Qyteti i Beratit është një nga qendrat më të hershme të përhapjes së besimit Islam. Këtë e argumentojnë lashtësia e shumë objekteve të këtij kulti si edhe dokumente dhe regjistra të periudhave të hershme. Prania e popullsisë myslimane në këtë qytet rezulton që në fillimet e shekullit XV ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XVI ajo kish arritur në masën 60%. Njëherazi me besimin Islam në këtë qytet vërshojnë kultura dhe dije të reja që bashkëshoqëronin këtë besim.
Në kushte të reja, nisi procesi i kërkimit të diturive nëpër libra, fillimisht si përpjekje e nisma personale e në grupe, e më vonë në mënyrë më të organizuar, nëpër shkolla kryesisht fetare (medrese). I gjithë ky proces i frymëzuar dhe i udhëhequr nga porosia e Kur’anit, të përpiqesh të fitosh dijen, ta mbash mend atë, ta përhapësh midis njerëzve të tu dhe të veprosh sipas mësimeve të saj.
Dëshmitë më të hershme, të paktën deri më sot mbi shkollat islame në Berat i gjejmë te regjistrat e zyrës së sheriatit të këtij qyteti, që në mesin e shekullit XVII dhe sejjahatnamenë (libri i shtegtimeve) e gjeografit turk Evlija Çelebi, i cili përmend pesë medresetë, ndër të cilat më kryesoret: Medreseja e Sulltan Bajazit Veliut dhe ajo e Uzgurliut. Dokumentacioni i asaj kohe si edhe biografitë e jetës dhe veprës së poetit beratas të shek. XVII, Nazim Frakulla, bëjnë fjalë për dy medrese më të hershme me emrat Turkanber Medrese e Ahmet Bej Medrese, në njërën prej të cilave kish mësuar edhe Nazimi si edhe arkitekt Kasemi. Në këto konkluzione na lejon të arrijmë konstatimi i Çelebiut se në Berat në atë kohë (1670) gjeti njerëz të ditur dhe të mësuar, që mblidheshin në kafenetë buzë Osumit, flisnin bukur gjuhët e vendeve islame dhe recitonin poezi nga poetët e tyre.
Veç medreseve, në këtë qytet, nga mesi i shekullit XVIII u hapën edhe shkolla të tjera islame si Mektepet dhe Iptidaije (kryesisht shkolla fillore me katër klasë), Ruzhdijet (qytetëse me tre klasë) dhe Idadije (gjimnazi me katër klasë).
Kuptohet se qëllimi i gjithë këtyre shkollave ishte për të përgatitur kuadro të kultit (hoxhallarë), gjyqtarë e nëpunës të administratës. Puna mësimore drejtohej nga myderrizi (mësuesi) ose kur shkolla kishte personel të gjerë pedagogjik nga kryemyderrizi, i cili përgjigjej para zyrës së sheriatit dhe në një kohë të mëvonshme përpara myftiut.
Programet mësimore, për shumicën e lëndëve, ishin të njëjta në të gjitha shkollat, por vendin kryesor e zinte mësimi i fesë, mësimi i Kur’anit, teoria e së drejtës islame dhe teologjia. Në ciklet më të larta mësoheshin elemente të aritmetikës e të logjikës. Vend të rëndësishëm zinte mësimi i gjuhës arabe, si gjuhë e kulturës islame si edhe gramatika e retorika e kësaj gjuhe. Osmanishtja mësohej si gjuhë e zejtarëve, e tregtarëve dhe zyrtarëve, ndërsa persishtja si gjuhë letrare. Të gjitha tekstet mësimore ishin në gjuhën arabe, por si gjuhë e punës në të gjitha shkollat dhe në të gjitha kohët ishte gjuha shqipe. Ndarja në grupe prej dy-tre nxënës bëhej sipas moshës dhe nivelit të përparimit. Ora e mësimit zgjaste 90-120 minuta dhe mësuesi kalonte nga njëri grup tek tjetri. Në shkollën fillore mësimi zhvillohej në një dhomë të përbashkët në cepat e së cilës nxënësit ndaheshin sipas klasave. Detyra e mësuesit ishte përkthimi i tekstit dhe nxënësit duhet të fitonin në mënyrë të pavarur njohuritë që kuptonte teksti. Si rregull, të mësuarit e lëndëve mësimore nuk zhvillohej paralelisht, por pasi përfundonte njëra lëndë, fillonte lënda pasardhëse. Përveç nxënësve në moshë shkollore ekzistonin edhe shkolla për nxënës të moshave të rritura, ku mësimi zhvillohej me afat 10-15 vjet pa u shkëputur nga puna. Mësimi në të gjitha llojet dhe kategoritë e shkollave jepej falas ndërsa pranë medreseve funksiononin imarete (mensa ku jepej ushqim falas). Me mbarimin e medreseve nxënësit pajiseshin me ixhazete (diplomë) nëpërmjet të cilës ata fitonin të drejtën për të ushtruar profesionin si hoxhë, gjyqtar apo nëpunës. Nëpërmjet këtij sistemi dhe cikli shkollor qytetarët beratas u shkolluan, mësuan lexim dhe shkrim, u pajisën me njohuri nga letërsia arabe, turke e persiane, fituan njohuri për historinë, gjeografinë, logjikën, matematikën dhe mbi natyrën. Duke filluar që nga shekulli XVI e më vonë në këto shkolla u përgatitën misionarë të aftë e të përkushtuar që përhapën dhe predikuan besimin islam pa u lodhur gjatë gjithë jetës së tyre. Ndër më të hershmit, Ramazan Mullai, myfti i Beratit në shekullin XVII për të cilin shkruan aktivisti islam Demir Hani, Mulla Aliu, myfti në shek. XVIII, Nuh Efendiu, myfti deri në vitin 1833, Mehmet Ahmed Nakshiu, myfti në fund të shekullit XIX e në fillim të shek. XX, Mehmet Esati myfti në fillimet e shekullit XX, Rapo Rustemi, Mehmet Durdia e shumë teologë e myderrizë të aftë e të ditur, që edukuan e përgatitën breza besimtarësh myslimanë në qytet e në fshatrat e Beratit por edhe në gjithë Shqipërinë e Jugut. Falë këtyre shkollave, Beratit nuk do t’i mungonin poetët si Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muçi Zade, Mehmet Ashkiu (Fejziu), Omer Sadedini, Sulejman Temani, Dervish Jonuzi (Kokoshi), të cilët shkruan divane, lëvrohet lirika islame, ilahia, që përbën zanafillën e letërsisë shqipe me alfabetin arab. Nuk do t’i mungonin njerëz të shkolluar të cilët do të jepnin kontribute të mëdha në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në hapjen e shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe. Roli i shkollave fetare dhe veçanërisht medreseve nuk mund të kufizohet vetëm për momentin kur ato ekzistuan dhe funksionuan dhe nuk mund të vështrohen vetëm në ndikimet që ato ushtruan në përhapjen e dijeve e kulturës Islame.
Prej tyre burojnë mesazhe të fuqishme që i japin kuptim, orientim dhe motivimin përpjekjeve në rrugën e dijes. Këto shkolla luajtën rolin e tyre jo vetëm në drejtim të përhapjes së besimit, të kulturës dhe dijeve islame, por edhe në fushën e edukimit. Duke u mbështetur në doktrinën islame, ato ndikuan fuqishëm dhe pozitivisht në sjelljen, edukatën dhe moralin e nxënësve dhe të mbarë jetës qytetare. Veprimtaria edukative përbënte një ndër detyrat dhe kujdesjet prioritare të këtyre shkollave. Kjo veprimtari prekte problemet e sjelljes dhe edukatës së përditshme e konkrete, të disiplinës në shkollë e mësim, të paraqitjes estetike e të pastërtisë e higjienës personale dhe të mjedisit. Rregullat e vendosura zbatoheshin me rigorozitet, dhe i nënshtroheshin një kontrolli ditor dhe korrekt.
Në plan të parë dhe kryesor shkolla synonte edukimin fetar. Realizimi me sukses i këtij edukimi krijonte shtratin e shëndoshë të suksesit në komponentët e tjerë të edukatës. Edukimi i frymës së vëllazërimit, mirëkuptimit dhe respektit ndaj njeriut si qenia më e ndershme e Zotit, dha frytet e veta në kompaktësimin e faktorit mbarë qytetar dhe mbarë kombëtar. Dashuria për gjuhën dhe atdheun u mbajt e ndezur, u edukua e u rrënjos thellë në ndërgjegjen e moshave të reja. Këto synime dhe drejtime themelore të edukimit luajtën rolin e tyre jetik gjatë shekujve. Për efekshmërinë e këtij edukimi dëshmon më së miri veprimtaria e gjithanshme atdhetare e brezave të tërë që dolën nga bankat e këtyre shkollave. Gjatë gjithë periudhave të ekzistencës dhe funksionimit të tyre e gjithë veprimtaria e këtyre shkollave eci në harmoni me interesat dhe me shtratin kombëtar. Edukimi eci dhe u zhvillua mbi bazën e traditës të parimeve dhe normave morale qytetare. Mbi këtë bazë jo vetëm u ruajtën vlerat e traditës, por u prodhuan vlera të reja që luajtën rolin e tyre në proceset dhe hapësirat e mëvonshme historike. Padyshim roli dhe ndikimi i mësuesve ishte tepër pozitiv sepse:
Mësuesit ishin personalitete me reputacion, me kulturë të gjerë dhe erudicion e ndikimi e veprimtaria e tyre nuk kufizohej e nuk konsistonte thjesht në kornizat e shkollës. Ata ishin intelektualët më të shquar të atyre kohëve e të respektuar në opinionin qytetar. Autoriteti i tyre buronte nga përkushtimi, drejtësia në vlerësimin e nxënësit dhe kërkesa në nivele të larta dhe sistematikë. Nxënësit që gjendeshin të papërgatitur për mësim apo nuk kishin kryer detyrat detyroheshin brenda po asaj dite të plotësonin mangësitë e konstatuara.
Në këto shkolla pavarësisht përgatitjes pedagogjike e didaktike të mësuesve ka patur përpjekje për përmirësime e përsosje të procesit të mësimit. Nëpërmjet një dokumentacioni të kufizuar, nëpërmjet të dhënave e dëshmive në formë përshtypjesh dhe kujtimesh të nxënësve që kaluan nëpër këto shkolla konkludohet për një traditë të përcjellë. Gjykohet për një përvojë të mirë në drejtim të punës së mësuesit me grupe nxënësish sipas niveleve të tyre. Këto nuk ishin grupe fikse e të ngurtësuara por ndryshoheshin sipas rezultateve në to duke bërë lëvizjen e nxënësve nga grupet më të ulëta në ato më të larta dhe anasjelltas. Nxënësit më të përparuar ngarkoheshin me detyrë për të kontrolluar e ndihmuar nxënësit e niveleve më të ulëta. Myderrizi kontrollonte me rigorozitet dhe udhëzonte nxënësit e përparuar për ta kryer sa më mirë detyrën e ngarkuar prej tij.
Sipas kësaj praktike nxënësit jo vetëm mësonin prej mësuesit por edhe mësonin njëri-tjetrin. Procesi i të mësuarit vazhdonte jashtë shkollës dhe nxënësit merrnin përsipër të përçonin dijet dhe kulturën islame edhe në familje.
Ndër parimet dhe veçoritë e edukimit dhe arsimit në shkollat islame kuptohet se ka qenë liria e individit. Ky proces ecte krejtësisht natyrshëm pa imponime, pa presion e norma të ngurta. Të mësuarit bazohej në dëshirën dhe arsyen e vetë nxënësit. Kujdesi i shkollës dhe i mësuesve insistonte në edukimin e bindjeve dhe motiveve për të mësuar. Krijohej kështu premisa më e fuqishme që siguronte suksesin në të gjithë punën e shkollës. Për rrjedhojë, këto shkolla do t’i rezistonin kohës dhe do të përgatisnin breza me besim, dije dhe kulturë islame.
/Drita Islame/