(Alter)arti urban ose grafitti (sub)kultura

image

 

Hermeneutika e kësaj fjalie na bën të kuptojmë se qytetet janë organizma të gjallë, me trup e me shpirt, me “me qeliza e inde”, qenie që frymojnë, madje edhe që rebelojnë kur dikush ua merr pushtetin, janë entitete që nuk harrojnë kurrë (M. Armagan), por që mund të pushojnë së ekzistueari nëse nuk i kultuvojmë dhe kulturizojmë. Që nga qytetet më të vjetra (Byblos, Damascus, Jericho) e deri më sot, bashkë me qytetet, të cilat kanë sjellë edhe qytetërimin, është zhvilluar edhe një kulture e veçantë që e dallon dhe veçon atë nga geisti rural, nga mënyra fshatare e jetesës. Kjo kulturë është mbiquajtur kulturë qytetare ose kulturë urbane, që e përditësuar do të na dilte në formën urban life (jetë urbane). Kjo mënyrë jetese, në kohën e postmodernës kur gjiçka kalon, ka gjeneruar edhe një formë artsitike interesante, sfiduese, një formë nënartistike ose alter-artistike që përcjell porosinë e vet nëpër hapësira publike si muret e shtëpive, ndërtesave, urat, nëpër objekte si makinat e vjetra, tabelat e trafikut etj., duke komunikuar me recipientin herë në mënyrë fjalësore (shkronja, fjalë) e herë jofjalësore (figura, piktura, vizatime) jashtë vijës kryesore (mainstream) të jetës shoqërore. 

Mënyra urbane e të jetuarit ka gjeneruar një formë artsitike alternative: arti urban, një subkulturë kjo kryesisht juvenile që thyen kornizat e tradicionales dhe shfaq një zë tjetërfare të artbëries. Teoria dhe vëzhgimet thonë se arti urban përbën një stil të artit që ndërlidhet me qytetin dhe jetën qytetare, që ekzekutohet nga artistë që jetojnë në qytet ose që kanë pasion për jetën qytetare. Kjo formë e artit kombinon artin e rrugës dhe grafitin dhe shfrytëzohet për të rezymuar të gjitha trajtat e artit vizual që shfaqen nëpër zonat urbane, të inspiruara nga arkitektura urbane ose nga mënyra qytetare e jetesës. Për shkak të prezencës së panatyrshme në hapësirat publike konsiderohet si një formë vandalizmi (krimi i dënueshëm) dhe atak ndaj pronës private, kurse sipas disa të tjerëve, është zhanër i shprehjes artistike që meriton të shfaqet nëpër galeri dhe ekspozita. Ndonëse i shfaqur në nivel të lagjes, ku përfaqësues të kulturave të ndryshme jetojnë së bashku, sot përbën një formë ndërkombëtare artistike që përdoret në forma të ndryshme, kështu që artistët urbanë udhëtojnë nga qyteti në qytet dhe kanë kontakte sociale me njerëzit në të katër anët e botës. Ky lloj i kulturës ndryshe quhet edhe graffiti kulturë, që shënon një lloj të shkrimeve publike që mund ntë duken si fjalë të thjeshta të shkruara, daton që nga Greqia dhe Roma antike. Në kohërat moderne, shkrimet murale dhe pikturimi, në veçanti ato përmes sprejit ose markerëve janë ndër më të popullarizuarit te mosha adoleshente. Graffiti kultura dhe arti urban ndërlidhen edhe me hip-hop muzikën, me breakdance-in, anarcho-punkun, me klishetë kundër-luftë, ato anarkiste, feministe, antikonusmeriste, antiglobaliste etj. Të tjerë thonë se arti urban ndryshe mund të quhet edhe kundërkulturë ose bllokim kulturor (culture jamming), shkulturim ose dekulturizim sepse bie ndesh me marrëveshjen kornizë të çdo shoqërie, tenton të çojë përpara edhe parulla si Lisez moins, vivez plus (Lexoni më pak jetoni më gjatë!), shpalos simbole fashizoide si svastikat... Disa e kanë cilësuar si shtyp të nëntokës madje edhe si një formë kaligrafie dhe arti figurativ. 

Kjo formë e subkulturës, zbatuesit e së cilës emërtohen edhe si sulmues ose plaçkitës hapësirash (space invaders & hijackers), nganjëherë përcjell mesazhe politike (Shkup: Maqedonia përgjithmonë! Tetovë: 1 gjuhë, 1 shtet, 1 komb!, Prishtinë: 12:44 Time is up, UNMIK go home!, New York: Broken promises/Falsa Promesas; Kajro: Diktator antikë për shitje!, Amsterdam: Liria jeton kur shteti vdes!), herëve të tjera paraqitet në konotacion të dashurisë, sportit, humorit, të figurave stilistike (No teeth, mustache, smell like a... bosnian girl! S’dua çamçakëz, dua kusurin tim! Ma ruani Jugosllavinë! Ç’hotel i mirë ishte ai! Asnjëherë s’të harroj, vetëm hiqmu qafe! Sida, sida, po ç’ka s’është kancer! Tallava 20 vjet! Error 404: Peace not found! Grafitti is a fun crime! Votën as Betmenit e as Supermenit, vetëm Sefa Sirmenit! Ultras Forever!).

Disa autorë pohojnë se grafitti kultura është një oksimoron, se të flitet për të është sikur të flitet për jetën e vdekur, dritën e errët... Është me rëndësi të theksohet dimensioni estetik ose joestetik i kulturës urbane, sa ajo ka të bëjë me të bukurën si kategori dhe me vlerat si koncept aksiologjik dhe me antipodin e tyre. Sado që të mohohet refleksioni pozitiv i grafiteve, prapseprapë mund të thuhet se ky lloj i urban vivendit përbën një fenomen sociologjik që është refleksion i trendeve shoqërore, madje mund të konsiderohet dhe si korrektor i shumë rrjedhave negative sociale, si rebelizëm alternativ. Grafitet qofshin ato vizatimore ose shkrimore janë shprehje e një botëkuptimi, e një filozofie, e një perspektive për njeriun, shoqërinë dhe jetën në përgjithësi. Simbolika e kësaj nënkulture avangardiste është një frymë e arkeologjisë së dijes (Foucault) dhe e dekonstruksionit (Derrida), një rrjet social që bashkon grupime të ndryshme sociale si në rrafshin vendor (“BadBlueBoys”) ashtu edhe në atë global (antiglobalistët: Bukë, jo armë!). Elementet e kësaj sikulture i gjejmë në çdo skaj të qytetit tonë.

Qyteti i së ardhmes, shprehur me fjalët e Jonathan Rabanit duket si një qyteti i butë (soft city), pjesë e urbanizmit postmodern, ku elementet e ndryshme kulturore që qëndrojnë si zëra enciklopedikë, pra në rend dhe harmoni të plotë mes vete. Qyteti i anarkizuar edhe në aspekt të porosipërcjelljes nuk është hapësirë e shëndoshë për jetesë, por as “Jo”-ja absolute për kulturën alternative nuk është zgjidhje. Etika dhe vlerat morale janë shenjat njohëse të rendit dhe shëndetit social, ato duhet të ruhen me vigjilencë. Ja kjo është arsyeja pse ka edhe trupa antisprej, punëtorë që fshijnë shkrimet e shëmtuara dhe tendencioze. Kurse nga ana tjetër janë edhe ata që vizatojnë simbolin e paqës, zemrën ndhe pinguinin (peace, love and Linux) si çlirues të së ardhmes dhe mjete të bashkëjetesës në shoqërinë informatike.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme