Në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve gjatë historisë, pa dyshim, gjejnë vend të merituar edhe ulemaja shqiptare nga territori i Maqedonisë së sotme, të cilët duhet të zënë vend në analet e historisë, ngase janë pjesë e kontributit e të lavdisë shqiptare, që gjithsesi në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë duhet të kujtohen e të nderohen.
Në Maqedoni që nga shekulli XV u hapën edhe xhamitë e para si objekte kulti për popullatën, në të cilat predikohej Islami jo vetëm si besim, por edhe si një qytetërim kohe. Edhe pse Islami për nga koncepti predikon vëllazërim botëror, kjo fe në asnjë çast nuk i cenon instinktet e mira të natyrës së njeriut, por përkundrazi i forcon dhe i drejton. Instinktet natyrore janë nga më të ndryshmit, por instinkti i dashurisë ndaj atdheut, gjuhës me të cilën lindesh dhe vdes, janë tipare të identiteti të çdo kombi. Ulematë shqiptarë këtë më së miri e kuptuan në momentet më të vështira, kur popullit tonë i kanosej rreziku i asimilimit nga sllavët e helenët, ashtu që ruajtja e gjuhës dhe kombit ishte një refren i lutjeve të përditshme.
Siç dihet, shkollimi kudo ku shtrihej Perandoria Osmane ishte në gjuhën e Perandorisë dhe nuk kishte dyshim se hoxhallarët, që kryenin edhe profesionin e mualimëve nëpër shkolla, në fillim vinin nga viset e Perandorisë. Kështu me nevojën e madhe që e kërkonte koha ata ishin të detyruar që të hapin shkolla edhe në trevat ku banorët ishin të kombësive të ndryshme.
Në zhvillimin e shkollës dhe të arsimit nën Perandori qartë dallohen dy periudha: periudha e parë kap kohën prej vendosjes së Perandorisë në këto treva e deri në gjysmën e shekullit XIX, kur shkollat kanë po ato tipare të sistemit feudalo-skolastik në aspektin pedagogjik në zbatimin e metodave të punës që bazohej ekskluzivisht në përmbajtjet religjioze dhe, periudha e dytë, që nga shumë historianë të arsimit quhet “periudha e modernizimit të shkollave”, ku në plan-programe, krahas përmbajtje religjioze-shoqërore, hyjnë edhe përmbajtje nga lëndët natyrore.
Perandoria Osmane deri në vitet e ’40-ta të shekullit XIX nuk e kishte të rregulluar me ligje jetën arsimore. Të gjitha shkollat ishin në dorë të konfesionit, por kjo nuk do të thotë se sulltanati nuk mbante llogari për këto shkolla.
Shkollat më masive, që u hapën me ardhjen e Perandorisë, ishin shkollat e ashtuquajtura mejtepe. Në fillim ato hapeshin në qytete, e pastaj edhe në vendbanimet më të mëdha, ndërsa më vonë edhe pranë çdo xhamie. Krahas mejtepeve, në qytetet e mëdha hapeshin edhe shkolla të quajtura shkolla të rangut të lartë, si ruzhdijet e medresetë. Nga shkollat islame, që i hapi pushteti osman, më të përhapura ishin mejtepet, ku mësimin e zhvillonin zakonisht imamët që quheshin nga populli mulla ose hafizë.
Sipas disa të dhënave nga salnamet (vjetarët), por edhe në bazë të informacioneve për territorin e sotëm të Maqedonisë që na i sjell Elvia Çelebija – udhëpërshkruesi më i madh i Perandorisë, thuhet se vetëm në Shkup kanë punuar 70 mejtepe, 9 shkolla për përvetësimin e Kuranit, 6 medrese dhe 9 imarete. Medresetë më të njohura kanë qenë ajo e Sulltan Muratit, e Jahja Pashës, e Isak Pashës, e Isa Pashës, e Mustafa Pashës dhe Zadesë, të cilat ishin ndërtuar “në pjesën më të madhe të qytetit të banorëve që flasin gjuhën e Rumelisë dhe gjuhën shqipe”. Përveç Shkupit, edhe Kumanova ka pasur xhami, teqe e medrese, Velesi ka pasur xhami dhe një mejtep, ndërsa Prilepi – dy xhami, mejtepe e medrese. Gjithashtu edhe për Manastirin, si qendër administrative, ekonomike dhe kulturore-arsimore përmenden 9 medrese, prej të cilave më e madhja dhe më e bukura ka qenë ajo e Dylbend Kadiut. Të dhëna ka edhe për Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Resnjën, Dibrën, Ohrin, Strugën, Krushevën etj., të cilat kanë kryer një veprimtari të pasur kulturo-arsimore.
Në këto mejtepe mësimi organizohej nga vetë imamët e xhamive, që në fillim ishin hoxhallarë-mualimë, ndërsa nga populli quheshin ixhazetli ose edhe “Hoxhallarë të Stambollit”. Këto shkolla vetëfinancoheshin nga njerëz të vendit dhe nga vakëfet. Medresetë po ashtu vetëfinancoheshin me ndihmën e njerëzve të pasur e të vakëfeve.
Shkollat e para - iptidaije
Në bazë të një vjetari të lëshuar nga ministri i Arsimit të Përgjithshëm (Merif selnamase 1898 – me kalendarin e ri), në vilajetin e Manastirit kanë funksionuar 451 shkolla të tilla, në vilajetin e Kosovës – vetëm në Shkup – kanë funksionuar 24 ruzhdije, në Manastir 17, kurse shkolla të larta (idadije ) 2 brenda në Manastir dhe një Shkup.
Në këto rrethana ulematë shqiptarë, që në shumicën dërrmuese të rasteve ishin edhe mësues në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitarë: ata kurrë nuk lejuan që besimi e feja të bëheshin pengesë në përparimin e popullit tonë. Ata e kishin kuptuar shumë mire edhe hadithin e Profetit tonë që kudo e përsëritni, në dy gjuhë, arabisht dhe shqip “HYBUL VATAN MIN EL MAN” (“Nuk mund të ketë fe pa mëmëdhe”). Kjo erdhi në shprehje sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare, që ishte edhe një lëvizje iluministe dhe kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare, kur ata nuk lejuan që feja të bëhet pengesë, por përkundrazi të vihet në shërbim të kombit.
Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura, të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se pa rrokur armën e shkrimit nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë. Pas kushtetutës 1846 dhe, si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, që ia hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. “Duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët shqiptarë myslimanë të kohës u munduan që, përmes këtij alfabeti, ta përhapnin mësimin e gjuhës shqipe si mjet të përparimit dhe të ngritjes kulturore”.
Organizimet e para
Në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin më lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”. Për këtë arsye Sami Frashëri shkruan: ”S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqip pa shkolla në të cilat të mësohet shqipja”.
Në një gazetë të periudhës së Rilindjes Kombëtare të viti 1879 me titull “Zëri i Shqipërisë”, që botohej në Athinë, me titull “Për gjuhën shqipe” ai do të shkruajë kështu.: ” ....shqiptarët duhet të fillojnë më parë lirinë e tyre që të veprojnë si të duan ata vetë dhe si është e drejta e tyre, e pastaj do të kenë lehtësi dhe kohë që t’ia vënë mendjen zhvillimit të tyre dhe, në përgjithësi, edukimit të tyre.”
Personalitetet e kulturës sonë islame, edhe pse ishin në vëmendje të përhershme në ligjërata e me fetfatë e tyre, ata dhanë kontribut të çmueshëm. Kështu shumica dërrmuese e myderrizëve ishin shqiptarë, të cilët, pavarësisht nga kultura e tyre orientale, punonin me nxënës shqiptarë, që e dinin vetëm gjuhën amtare. “Prandaj, siç e kanë vënë në dukje edhe studiues të ndryshëm, diskutimet, bisedat, shpjegimet bëheshin në gjuhën shqipe. E nuk kishte si të ngjiste ndryshe në një mjedis krejt shqiptar, ku nuk ka pasur asnjëherë asnjë komunitet të huaj”.
Edhe pse shumica e ulemave ishin shkolluar në institutet e larta fetare në Stamboll, ata kurrë nuk e mohuan kombin dhe gjuhën, madje edhe sot përmenden si shkrimtarë, teologë e filozofë të rafinuar. Mendoj se mjafton të përmendim disa nga ata që mbi supet e tyre e mbanin fatin e kombit e të gjuhës, siç ishin Hoxhë Tahsini, Hoxhë Kadria, Vebi Efendia, Hafiz Ali Korça, Jusuf Oruçi e shumë të tjerë.
Gjuha shqipe kurrë nuk është ndalur nga goja e ulemave – ajo ka pasur jetë të gjallë si nëpër xhami, ashtu edhe nëpër mejtepe, sepse nuk mund të ishte ndryshe kur besimi dhe dituritë nuk mund të hyjnë në zemër e të transformohet në njohje intuitive pa gjuhën amtare. Këtë na e dokumenton Jashar Erebara në “Kultura Islame” nëpërmjet një rrëfim që daton aty kah viti 1871. Në një xhami në Elbasan një hoxhë paska dhënë këshilla për gra gjatë vazit të tij. Një tregtar venician, që udhëtonte për në Stamboll, qëlloi që nja dy net të qëndronte në Elbasan. Duke shëtitur me përkthyesin nëpër rrugët e Elbasanit ai vërejti shumë gra pranë një xhamie dhe pyeti çka janë këto gra në xhami. Përkthyesi, duke dashur t’ia humbë vëmendjen, i tregoi diçka tjetër, por meqë ai insistonte, përkthyesi më në fund i tha “Janë tue ndigjue këshilla fetare”. Ai përsëri pyeti se “Në ç’gjuhë?”. Përgjigja ishte “Në gjuhë shqipe”.
Në mungesë të shkollave në gjuhën amtare e të shkrimit shqip, hoxhallarët – nëpërmjet të fjalës së gjallë kudo nëpër odat shqiptare, që ishin një universitet – krahas shembujve të cituar arabisht, bënin përkthimin e tyre edhe në gjuhën shqipe, ndërsa shumë hadithe që i komentonin i lidhnin me zakonet e me traditën e shqiptarëve. Ata që ushtronin punën e mualimëve dhe ua mësonin fëmijëve shkronjat arabe, për t’i konkretizuar dhe për t’i mbajtur mend më lehtë, fëmijëve ua shpjegonin me shumë figura që u përngjanin sendeve e ua thoshin shqip.
Këto ishin faktorët që gjuha dhe shkollimi në shkollat e Perandorisë t’ia përshtaten popullit shqiptar në gjuhën e vetë. Pas viteve të ’30-ta të shekullit XIX filluan të hapen edhe shkollat shtetërore osmane, si iptadijet (fillore), ruzhdijet (gjimnazet e ulëta), idadijet (gjimnazet) dhe daruh mualimin (shkollat normale). Po në këtë kohë kemi edhe kërkesa, sidomos në Sulltanijet, që edhe gjuha shqipe të mësohej në shkolla, pra krahas gjuhës osmane.
Periudha e viteve 1908-1912 është periudha më e rëndësishme për gjuhën dhe shkollën shqipe. Në këtë periudhë kemi kërkesa publike, si nga nxënësit, ashtu edhe nga disa fetarë islamë, të cilët kërkonin që gjuha shqipe të mësohej në shkollë. Si në çdo vend të Shqipërisë, ashtu edhe në Shqipërinë Lindore, gjegjësisht në pjesët e Maqedonisë së sotme, dolën disa patriotë fetarë islamë që kërkonin që gjuha shqipe të mësohej jo vetëm si lëndë mësimore, por i gjithë mësimi të zhvillohej në gjuhën shqipe.
Dokumentet arkivore
Sipas një dokumenti që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 18 shkurtit 1910) thuhet se: “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë protestë kundër shkronjave latine të arnautëve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte e mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër – atje kanë mbledhur 3000 frymë”. Mirëpo, në këtë protestë ishin mbledhur njerëz nga të gjitha qytetet, kurse mospërkrahje dhe kundërshtime pikërisht kishin gjetur nga ulemaja e Strugës. Qerim hoxha, Nexhip hoxha e Tasim hoxha (Imami), që nëpër xhami e kishin kundërshtuar dhe udhëzuar xhematin se “Zoti më parë popujve të tjerë, nëpërmes të Dërguarit të vet, u drejtohej në gjuhën e vet”.
Në vargun e ulemave shqiptarë nga trevat e Maqedonisë ka edhe shumë të tjerë, të cilat ia kanë dhënë fizionominë kombit dhe e kanë mbajtur atë gjallë në momentet më të delikate e më të vështira. Kjo dëshmon se gjatë ndërtimit të shtetit shqiptar nuk kemi pasur ndonjë kundërshtim me karakter masiv antishqiptar, kur dihej se ata kishin në xhami njerëz të shtresave e të kulturave të ndryshme, ndërsa atyre që u besonin më shumë ata nuk e keqpërdorën fenë për kundërshtime, por duke u udhëhequr nga parimet kuranore dëshmuan urtësi, tolerancë e respekt për gjuhën e shkollën shqipe. Ata në vazet e tyre nuk predikonin vetëm Njëshmërinë e Zotit, por edhe përgjithësimin e Tij, se Zoti është i të gjithëve. Zoti është Krijuesi i botëve dhe i kombeve, pra edhe i shqiptarëve.