
Rruga e hapësirës gjeografike shqiptare (Tiranë, Shkup e Prishtinë) sulmeve të mundshme ndaj Sirisë po i thonë se është një inskenim i radhës i provokuar nga shtetet perëndimore sikur ai i para dhjetë vjetëve (2003) me Irakun e Sadam Hysenit të cilët nuk e gjetën armatimin e shkatërrimit në masë. Ndërhyrja e SHBA-ve në Irak nuk e bëri qeverinë amerikane më të ndritur as në botën islame, e as tek vetë populli i vet. Presidenti Bush i riu nga 78% mbase edhe më shumë që kishte përkrahjen e popullit brenda shtetit të vet ra në 29% dhe kjo shifër është tregues i mjaftueshëm që nuk do koment. Për ironi qeveritë tona edhe pse e dinë se populli tyre është me shumicë muslimane nuk u treguan fare të përgjegjshme në deklaratat e tyre, të paktën të kishin dëgjuar thashethemet e popullit të vet. Kjo nuk do të thotë se Bashari nuk e meriton, por atje kemi një popullatë me shumicë dërmuese islame, si dhe ne.
Çfarë po ndodh?
Kjo javë ishte një prej javëve më të vështira që ka kaluar njerëzimi që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore, dhe krizës së dërgimit të raketave Sovjetike në Kubë. Sikur burimet perëndimore ashtu edhe ato lindore na bëjnë të ditur se diplomacia e shteteve të cilat mund të përfshihen në këtë konflikt kishin një agjendë tepër të ngjeshur. Mbetet që këto dy ditë të mësohet nëse e tërë kjo ishte një ëndërr e cila shkaktoi një ankth në mbarë botën.
Rreziku ende nuk ka përfunduar, diplomacia vazhdon të jetë e nxehtë, sidomos në Uashington, Teheran dhe Moskë, pasi në një farë mënyrë mësuam se Londra përfundimisht i tha jo ndërhyrjes ushtarake ndaj Sirisë. Parlamenti britanik i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme nuk e ngriti kartonin e gjelbër për të miratuar ndërhyrjen ushtarake. Menjëherë pas dhënies së këtij vendimi shumica e shteteve evropiane dhe më gjerë ndryshuan tonin kërcënues. Shteti i parë që iu bashkëngjitë aleatit të saj refuzues ishte Gjermania.
Zëdhënësi i kësaj qeverie deklaroi se, qeverisë së tij “nuk i ishte kërkuar” të merrte pjesë në aleancën ushtarake kundër Sirisë, por kjo deklaratë bie ndesh me atë që deklaroi një ditë më parë Ministri i Jashtëm gjerman Vestervelle. Sidoqoftë pas këtij vendimi edhe Presidenti francez Holland sot zbuti tonin e tij duke thënë se Franca ende nuk i ka humbur shpresat diplomatike në zgjidhjen e krizës në Siri.
Shteti i cili mund të ketë pasoja më të rënda në terren është Izraeli, mirëpo ende nuk kemi ndonjë prononcim zyrtarë nga Telavivi përveç deklaratave sporadike të analistëve të këtij vendi. Një ekspert izraelit për TV almayadeen thotë se largimi i Bashar-it do të shkaktonte kaos edhe më të madh në vend dhe në rajon”.
Moska zyrtare sot po nxjerr deklarata të njëpasnjëshme duke ia bërë të ditur SHBA-ve se sulmi ushtarak ndaj Sirisë pa pëlqimin e OKB-së është veprim papërgjegjshmërie dhe agresiviteti. Gjithashtu i kujton Barak Obamës se qeveria e tij duhet të nxjerrë fakte dhe prova në selinë e OKB-së se armët kimike të përdorura ditë më parë në Siri i përkisnin ushtrisë shtetërore siriane. Ajo këtë e quan absurditet, mirëpo mbetet që SHBA-të ta bindin popullin e vet dhe OKB-në se ky sulm kimik vërtetë ishte provokuar nga kjo ushtri dhe meriton të ndëshkohet.
Qëllimet e sulmit
Në Siri lufta civile ka filluar që prej më shumë se dy vitesh. Gjatë kësaj kohe ka pasur disa konferenca ndërkombëtare, por asnjëra prej tyre nuk përfundoi me sukses. Javën e kaluar bota u trondit nga pamjet televizive. Këto na bënë të ditur se armët kimike të cilat u përdorën në Siri vrarë 1429 njerëz, prej tyre shumica ishin gra e fëmijë. Shtypi perëndimor akuzoi ushtrinë e shtetit, ndërsa qeveria siriane mohon një gjë të tillë të ketë ndodhur prej tyre.
Shtetet perëndimore në krye me SHBA-të pa u hamendur fare thanë se brenda dhjetë ditësh Siria do të përballet me sulme të ashpra ushtarake, por asnjë agjenci nuk dha qëllimin përfundimtar të sulmit. Xhon Kerry deklaron se vendi i tij nuk mund të qëndrojë pa bërë asgjë kur në Siri vriten me armë kimike mbi një mijë vetë njëherësh. Presidenti Obama vazhdimisht po deklaron se është turp i madh për SHBA-të nëse nuk ndërhyjnë për të parandaluar sulmet të tjera kimike të cila rrezikojnë edhe Jordaninë edhe Izraelin.
Edhe pse sot kemi deklarata më të buta sikur nga Sekretari i Shtetit ashtu edhe nga Presidenti Obama, ajo që të habit është paqartësia e gjithë kësaj katrahure rreth sulmit të mundshëm ushtarak. Mos vallë duan të sulmojnë Sirinë nga ajri vetëm për pak ditë sa për ta frikësuar Basharin! Mos vallë duan që me ato pak sulme ta dobësojnë ushtrinë e Basharit që të mund të barazohet me ushtrinë opozitare për të mos ndaluar vrasjet midis vëllezërve sirian për një kohë edhe më të gjatë. Apo kanë për qëllim ta ‘mbrojnë popullin’ jordanez (palestinez) dhe popullin hebre nga kërcënimi kimik.
Të gjitha këto variante nuk na dërgojnë deri tek qëllimi përfundimtar. Çfarë ndodhi në realitet këtë javë të fundit dhe si do të përfundojë diplomacia e kësaj dite dhe ditës së nesërme vetëm një Zot e di, dhe atyre pak personave në Uashington, Londër, Moskë dhe Teheran. Ajo që ne na bën të mendojmë rreth kësaj katrahure ose çmendurie ushtarake dhe politike është se SHBA-të nuk munden më të pretendojnë ose të thirren si superfuqi botërore. Mua personalisht kjo javë më kujton momente nga historia islame, ditët e vështira që përjetuan muslimanët në Betejën e Hendekut.