Edukimi ateist dhe shkencor

image

Regjimi komunist i kushtoi vëmendje të veçantë edukimit ateisto-shkencor nëpërmjet arsimit, jo thjesht për të luftuar analfabetizmin e trashëguar, por edhe për të prodhuar kuadrot e nevojshme për administratën dhe punëtorët e kualifikuar, që do t’i shërbenin industrializimit të vendit dhe vendosjes mbi baza shkencore të çdo fushe prodhimi. Arsimimi u karakterizua fund e krye nga përshkimi i ideologjisë marksiste-leniniste dhe politizimi i tejskajshëm. Formimi i njeriut të ri, që patjetërsueshmërisht do të kalitej në kudhrën e mësimeve marksiste-leniniste, kërkonte që njeriu të çlirohej nga prangat e obskurantizmit fetar dhe të shkëputej përfundimisht nga bota e vjetruar, e shkaktuar nga feja. Në këtë proces rolin bazik do ta luante institucioni i arsimit me të gjitha hallkat e tij, duke u cilësuar si leva kryesore në edukimin ateisto-shkencor dhe që de facto i tillë ishte. Qysh në vitet e para të pasçlirimit trendi edukues me ideologjinë marksiste-leniniste synonte që ta kufizonte vazhdimisht rolin e institucioneve fetare në procesin edukativ, përfshirë dhe shkollat që administroheshin nga komunitetet fetare. Autoritetet shtetërore deklaruan se i vetmi autoritet që ishte përgjegjës për edukimin e fëmijëve dhe të brezit të ri ishte Partia. Në këtë mënyrë përjashtoheshin kategorikisht komunitetet fetare nga procesi i edukimit dhe i formimit. “Në vitin 1946 Ministria e Arsimit deklaroi se reforma arsimore e atij viti do t’i kundërvihej mësimit të fesë edhe në kisha e xhami.” (Edwin Jacques, Shqiptarët, fq.492). Një vit më vonë, më 1947, Partia porosiste sektorin e arsimit të organizonte edhe “propagandën antifetare në shkolla e kudo edhe luftën kundër fanatizmit e zakoneve të këqija.” (Hulusi Hako, Ateizmi shkencor, fq. 287). Këto direktiva synonin që rrezja e influencës së komuniteteve fetare të vinte duke u kufizuar jo vetëm në jetën publike, por edhe në atë të institucioneve të kultit. Ky trend duket qartë edhe në synimin për të ndalur mësimin e fesë edhe brenda objekteve të kultit, që do të thoshte kontroll të tërësishëm deri në qelizën e fundme të çdo komuniteti fetar. Kështu gradualisht do të vinte edhe vdekja e institucioneve fetare; vdekja e tyre kulturore e shpirtërore më së pari, si rezultat i çjetësimit të parimeve metafizike dhe trysnisë së vazhdueshme të autoriteteve qeverisëse. Këto masa shkaktuan braktisjen e dalëngadalëshme të xhamive e kishave, saqë, përpara se të ndalohej me ligj ushtrimi i besimit fetar, nuk do të gjeje njerëz për të drejtuar ritualet ose një numër të pakët frekuentuesish, kryesisht jo të rinj. Boshllëku ideor, i krijuar nga tkurrja permanente e besimeve fetare, u zëvendësua nga ideologjia marksiste-leniniste, si i vetmi kriter absolut i vlerësimit të ngjarjeve dhe fenomeneve në përditshmërinë jetësore. Edukimi permanent me ideologjinë marksiste-leniniste, që përshkonte gjithë hallkat e sistemit arsimor e më gjerë, shërbente për indoktrinimin ideologjik të rinisë dhe masave popullore. Si rezultat i këtij procesi, u hodhën bazat për formimin e njeriut të ri, të çliruar nga prangat e opiumit fetar, që busull orientimi kishte mësimet e “vijës së drejtë të Partisë”. Indoktrinimi ideologjik nëpërmjet gjithë arsenalit të mjeteve edukuese e propagandistike, që i paraqitnin besimet fetare si Kutia e Pandorës, jo vetëm për shqiptarët, por edhe në botë, prodhuan revolucionin “spontan”, deus ex machina, të rinisë dhe masave të vitit 1967. Nuk ishte e rastit që luftën antifetare, të nisur nga strukturat shtetërore ex officio, qysh me çlirimin e vendit, nën hijen e kamuflimit, e iniciuan pikërisht maturantët e “Naim Frashërit” në Durrës. Ky ishte brezi i ri, i edukuar qysh në lindje me parimet ateisto-komuniste, që ngazëlleu udhëheqjen komuniste dhe ua forcoi bindjen se tashmë ishin pjekur kushtet për të ndaluar ushtrimin e besimeve fetare. Krahas arsimit, bosht qendror i edukatës ateisto-komuniste, si leva të këtij edukimi shërbyen edhe letërsia, kinematografia, arti dhe teatri, të vendosura nën suzerenitetin e realizmit socialist. Nëpërmjet lëvizjes së këtyre levave jehonizohej e kaluara historike e popullit shqiptar, ku masat popullore paraqiteshin si ruajtëse të vlerave më të arrira dhe përçuese të progresit ndër shekuj. Edhe PKSH-ja, më vonë PPSH, propagandonte vazhdimisht se ishte parti e masave, propagandë me një frymë të theksuar antielitare. Lavdëroheshin punëtorët, fshatarët, kuadrot që jepnin shembullin e tyre vetjak si komunistë të devotshëm në frontin e punës, ku kishte nevojë atdheu. Puna pranë klasës punëtore shërbente gjithashtu edhe si masë riedukimi për ata që “lajthisnin” nga vija e drejtë e Partisë. Romanet, tregimet, novelat, filmat rrëfenin për personazhe negativë e destruktivë, që rridhnin nga familje kulakësh, të deklasuarish ose fetarësh, që nuk ishin në kohezion me realitetin e ri socialist. Ata ishin të mveshur me cilësitë më negative të natyrës njerëzore dhe paraqiteshin si mesjetarë të pandreqshëm. Stigmatizimi dha sarkazmimi i këtyre shtresave të papranueshme për shoqërinë e re synonte rrënjosjen e urrejtjes, përkundrejt besimeve e ideve që ata përfaqësonin, e jo thjesht ndaj njerëzve, sepse ata që përjetuan kalvarin e Golgotës komuniste, e përjetuan vetëm për shkak të asaj që përfaqësonin e jo për ndonjë arsye tjetër. Ngjarjet e paraqitura mbylleshin me triumfin e së mirës që përfaqësohej nga dora e ngrohtë e Partisë, një dorë e cila qëndronte vigjilente pranë popullit dhe e përkëdhelte kur i bindej. Kur nuk i bindej, do ta ndëshkonte sipas shkallës së delinkuencës që kishte kryer, duke e përcaktuar po vetë shkallën e deliktit. Filmat, nga ana tjetër, do t’i portretizonin figurat e klerikëve si njerëz të lidhur me regjimin feudo-borgjez, që e shfrytëzonte popullin deri në pikën e fundit të gjakut. Do t’i portretizonin si figura që kishin punuar gjithmonë kundër çështjes kombëtare, si të degjeneruar moralisht e plot vese të tjera të këqija. Ajo që duhet kuptuar është se duhet bërë dallimi mes parimeve dhe veprave që kryhen në emër të po këtyre parimeve, por me qëllim tjetërfare. Kjo do të thotë se nuk mund ta demonizojmë një sistem të tërë parimesh, një sistem të tërë vlerash, për shkak të abuzuesve me këto parime, që realizojnë qëllimet vetjake. Veprimtarët abuzues kanë qenë, janë dhe do të mbeten, jo dëshmi e dështimit të parimeve, por dëshmi e dështimit të tyre vetjak për t’u aktualizuar me këto parime. Fatkeqësia më e madhe nuk qëndron te veprimet e qëllimprishurve, por te modeli që përçojnë te pjesëtarët e shoqërisë, që demonizohet për hir të demonizimit të përfaqësuesve të këtyre vlerave e parimeve. Veprimet abuzive i shërbyen regjimit komunist si një aleat i ngushtë e i dashur në procesin e ateizimit të shoqërisë shqiptare, paçka se i kritikonte ashpërsisht këto veprime. Figura e portretizuar negativisht e klerikëve kishte si antipod figurën e intelektualit komunist, punëtorit e fshatarit të thjeshtë, të brumosur me mësimet e Partisë, që lufton te keqen njerëzore dhe të këqijat natyrore i armatosur me materializmin shkencor. Ky personazh, i karakterizuar me këto cilësi në këtillësinë e tij, duke reflektuar moralin komunist, është i mirëpërcaktuar të jetë fitimtar, sepse është edukuar e frymëzuar nga mësimet e pagabueshme të Partisë dhe jo nga mësimet e besimeve fetare. 

Në mungesë të televizionit (jo vetëm të tij), për shumicën e popullit shqiptar si zëvendësues-përçues i arritjeve të udhëheqjes komuniste në ndërtimin e socializmit, shërbyen edhe kinematë lëvizëse, që udhëtonin në çdo kënd të atdheut socialist për të shfaqur filmat e kinostudios “Shqipëria e Re”. Po, Shqipëria e Re! Shqipëria e re marksiste-leniniste, e patundur në dallgët e oqeanit të zhvillimeve botërore, e shkëputur njëherë e mirë nga e kaluara mesjetare e obskurantiste. Skenat e teatrove ose estradave popullore jo vetëm stigmatizonin e sarkazmonin “negativitetet” dhe “mendësitë e vjetruara” që mbroheshin me fanatizëm nga feja dhe shpura e saj e klerikëve, por në të njëjtën kohë jehonizonin lumturinë që po përjetonte populli shqiptar nën udhëheqjen e Partisë. Indoktrinimi ideologjik permanent i popullit synonte jo vetëm edukimin e tyre, por edhe kontrollin krejtësor të tyre për të mos lejuar dhe goditur çdo lloj prominence, antipushtet, antisistem, kundërrevolucionare, madje edhe brenda llojit. Ngrehina e edukimit ateisto-shkencor impulson nga fjalët e udhëheqësit filozof që “shtron detyrën që i gjithë sistemi i edukimit të shkollës të përshkohet nga boshti i ideologjisë marksiste-leniniste të Partisë sonë.” (Hulusi Hako, Ateizmi shkencor, fq. 85). Boshtimi rreth marksizëm-leninizmit rezultoi me ateizimin, politizimin dhe ideologjizimin e programeve shkollore, për të bërë njeriun e ri, që i iluminuar dhe i revolucionarizuar e ndërton Shqipërinë e re.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme