Ezani n'Perzeren

Ora pesë e mëngjesit. Ezani i sabahut thrret në Prizren. Zëri që kryente lutjen e mëngjesit kishte pushtet dhe hijeshi që të zgjojë gjysmë të vdekurit dhe të të detyrojë respekt për thirrjen që i bënte muzeini secilit 'insan' mysliman ose jo. Ndoshta zëri kthehej diku në historinë e në themelet e Xhamisë së Sinan Pashës, ndoshta ishte edhe vetë historia e Pashës që e bënte zërin të të ngujojë, dhe dhjetëra zëra përcjellës në xhamitë e mëdha e të vogla të Prizrenit. Rrugët e qytetit në thirrjen e sabahut janë të zbrazura, mysafirët flenë, derisa nikoqirët pak nga pak nisin punën. Mund të jetë që Prizreni është një perlë e falë nga Zoti, një perlë e ruajtur nga qytetarët, dhe një perlë e shkelur me këmbë nga pushtetarët. Prizreni, qyteti i Lidhjes, Dushanov grad- kryeqyteti shpirtëror i humbësve të tij, ëndrra e madhe e Lindjes Islame, deri vonë qytet i 1001 dritareve...sot mban po kaq vlera dhe po kaq shenja. I ka të pashlyera edhe shenjat e pushtuesve edhe të mbrojtësve të tij. Prizreni ndoshta është qyteti më diversitar i Kosovës, prandaj dhe rruga për Prizren është gjithmonë magjike, sepse ky qytet sado i shpërdoruar nëpër kohë, të ofron magjinë.

Qyteti i Kalasë, e ka ruajtur atë të stërkequr, i Lidhjes dhe i Konakut, i ka ruajtur ato të sajuara, i Kishës dhe i xhamive përreth...me suvanë e re të pas 2004-ës, me kalldrëmin rishtas të rregulluar, me bozën dhe me bakllavanë e mbytur në sheqer, me një universitet të shpifur dhe me "fajdexhitë" e tij, i ka edhe pushtetarët e vet që ndiqen nga ligji por që nuk i japin pesë pare, për gjithë këto vlera të qytetit e as për ligjin e tij. Por, qyteti ka njohur edhe pushtues të tjerë, dhe ai prapë aty ka mbetur, me gjithë Kalanë dhe Bistricën, Marashin dhe urat e gurta, dhe me 1001 dritaret e tij, ani pse sot jo të gjitha ato shohin nga Shandërvani! Qyteti muze është treguar dinak për të shkuarën e tij. Sado ta kenë vrarë, sado ta kenë shpërfytyruar, ai ka ruajtur me xhelozinë më të madhe shpirtin e tij. Ka ruajtur fuqinë që i ka veshur ujit të shatërvanit, duke e bërë secilin prej nesh të kthehet e të kthehet sërish. Me gjasë pizrenalinjtë duhet të jenë me fat. Të zgjohesh brenda çepengave të drunjta, të pish kafenë buzë Marashit, të të rrijë mbi kokë kalaja, dhe para syve dikur burrat e mëdhenj të kombit, nuk duket si gjë e vogël në Kosovën e vogël. Ndoshta diku rrugicave të ngushta me kalldrëmë sillet fantazma e Ymer Prizrenit, për të gjetur shenjat që ka lënë e shoqja, varrin e saj a të vetin, armët që ia vodhën apo unazën që ia fali mbreti. Ndoshta hija e Pashko Vasës në ndonjërën prej çajtoreve vuan derisa e mendon se si t'ua thotë shqiptarëve se cila është feja e tyre. Ndoshta Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi e Iljaz Pashë Dibra do të jenë ulur diku në odën e shtëpisë së Lidhjes për të kuvenduar qëndrimin e shqiptarëve. Mbase duke i bërë kundërplanet për 'Naçertanian" e serbëve, dhe dhembjen e mospasjes së përkrahjes nga askush. Gruaja që ruan shtatoret dhe shenjat e shkrimit të tyre, do t'i thotë "Bujrum, se shtëpia juaj është!" luftëtarëve të dikurshëm e burrave të sotëm, të cilëve jo rrallë nuk ua ka qejfi të paguajnë për të parë burrështetasit e dikurshëm. Zonja që rri nën këmbë të tyre do të pëshpëritë nga afër: është mbush Prizreni turqeli! Prizreni i kulturave e i traditave të përziera, hijerëndë siç është, do t'i japë secilit mysafir pak nga shpirti i tij shqiptar, bash si Vaso Pasha dikur, në vargjet që secili i dimë përmendsh.

 Prizreni mund të ketë njëqind e një rastësi dhe më shumë se kaq të vërteta. Ka legjendën e Shadërvanit, uji i të cilit thonë se të lidh përjetësisht në Prizren. Ka kalldrëmin që fsheh gjithë historitë e qytetarëve e të pashallarëve të dikurshëm. Ka xhaminë e Sinan Pashës, në të cilën myslimanet kosovare mund të harrojnë se nuk hyhet këmbë zbathur e me fustanë. Ka manastirin e ortodoksëve pothuajse ngjit kësaj xhamie, ku rrinë priftërinjtë e veshur zi. Kalanë qindravjeçare që me një sy mbyll e një të hapur vëzhgon e vjedh çdo frymë që i kalon nën këmbë, zejtarët e vjetër që gati sa s'po japin shpirt, apo goranët që mburren për mjeshtërinë e përgatitjes së bozës. Prizreni ka edhe DokuFestin, që solli në një tavolinë në zemër të tij, dy burrat më të fortë të pushteteve aktuale shqiptare. Burrat me nofkat negative, ndonëse promovojnë majtizmin, qyteti duket se nuk do ta pranojë as të majtin, as të djathtin. Prizreni në emrin e tij ka shtatë shkronja dhe kjo mbase mund të lidhet me fatin e tij të mirë. Prizreni në jetën e tij ka personazhet e kombit, të cilëve më shumë se sa t'u besosh, mjafton t'i njohësh, ashtu siç e dimë se kanë ekzistuar dikur, edhe atëherë kur historia e tyre është trille plot. Dhe ndoshta kështu do të nxjerrim një mësim më të mirë për veten dhe vendin. Ezani i mbrëmjes thërret. Qyteti vlon. Duket se nuk i ka mbetur asnjë copë tokë bosh. "Bujrum, bujrum…" nuk e di në fakt se kush po të thërret e po të pret në odën e tij, por prizrenasit që të gjithë të ofrojnë mikpritje, dhe atë jo me pak dashuri. Duhet të jenë njerëz me fat.

 

(Zëri) 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme