Jemi në muajin e bekuar të Ramazanit. Edhe përkundër vapës së madhe dhe vështirësive ekonomike, megjithatë, njerëzit në shumicë i janë përgjigjur thirrjes së Zotit fuqiplotë për të përmbushur këtë obligim fetarë. Kjo s’është për çudi ngase një gjë e tillë është trashëguar brez pas brezi. Prandaj, këtij obligimi fetarë i ishin përgjigjur edhe ministra e njerëz të nivelit të lartë qeveritar, siç na pohojnë shkrimet e ndryshme ditë më parë. Edhe pse një pjesë e qytetarëve tanë detyrohet të qëndrojnë në rrugë për të gjetur ndonjë punë, aty këtu, sa për të fituar kafshatën e gojës, megjithatë, ata qëndrojnë aty duke mbajtur Ramazan. Edhe kjo nuk është shumë për çudi, ngase të varfëritë njihen për burrëri e bujari, por për çudi është fakti se disa të “civilizuar”, të pasuruar në kurriz të popullit, tek qëndrojnë në kolltukë të akomoduar mirë nga djersa e popullit, në vend se të heshtin ata prej aty po i shesin mend popullit.
I kësaj natyre ishte edhe një shkrim, mu në muajin e Ramazanit, i cili degradon të rinjtë e Kosovës, në veçanti të rinjtë musliman, duke i nënçmuar ata mbi baza fetare dhe duke i përshkruar si fashist. Madje shkrimi nuk kursej as misionarë, më famë, të islamit në Kosovë e as vet kreun e BIK-ut, institucionit më kontribuues por edhe më të diskriminuar në Kosovën e pasluftës, duke e përshkruar atë si të paaftë për të udhëhequr.
Natyrisht, secili ka të drejtë të shprehet aq sa di dhe si di por është mjaft ironike kur dëgjon ata që nuk ia kanë haber as strukturës elementare të BIK-ut tek tregojnë se kush për çka është i aftë. Imagjinojeni pra Myftiu i Republikës, numri një i BIK-ut, përshkruhet si imam. Për botën e publicistikës kjo është njësojë sikur kryeredaktori të cilësohet si gazetar. Për më tepër, edhe pse i njohur për debate të ndryshme dhe publicistikë, herë me vend e më shumë pavend, kësaj radhe autori duket se paska qenë aq i mllefosur saqë ka harruar të vendos lidhëzat në vendin e duhur, ku në subjekt të artikullit në mes tjerash shkruan “…– Imami i Kosovës është tolerues i të patolerueshmes dhe i paaftë të qenë në krye të besimtarëve islamë të Kosovës”, pra duke ngrënë lidhëzën për sigurisht për të treguar nivelin e vet publicistik.
Sido që të jetë, duke mos dashur të merrem me publicistin tonë, do të doja të jap një pasqyrë mbi termat mjaft të rrezikshëm dhe tërësisht të paarsyeshëm fashizëm islamik, islamofashizëm dhe islam fashizoid të cilat autori i përmend me oreks por pa vend dhe pa mend. Termi “Islamofashizëm” (Islamofascism) është futur mjaft vonë në New Oxford American Dictionary, ku definohet si “një terminologji kontroverse qe tenton të barazoj disa lëvizje islame me lëvizjet fashiste evropiane në fillim të shekullit të njëzetë. (The New Oxford American Dictionary, Second Edition, Erin McKean (Editor), 2096 pages, May 2005, Oxford University Press)
Ky term është kundërshtuar dhe kritikuar nga një numër mjaft i madh studiuesish e gazetarësh. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin e Bostonit, Angelo Codevilla, konsideron se ky term është historikisht i pasaktë dhe thjeshtësim i një procesi mjaft kompleks. Dr. Richard Alan Nelson, profesor i Komunikimit Masiv dhe Çështjeve Publike në Universitetin e Luizianës, kritikon këtë term i cili përdoret kryesisht si nënçmues dhe për qëllime propaganduese. Gjithashtu edhe Paul Krugman, kolumnist i njohur i New York Times, argumenton se “Islamofashizmi nuk është tjetër veçse një term bosh për qëllime propagandistike. (Paul Krugman (2007-10-29). “Fearing Fear Itself”. New York Times).
Për më tepër, përdorimi i këtij termi në publik mori kritika nga shumë asociacione muslimane kur ish-presidenti George W. Bush, pas komplotit të avionit transatlantik 2006, përshkroi politikat e tij si një betejë kundër “fashistëve islamikë … [që] përdorin çdo mjet kundër neve që e duam lirinë”. Këshilli mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islame i shkroi ish-presidentit ankesë, duke thënë se përdorimi i këtij termi “jep përshtypjen se lufta kundër terrorit është në fakt një luftë kundër Islamit”. Ingrid Mattson nga Asociacioni Islam i Amerikës së Veriut gjithashtu u ankua, në lidhje me këtë fjalim, duke thënë se një gjë e tillë shton keqkuptimin ndaj Islamit.
Sipas Associated Press, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti për Siguri Kombëtare u këshilluan nga Qendra Kombëtare për Antiterrorizëm të mos përdorin termin ‘islamofashizëm’. “Ne komunikojmë e nuk konfrontohemi me audiencën tonë. Mos i fyeni apo hutoni audiencën duke përdor terma përçmues si “islamofashizmi”, të cilët konsiderohen ofendues për shumicën muslimane, përfundon shkresa e Qendrës Kombëtare për Antiterrorizëm.
Për fund, të krahasosh islamin me fashizmin është sikur të krahasosh Musolinin me Hoxhën (imamin) apo të kërkosh borë në shkretëtirë. Fashizmi është formë autoritare e nacionalizmit ndërsa vet autori akuzon, ata që i ka vënë nën shënjestër, për anti-kombëtarizim, anti-nacionalizëm e anti-demokraci, dhe se dëshirojnë të shkatërrojnë atë që kemi arritur gjerë me tash. Autori në fakt vë fokus gjuhën radikale të disa të rinjve, ndërsa harron gjuhën e vet madje në një dimension shumë më të gjerë, sikur që janë mediat dhe shtypi ditor, madje kundër islamit në përgjithësi.
Feja në kohën bashkëkohore nuk i përket më një dimensioni të ngushtë siç pretendohej dikur, por feja tashmë po luan një rol kyç e shumëdimensional në shumë shoqëri bashkëkohore. Sidoqoftë, në Kosovë ata që dikur ishin betuar ‘druže Tito mi ti se kunemo’ akoma nuk po munden të lirohen nga kompleksi i të shikuarit të religjionit si një fenomen shoqëror që duhet margjinalizuar.
Ndaj nëse përdorim vetëm pak logjikën shohim se shkrimi i publicistit në fjalë jo vetëm që ishte pa lidhëza, por në fakt ishte edhe pa lidhje.
P.S.: Mr. Sci. Driton Morina, Studiues i Historisë & Krahasimit të Religjioneve