Alija Izetbegoviq - ai ka dashur, ka ditur dhe ka vepruar

Si e njoh Alija Izetbegoviqin

 

Alija Izetbegoviq (1925-2003) është pa dyshim njëri ndër intelektualët dhe politikanët më të dalluar dhe më të frytshëm në Bosnjë, Ballkan dhe më gjerë, sidomos në dy dekadat e fundit të shekullit të XX-të (1983-2003). Ai dallohet për studime në fushën e islamologjisë, të artit, kulturës, jurisprudencës; ai dallohet për analiza politike, por edhe për krijimin e vetë politikës. Ai ka fuqi të rrallë observuese e perceptuese, komunikon lehtë, qartë dhe thjeshtë. Izetbegoviq, me një lehtësi mahnitëse, futet në sferat më të errëta dhe më të komplikuara të historisë së mendimit njerëzor. Ai posedon natyrë krijuese nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi të brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën që e rrethon si edhe guxim intelektual e politik për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e tyre. Perspektiva nga e cila Alija Izetbegoviq i artikulon observimet e veta, reflekton intelektualin dhe politikanin që është larg ngasjeve për rrëmujë, larg orekseve për të qenë kudo dhe mbi këdo, apo si e artikulon këtë ndryshe filozofi Henry Bernard Levy: “Njeriu i cili hyri në histori përkundër vullnetit të vet”.

 

Si e njeh opinioni shqiptar Alija Izetbegoviqin

 

Emri i Alija Izetbegoviqit në opinionin publik shqiptar ka filluar të bëhet i njohur në vitet e tetëdhjeta, kur shkrimet e tij me pseudonimin L.S.B. (L(ejla) – S(abina) – B(akir), tre fëmijët e tij) filluan të botohen në gjuhën shqipe. Por, kjo njohje ishte nga distanca. Njihej vetëm si një autor që në shkrimet e tij i artikulonte njëkohësisht edhe synimet dhe ambiciet e tyre. Edhe personalisht, gjatë viteve 1981-1983, e njihja nga distanca dhe tërthorazi, pjesërisht për arsye sepse natyra e punës së tij ishte nga prapaskena e pjesërisht edhe për shkak të hezitimit tim që t’i afrohem e ofrohem.

Alija Izetbegoviqin deri në vitin 1983 shqiptarët e kanë njohur individualisht, nëpërmjet rrëfimeve të personave të ndryshëm. Pas vitit 1983, pas burgosjes dhe gjykimit spektakular të grupit intelektual në Sarajevë, lider i së cilës ishte ai vetë, Alija doli në skenë pas tisit misterioz që e mbulonte personalitetin dhe aktivitetin e tij. Shtypi i dirigjuar monist jugosllav e paraqiti Alinë dhe shokët e tij në mënyrën më të keqe të mundshme, si tradhtar vendi, si element destruktiv i mirëqenies jugosllave, si kolaboracionist me armiqtë e Jugosllavisë etj. Opinioni shqiptar i ish-Jugosllavisë, përkundër një rrebeshi të tmerrshëm medial kundër muslimanëve, megjithatë e kuptoi me kohë se Alija kishte të drejtë; ai ndjeu simpati ndaj tij dhe ndaj shokëve të tij, edhe pse kjo nuk manifestohej publikisht për shkak të frikës nga represioni policor.

Por, kjo simpati te shqiptarët do të rritej edhe më shumë kur më 1988 u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij Deklarata islame, për të cilin ai edhe qe gjykuar me 14 vjet. Ky libër në gjuhën shqipe u titullua Islami sot dhe nesër. Më pas vazhdoi edhe përkthimi i veprave të tjera, si: Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Problemet e rilindjes islame dhe përkthimi i artikujve të tjerë.

Për shkak të zhvillimit të proceseve demokratike dhe rënies së enverizmit, së shpejti Alija do të bëhet i njohur edhe në Shqipëri. Fama për të do të rritet edhe si politikan, sidomos kur Alija u zgjodh kryetar i Bosnjës dhe Hercegovinës. Në veçanti, emri i tij do të dëgjohet nga viti 1992, si lider i rezistencës muslimane kundër luftës gjenocidale serbo-kroate ndaj Bosnjës.

 

Opinioni i Alija Izetbegoviqit për shqiptarët

 

Kontaktet e Alija Izetbegoviqit me shqiptarët janë të hershme, besoj qysh gjatë rinisë së tij. Alija u rrit në Sarajevë kurse në Sarajevë dhe Bosnje, deri në luftën e fundit, ka pasur shumë shqiptarë, ndoshta mbi 100 mijë. Por, nëse takimet e para të Alisë me shqiptarët kanë qenë me ëmbëltorexhinj e byrekxhinj, takimet e mëvonshme kanë qenë me intelektualë. Ai e përmend vetëm kalimthi këtë problem, sigurisht për shkak të përvojës jo fort të këndshme që kishte pasur me individë të caktuar në Burgun e Foçës.

Alija i përshkruan disa përshtypje nga kontaktet e tilla edhe në librin Kujtime: “Në Burgun e Foçës kishte shumë shqiptarë të dënuar për pjesëmarrje në lëvi­z­j­en e rezistencës kundër regjimit serb që e kishte suprimuar autonominë e Kos­o­vës. Ishim shokë të mirë me shqiptarët, por nuk jemi përzier shumë. Ata shëtit­shin në pjesën e mesme, ndërsa ne në pjesën e skajshme të oborrit të burgut. Këtë rregull të pashkruar të regjimit të burgut e respektonin të gjithë të burgosurit dhe policia. Shqiptarët ishin të qetë, konspirativë, tepër seriozë. Kohë pas kohe bënin eksese dhe greva. Kërkonin të lexonin literaturë marksiste, që marksistët e tjerë, she­fat e burgut, nuk e lejonin. Drejtoria e kishte punësuar një polic shqiptar, i ci­li, mes tjerash, luante rolin e censorit të literaturës “irredentiste”.

Më pas Alija rrëfen bisedën që një grup boshnjakësh, të kryesuar nga ai vetë, kishte zhvilluar me një ‘delegacion’ shqiptarësh në burgun e Foçës: 

Në pyetjen e tyre se ç’mendojmë ne boshnjakët për lëvizjen e tyre, u përgjigja: “Shqiptarët janë popull mu­s­liman dhe kjo është arsyeja kryesore që ne e përkrahim luftën tuaj për liri”.

Ata u shqetësuan pak. Udhëheqësi i “delegacionit” të tyre ma ktheu se në përgjigjen time “ka disa qëndrime të gabuara”, sepse sipas mendimit të tij - rel­igjioni ka luajtur rol negativ në historinë e popullit shqiptar dhe u ka shërbyer okupatorëve. “Religjioni është tejkaluar dhe nuk i nevojitet popullit tonë në luf­tën e tij për liri” - përfundoi “shoku”.

“Atëherë ju jeni populli i vetëm në planet që mund të jetojë pa religjion” - u përgjigja, “por përshtypja jonë është se shumica e popullit shqiptar nuk e ka këtë mendim”.

Delegacioni shqiptar tha se “Vetëm marksizmi dhe leninizmi i ka sjellë përparim popullit tonë”, kurse ne u përgjigjëm: “Mirë pra, ju shkoni rrugës su­aj, kjo është puna juaj, e sa na përket neve, ne edhe më tutje do t’i përkrahim kërkesat e drejta të popullit shqiptar për barazi dhe liri”. Vetë Alija thotë: “Biseda përfundoi, por ne edhe më tutje mbetëm miq të mirë.”

Për këtë fakt dhe për këto kontakte më ka folur edhe vetë Alija dhe Omer Behmen, se cili nga këndi i tij, në vitet e 90-ta, gjatë një takimi në Sarajevë. Këtë takim shqiptaro-boshnjak ma ka konfirmuar edhe i ndjeri Xhavit Haziri (i vrarë nga serbët në maj të vitit 1999), gjatë muajit qershor-gusht 1998 në Burgun e Dubravës, njëri ndër biseduesit nga pala shqiptare me boshnjakët në Burgun e Foçës. Por, Xhaviti tashmë kishte ndërruar mendjen për religjionin, madje ishte, për herë të parë, edhe njëri ndër agjëruesit në Burgun e Dubravës.

Se Alija nuk e ndërroi bindjen për shqiptarët dhe se i mendonte ata si aleatë natyrorë në Ballkan, dëshmon edhe fakti se ai nuk i shkëputi lidhjet me shqiptarët pas daljes nga burgu, përkundrazi, ai komunikonte intenzivisht me shumë shqiptarë: Ismail Bardhin, Kenan Mazllamin, me mua personalisht, madje edhe me të tjerë. Marr guximin ta shpalos faktin se Alija nuk bënte asnjë udhëtim nëpër qendra botërore, e të mos pyeste për informacione të freskëta për gjendjen fetare, politike, ekonomike dhe kulturore të Kosovës e më gjerë.

 

Leximi i shenjave në librin “Kujtimet”

 

Libri Kujtimet që e kemi para vetes, i përkthyer në gjuhën shqipe, na bën nder si popull, si gjuhë, si kulturë, si kohë që jetojmë, si vlerë permanente dhe shumë e shumë sosh. Por, prania e librit në gjuhën tonë është edhe fat edhe përgjegjësi. Është fat për arsyet që do t’i ndeshim gjatë leximit të librit, është përgjegjësi për arsyet që rrjedhin si konsekuencë e leximit të kohës kur ai jetoi.

Libri na bën të mendojmë jo për aq sa mund të lexojmë nga ky libër, por për shumë më tepër. Leximi i librit ngërthen në vete një botë të gjallë, shumë të pasur në mendime, por edhe fragmente nga jeta e përditshme, që, si tërësi, e përbëjnë një mozaik të përkryer.

Edhe pse vetë Alija Izetbegoviq Kujtimet e tij i quan “fragmente të jetës së tij”, mendoj se libri ofron më tepër se fragmente, madje ofron një botë të pasur mendimesh dhe përvojash nga Lindja dhe Perëndimi, të thuash ashtu në stilin e Muhammed Ikballit, që vështirë se mund t’i vëresh në veprat e zhanrit të këtillë. Pse them kështu? Sepse, autorët e memoareve zakonisht flasin nga këndi i përkatësisë ideologjike, partiake, shtetërore, nga këndi i proveniencës religjioze apo gjeografike. Mirëpo, Alija qysh moti e kishte hedhur këtë kompleks vlerash të damkosura. Alija me akribie të lartë dhe me shpirt të rafinuar gjurmon vlerat e Lindjes dhe të Perëndimit, të qytetërimeve të lashta dhe qytetërimit perëndimor bashkëkohor, të qytetërimit islam por edhe antiislam. Disa ide e përvoja i përvetëson, me disa të tjera bashkëjeton, ndërsa disa i refuzon me një JO të prerë.

Ai, për shkak të karakterit subjektiv të memoareve, që është i natyrshëm për këtë lloj literature, Kujtimet nuk i quan histori, por pohon se ato janë reagim i motivuar nga përditshmëria për përditshmërinë, dëshmi e gjallë dhe autentike se si i ka lexuar shenjat e kohës dhe se si është përballur me to. Me fjalë të tjera, kjo që kemi para vetes është një lexim i gjallë i problemeve dhe zhvillimeve të kohës në Bosnjë, Ballkan dhe në botë nga eruditi i kohës.

Libri Kujtimet është përplot fuqi, vërtetësi, por edhe hidhërim dhe pezmatim. Herë-herë pasazhet e caktuara janë udhëzim, shpjegim, udhërrëfyes në vorbullën e kohës dhe ngushticën e hapësirës, që kishin ndodhur apo do të ndodhnin më vonë. Libri karakterizohet nga sinqeriteti e spontaniteti, dhe në të mungojnë ndërhyrjet kozmetike të romanshkruesve. Kjo, për dallim prej shumë politikanëve e intelektualëve, bën që ai ta lexojë drejtë mesazhin e kohës dhe të ecë pagabueshëm sipas udhëzimit të mesazheve, bën që të ngrihet mbi realitetin e thjeshtë dhe të shohë matanë këtij bizariteti të kohës kur jetoi.

Vepra, si reflektim i ideve të tij, është e gjerë, kështu që shpesh Izetbegoviqi nuk gjen bashkëbisedues për veprën e tij në rrethin e tij të ngushtë, në burg apo në shoqërinë e ngushtë, por gjen bashkëbisedues jashtë rrethit të ngushtë, madje edhe jashtë rrethit kulturor-historik musliman.

Gjatë jetës së tij, prej gati tetë dekadash, sidomos gjatë dekadës së vuajtjeve në burg, Alija e njoftoi dhe e përjetoi mbi supet e tij politikën pa moral, makiaveliste, pikërisht për shkak të perceptimit të ritmit, të pikëpamjeve dhe të filozofisë së mendësisë së popullit të tij. Ky perceptim i solli atij tragjedinë personale, familjare dhe të një rrethi shokësh, por i solli një tragjedi edhe shumë më të tmerrshme, e cila e goditi tërë popullin e tij, e të cilën ai e evokon në librin Kujtime por edhe në veprat e tjera. Ndonëse Alija e kuptoi ritmin e kohës, ndonëse i lexoi shenjat e kohës, ai nuk e përqafoi autizmin (izolimin) nacional, por të gjitha dukuritë dhe fenomenet i rezonoi thellë dhe i artikuloi maturisht, në frymën e një kozmopoliti të mirëfilltë.

Sipas intelektualit të madh boshnjak, Abdullah Sidran, vepra e Izetbegoviqit është një armë jashtëzakonisht e fuqishme për ta dhe për fëmijët e tyre, për autorët e ardhshëm dhe historianët, një armë me ndihmën e së cilës do të mbrohet më lehtë figura dhe vepra e tij historike nga të këqijtë dhe injorantët e tashëm dhe të ardhshëm.

 

Ç’të themi për fund!

 

Duke e pasur në dorë librin Kujtimet na bie në mend një thënie e dr. Mustafa Ceriqit, i cili në një rast përkujtimor tha: “Tash kur na duket se atë e kemi aq larg, nëse e pyesim zemrën, ajo do të na thotë se e kemi gjithnjë afër e më afër”. Vërtet, Alija Izetbegoviqin fizikisht e kemi larg, por veprën dhe idetë e tij i kemi afër nesh, me ne, në ne.

Izetbegoviqin e deshën ata që e deshën të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë; atë e respektuan të gjithë, sepse, ndonëse evropian, ishte mik i vërtetë i Lindjes, por edhe komentues bindës i Perëndimit. Ai i tregoi botës se me përpjekje të mëdha njeriu mund të jetë besimtar i mirë dhe njeri i dobishëm për vendin. Ai ishte i sinqertë, virtyt ky i njerëzve të mëdhenj, të cilët nuk i frikësohen as lirisë vetjake, as lirisë së huaj. Izetbegoviq ishte thellësisht i bindur se njëherë vdiset por dy herë jetohet, njëherë në të vërtetën hyjnore dhe herën e dytë në fatin e njeriut. Vdekja, sipas tij, edhe nuk ekziston, sikur që në amshueshmëri nuk ka fund dhe sikur që në dritë nuk ka errësirë.

Ai mirë e dinte nga kishte ardhur dhe me besim të madh ishte përgatitur për atje ku do të shkonte – para Krijuesit  të qiejve dhe të tokës: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Krijuesi yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” (El-Fexhr /89/, 27-30).

 

Krejt në fund!

 

Libri Kujtimet është një arritje e suksesshme në fushën e memoareve, në historinë politike nacionale, rajonale dhe botërore, në historinë e mendimit religjioz, filozofik, etik, sociologjik. Përkundër fjalorit politiko-filozofik gjuha e librit është kreative, frymëzuese dhe emotive por brenda kufijve të lejuar.

Në dobi të vlerave pozitive të librit vlen të shënohet edhe përgatitja e shkëlqyeshme teknike dhe estetike e materialit, që e bën librin më të këndshëm për lexim, më të lehtë për përdorim e më të kuptueshëm në përmbajtje. Për botimin cilësor shkencor e teknik duhen përgëzuar për kontributin e tyre përkthyesi i vyeshëm dhe tërë stafi i botuesit.

Shpresoj se edhe kjo paraqitje e imja e shkurtër do ta rrisë disponimin tuaj.

Ju faleminderit për durimin që patët!

Mbetshi në paqen dhe mëshirën e Allahut të madhëruar.

Promovimi i librit mbahet në Prizren, organizuar nga OJQ “AKEA”

21. 12. 2008

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme