Nuk ka asnjë dyshim se shqyrtimi i një çështjeje kaq të gjerë brenda një hapësire kaq të shkurtër përmban vështirësi objektive brenda saj. Për këtë arsye është e nevojshme që të qartësojmë limitet e këtij studimi. Së pari do të përmendim përpjekjet e dijetarëve myslimanë për të vërtetuar profetësinë e Muhamedit (a.s.) duke u mbështetur në tekstin biblik, po ashtu do të shqyrtojmë opinionet dhe mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje. Për të parandaluar çdo dykuptimësi që mund të lindë kur e trajton një subjekt të tillë brenda strukturës së historisë së përgjithshme, të gjitha opinionet dhe qasjet e ndryshme do të përmenden duke ju referuar dokumenteve të ndryshme nga periudha klasike. Dokumenti i parë që do të marrim në shqyrtim është një tekst dialogu i përpiluar në Bagdad (në 165 h./781 e.r. ose 166 h./782 e.r.). Ky dokument është i një rëndësie të veçantë, meqenëse është një prej dokumenteve të para të cilat reflektojnë dialogun midis myslimanëve dhe të krishterëve. Ky tekst u shkrua nga patriarku Timote dhe është i rëndësishëm sepse mbulon metodën e leximit të Biblës nga ana e myslimanëve, të përfaqësuar nga Mehdi. Punimi i dytë që do të marrim në shqyrtim është trajtesa (Risale) e Ibnu Lejs-it. Kjo vepër është shumë e rëndësishme, meqenëse është vepra më e hershme myslimane në të cilën janë grumbulluar citime të ndryshme nga Bibla të cilat i referohet profetit Muhamed (a.s.). Kjo vepër është një letër e shkruar për Harun err-Rrashidin (i cili mbretëroi midis 170h./786 e.r.- 193 h./ 809) gjatë vitit 795 ose 796 e.r. dhe i ishte dërguar perandorit bizantin Kostandini i VI (780-797 e.r.). Vepra e tretë të cilën do ta marrim në shqyrtim është punimi i mirënjohur i titulluar "Kitab ed-din ve delve", shkruar në një periudhë e cila është shumë e afërt me kohën e dy veprave të para. Kjo vepër është shkruar nga Ali bin Rabban el-Tabari (240h/855e.r.) i cili nga i krishterë u konvertua në Islam. Elementi i përbashkët në këto tre vepra gjendet në faktin se ato përmbajnë shembuj të leximeve dhe përsiatjeve që myslimanët i kishin bërë tekstit biblik për të gjetur në të pohime të cilat paralajmëronin ardhjen e profetit Muhamed (a.s.).
Kurani dhe Bibla
Në Kuran gjejmë referime të shumta ndaj besimit dhe librave të shenjtë të besuara nga të krishterët. Përgjatë historisë, shkollarët myslimanë të cilët e vendosnin Kuranin në qendër të sistemit të tyre të mendimit, duke u nisur nga struktura kuranore, vendosën një perspektivë të caktuar në lidhje me religjionet e tjera, veçanërisht përsa i përket krishterimit. Për rrjedhojë, debatet dhe argumentet teologjike që rezultuan si pasojë e takimeve ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve niseshin nga këndvështrimi kuranor dhe përfshinin argumente të bazuara në mësimet e Kuranit. Kundërshtia ndaj doktrinave të ndryshme të krishtera, të tilla si Triniteti, mishërimi i Zotit, hyjnia dhe kryqëzimi i Jezusit, të cilat përgjithësisht shiheshin si në kundërshtim me besimin islam, si edhe çështje të tjera të cilat lidheshin në mënyrë indirekte me këndvështrimin e krishterë, paraqiten në Kuran në kontekst të dëshmive se mesazhi hyjnor ishte korruptuar dhe se referimet e Jezusit për një profet tjetër që do të vinte pas tij ishin ndryshuar përgjatë historisë shkrimeve.
Sipas këndvështrimit kuranor profetësia ishte një zinxhir i pakëputur. Mësimet e profetëve të ndryshëm nuk ishin në mospërputhje me njëri-tjetrin, përkundrazi ato konfirmonin njëri-tjetrin. P.sh. Jezus Krishti kishte konfirmuar vlefshmërinë e torahut dhe kishte përmendur profetin që do ta pasonte atë (Kuran 61:6). Zinxhiri i profetësisë ishte përmbyllur nga profeti Muhamed (a.s.), i cili ishte vula e profetëve (khatemul enbija). Ky besim nënkupton që Kurani i konfirmon mesazhet hyjnore të mëparshme, duke pohuar se edhe ato kanë burim hyjnor, dhe pranon vlefshmërinë e dispozitave të tyre. Mbi të gjitha ekzistenca e profetit Muhamed (a.s.) vërteton librat dhe profetët e mëparshëm. Me fjalë të tjera, ardhja e profetit dhe e librit të shenjtë që ju dha atij ishin mjete për konfirmimin dhe verifikimin e profetëve të mëparshëm. Pohimi i Taberiut se: "Nëse nuk do të kishte ardhur profeti Muhamed (a.s.) mesazhet e profetëve të mëparshme do të kishin humbur vlefshmërinë e tyre" është një shembull i mirë për një qasje të tillë. Sipas këtij autori, "Allahu e mban premtimin e Tij dhe nuk e ndryshon mesazhin e Tij" (Kita bed-Din ve Devle, f. 66)
Qasja e myslimanëve ndaj Biblës
Myslimanët filluan të lexonin dhe analizonin Dhjatën e Vjetër dhe atë të renë atëherë kur filluan kontaktet e para me të krishterët. Një nga arsyet kryesor pas një veprimi të tillë ishte nevoja për të kritikuar parimet e ndryshme të besimit të krishterë, veçanërisht ato parime të cilat binin ndesh me besimin islam. P.sh., një prej metodave më të rëndësishme kishte si synim të provonte se doktrinat themelore të besimit të krishterë, si triniteti apo hyjnia e Jezusit, nuk gjenin mbështetje në tekstin e Biblës. Një tjetër arsye, që qëndronte pas interesimit të myslimanëve për tekstin biblik, ishin edhe versetet e ndryshme kuranore të cilat i referoheshin faktit se në shkrimet hyjnore të mëparshme gjendeshin referime për ardhjen e profetit Muhamed (a.s.). Në këtë kategori bënin pjesë veçanërisht ato versete sipas së cilave ardhja e profetit Muhamed (a.s.) përshkruhej në Torah dhe në Bibël (Kuran 7:157), si dhe deklarata e Jezusit në të cilën ai kishte përmendur profetin i cili do ta pasonte atë, dhe që do të quhej Ahmed (Kuran 61:6). Ishin ato hebrenj dhe të krishterë të cilin ishin konvertuar në islam të parët të cilët u mbështetën në këtë metodë, për shkak të familjaritetit të tyre me tekstin biblik. Këto të konvertuar shkruan tekste në të cilat grumbulluan referenca të ndryshme që gjendeshin në tekstin biblik. (el-Vafa bi-ahvali’l-Mustafa, v. I, p. 73).
Siç e përmendëm edhe më lart, Kurani e sheh veten si konfirmues të shkrimeve të mëparshme. Ai pohon se shkrimet që i ishin zbuluar profetëve ishin të shenjta dhe se midis tyre nuk gjendej asnjë mospërputhje. Për pasojë, besimtarët janë të thirrur që të besojnë tek të gjithë profetët "duke mos bërë dallim tek asnjëri prej tyre" (Kuran 2:136, 285). Ndonëse Kurani mban këtë qëndrim ndaj burimit të shkrimeve të shenjta, qëndrimi i tij në lidhje me historinë e mbledhjes dhe ruajtjes së këtyre shkrimeve është kritik. Termi "prishje" ose "korruptim" zë një vend të rëndësishëm në terminologjinë kuranore lidhur me ehli kitabët (hebrenjtë dhe të krishterët). Në shumë versete kuranore, ehli kitabët akuzohen për prishjen dhe ndryshimin e mesazhit hyjnor. Ato akuzohen si "fshehës qëllimisht të së vërtetës" (Kuran 3:71) dhe veçanërisht kjo fshehje lidhet me referimet që tekstet e mëparshme kanë pasur për ardhjen e profetit Muhamed (a.s.). P.sh. Taberiu (310 h./923 e.s.), një nga interpretuesit e parë dhe të mirënjohur, e konsideronte termin kuranor "fshehës të së vërtetës" si një referim ndaj fshehjes së teksteve të torahut dhe biblës të cilat bënin fjalë rreth ardhjes së profetit Muhamed (a.s.) dhe profetësisë së tij. (Xhami‘u’l-bejan, v. I, f. 189; v. II, f. 274-275, 375). Mund të themi se ky koment bazohet mbi tekstin kuranor. Pohimi kuranor se ehli kitabët ishin të ndërgjegjshëm për profetin Muhamed (a.s.) (apo për zbulesën që i ishte dhënë atij) po aq sa ç'ishin të ndërgjegjshëm për fëmijët e tyre, por qëllimisht e kishin fshehur të vërtetën (Kuran 2:146; 6:20), duket se ka pasur ndikimin e tij në komentin e Taberiut.
Ndërsa kritikohesh qasja e hebrenjve dhe të krishterëve ndaj shkrimeve të tyre të shenjta, çështja e korruptimit të teksteve të shenjta u bë një koncept i rëndësishëm për myslimanët. Kështu që, në atë kohë theksohej se Bibla, teksti i së cilës besohej se ishte ndryshuar, nuk ishte detyrues për myslimanët. Mund të shihet se koncepti i prishjes dhe ndryshimit të mesazheve të mëparshme filloi të merrte rëndësi pas shekullit të dytë hixhri (shekulli i tetë sipas kalendarit Gregorian). Kalifi el-Mehdi, gjatë takimit të tij me patriarkun nestorian Timoteu i parë, theksonte se shkrimet e të krishterëve përmbanin referime të shumta për ardhjen e profetit Muhamed (a.s.), por të krishterët i kishin ndryshuar ato. (Mingana, “The Apology of Timothy”, f. 35, 55). Nga ana tjetër, kalifi paraqiti shembuj të ndryshëm nga teksti ekzistues biblik, të cilat mund të interpretoheshin në këtë kontekst. Për rrjedhojë, fraza "Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë" e cila në torah i atribuohet moisiut (Ligji i përtërirë 18:15, 18) u interpretua si një referim për profetin Muhamed (a.s.). Në fakt, siç ka arsyetuar shumë interpretues, profeti i përmendur në këtë pasazh duhej të vinte nga gjiri i bijve të Izreaelit dhe kjo është një dëshmi se ky profet duhej të ishte Izraelit. Mbi të gjitha, termi hipur mbi "gomar" apo mbi "deve" (Isaia 21:7) u kuptua si një veçori e Jezusit më shumë se sa një veçori e Muhamedit (a.s.). Termi paraklet (forma arabe faraklit), i cili i referohet ardhjes së Jezusit si paralajmërues i urtësisë hyjnore dhe prurësit të së vërtetës ndërmjet njerëzve (Gjoni 14:26; 15:26; 16:7), ishte ndërmjet evidencave të paraqitura nga kalifi el-Mehdi për të provuar profetësinë e Muhamedit (a.s.) (Mingana, “The Apology of Timothy”, p. 33-39, 50-52).
E njëjta qasje dhe kuptim haset edhe në rivalen e Ibnul Lejsit. Ai pohonte se mrekullitë e kryera nga profeti Muhamed (a.s.), personaliteti i tij i jashtëzakonshëm, suksesi i tij në përçimin e mesazhit dhe fitoret e korrura nga shokët e tij mbështesin, mbështesin të gjitha profetësinë e Muhamedit (a.s.) dhe se ardhja e tij ishte parathënë si në Torah ashtu edhe në Bibël. Gjithsesi, autori sugjeron se të hebrenjtë dhe të krishterët kanë keqinterpretuar dhe ndryshuar kuptimin e vërtetë të tekstit biblik. Në këtë kontekst, libri i Deutoronomit, i Psalmeve, i Isaias, i Habakukut dhe Ungjilli i Gjonit janë shndërruar në tekste të cilat autori i përdor dhe huazon prej tyre. Ibnu Lejsi i barazon fjalët e profetit Moisiu dhe Parakletin e lajmëruar nga Krishti me emrin "Ahmed" i cili shfaqet në Kuran. Në pasazhin e Deutoronomit 33:2 "Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran", Ibnul Lejsi e shihte malin Sinai si simbol të Mosiut, Seirin si simbol të profetit Jezus, ndërsa malin Paran si simbol të profetit Muhamed (a.s.). Ai i përcaktonte këto tre vendndodhje respektivisht si vendet ku Torahu, Bibla dhe Kurani i janë dhënë profetëve. (Ibnul Leys, Risala, p. 308-313).
Vepra e Ali bin Rabban el-Tabari (d. 240/855), Kitab el-Din ve Devle, fillon me refereimet ndaj Ismailit dhe pasardhësve të tij, ai interpreton dhe paraqet disa pohime të bëra nga profeti Moisi, Isaia, Osea, Mikea, Habakuku, Jeremia dhe profeti Daniel si referenca për ardhjen e profetit Muhamed (a.s.). Kjo vepër, njësoj si dy tekstet e lartpërmendura, e shpjegon profetin e paralajmëruar nga Mosiu si Muhamedi (a.s.). (Deutronomi 18/15, 18) dhe termin Mali Paran si referim ndaj Mekës (Deutronomi 33/2). Gjithashtu, ai i vlerësonte termat e rrjedhur prej fjalës hamd, të cilat gjendeshin tek Psalmet dhe libri i Isaias, si referime për emrin Ahmed dhe Muhamed (a.s.) duke i parë ato gjithnjë në kontekst. (Kitab el-Din ve Devle f. 66-118). Sa i përket interpretimit të Dhjtës së Re të bërë nga Taberiu, ai pohonte se termi paraklet (Gjoni 14:26), që do të thotë "ai i cili do të mësoj gjithçka", i përdorur nga profeti Jezus i referohej vetëm profetit Muhamed (a.s.). Përveç kësaj, ai ndoqi një metodë të re interpretimi duke llogaritur vlerën numerike të termit paraklet sipas metodës së llogaritjes abxhad dhe e krahasoi atë me llogaritjet e frazës Muhamed (a.s.) bin Abdullah en-Nebijul-Hadi (Muhamedi (a.s.) biri i Abdullahit, i cili udhëheq për në rrugën e drejtë) dhe me frazën Muhamed (a.s.) resul habib Tajib (Muhamed (a.s.) profeti i dashur dhe i pastër duke pohuar se vlera numerike e këtyre dy shprehjeve është e barabartë me atë të termit paraklet. Taberiu pohonte se jo vetëm nga fjalët e Jezusit mund të nxirreshin paralajmërime për ardhjen e profetit Muhamed, por e njëjta gjë mund të bëhej edhe nga fjalët e Shën Pjetrit (Pjetri I, 4:17) dhe nga fjalët e Shën Palit (Galatasve 4:22-26) (ibid., f. 118-124). Për më tepër, edhe tekstet e Dhjatës së Re të cilat përdoreshin nga të krishterët si prova për ardhjen e profetit Jezus u interpretuan si referenca për profetin Muhamed (a.s.) (ibid., p. 117-118). Taberiu besonte se të krishterët i kishin keqinterpretuar këto tekste dhe e kishin ndryshuar kuptimin e tyre të vërtetë. Për këtë arsye, ai i kritikonte interpretimin e të krishterëve ndaj këtyre teksteve në një mënyrë shumë të ashpër. (ibid., p. 17, 111-112, 121, 123-124).
Siç mund të shihet nga shqyrtimi ynë i derimëtanishëm, autorët mysliman kanë zhvilluar një metodë mbrojtëse, të influencuar nga versetet e Kuranit, dhe kanë lexuar tekstet e shpallura të ehli kitabëve (të hebrenjve dhe të krishterëve) duke i interpretuar, në debatet e tyre me të krishterët dhe hebrenjtë, sipas këndvështrimit islam. Në të njëjtën mënyrë, të krishterët i janë referuar Dhjatës së Vjetër dhe e kanë përdorur atë si provë për të dëshmuar vërtetësinë e misionit të Jezus Krishtit. Kjo situatë dërgoi në formimin e një zhanri të ri shkrimesh, të njohura si delailu nubuveh ose ndryshe beshairu nubuveh. Qëllimi i këtyre veprave ishte vërtetimi i misionit profetik. Kjo bëhej duke ju referuar personalitetit të paprecedent të profetit, duke përshkruar mrekullit e tij, duke përmendura paralajmërimet e tij profetike, dhe duke theksuar cilësitë e larta të bashkësisë së tij. Sidoqoftë, seksioni i cili përmbante dhe shqyrtonte referimet nga Bibla për ardhjen e Muhamedit (a.s.) përbentë një pjesë domethënëse të këtyre veprave. Libri i Zanafillës, Isaia, Pslamet dhe Ungjilli i Gjonit ishin veprat më të përmendura në lidhje me këtë çështje. Pohime të cilat e kishin origjinën nga fjala hamd, tekste të cilat përmendnin emra vendesh të ndryshme mund të lidheshin me Mekën dhe rrethinat e saj dhe termi paraklet, i përmendur nga Jezusi, konsiderohej si dëshmi për ardhjen e Islamit.(shih Lazarus-Yafeh, Intertëined Ëorlds, p. 83-110; Adang, Muslim Ëriters, p. 139-162; 264-266). Mbi të gjitha, siç e pamë edhe në shembullin tonë të fundit, madje edhe përllogaritja e vlerës numerike të fjalëve sipas metodës abxhad është përdorur si mjet për të arritur qëllimin e vënë. Përmes kësaj metode, dijetarët mysliman kanë vendosur një marrëdhënie ndërmjet vlerave numerike të disa fjalëve dhe Dhjatës së Vjetër, të Dhjatës së Re dhe vlerës numerike të emrave të profetit Muhamed (a.s.) për të formuar një analogji midis tyre.
Përktheu: Rezart Beka
Burimet
Adang, Camilla, Muslim Writers on Judaism and the Hebrew Bible: from Ibn Rabban to Ibn Hazm, Leiden: E. J. Brill, 1996.
Demiri, Lejla, Muslim-Christian Dialogue in the Eighth Century: The Nestorian Patriarch Timothy I and the Abbasid Caliph al-Mahdî, Roma: Pontificia Università Gregoriana (ubpublished M.A.Thesis), 2004.
Dunlop, D. M., “A Letter of Hārūn al-Rashīd to the Emperor Constantine VI”, In Memoriam: Paul Kahle, eds. Matthew Black and Georg Fohrer, Berlin: Alfred Töpelmann, 1968, s. 106-115.
Ibnü’l-Cevzî, el-Vefâ bi-ahvâli’l-Mustafâ, ed. Mustafa Abdü’l-Vâhid, Kahire: Dârü’l-Kütübi’l-Hadîse, 1966.
Ibnü’l-Leys, “Risâle”, Cemheretü resâ’ili’l-‘Arab fī ‘usūri’l-‘Arabiyyeti’l-zâhire, ed. Ahmed Zeki Safvet, Kahire: Mustafa el-Bâbî el-Halebî, 1356/1937, c. III, s. 252-324.
Lazarus-Yafeh, Hava, Intertwined Worlds. Medieval Islam and Bible Criticism, Princeton: Princeton University Press, 1992.
________, “Tawrāt”, EI², c. X, s. 393-395.
Mingana, A., “The Apology of Timothy the Patriarch before the Caliph Mahdî”, Woodbrooke Studies (Bulletin of the John Rylands Library), 12 (1928), s. 1-162.
Taberî, Ali b. Rabben, Kitâbü’d-dîn ve’d-devle, ed. A. Mingana, Manchester: University Press, 1923. Ýng. Terc. A. Mingana, The Book of Religion and Empire, Manchester: University Press, 1922.
Taberî, Ebû Câfer, Câmi‘ü’l-beyân ‘an te’vîli âyi’l-Kur’ân, ed. Beþþâr ‘Avvâd Ma‘rûf ve ‘Isâm Fâris el-Harastânî, Beyrut: Mü’essesetü’r-Risâle, 1994.
Watt, Montgomery W., “The Early Development of the Muslim Attitude to the Bible”, Glasgow University Oriental Society Transactions, 16 (1955-6), s. 50-62.