Kur egjiptianët rrëzuan diktatorin e tyre më 11 shkurt 2011-të, bota sikur u qetësua. Ishte frika se atje do të bëhej një kasaphane e vërtetë por nuk ndodhi ashtu siç ndjehej. Revolucioni i Egjiptit doli të jetë më i ‘sofistikuari’ krahasuar me shtetet tjera arabe. Shumë kush prej neve që kishim studiuar atje, habitej me qëndrimin neutral të ushtrisë dhe me dorëheqjen e shpejtë të Mubarakut. Si duket këta diktatorë kishin marrë për mostër ngjarjet e Evropës Lindore të vitit 1989 që ta rimerrnin pushtetin, pas dorrëzimit. Fatkeqësisht egjiptianët janë duke e rimarrë këtë pushtet, por me shumë zhurmë dhe viktima.
Kur krerët e shteteve komunistëve u mblodhën në Vashavë (1989) dhe konkluduan se pushteti politik për ta kishte marrë fund, vendosën që pushtetin ekonomik duhej ta mbanin në mënyrë që t’i rikthenin pozitat pushtetmbajtëse. Mundësisht ky rikthim planifikohej të bëhej menjëherë pas mbarimit të mandatit të parë zgjedhor(katër vjeçar). Vërtetë, shumë shpejt, pushteti politik kaloi në përgjegjësi të masës së thjeshtë që nuk kishin as përvojën e as idenë e qeverisjes, ndërsa ish komunistët gjatë këtij katërvjeçari u forcuan edhe më shumë ekonomikisht.
A mund të thuhet se klani pushtetmbajtës i Ben Alisë në Tunizi dhe Mubarakut në Egjipt të ketë përdorur këtë strategji? Vërtetë, është vështirë për t’u përgjigjur, mirëpo nuk mund të përjashtohet kjo ide pasi puç-it që përjetoi populli egjiptian. Nëse ish komunistët u rikthyen me marifet dhe pa zhurmë të madhe, klani politik i diktatorëve arabë si duket nuk pati durim të pres katër vjet. Ky krahasim të bën kureshtar në pyetjet, çfarë ndikoi të rikthehet diktatura kaq shpejtë në Egjipt? Cila frymë ideologjike ngacmoi ideologët për të shkaktuar puç-in ushtarak në një shtet demokratik?
Rikthimi i së keqes
Secili që ka përjetuar këto dy periudha kohore e kupton se Evropa Lindore po përjetonte një çarje të madhe ku lojtarë ishin elitat pushtetmbajtëse komuniste çalamane dhe të leckosura kundër masës së thjeshtë e rënë përtokë. Pra, anti komunistët ishin turma njerëzish shumë të varfër që arritën të organizohen atypëraty, ndërsa kështu nuk mund të thuhet për turmat anti-diktatoriale arabe të pranverës së vitit 2011. Anti-diktatorialët e botës arabe ishin turma të rinjsh të mbështetur nga elitat e të gjitha fushave dhe shumë të organizuar.
Plani i ish-komunistëve në krye me Rusinë doli të jetë shumë më i sofistikuar krahasuar me këtë që po shihet në botën arabe. Popujt e ish sistemit komunist edhe pse janë zhytur në një luc, që zor kush mund t’i nxjerrë për t’i pastruar, rikthimin e tyre e bënë në mënyrë të heshtur. Masa e thjeshtë jo-komuniste që kishte marrë pushtetin duke qenë se nuk kishte aftësinë për të qeverisur mirë, çoi popullin në anarki të pa deklaruar. Atje, nga jashtë dukej se ekzistonte një qeveri që ka rend dhe ligj, mirëpo, në realitet në brendi vërehej se, secili person që kishte sado pak pushtet e ndiente veten se rreth tij rrotullohej bota. Pas katër vjetësh, populli i stërlodhur nga ‘anarkia’ u detyrua të sjell në pushtetet sërish ish-komunistët.
Përveç nostalgjisë për ta rimarrë pushtetin,dhe përkundër mundësive që u ofroi ndryshimi i sistemit dhe hyrja në BE, këta asgjë nuk i motivoi të bëhen qeveritarë të sinqertë. Dallimi midis qeveritarëve të rikthyer dhe ‘masës së thjeshtë’ është vetëm retorika e arsyetimeve dhe gënjeshtrave të fabrikuara. Ndryshe nuk shpjegohet ngelja vendnumëro, asnjë ndryshim radikal popujt e ish monizmit nuk përjetuan. Duke qenë se nuk kishin ambicie e as motiv për ta përmirësuar jetën e qytetarëve, këta mbyllën sytë dhe u bënë sikur nuk i shohin administratorët e korruptuar, bëhen sikur nuk i shohin trafikantët me qenieve njerëzore, trafikantët e organeve të trupit njerëzorë, trafikantët e drogave dhe shumë dukuri të tjera të shëmtuara.
Nëse popujt e Evropës (jug)Lindore kanë arsyetim dhe mbrohen se ju mungonin elitat, çfarë i bëri arabët ose më saktë egjiptianët ta rrëzojnë qeverinë e sapozgjedhur kur protestat e tyre të vitit 2011 ishin shembull për mbarë botën? Pse ky rikthim në diktaturë!?
Lufta midis të mirës dhe të keqes
Egjipti kishte kaluar disa periudha shumë të vështira menjëherë pas vdekjes së Mehmet Ali Pashësh (1769-1849). Anglia dhe Franca synuan Egjiptin dhe pas shumë peripecive pushteti monarkist do të dorëzohet më 1882, dhe do të kaloi në protektorat Anglez. Partitë politike brenda shteteve të këtij komunvellti ishin të brishta, ato shkarkoheshin sa herë që e kërkonte mbreti, gjegjësisht atëherë kur jepej sinjali nga mandatari anglez. Mirëpo në Egjipt më 1928 kishte lindur një lëvizje islame e quajtur Vëllazëria Muslimane të cilët synonin rikthimin e drejtësisë Hyjnore sipas parimeve islame.
Lufta e Dytë botërore do ta ndryshojë gjeografinë politike, dhe Anglia më 1956 pas përfundimit të krizës së kanalit të Suezit do të heq dorë përfundimisht nga Egjipti për t’ia dorëzuar këtë kujdes SHBA-ve. Presidenti egjiptian Xhemal Abdul Naser, pas përfundimit të kësaj krize do të bën aleancë me ish bllokun e Varshavës, dhe menjëherë, Vëllezërve Muslimanë do t’ia kthejë shpinën edhe pse këta ishin bërë shkaktarë që ai të bëhej president. Ai nuk kurseu aspak, vrau, burgosi dhe përzuri shumë anëtarë të kësaj lëvizje jashtë shtetit. Pak më butësisht u soll presidenti tjetër Enver Sadat. Këtë rrugë në vitet e para të qeverisjes do ta ndjek edhe Mubaraku, mirëpo ambiciet e tij për të sunduar përjetësisht dinastia e tij, bënë që ta rikthejë dhunën shtetërore, ku halë në sy i kishte anëtarët e Vëllazërisë Muslimane.
Pas rrëzimit të Mubarakut shkurt 2011, për herë të parë në Egjipt u zhvilluan zgjedhje të lira pa ndërhyrjen e hekurt të partisë në pushtet. Me të krijuar kushtet dhe atmosfera për themelimin e partive politike, sikurse të gjitha lëvizjet tjera ashtu edhe lëvizja e Vëllazërisë Muslimane themeloi partinë e saj me emrin partia për Drejtësi dhe Liri. Të gjitha lëvizjet politike dhe shoqëritë civile që kishin kontribuar në rrëzimin e Mubarakut kishin hise të gëzonin lirinë e re, e cila ishte fituar me shumë mund dhe sakrificë. Në vjeshtën e vitit 2012 u zhvillua një garë e drejtë, ndërsa partia Drejtësi dhe Liri e kryesuar nga Muhammed Mursi i fitoi zgjedhjet.
Për arsye tashmë të njohura, partitë të ashtuquajtura moderniste nuk pranuan të futen në qeveri me partinë fitimtare edhe pse u kërkua një gjë e tillë. Ende pa i mbushur 100 ditë qeverisje, në Janar 2013 filluan protestat kundër qeverisë së re e cila po ballafaqohej me probleme shumë të mëdha të trashëguara nga ish regjimi. Egjipti po shkonte drejt falimentimit për shkak të vjedhjeve të mëdha që ishin shkaktuar gjatë kohës së trazirave dhe ikjes së disa miliarderëve të cilët shumica prej tyre u strehua në Emirate. Në kohën kur kjo qeveri po jepte shenjat e para të përmirësimit, ndodhi puç-i ushtarak!!!
Pra, në Egjipt ndodhi e kundërta e asaj që ndodhi me shtetet e Evropës (jug) Lindore. Në vendet e ish komunistëve popujt u ndien të hutuar e të pa sigurt, ndërsa në Egjipt u dhunua lindja e ngrohtë e diellit të mëngjesit që jepte shenja për ditë të mbara.Për shkak të këtij zullumi të madh, krerët e Vëllazërisë Muslimane do të kërkojnë të dalin në protesta paqësore. Por ku?
Sheshi Rabiatu el Adevije
Vëllezërit Muslimanë menjëherë pas burgosjes së presidentit të Egjiptit Muhamed Mursi u shfaqën në sheshin Rabiatu el Adevije. Nëse në janarin e vitit 2011 bota njohu sheshin Tahrir (Çlirimi)të Kajros, pas dy vjetësh tani bota veç sa ka filluar ta kuptojë rëndësinë edhe të një shesh tjetër po ashtu në Kajro- sheshin Rabiatul Adevije.
Ky shesh u emërtua për hir të një femre shumë të devotshme e cila njihet me emrin Rabiatul el Adevije (100-180 hixhri ose 717-796 gregorian). Në fakt askush nuk e di emrin e saj të vërtetë, ajo ishte bija e katërt e Adeviut dhe ashtu edhe u njoh. Rabiatu në gjuhën arabe do të thotë e katërta, pra bija e katër e Adeviut. Si duket ajo vetë nuk dëshironte që të njihej me emrin e saj të vërtetë për shkak se tërë jetën e saj ia kushtoi adhurimit. Ishte shumë e devotshme. Asnjë vepër të mirë nuk e bënte për t’iu përmendur emri, tek ajo mbretëronte vetëm dashuria ndaj Zotit. Prandaj ajo është e njohur me thënien: “fshihni veprat e mira ashtu siç i fshihni veprat e shëmtuara”.
Sheshi sa vinte dhe mbushej, numri i të devotshmëve po rritej çdo ditë. Mesazhi tyre ishte, duam ta adhurojmë Zotin pa presion dhe sipas parimeve të Tij. Nga dendësia sheshi kishte bllokuar çdo lëvizje të makinave. Një ditë derisa protestuesit po falnin namazin e sabahut ndodhi masakra. Ushtria goditi me plumba protestuesit që duart i kishin të lidhura në namaz!? Protestat vazhdojnë, ushtria nuk ndalon së burgosuri anëtarët e kësaj lëvizje edhe pse zyrtarisht kjo lëvizje tani quhet e jashtëligjshme!!! Për të gjithë ata që pyesin pse e gjithë kjo masakër, përgjigja e shkurtër prej tyre del: kërkohet drejtësi Hyjnore e jo drejtësinë njerëzore. Pra kështu, informatat e fabrikuara me duartrokitje të aventurierëve të ‘drejtësisë njerëzore’ plagosin lirinë dhe harmoninë e përgjithshme.
Çfarë po ndodh në realitet në Egjipt
- Partia Liri dhe Drejtësi përgënjeshtron thëniet e ushtrisë se në Egjipt nuk janë cenuar të drejtat e shprehjes duke sjellë argument e dëshmitarëve okularë të cilëve ju është thënë që të mos kundërshtojnë asnjë vendim të policisë ose ushtrisë dhe i kanë kërcënuar me burg. Argument tjetër janë veprimi vandal i ushtrisë me zyrat e gazetës së partisë së tyre janë konfiskuar të gjitha paisjet dhe i është vendosur dryni dyerve të kësaj gazete.
- Është për t’u habit se zëdhënësi i ushtrisë e refuzon se një gjë e tillë ka ndodhur...!!!, cila është e vërteta. A kemi të bëjmë me luftë psikike midis dy poleve shumë të zemëruara dhe cila e thotë të vërtetën....pra, secili i huaj që është i interesuar të vërteton do të duhet të shkon në Egjipt për të vërtetuar se cila na qenka e vërtetë. Ushtri dhe regjimi diktatorial dhe ushtarak i ri egjiptian do të thotë se nuk janë të vërteta të gjitha këto veprime...
- Vendim skandaloz i qeverisë, e cila i ndaloi 55 mijë imamëve të xhamive të cilët nuk ekanë mbaruar AlAz’harin të kryejnë detyrën e tyre si imamë...