A PO BËN ‘BOTA SOT’ FUSHATË ANTIISLAME NË DIASPORË?

Jo rrallë edicioni i gazetës Bota Sot për diasporë publikon edhe materiale që kanë të bëjnë me fenë. Ato janë ekskluzive vetëm për diasporën, “teksti i plotë” i ofrohet vetëm atyre, ndërsa neve, këtu në Kosovë, na ofrohet vetëm rezymeja. Kjo nuk do të kishte gjë të keqe sikur materialet që iu ofrohen të ishin të vërteta. Ose, do të ishte më pak e dhimbshme dhe më pak shqetësuese sikur këtë ta bënin vetëm nga qëllimi komercial, për shkak se ne jemi mësuar tashmë me disa gazeta të dështuara që për të shitur numra publikojnë edhe këso materiale të shtrembëruara për fenë. Por, në rastin e Bota Sot, gjegjësisht edicionit për diasporë, që iu dedikohet njerëzve në rrethana krejtësisht tjera ekonomike, politike, edukative dhe shpirtërore, konsideroj se kemi të bëjmë me ideologji të caktuar, e cila është për të të shqetësuar.

Përse t’i servohen diasporës sonë këto materiale?

Çfarë interesi ka në përhapjen e kësaj fobie për Islamin?

Përse gjithë kjo urrejtje ndaj shamisë?

Sa për ilustrim kam marrë 5 artikuj, duke filluar nga ai që e paralajmëruan para pak ditësh në portal (www.botasot.info), për të zbuluar gabimet, të pavërteta dhe shtrembërimet që i bëjnë çështjeve që kanë të bëjnë me fenë.

1.

Vendimi do të nënshkruhet nga dora e Hashim Thaçit, Bota Sot | 11.08.2013

Ky shkrim trajton çështjen e politizuar të shamisë. Bota Sot akuzon Kryeministrin se po e përdor shaminë për fushatë. Por, nuk ngel me kaq. Si për inat, shfryn një mllef ndaj shamisë, duke mos e konsideruar si të drejtë, dhe rrjedhimisht, duhet refuzuar. Ata konsiderojnë se ajo që bartin vajzat tona është “shami religjioze”, një term ky i ri, e të cilët jemi mësuar t’i dëgjojmë të thuhen për Islamin vetëm nga ata që e urrejnë Islamin. Kësisoj, artikulli është edhe islamofob.

2.

"Feja e shqiptarit, është shqiptaria!", Bota Sot | 08.08.2013

Një titull absolutisht i papërshtatshëm për materialin që shtjellohet por jo edhe gabimisht i vënë. Gjithsesi, në aspektin profesional është skajshmërisht i gabueshëm por jo edhe nga aspekti i asaj çfarë ata synojnë me këtë shkrim. Artikulli flet për punën e një komisioni të autorizuar nga Kryeministri për të përpiluar një raport në bazë të përvojave të vendeve të ndryshme evropiane përkitazi me shaminë. Vendosja e këtij titulli sikur bën thirrje për mohim të së drejtës së shamisë për shkak se po na e ndërruaka fenë, shqiptarinë. Është kjo thirrje në heshtje për mohim të së drejtave elementare, të cilat janë të garantuara me çdo kartë të drejtash në tërë botën.

3.

Tërnava i gatshëm ta rrokullisë kushtetutën, vetëm ta ruajë pushtetin, Bota Sot | 07.08.2013

Bota Sot ka përcjellë tek diaspora edhe “shqetësimin” e madh që ka për bashkësinë më të madhe fetare në Kosovë, respektivisht për zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij viti për kreun e kësaj bashkësie. Është një problem që, nuk po them se nuk duhet t’iu interesojë diasporës, për shkak se ne kemi besimtarë të shumtë që janë të lidhur me ne, por për shkak se nuk ka qenë kurrë problem. Në zgjedhjet tona nuk ka asnjë rëndësi se kur caktohet dita e mbajtjes. Tek ne votat nuk vidhen. Ato janë transparente. Bota Sot do të duhej të kursente veten nga lodhja që t’ia bart këtë shqetësim diasporës. Ose, po t’i ngelte besnike objektivave të pastra të gazetarisë, do të duhej t’i kontribuonte zgjidhjes së problemit të bashkësive fetare. Pse në Kosovë edhe pas 14 viteve të mbarimit të luftës, ende statusi juridik i bashkësive fetare nuk është zgjedhur? Cilat do të ishin format më të mira që bashkësitë fetare atje të jenë në lidhje të drejtpërdrejtë me bashkësitë amë në Kosovë? Sa do të mund të kontribuonte diaspora me përvojat e fituara në avancimin e çështjeve fetare në Kosovë? Pra, ka shumë hapësira ku kontributi i tyre si gazetë do të ishte i mirëseardhur.

4.

Besimtarët e duan Kurtin në xhami, Bota Sot | 20.06.2013

Nuk është vetëm Bota Sot ajo që nuk ka mirëpritur deklaratat e Albin Kurtit përkitazi me përkatësinë e tij fetare dhe me qëndrimin zyrtar të VV-së për shami, ka dhe të tjerë, por ajo që është interesante është se si janë thirrur në ideologjinë marksiste, respektivisht në ateizmin e tyre, për të mohuar të drejtën fetare. kjo i bie se Bota Sot është rreshtuar në anën e atyre që nuk janë për të drejtat themelore të njeriut.

5.

Ethet fetaro-politike në Kosovë kërkojnë shërim unikat, Bota Sot | 20.06.2013

Është absolutisht e papranueshme për një gazetë që pretendon profesionalizëm që faktorin fetar ta evidentojë si ngërç të zhvillimit dhe të tentojë që të shlyejë çdo gjurmë historike të ndikimit fetar në zhvillimet shoqërore në vend. Bota Sot nuk kursehet as nga akuzat dhe shpifjet ndaj hoxhallarëve për kinse tradhti ndaj vendit dhe servilizëm ndaj pushtuesve.

Këto shkëputje nga shkëputja prej teksteve të plota janë vetëm sa për të ilustruar këtë qasje të gabuar të Bota Sot, ndryshe, shembujt janë të shumtë. Kushdo që i rreket kësaj pune do të vërej se disponimi i Bota Sot është që të drejtës fetare t’i mbyllet çdo rrugë. Sikur edhe të tjerët, edhe Bota Sot është për një demokraci përjashtuese. Edhe ajo do damkosjen e çdo gjëje islame.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme