Mitet serbe kundrejt shqiptarëve

Tek sodisja Majen e Rumisë, përballë fshatit Ftjan, në rininë time të hershme, gjyshja (ndjesë pastë), më tregonte një përrallë, që e kishte dëgjuar në adoleshencën e saj: “Thuhet se dikur aty ka pasur një kishë që e ka shembur koha. Nga maja e thepisur, gurët kanë rrëshqitur. Kështu, secili vizitor është i obliguar të çojë nga një gurë, që kur të arrihet numri i gurëve të duhur, kisha mrekullisht do të ngrihet vetë!” Pas ca ditësh, gjyshja prapë më tregonte një këngë me një legjendë tjetër, duke më dhënë edhe porosinë se, kurdo që unë të arrija majën e këtij mali, duhej të çoja aty një gurë, në mënyrë që ky mal të bëhej edhe më i lartë:

Oj Rumija, bjeshk’e naltë,

Ti u bafsh o ma e naltë,

Ti u bafsh ma e naltë se je…

Pastaj, si nxënës i shkollës së mesme, pas 4-5 orësh rrugëtimi, gurëve të thepisur të bjeshkës, arrita të ngjitem atje bashkë me një gurë, për ta lartësuar edhe pak majën e saj, ashtu siç më mësonte gjyshja këngën “ma e naltë u bafsh se je” ose, së paku, që ashtu të ruhej lartësia e bjeshkës nga erozioni natyror, siç shkruante autori romak Straboni [Nika:2006]! Pastaj unë u largova e gjyshja vdiq, bashkë me ‘kontributin’ tim për ta lartësuar atë, sepse “mrekullinë” e pashë me sytë e mi, kur u ktheva në vitin 2005, dhe kur kisha “ishte ngritur vetë”, më 18 qershor të atij viti, si një “deus ex machina” moderne, ani pse me financimin e KOS-it (Kishës Ortodokse Serbe) dhe ndihmën e helikopterëve ushtarakë të Serbisë! M’u kujtua gjyshja e thashë me vete “rahmet pastë”, por mbeta në dyshimin tim, nëse “ata e kanë dëgjuar  përrallën e gjyshes apo gjyshja e ka dëgjuar përrallën e tyre”!?

Në fakt, Mali i Rumisë, i lartë 1593 metra, është njëri ndër malet më të larta në Mal të Zi dhe më i larti që e ndan Detin Adriatik me Liqenin e Shkodrës. 

Tashmë kishte dy muaj që kisha serbe “Sveta Trojica” e kishte “hijeshue” Ruminë. Ishte “ditë feste”, se serbët po çonin në vend amanetin e dhënë “434 vjet më parë”. Kishin arritur atje priftërinj të shoqëruar me “besimtarë” “të stolisur” me flamuj serbë, e të dekoruar në gjokse me imazhet e dy kriminelëve të shekullit të kaluar: Radovan Karaxhiq e Ratko Mlladiq! Po çonin në vend “amanetin” e vjetër, por kishin provokuar jo vetëm banorët e Krajës e shqiptarët në Mal të Zi, por edhe vetë Kishën Ortodokse Malazeze (KOM), e cila në dukje reagoi ashpër! 

Prej atëherë kanë kaluar tetë vjet e unë e gjej kishën aty, më të fortë se në përrallën e gjyshes, sepse guri që kisha çuar unë “ishte shndërruar në metal” dhe do t’i rezistonte gjatë kohës. Por, për kaq kohë, arrita të mësoj se ngritja e kishës politike serbe në Majën e Rumisë (Rumia Sacra), i paska pasur themelet e vëna shumë kohë më parë, madje shumë kohë para se vetë gjyshja ta mësonte këtë përrallë, që në fakt nuk ishte e gjithë përralla, por ishte vetëm një version i shkurtër i saj! Përrallën e plotë do ta tregojë kreu i KOS-it, me mënyrën e të bërit histori serbçe, për të arsyetuar ngritjen e kishës “në vendin e një tjetre që ka qenë aty” [“Vijesti”: 12.4.2010]. Na paskësh thënë Jastrebovi më 1880 se “në Rumi ekziston kisha” [Jastrebov: 1886]. Rovinski më 1897, nuk e kishte parë, por i kishin thënë “arnautët” se aty dikur ishte “kisha e mbretëreshës... Helenë, gruas së Uroshit dhe nënës së Milutinit” [Rovinski:1897]. E paskësh zbuluar pastaj Tomo Oraovac më 1913, se dikur këtu kishte një kishë [Oraovac:1913]! Pastaj na del edhe “akademiku”, duke na thënë se në majën e Rumisë ka pasur një kishë 1000 vjet më parë, që e paskëshin quajtur “Sveta Trojica”, atëherë kur “në Krajë nuk kishte asnjë shqiptar, veç serbë” [Burović: 23.11.2012]! Do t’i falej akademikut serbofil “përçapja shkencore” sikur të përfundonte me fjalët e gjyshes: “përralla n’lesh, e mira prej nesh”. 

Pasi hapësirat shqiptare deri pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishin institucione shkencore (Universitete e Akademi), serbët përfituan epërsi dhe avantazh kohorë në propagandimin e imazhit të tyre për formulimin e “dëshmive” historike për “tokat serbe”, duke instrumentalizuar fenë për interesat e veta shoviniste. Kështu kishin vepruar ata edhe në vitin 1989, me ardhjen e mitropolitit Amfillohije Radoviq dhe ‘besimtarëve’ të tij, kur uzurpuan Kishën e Vjetër të Krajës, që dikur, bashkë me ishujt e Liqenit të Shkodrës, kishte qenë si një vend pelegrinazhi dhe krahasoheshin me Rotezon [Schmitt:2007]. Prej atëherë, prania e tyre në kishën e Krajës, për çdo 4 qershor, pa asnjë të drejtë historike, fetare, juridike e kanonore, i irriton pa masë banorët e këtij nënqielli paqedashës. Megjithëse, aty prej kohësh nuk jetojnë më të krishterë, ata e konsiderojnë atë si trashëgimi kulturore, historike dhe shpirtërore të tyre dhe mendojnë se KOS-i nuk ka asnjë të drejtë as historike, as fetare, as juridiko-kanunore mbi këtë objekt kulti të Krajës.

Por, le të kthehemi tek skenat e kontradiktave, në lidhje me kishën e Rumisë, që u vendos e mbeti si kishë sherri! Kishte apo nuk kishte një të tillë? Nëse kishte, kujt i shërbente?! E prishën osmanët më 1571 apo jo!? E panë të tjerët në fundin e shek. XIX apo jo? Ata që zbuluan ekzistencën e kësaj kishe 440 vjet “pas shkatërrimit përrallor”, frymëzuan KOS-in, që më 22 mars 2010 të bënte historinë: “Ky vend ka qenë i bekuar me atë kishë që mbulonte Majën e Rumisë, atë kishë që e patën shkatërruar okupatorët turq, kur erdhën më 1571”. Një gënjeshtër, që do ta arsyetonte edhe doktori beogradas i shkencave historike Čedomir Antić [“Dan”:31.1.2011]. Prifti i KOS-it (22.3.2010) paskësh sajuar edhe një mallkim që paskan bërë “serbët” e atyre kohëve, kur kishin parë si shkatërrohej kisha e tyre në Rumi: “Në të harrofsha, o kishë e Rumisë, le të më (harrojë) ngrihet krahu (dora) i (e) djathë (m’u thaftë dora e djathtë), më lëntë fuqia, vdeksha (mos qofsha)” [“Dukljanin”, 11.1.2011]. Ky është një citat i marrë nga “Besëlidhja e Vjetër”, përkatësisht nga “Libri i Psalmeve” (137:5) për Jerusalemin [Bibla:1994/817] dhe i përdorur kudo që ata e shohin të arsyeshme, pse jo edhe për Ruminë, identike me atë mallkimin që kishin bërë për Kosovën! Gjithsesi duhet bërë krahasimi me dorën e djathtë, sepse me të kryqëzohen (bëjnë kryq), andaj dhe humbja e saj do ishte njëri ndër dënimet më të rënda! Kjo ishte “beja e madhe”!

Sikur ata vërtetë të besonin se dikur këtu në Rumi kishte një kishë, nuk do ta kishin lënë pa i zbuluar edhe themelet e saj, pasi kjo do të ishte dëshmia më e fortë në favorin e tyre. Por, atyre nuk u duhen dëshmi, sepse kanë metoda të veta për t’i bërë dëshmitë – u mjaftojnë vetëm helikopterë!

Një relacion i vitit 1889 na e përshkruan se në Majën e Rumisë, para se të lindë dielli, pjesëmarrësit e tri feve, shtegtonin bashkë me këtë kryq mbi malin e Rumijës, herët në mëngjesin e agimit, në mënyrë që dielli në të lindur të kapte vargonin në majë” [Schmitt:2007/183]. Aty ndiznin qirinj, katolikët e ortodoksët silleshin tri herë me kryq në dorë, derisa muhamedanët vështronin [“Nova Zeta” I, #6/1889]. Në një përshkrim tjetër prifti Vuk Popoviq nga Risani më 14 maj 1885 shkruan se në rrethin e Tivarit jetonin edhe myslimani edhe i krishteri në të njëjtën shtëpi, ndërsa kur vjen dita e bartjes së kryqit në majën e Rumisë, atë e bartë edhe myslimani [Radojevic: 2004/30]! Ky nuk kishte parë kishë këtu dhe as që kishte dëgjuar të ketë pasur ndonjëherë. Më pas (1892) një tjetër përshkruante “Ditën e Ruzaleve” në Majen e Rumisë, ku vinin njerëzit të luten e të sillen rreth kishës, që për çudi nuk e kishin shembur turqit! Këtu, derisa ortodoksët (serbë) luteshin, katolikët e muhamedanët pjesëmarrës qëndronin duke vështruar [Prizrenac: 2004/23-25]! Mund të merret me mend se pse i vështronin ashtu këta të huaj, që kishin ardhur në truallin që nuk u takonte. Mbase e konsideronin për provokim!? Dr. Jovan Erdeljanoviqi më 1910 nuk përmendë të ketë pasur ndonjë kishë në Rumi, megjithëse nuk lë pa përmendur kishën e Shën Markut në majën e Sutormanit (844 m) [Erdeljanovic: 1978].

Më 1894, një përshkrues tjetër nuk kishte gjetur aty kishë, pos kryqit që e kishin vendosur “në një grumbull gurësh të ngritur...” [“Glas Crnogorca”, #24/11.4.1894]. Legjendat e kanë shenjtëruar këtë kryq, se ka qenë kryqi i shën Vladimirit – dhuratë e mbretit bullgar Vladislavit, nga viti 1016, kur kisha Lindore dhe ajo perëndimore ende nuk ishin të ndara (1054) [Kung: 1956/114]. Ishte ky kryq që ai mbante në duar, kur u vra nga kisha e Shën Ahilijës në Prespë [Radojevic: 2004/27-32]. Ky i fundit e përmendë edhe përrallën e gjyshes, se: ”në Majën e Rumisë ka qenë e ngritur një kishë, të cilën e kanë prishur (jo koha si në përrallen e gjyshes, por) turqit që të pengojnë bashkimin e njerëzve... kisha do të ndreqet vetiu kur të bëhen aty gurë të mjaftueshëm për të” [Radojevic: 2004/27-32]. Në përrallën e 1894-tës, autori kishte dëgjuar në Krajë (ku sipas tij jetonin serbë, katolikë e muhamedanë), për këtë kishë. Në faqen 29 të librit të tij, kishte vënë një titull: “Dvije Priče is Krajine”. Sipas tij, kisha në Majën e Rumisë kishte zbritur ngadalë e shëndosh dhe ishte mbytur në Liqenin e Shkodrës, ku gjendet edhe sot e tëra, diku në fundin e Liqenit. Madje sipas tregimit, ajo posedon dyer e dritare të atilla, që uji ende nuk ka mundë të depërtojë brenda dhe qirinjtë që kanë qenë ndezur në atë kohë, ende ndriçojnë brenda saj!? Por përralla e fundit, nga po ky autor, mua “më pëlqen” më së shumti! Jo pse mund të ketë mendje njerëzore për ta pranuar si të vërtetë, por sepse brenda saj përmban një “profeci”, që do të realizohej në qershor të vitit 2005. Sipas kësaj legjende, kisha “kishte fluturuar” nga andej, për shkak të mëkateve që bëheshin brenda saj dhe po kështu do të kthehej në vendin e vet, kur të bëhej numri i mjaftueshëm i gurëve aty. “Profecia” u realizua përmes një “fluturimi modern”, pasi ishte plotësuar numri i gurëve në Majën e Rumisë, aty ku “serbët gjatë shekujve ngjiteshin për t’u afruar me Zotin” – siç kishte thënë prifti, kur e kishte bekuar atë në Tivarë! 

Gjeografi i njohur francez, Guillaume Lejean, më 1858, kur udhëtoi në Shqipërinë veriore, e kishte pa Ruminë pa kishë: “Shkodra nën hijen e Shtatë Maleve që po përhumbte në brymë. Në të majtë, ngriheshin malet e Rumias, hijet me majë të të cilëve binin thikë mbi liqen. Fshatrat shqiptare fshiheshin në ijet e atyre maleve, duke formuar zonën e Krajinës…”[“Gazeta Shqiptare”, 10.3.2013]

Në një hartë gjeografike veneciane të vitit 1571, që gjendet në Bibliotekën Popullore të Serbisë, janë skicuar Nechagia (Haj Nehaji), Spich (Spiçi), pastaj Monte Sosena (Sozina), Monte Cavallo, Monte Lisigno (Lisini) dhe Monte Malicha (Rumija). Aty duken qartë Katedralja e Shën Mikalos dhe Shën Marisë, Kisha e Shën Lorenzos, Kisha e Shën Kroces, Kisha e Shën Katarinës, Kisha e Shën Vidos, Manastiri i famshëm i Rotacit, aty është edhe Vescouado (Arqipeshvija), por në Monte Malicha (Rumi) nuk kishte kishë! As Marian Bici (1610), as Marino Bolica (1614), as Pjetër Budi (1621), as Gjergj Bardhi (1637), as Françesk Leonardi (1638), as Gjuzepe Bonaldi (1651), as Pjetër Bogdani (1657), as Evlija Çelebiu (1669), as Andrija Zmajeviqi (1671), as Nikolla Erico (1692), as Vinçenc Zmajeviqi (1702), dhe as të gjithë të tjetrët që kanë përshkruar me hollësi vendet që kanë vizituar, përkatësisht gjendjen e kishave dhe të krishterëve [Zamputi:1965], nuk kanë përmendë asnjë kishë, sepse një të tillë nuk ka pasur. As në imazhin serb të historisë që u zhvillua nga shek. XIX dhe u ushqye kryesisht nga tradita e trashëguar kombëtare / folklorike [Schmitt: 2012/23], nuk u gjet qoftë edhe një këngë për të dëshmuar një kishë të hershme në Rumi! Në fund të fundit, ajo që dëshmon më së shumti se këtu nuk ka pasur kurrë një kishë serbe, është se këtu nuk kanë jetuar kurrë serbë, siç pandeh ‘akademiku’. Kanë jetuar aty ortodoksë shqiptarë, siç duket në defterët e vjetër [Pulaha: 1974], të cilët në masë të madhe u islamizuan për shkak të kërcënimit që u bënte kisha serbe me asimilimin e tyre [DelaRoka:1994/45].

Sidoqoftë, ”Olimpi” i shqiptarëve të Krajës, për të cilin ata kanë krijuar shumë vlera poetike dhe legjendare dhe të cilit dikur i këndonte edhe Don Ndre Mjeda [“Scodra”], padrejtësisht është uzurpuar me një kishë sherri, të cilën shqiptarët e Krajës dhe më gjerë, e përjetuan si një provokim dhe uzurpim të trojeve të tyre etnike dhe historike. U reagua ashpër dhe u kërkua heqja e saj, në mënyrë që ”raportet ndërkombëtare dhe ndërfetare të kthehen në gjendje harmonike, siç ishin më parë“. Por, mua më duhet se si malazezëve ashtu edhe shqiptarëve po u shërben më shumë për të ndezur gacat vetëm para elektorateve, siç u dëshmua edhe në rastin e fundit (2012)!

Kisha e tipit “konservë” me një peshë 3.5 tonelatash u ndërtua në Portin e Tivarit brenda dhjetë ditësh, nga Raj¬ko Ne¬ško¬vić dhe Mo¬mo Mi¬ja¬i¬lo¬vić. Kryqi u ndreq në Serbi, kurse tri kambanat erdhën ‘peshqesh’ nga Rusia [“Korrieri”, 16.1.2006]. Ajo u sponsorizua nga “Mitropolija crnogorsko-primorska” dhe në Tivar u përcoll nga policia! Gjithsesi mbeti një “kishë sherri” dhe një shkak konfliktesh më shumë politike sesa fetare. Kur KOS-i kishte organizuar një ceremoni liturgjike ose një “pelegrinazh” te kjo kishë [Vijesti, 14.6.2011], myslimanët dhe katolikët nuk iu ishin përgjigjur ftesës, pasi e konsideronin një fyerje kundër tyre. Me këtë rast kishte reaguar kreu i LDSH-së, Mehmet Bardhi (deputet në Parlamentin malazez) [“Zëri Yt”, 22.6.2005], duke kërkuar vendosmërisht heqjen e saj dhe duke e konsideruar jo si të rastësishme, por si: “provokimin më të madh të shqiptareve... dhe një përgatitje të terrenit për diçka tjetër” [“Korrieri”, 16.1.2006].  Kundër z. Bardhit kishte reaguar ashpër Mitropoliti i KOS-it, Amfilohije Radović, kur në “urimet” e Krishtlindjeve e kërcënonte se me heqjen e kishës “do të rrënohen edhe xhamitë”, konkretisht: “nëse rrënohet kisha në Rumi, do të rrënohet edhe xhamia në Tivar” [“Vesti”, 25.1.2011]. Kundër kësaj deklarate provokative reagoj ashpër edhe z. Krivokapiq, duke tërhequr vërejtjen se mitropoliti i kishës serbe në Mal të Zi, Amfilohije, duhet të përgjigjet para gjykatave, për shkak të deklaratave të dhëna [“Express”, 26.1.2011], një provokim që ngjalli konflikte. Nga ana tjetër, u shfaq edhe ideja e një debati publik televiziv, ndërmjet Krivokapiqit e Plamenacit në lidhje me kishën në Rumi [“Dan”, 11.12.2012]

Pastaj u shënua shtatëvjetori (2012) i vendosjes së “kishës së sherrit”, kur sërish u bë objekt diskutimesh në Mal të Zi. Kësaj radhe nuk bëhej fjalë për heqjen e saj, por për muret e jashtme të kishës, që kishin gdhirë të ngjyrosura me mbishkrime “Etnik Albania” dhe “AKSH” (Armata Kombëtare Shqiptare) [RTS, 7.8.2012], si dhe me shqiponjën dykrenore e grafitë, të cilët mitropoliti Mihailo i krahasonte me të njëjtin mesazh që kishte edhe vendosja e sajë në 2005-tën [“Blic”, 8.8.2012]. Kjo kishte shkaktuar panik te zyrtarët e KOS-it në Mal të Zi, që kërkonin hetimin e incidentit pranë organeve komunale të Tivarit, duke akuzuar politikën malazeze (në vend të kishës politike), për prishjen e marrëdhënieve të mira tradicionalisht ndërmjet tri feve që jetojnë në këtë rajon. 

Kundër toneve të këtilla të ashpra, në Kuvendin Komunal të Tivarit kishte reaguar si opozita serbe ashtu dhe z. Ali Gjeçbritaj, anëtar i KNSH-së dhe këshilltar i LD-së në Mal të Zi: “Kërkoj që kisha të hiqet dhe të lirohet Maja e Rumisë”. Sipas të përditshmes “Dan”, kundër kësaj kërkese do të reagonte këshilltari “i pavarur” Dejan Gjuroviq, duke akuzuar z. Gjeçbritajn për “propagandë parazgjedhore” dhe duke argumentuar me “6.800 nënshkrime kundër heqjes së kishës nga Rumija, jo vetëm nga ato të fesë ortodokse, por edhe të fesë katolike dhe shqiptare”. Unë mbetem në dyshime s ku shkuan nënshkrimet e shqiptarëve për heqjen e saj, kur vetëm brenda një dite (dita e verës 2005) të organizuar nga LDK-ja u dhanë afërsisht 1500 nënshkrime!? Në të njëjtën kohë Nebojsha Strugar nga partia serbe “Nova” kishte kërkuar nga këshilltarët e tjerë që të shkarkohej nga detyra e nënkryetarit të Komunës së Tivarit Osman Subashi (për akuza që kishte bërë kundër kishës serbe në Rumi). Madje, edhe kryeparlamentari i Qeverisë së posazgjedhur të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, më 5 dhjetor 2012, e kishte përsëritur kërkesën (e 2010-tës), drejtuar Qeverisë dhe kryeministrit Gjukanoviq, që kisha e Rumisë duhet të hiqet menjëherë dhe të vendoset “atje ku nuk lëkundë themelet e vlerave të Malit të Zi“ [“Express”, 26.1.2011]. “Unë di – vazhdoi Krivokapiqi – shumë kisha të KOS-it nëpër Mal të Zi, që janë ngritur pa leje nëpër shumë vende, kjo është e veçantë dhe duhet të hiqet, kjo është një thikë mbi simbolet e bashkëjetesës”. Në një rast, për RTCG-në, Krivokapiqi kishte kërkuar që Mali i Zi “në mënyrë urgjente duhet ta mbrojë integritetin e vet dhe ta heqin këtë objekt, pasi që fjala është për agresion në sistemin kushtetues”. 

Çështja kishte shkuar dhe në gjykatën e Podgoricës, ku ishte ngritur kallëzim për gjuhën vulgare që kreu i KOS-it në Mal të zi kishte përdorur në ligjëratën e natës së Buzmit, duke mallkuar secilin që e rrënon kishën e Rumisë, se vetëm “feja e rreme dhe e qenit” mund të thotë se duhet rrënuar kjo kishë! Ndërkohë, autoritetet malazeze, para çdo elektorati premtojnë se: “kisha metalike e vendosur pa lejen e organeve përkatëse në Rumi, do të hiqet”. Në mosrealizmin e këtij vendimi (premtimi) një ankesë iu drejtua gjykatës së Strasburgut! Jelko Kacini e vendosi problemin në Bruksel [“Vesti”, 13.2.2011], kurse KOM-i i paraqiti ankesë UNESCO-s, duke kërkuar mbrojtjen e Rumisë nga uzurpimi ilegal i kishës serbe [5.02.2009]! Deri sot ajo ka mbetur aty e paprekur (veç grafitëve), njëri reagon, tjetri e mbron, njëri fyhet tjetri ndihet i fyer, ca e konsiderojnë tolerancë, ca të tjerë intolerancë, dikush bën histori, kurse palës politike mund t’i shërbejë përsëri në elektoratin e ardhshëm...

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme