NË EMËR TË KUJT IMPONOHET Bogdani?

Bogdani si simbol i evropjanizimit apo intolerancës?



Që pas rënies së komunizmit, qeveritarët dhe figurat politike që kanë trashëguar pushtetin në Shqipërinë pas-komuniste, janë munduar gjithnjë e më tepër që pushtetin dhe kulturën e tyre ta lidhin me perëndimin. Perëndimi, është kthyer në një mit për mendjen shqiptare të pas viteve 1990 pasi ai i ka furnizuar shqiptarët me të gjitha të mirat dhe të këqiat që ata kanë përjetuar. Siç historiani arab, Ibn Khaldun përmend në al-Mukadimën e tij në shekullin e 15-të, kur një popull nënshtrohet nga një tjetër, dëshira e të nënshtruarit është që ti ngjasojë sa më shumë padronit të tij.

Megjithatë Shqipëria e varfër, e izoluar dhe e harruar nga bota për 50 vite me radhë nuk ka patur seç ti ofrojë perëndimit në këto 16 vite pas-komunizëm. Sundimtarët shqiptarë që e kanë kuptuar këtë pamundshmëri, janë munduar gjithnjë e më tepër të ‘përdorin katoliçizmin’ e një përqindje të vogël shqiptarësh, si pjesën e vetme e cila mund të lidhë Shqipërinë me perëndimin e fuqishëm dhe paremadh. Për këtë arsye politika vasaliste shqiptare është munduar të përdorë një sërë emrash dhe personazhesh katolikë për të fshehur identitetin e saj. Nënë Terezat, Gjon Palët, Skënderbegët dhe Bogdanët sot kanë pushtuar që nga monedhat, aeroportet, muzeumët, spitalet dhe bulevardët e Shqipërisë. Sëmundja për ti bërë qejfin sa më shumë perëndimit, kohët e fundit është klonuar edhe nga politikanët e Maqedonisë, të cilët ashtu si politikanët e Tiranës janë bërë pjesë e parodisë për ti ngjarë perëndimit, të cilën gazetarit AA Gill vuri në pah përpara disa kohësh në shkrimin “Toka që u harrua nga koha”, në gazetën Times.[1]

Megjithatë një fakt që duhet pranuar në rastin e figurës së Pjetër Bogdanit, është se Bogdani ka qenë pjesë e kulturës shqiptare që në kohën e komunizmit. Bogdani është vlerësuar për kontributin letrar në shkrimin e një libri fetar me gërma latine, që botoi në italisht dhe shqip në vitin 1685 në Padova të Italisë të titulluar ‘Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore mundi italice et epirotice contextus’ apo siç ai njihet rëndom ‘Çeta e profetëve.’

Bogdani sëbashku me një radhë priftërijshë katolikë shqiptarë, që nga Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frano Bardhi, Gjon Kazazi etj që shkruan pamflete kishtare në gjuhën shqipe me gërma latine ndërmjet shekujve të 16 dhe 18-të, janë vlerësuar nga regjimi komunist shqiptar, i cili duke u munduar që të vëj në pah karakterin revolucionar të popullit shqiptar, i rrëfente prelatët katolikë jo si punëtorë të Kishës së Romës, por si luftëtarë të lirisë që luftonin për çlirimin e vendit nga feudalët osmanë.[2]

Prezantimi i prelatëve latinshkrues në kohën e komunizmit në Shqipëri nuk u bë nga që ata ruajtën njëmend gjuhën shqipe, por me shumë për arsye folklorike dhe propagandistike. Shqiptarët përpara epokës së komunizmit nuk e kishin idenë se kush ishin prelatët e tyre ‘latin-shkrues’ dhe kontributi që ata i dhanë (nëse!) gjuhës shqipe. Populli shqiptar që ishte dërrmueshëm musliman as nuk mund ta kuptonte gjuhën e tyre, pasi siç Prof. Kristo Frashëri thekson: letërsia e (tyre). .. ishte e panjohur dhe nuk kishte se si të njihej në ambientet shqiptare jo katolike, për vetë faktin se qe një letërsi e mbyllur fetare dhe jo artistike.’[3]

Por me modernizmin e dhunshëm që komunistët ndërmorrën në Shqipëri nga vitet 1944 e deri në 1990, ata u kujdesën që shqiptarëve që ishin muslimanë në shumicë, përveç detyrimit që të hanin mishin e derrit, ndërronin emrat e tyre muslimanë me ‘progresivët’ sovjetikë dhe perëndimorë, bërjes së martesave mikes, dënimit të ‘zakoneve prapanike’ etj, të ju imponojnë edhe një proçes ndryshimi gjuhësor. Ndarja nga e kaluara islame, që komunistët synonin në ndërtimin e kombit socialist shqiptar u shoqërua me largimin e fjalëve islame nga gjuha shqipe (kujtoni fjalët penxhere, çaush, usta, Allah, rabi etj) dhe zëvendësimin e tyre me fjalë perëndimore. Proçesi i gjuhëndryshimit te shqiptarët dhe lufta kundër trashëgimisë gjuhësore islame preçedentin e saj më bashkëkohor mund ta gjejë në rastin e sanskritizimit të dhunshëm të gjuhës hindi në Bengalin Indian nga fondamentalistët hindu. Siç E. Hobsbaum rrëfen në librin ‘Nations and Nationalism since 1780’ hinduizimi i gjuhës jo vetëm që ndau masat popullore nga klasa e të shkolluarve por për më tepër synonte hinduizimin e kulturës.[4] Ashtu si në rastin indian, edhe në shqiptarin, pjesë e modernizimit ishte edhe vlerësimi i prelatëve katolikë të shekullit të 16 – 18të dhe katoliçizmit evropjan, fakt i cili në ditët tona po çon në katoliçizimin e kulturës. Megjithatë, pasi regjimi komunist në atëbotë ishte ateist, ai u tregua shumë i kujdesshëm që figurën e priftërijve katolikë ta ndante nga aspekti fetar dhe portretizojë si pjesë të rezistencës proletare të popullit shqiptar dhe progresit të tij drejt kulminacionit final të socializmit.

Por zhvillimet që Shqipëria paskomuniste përjetoi pas viteve 90’të, sëbashku me lejimin e fesë, në Shqipëri, nxiti edhe debatin mbi rishikimin e shumë figurave historike të cilat komunizmi i kishte trajtuar më parë sipas interesit të tij. Kështu figura që nga ajo e Pjetër Bogdanit e deri te Haxhi Qamili u transformuan dhe morën dimensione të reja. Haxhi Qamili për shembull, që gjatë kohës së komunizmit u trajtua me terma revolucionarë ashtu si edhe Bogdani, pas rënies së sistemit u sulmua nga një numër anti-muslimanësh dhe fondamentalistësh kristjanë, të cilët jo vetëm që do ta demonizonin këtë udhëheqës fshatarë, por edhe portretizojnë si mishërimin e anti-evropjanit dhe orientalit shqiptar, për arsyen e vetme pse ai kundërshtoi kontrollin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.[5]

Personi më i zëshëm në rrokatën e miteve në Shqipërinë pas – komuniste ka qënë vëtë Ismail Kadareja, i cili në kohën e komunizmit ishte shefi kryesor i ndërtimit të ideve të realizmit socialist.[6] Ndërsa do të dënonte turkofilët dhe rolin e islamit në historinë e shqiptarëve, euforia kadarejane ka ngritur në piedestale edhe më të mëdha figurën e priftërijve katolikë, të cilët Kadareja i sheh si lidhësit e Shqipërisë me Evropën nëpërmjet ‘..veprave të tyre dygjuhëshe (të botuara) në kryeqendrat kulturore evropiane...[7] ndërsa në shumë raste ju ka bërë thirrje shqiptarëve edhe që të bëjnë një renegadizëm fetar në favor të perëndimit. Ndërsa priftërijtë katolikë që shkruan me gërma latine, Kadareja i trajton si lidhësit dhe ambasadorët e Shqipërisë me Evropën, kulturën letrare të bejtexhizmit që populli shqiptar zhvilloi me gërma arabe nga shekulli i 18 në të 19-tin, e portretizon si një letërsi erotike, e cila s’kishte ndonjë vlerë por veçse bejte dhe lavde për pedofilinë.[8]

Edhe pse Prof. Kristo Frashëri i ka kujtuar Kadaresë se shkrimtarët katolikë të Shqipërisë së Veriut, “shkruajtën shqip, të përkrahur nga superiorët e tyre kishtarë, dhe se veprat e tyre u botuan me financimin e Propaganda Fide-s“ (shiko Gazeta Shqiptare, 3 tetor 2006) dhe jo nga ndonjë patriotizëm shqiptar, dhe për më tepër se gjuha e tyre ishte e panjohur: ‘në ambientet shqiptare jo katolike, për vetë faktin se qe një letërsi e mbyllur fetare dhe jo artistike’ (Ibid), tendenca për të vlerësuar në maksimum krishtërimin dhe mohuar kulturën e shqiptarëve muslimanë vazhdon. Politikanët më të lartë të shqiptarëve të cilët perëndimi i trajton si palikarët e tij, që nga Rugova, te Mejdani e deri te Moisiu kanë dëshmuar mëse njëherë inferioritetin e tyre nënshtrues duke i treguar perëndimit se janë më katolikë sesa Papët pa marrë parasysh se taksapaguesit që mbajnë ata me rroga janë shpesh muslimanë. Sëmundja e hiperbolizimit të prelatëve kristjanë shihet që nga Rugova në Kosovë i cili botoi tezën e tij në 1982 mbi "Veprën e Bogdanit 1675-1685" ku peshkopin Bogdani e shpalli ‘humanist’, e deri te presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu i cili më 5 nëntor 2005 do të fyente publikisht të gjithë taksapaguesit shqiptarë kur do të deklaronte në Londër se islami në Shqipëri qenkësh jo-burimor përballë krishtërimit apostolik që katolikët dhe ortodoksët e Shqipërisë kanë.[9]

Përpjekjet e qarqeve sunduese të shqiptarëve që duan të deklarohen si të krishtera dhe imponojnë mitet e prelatëve kristjanë, siç është edhe rasti i Bogdanit në institutin e Shkupit, sipas Adrian Briskut në shkrimin e tij: ‘Oksidentalizimi i të shkuarës dhe orientalizimi i të sotmes: Identiteti ‘evropjan’ i shqiptarëve të Ismail Kadaresë dhe President Moisiut’[10] janë një:



Version shumë i thjeshtë, për konstruktimin e Evropës; nga një qëndrim statik, intolerant dhe ekskluzivisht kristjan i cili nuk lejon bashkekzistencën me tjetrin: apo më saktë me të varfërin, muslimanin dhe shekullarin. (një ligjërim) që në esencë është proto-fashist dhe haptazi anti-modernist. (Ibid)



Ndaj këtij proto-fashizmi dhe intolerance e cila vendos krishtërimin mbi islamin, dhe shpërfill vlerat e shqiptarëve në Ballkan, reagoi përpara disa ditësh edhe Adnan Azizi në Shkup me shkrimin ‘Pse ky Bogdanizim’; ku vihej në pyetje Bogdanizi që po i bëhet kulturës shqiptare. Politikanët e Shkupit që kanë vendosur të emërojnë një institut në vendin e tyre me emrin Pjetër Bogdani e dinë fare mirë se në librin, ‘Çeta e Profetëve’ siç edhe Avdi Berisha rrëfen në librin ‘Shtatëzani e një mashtrimi’, Bogdani fyen fenë e muslimanëve shqiptarë. Politikanët e Shkupit e dinë mirë se Pjetër Bogdani emrin zyrtar e ka patur Petro Bogdano Macedone[11] dhe siç Noel Malcolm vë në dukje, ai mohonte qënësinë e Kosovës si pjesë të Shqipërisë por e shihte si pjesë të Serbisë.[12] Pjesëmarrja e Bogdanit në luftën austriako – osmane të shekullit të 17-të përkrah serbëve dhe austriakëve, ka shkaktuar një vëlla-vrasje masive në Kosovë pasojat e së cilës çuan në shkatërrime etnike të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe shkaktuan masakrimin e mijëra muslimanësh dhe çifutësh.

Ndërsa në kohën e komunizmit Pjetër Bogdani ju servir shqiptarëve si një proto-revolucionar për të ndërtuar mitin e proletarit shqiptar, sot në ditët e pas-komunizmit dhe në një kohë kur me fatet e shqiptarëve luan një botë e tërë, imponimi i mitit të Pjetër Bogdanit është një gabim fatal. Fatalizmi nuk qëndron vetëm në tendencën proto-fashiste të politikanëve të Shkupit të cilët nuk përfillin elektoratin e tyre dhe ju imponojë shqiptarëve një mit katoliktë cilin ata nuk e pranojnë dot. Por fatalizmi në rastin e imponimit të Pjetër Bogdani qëndron edhe në shembullin e intolerancës që ky personazh mbart me vete nga historia. Intoleranca e Bogdanit nuk është demostruar vetëm kundër muslimanëve kosovarë dhe Shkupit të cilin ai sëbashku me gjeneralin Pikolimini dogji, por edhe ndaj hebrejve. Anti-semitizmi dhe intoleranca fetare që lexohet ndjeshëm edhe në veprën e Bogdanit[13] kur ai si muslimanët ashtu si edhe hebrejtë i quan ndjekës të djallit dhe idhujtarë është një trashëgimi shqetësuese për kombin shqiptar. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore kombi shqiptar shpëtoi 100% të hebrejve, imponimi i Pjetër Bogdani në emër të shqiptarëve apo ‘humanizmit’ sot, është një krim institucional; i cili mund të justifikohet me çdo mënyrë, por asnjëherë në emër të popullit shqiptar, modernizimit dhe ndërtimit të një bote më të mirë dhe tolerante për popujt që rrojnë Ballkan.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] The land that time forgot. Online http://timesonline.co.uk/tol/life_and_style/article688085.ece
[2] Shiko: Historia e Shqipërisë, KREU III, ’JETA POLITIKE NË TROJET SHQIPTARE. KRYENGRITJET E ARMATOSURA’ Online në: http://historia.shqiperia.com/perandoria/kreu2.php
[3] Kristo Frashëri, Frashëri: Kadare mer rolin e një kryepeshkopi dogmatik. Gazeta Shqiptare, 3 tetor 2006
[4] E. J. Hobsbaëm. 1992. Nations and Nationalism since 1780. fq. 111.
[5] Kadare, 2006. Identiteti evropian i shqiptarëve. Online: http://shekulli.com.al/index.php?page=shownews&newsID=92925
[6] Arshi Pipa. 1978. Albanian Literature: Social Perspectives. Fq. 205
[7] Kadare, 2006. Identiteti evropian i shqiptarëve. Online: http://shekulli.com.al/index.php?page=shownews&newsID=92925
[8] Ibid
[9] Shiko: Forumi Musliman i Shqipërisë. 11.11. 2005. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, fyen ndjenjat e muslimanëve shqiptarë. Online: http://www.forumimusliman.org/pershtyp7.html
[10] Shiko: Brisku, Adrian. 2006. “Occidentalizing the Past and Orientalizing the Present: Ismail Kadare’s and President Moisiu’s ‘European’ Albanian Identity.” Albanian Journal of Politics II(2): 82-103.
[11] Nexhat Ibrahimi, ISLAMI NE TROJET ILIRO-SHQIPTARE GJATE SHEKUJVE, online: http://zeriislam.com/biblioteka/ISLAMI-Ne-TROJET-ILIRO-SHQIPTARE-GJATe-SHEKUJVE.html
[12] Ne librin 'Kosovo a short history' (1998), Kapitulli: Pushtimi Austriak dhe 'Migrimi i Madh': 1689 -
1690, fq. 149, botimi anglisht shkruhet si me poshte:
... ne ndasite kishtare te Kishes Katolike, dhe sipas prifterijve katolike, shumica e Kosoves ishte pjese e Serbise. Pjeter Bogdani qe shkruante ne vitin 1865, e pershkruante Drinin e Bardhe si kufirin ndermjet Serbise dhe Shqiperise, por kesaj i shtinte edhe Prizrenin (i cili eshte ne anen lindore te Drinit).
[13] Shiko: Avdi BERISHA, SHTATZËNIA E NJË MASHTRIMI, online:
http://zeriislam.com/biblioteka/SHTATZENIA-E-NJE-MASHTRIMI.html
Ku në shkallën II, ligj. III dhe paragrafin 3, autori vë në pah anti-semitizmin dhe anti-muslimanizmin proverbial të Bogdanit i cili thotë:
"Andai turqit dhe hebrenjtë, duke ndjekur giunnët e Ismaelit e të Ezaut, nuk i zënë besë Jezu Krishtit, të vëtyetit Mesi, por ndoqën idhujt.- Muhametin, Surrullahin e Tallmudin, krerë të të giitha të këqijave, që i shtinë themel një ligii të lirë, pa udh ë e pa arsye, plot me fëlliqësi. Ashtu i kanë marrë prapa njerëzit e paudhë e pa ndonjë nder në vete, e që janë arabët, tatarët e turqit, që janë dhënë pas lakmive të kësaj jete, fëlliqësive e shtazërive, e posi është Muhameti, bari i deleve e i pelave, duke u ngjitur me gjithë to. Nuk është pra çudi që njerëzve të kësaj dore të mos u pëlqej feja e vërtetë e Ktishtit, e as pastërtia e madhe e saj."

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme