimet orientale. Imam Hamza e nisi fjalën e tij, duke kujtuar se arkitektura e Stendfordit është bazuar tek ajo e universiteteve tradicionale të Andaluzisë, Marokut dhe Afrikës së Veriut. Ai pohoi, se arkitektura dhe qytetërimi islam kanë qenë po aq të zhvilluar sa niveli i tyre i njohurive, por për fat të keq umeti mysliman ka mbetur shumë pas në këto fusha.

Imam Hamza vazhdoi: "Mesazhi bazë dhe themelor në traditën e Islamit, sipas mendimit tim, është se ai nuk dhe hedh poshtë krijimin e dialektikës, ku e brendshmja dhe e jashtmja e një personi ndahen nga njëra-tjetra. (Në sistemet jo islame) njerëzit janë të detyruar të jenë ose ezoteristë ose ekzoteristë".

"Në fakt, ajo çka ka synuar gjithnjë Islami, ndryshe nga ajo çka synojnë shumica e feve shpirtërore dhe në fakt nisur nga këndvështrimi i myslimanëve, të gjitha fetë kanë dështuar në këtë, është bashkimi i këtyre dy elementëve në një formë harmonike dhe të ekuilibruar. Kjo është dhe arsyeja se përse në traditën islame sufizmi ka qenë përherë pjesë e programit mësimor në çdo universitet mysliman. Unë nuk njoh periudhë kohore në traditën islame, ku sufizmi nuk është mësuar në universitete dhe ku nuk është parë si një aspekt i rëndësishëm dhe themelor i traditës islame.

"Sidi Ahmed Zaruk ka shkruar një libër të famshëm të titulluar "Parimet e Sufizmit", ku ka sqaruar sufizmin tradicional dhe ortodoks. Ai thotë: "Ekzistojnë pesë arsye, që njerëzit i hedhin poshtë sufistët, e para prej të cilave i referohet përsosjes së rrugës së tyre. Sepse nëse sufistët mohojnë një dispozitë të caktuar, sillen keq, janë neglizhentë në një çështje apo nëse tek ata pasqyrohet e shtrembta, atëherë njerëzit nuk hezitojnë për t'i hedhur poshtë. Ata janë njerëz, që tradicionalisht kanë qenë më të fortit dhe pasuesit më strikt të parimeve dhe mësimeve islame dhe kanë qenë gjithashtu prej atyre, që asnjëherë nuk zgjidhnin më të lehtën, për sa i përket sheriatit apo ligjit të shenjtë.

"Ata kanë qenë pasuesit më rigorozë të ligjit të shenjtë, por kanë pasur një parim të mrekullueshëm, që është: ji i ashpër me veten dhe i mëshirshëm e i butë me të tjerët. Për fat të keq sëmundja e ditëve të sotme, që ka prekur shumë myslimanë, është: lehtësoja vetes dhe vështirësoja tjetrit. Pra këtu, sipas mendimit tim, qëndron mohimi i sufizmit, pasi një e treta e Islamit ka pasur rezultate vërtetë shkatërruese në shumicën e fenomeneve bashkëkohore islame. (Shejh Ahmed Zaruku) tha: "Kjo ka ndodhur, sepse askush nuk është i pa të meta, vetëm nëse Allahu i fal përsosje dhe pagabueshmëri”.

"Arsyeja e dytë (që njerëzit e hedhin poshtë sufizmin) është ndjeshmëria e vëzhguesit. Kritika e vëzhguesit ndaj sufistëve, dituria dhe gjendjet e tyre ndikojnë po aq sa egoja, nefsi, për të mohuar atë që nuk e di. Imam Aliu (r.a) ka thënë: "Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh".

"Arsyeja e tretë (që mohohet sufizmi) janë ata, të cilët nuk i përmbahen asaj që thonë dhe ata, që kërkojnë të përfitojnë në këtë botë nën maskën e të qenit fetar. Kjo është edhe një ndër të këqijat që ka goditur umetin mysliman. Dihet se ka njerëz, që pretendojnë se janë sufistë dhe veshin rrobën e sufive, duke mashtruar kështu pasuesit dhe adhuruesit e thjeshtë; duke i afruar ata, me qëllim që t'u vjedhin paratë, duke i nënshtruar si skllevër e të tjera me radhë. Kjo ka ndodhur historikisht në botën myslimane. Ndërsa imamët e devotshëm kanë qenë gjithmonë shumë strikt në parandalimin e këtij rreziku, sepse nuk ka gjë më të keqe, se të mashtrosh dikë në fe. Më mirë të jesh çdo ditë një gangster mafioz, sesa të jesh një vëzhgues hileqar fetar! Kjo është dhe arsyeja për mohimin e çdo pohimi, që mund të bëjnë dhe pse mund të ketë argument për të, pasi konsiderohet e dyshimtë.  

"Arsyeja e katërt është frika nga përgjithësimi se mund të devijojnë, duke ndjekur doktrina ezoteriste, pa iu përmbajtur fare aspektit ligjor, siç ndodh në shumë shoqëri injorante.  Njerëzit e paditur mund të dëgjojnë diçka, që thuhet nga një sufist dhe e keqkuptojnë atë krejtësisht. Ebu Jezid el-Bistami tek tabakatet e imam Dhehebiut konsiderohet fakih (jurisprudent). Imam Dhehebiu mbahet si student i ibn Tejmijes dhe ai e sheh El-Bistamin si burim të saktë hadithesh. Ndërkohë el-Bistami njihet për shprehjen e famshme "Subhani" që do të thotë: “Madhështia më takon mua"! Në fjalorin teknik të sufistëve kjo njihet si “shatha”, një shprehje e thënë në gjendje ekstaze. Nëse njeriu e thotë këtë në një gjendje të pavetëdijshme, nuk merret në llogari për të. Si dëshmi për këtë shërben një hadith, që gjendet tek sahihu i Buhariut. Në këtë hadith Profeti (a.s) flet për një person, i cili kishte humbur devenë bashkë me ushqimin dhe pijen e tij në mes të shkretëtirës. Pasi e gjen atë, ai thotë: “O Allah! Ti je robi im dhe unë jam zoti Yt!" Profeti thotë, se robi gaboi në atë gjendje ekstaze, pasi gjeti kafshën që kishte humbur. Kjo ndodh kur dikush gjen kafshën, po si mund të jetë gjendja e atij, që gjen Zotin? Ç'mund të them për gjendjen e tij"?

"Arsyeja e pestë (pse sufizmi hidhet poshtë) është lakmia e disa njerëzve për gradat e sufistëve. Në shoqëritë tradicionale myslimane, sufistët mbaheshin si njerëzit më të lartë në kuptimin e plotë të fjalës: ata ishin shejhët. Imam Neveviu ka qenë një sufist i madh. Po ashtu Kadi Ijadi, Ibn Haxher Askalani dhe imam ibn Xhevzi. Të gjithë këto imamë të mëdhenj janë njohur si sufistë me një status vërtet të lartë. Ebu Hamid el-Gazali, që është quajtur dhe Huxhatul Islam, është ndoshta shembulli më i mirë. Njerëzit donin të ishin si ata dhe arabët njihen për botëkuptimin e tyre, i cili është: nëse nuk je si njerëzit fisnikë, atëherë pretendo t'u ngjash atyre, sepse dhe ajo në vetvete është lloj fisnikërie.

"Së fundmi, (Sidi Ahmed Zaruk) ka thënë: "Prandaj njerëzit inatosen me sufistët më shumë se me çdo grup tjetër". Njerëzit me pozita zyrtare ushtrojnë trysni tek ata më shumë se tek çdokush tjetër. Qeveria përpiqej të ushtronte ndikimin e vet tek sufistët, ngaqë e dinte, se ata kishin shumë ndikim tek njerëzit e zakonshëm. Sufistët tradicionalisht janë mbajtur si njerëzit më të distancuar dhe më të larguar nga qeveritarët apo qeveria, me përjashtim të rasteve kur ata (qeveritarët) ishin drejtues të devotshëm, si Nizam el-Mulk, të cilin imam Gazaliu e ndihmoi të ndërtonte sistemin nizamije të të mësuarit. Sidoqoftë (Sidi Ahmed Zaruk) thotë: "Kushdo që bie në njërën nga këto kategori, përjashtuar të fundit, ose shpërblehet ose justifikohet dhe Allahu e di më së miri".

"Një herë më kërkuan të bëj një dua (lutje) dhe do të doja të bëja një dua (lutje), që e bëjnë banorët e Afrikës së Veriut, të cilën e kam dëgjuar shumë herë në Afrikën e Veriut dhe që gjithmonë më ka bërë përshtypje; quhet salat Tunxhije- lutja që mbron njerëzit:

"O Allah, dërgoi salavate zotëriut tonë Muhamedit, salavate që do të na mbrojnë nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme,

dhe që do të kujdeset për gjithë nevojat tona,

dhe që do të na pastrojë nga gjithë veset dhe cilësitë tona të shëmtuara

që do të na ngrejë dhe do të na pastrojë me të nga çdo gjë e keqe, 

dhe që do të ngrihemi me të drejt Teje në gradat më të larta

dhe që do të na bëjë të arrijmë më të mirën e mirësive në jetën tonë dhe pas vdekjes

dhe kjo lutje qoftë për familjen e tij dhe shokët e tij

dhe pastë përherë siguri dhe shumë selam".

Më poshtë po japim disa shënime nga debati i famshëm i vitit 1993, që u zhvillua në internet mbi sufizmin, që i referohet konceptit të fana-së që është përmendur nga shejh Hamza më lart, si një gjendje ku disa mjeshtra të sufizmit kanë thënë shprehje në dukje anti-islame.

Në librin, Mexhmu Fetava, vëll. 2, faq. 396-397, shejh ibn Tejmije flet rreth fana-së e njohur gjithashtu në sufizën si asgjësim.

Ai ka thënë: "Gjendja e dashurisë është gjendja e shumë njerëzve, që janë nga njerëzit e Dashurisë së Allahut të Madhëruar. Ata janë njerëzit e dashurisë së Allahut dhe njerëzit e Vullnetit të Allahut dhe tipike për këta njerëz që e duan Allahun është, se e kërkojnë Atë. Duke qenë se ky person është shuar tek i dashuri i tij, tek Allahu i Madhëruar, nga dashuria e tepërt, ngaqë është shuar në dashurinë e Allahut, jo në dashurinë e egos së tij, ai do t'i kthehet Allahut, jo vetes së tij, do të kujtojë Allahun, jo veten e tij, do të përfytyrojë (jesteshhid) Allahun, jo veten e tij, do të ekzistojë tek Allahu, jo tek vetja e tij. Kur arrin atë gjendje “Ene el-Hak” (Unë jam e Vërteta) apo “Subhani” (madhështia me takon mua) dhe do të thotë maa fil xhumba il-Allah (nuk ka asgjë në këtë rrobë përveç Allahut), sepse ai është i dehur në dashurinë për Zotin dhe kjo është kënaqësia dhe lumturia, që nuk mund ta kontrollojë".

Më poshtë, shejhu i Islamit, Ibn Tejmije vazhdon: "Kjo (gjë) përmban në vetvete Hakk, por përmban dhe Batil. Por, kur dikush hyn në një gjendje me dashuri të madhe ndaj Allahut, do të hyjë në një gjendje të pavetëdijshme dhe kur hyn në këtë lloj gjendjeje, do ta shohë veten sikur po pranon konceptin e ittihad-it (bashkimit). Unë këtë nuk e shoh si mëkat. Sepse ky person justifikohet dhe askush nuk mund ta dënojë, pasi nuk është i vetëdijshëm për atë që vepron. Sepse pena e dënon të  çmendurin, vetëm kur kthehet në gjendje normale. Prandaj kur një person arrin një gjendje dhe gabon në atë që bën, do të jetë në kategorinë që Allahu i përshkruan:

"O Allah mos na merr në llogari nëse harrojmë apo gabojmë". (Bekare: 286)

Allahu thotë në një ajet tjetër: "Nuk ka faj për ju, nëse gaboni pa vetëdije". 

Në faq. 339, tek vëll 10, Ibn Tejmije thotë: "Tregohet një histori për dy burra, që e respektonin dhe e donin shumë njëri-tjetrin. Njëri prej tyre ra në det dhe tjetri u hodh menjëherë pas tij. Atëherë i pari që po mbytej e pyeti: "Ç'të shtyu të hidhesh pas meje?" Ai tha: "U zhduka brenda teje dhe kur u zhduka brenda teje, mendova se ti je unë dhe unë jam ti".

Më tej ibn Tejmija vazhdon: "Për sa kohë nuk po bën diçka, që është e ndaluar, pranohet, po të ndalohej (do të thotë se qëllimi ka qenë i keq dhe nuk justifikohet)".

Më tej akoma ai thotë: "Për shkak të kësaj gjendje shumë nga evlijatë si Abdul Kadir Xhilani, janë të justifikuar, për shkak se kanë rënë në një gjendje dashurie".

Kjo temë përmendet në një kapitull të tërë me detaje nga faqja 337-343, të titulluar: "Fjala Asgjësim (fana) në Sufizëm e sqaruar me tre mënyra".

Ky kapitull përshkruan konceptin e fana-së në detaje.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme