Pak më shumë se 1400 vite më parë Muhammedi a.s. kur ishte 40 vjeç, pranoi shpalljen nga Zoti dhe u ngarkua me porosinë dhe mesazhin që t’i ftonte njerëzit në rrugën e Islamit. Misioni i tij ishte ai i paqes dhe bashkimit të popujve në adhurimin e Krijuesit të Vetëm, mision i cili zgjati 23 vjet. Pas përfundimit me sukses, i Dërguari i Allahut u largua nga kjo botë dhe kaloi në jetën e amshueshme, por na la pas librin e Zotit/Kur’anin fisnik dhe veprën/sunnetin e fjalët e tij/hadithin.
Nga një mjedis dhe shoqëri e paditur dhe xhahile, ai nxori gjeneratën më të mirë që njeh njerëzimi. Me transformimin e asaj shoqërie, Muhammedi a.s. hapi epokën e re të paparë në historinë e gjithëmbarshme. Emri i tij u bë i pavdekshëm dhe i respektuar si i asnjë njeriu tjetër. Pejgamberi a.s. erdhi që ta nxjerrë njeriun nga errësirat në dritë, nga shtypja në drejtësi, nga politeizmi dhe idhujtaria në njësinë e Allahut. Ai e liroi femrën nga padrejtësitë dhe i garantoi të drejtat e natyrshme që i takonin asaj.
Por edhe Muhammedi a.s., sikurse edhe pejgamberët e mëhershëm të Zotit, pati kundërshtarë. Ai i qe lutur Allahut që ta forconte Islamin me njërin prej dy Omerave. Omer bin Hatabi pranoi Islamin dhe u bë një nga mbështetësit më të fuqishëm të fesë dhe një nga liderët më të dalluar në historinë Islame. Ai qe shembull për devotshmërinë, thjeshtësinë, drejtësinë dhe paanësinë e tij. Ndërkaq, Amr bin Hishami, i njohur me nofkën Ebul Hakem (babai i urtësisë), me krenari të pavend nuk e besoi Krijuesin e Vërtetë por vazhdoi të besonte një zot të tijin. Pejgamberi a.s. e quajti atë Ebu Xhehël (baba i injorancës). I tillë vdiq.
Në vazhdimësi ka pasur Ebu Xhehla që kanë punuar dhe luftuar kundër Islamit. Kjo, ngase e Vërteta në çdo kohë ka kundërshtarët e saj. Në mesin e atyre që iu mungon drita e zemrës, dritë e nevojshme që i jep kuptim jetës së njeriut, është edhe Baton Haxhiu. Ai ka një pështjellim në kokën e tij, një çakordim të vërtetë. Ai nuk di nga të shkojë, rruga e tij nuk është e qartë. Atij i mungon drita hyjnore islame.
Secili ka nevojë për Zotin, për dritën të cilin nuk mund ta mohojë, pasi mohimi sjell pasoja. Nëse drita e Kur’anit nuk e ndriçon zemrën, errësira do ta devijojë edhe më shumë rrugëtimin tonë, duke e bërë atë edhe më kaotik. E tillë është gjendja e Batonit.
Nuk do ta bënim një vlerësim të këtillë sikur të mos kishim një sulm të paarsyeshëm e të çuditshëm të tij ndaj besimit dhe mbulesës islame.
Ai në fillimin e shkrimit të tij “Tre momentet e Aidës” sqaron: “Jam rritur afër një prindi (arsimtar) i cili ka bërë revolucion në shkollimin e femrës dhe heqjes e ferexhes mbi kokat e tyre. I ruaj në murin e shtëpisë fotot e viteve 60 (unë s’kam qenë i lindur atëherë) kur të gjitha femrat kishin dal në qendrën e qytetit në Gllogovc për të bërë ushtrime në gjimnastikë. Të gjitha kanë qenë të veshura me veshje të shkurta. Nga publiku përreth që shikonin dukej sikur është një festival cirkusi -balerinësh në mes të një turme me celeshe, që të inatosur deri në flokë prisnin fundin e keq të atij defilimi. Tregimi i kësaj ngjarje ka pasur një përfundim: babai im ka mbetur i ngujuar për një kohë në shtëpi sepse do të vritej nga hoxhët me tespi për një arsye të vetme. Iu ka hequr shamitë nga koka dhe i ka veshur me veshje të shkurta dhe i ka bindur se duhet të shkollohen dhe të mos ndëgjojnë pleqtë me tespi. Kaq.”
Baton Haxhiu vazhdon misionin e prindit të tij arsimtar dhe punon që të bindë sa më shumë vajza të reja të dalin me veshje të shkurta e minipantallona nëpër rrugët e Kosovës. Nëse do të realizohet ëndrra e Batonin atëherë Kosova do të jetë një shtet unikal sepse do të dukej e gjitha si një festival cirkusi – balerinësh (me gjokse e kofsha të zbuluara).
Batoni gjithashtu kujton: “Dhe po them edhe këtë herë se nuk i besoj zotit të pashkolluarve dhe femrave të mbuluara.”
Pra Zoti “i të pashkolluarve dhe femrave të mbuluara” (lexo muslimanëve) nuk është Zoti edhe i Baton Haxhiut. Batoni nuk beson Zotin, Krijuesin e gjithësisë të Cilin e besojnë muslimanët. Jo ai ka një zot të vetin. Pra ai nuk është një njeri me bindje muslimane, por me bindje prej mohuesi/qafiri.
Arabët në kohën paraislamike bujkun e thërrisnin kafir/qafir, sepse ai gjatë mbjelljes mbulonte farën me dhé. Kurse, pas Islamit me këtë fjalë ata e thërrisnin mosbesimtarin dhe jomuslimanin, sepse ai përmes të pavërtetës/ mosbesimit përpiqet të mohoj të vërtetën/imanin.
Në shkrimin “Shamia” Batoni shkruan: “Shamia si mbulesë e ‘turpit’ të femrës, e harruar për një kohë dhe e mbetur si relikt, është rishfaqur pas kaq vitesh në Kosovën e pavarur dhe po bëhet temë politike e shqyrtimit.”
Reagimi skandaloz kundër mbulesës islame dëshmon për një mendësi totalitare e përjashtuese që fatkeqësisht mbisundon në kokën e tij, ndonëse Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilën e ka pranuar edhe Kosova, në nenin që flet për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, sanksionon se “Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë ...”
Ky sulm i pajustifikueshëm në adresë të Islamit shkon në dobi të atyre që janë të interesuar të fusin një frymë dyshimi e ndasie mes besimtarëve muslimanë.
Si thirrës islam nuk dua t’i gjykoj njerëzit sepse dëshiroj t’i afroj dhe jo t’i largoj ata nga Islami. Dëshiroj, ndonëse kjo nuk është në fuqinë time, t’ia mbush mendjen z. Batonit që ta rishikojë pozicionimin e tij kundër Islamit dhe mbulesës islame.
Kjo ngase në Islam gjithnjë porta e pendimit dhe kthimit tek Allahu është e hapur. Islami nuk e përjashton asnjë njeri, por qëllon nganjëherë që disa njerëz largohen përkohësisht duke e ndierë veten mëkatarë. Megjithatë mëkatari mjafton të pendohet dhe të kërkojë falje nga Zoti dhe do t’i pranohet pendimi.
Është absurde dhe e papranueshme që mbulesa islame të cilësohet si relikte apo shëmti ndaj femrës. Femra muslimane e vetëdijshme, me vullnetin dhe përzgjedhjen e saj, praktikon mbulesën islame. Me dhjetëra mijëra femra të shkolluara jomuslimane, që pranojnë fenë islame çdo vit anekënd botës, praktikojnë edhe mbulesën islame.
Mbulimi i miliona e miliona femrave muslimane doktoresha, politikane, zonja të para shtetesh, akademike, poete, shkrimtare, shkencëtare, juriste, ekonomiste, mjeke e deri tek femrat e thjeshta janë argument dhe dëshmi e pamohueshme për secilin njeri që rezonon drejt dhe arsyeshëm se mbulesa e trupit dhe kokës nuk është turp as shëmti për femrën, por nder dhe krenari për të.
Turp dhe shëmti është mbulesa e trurit dhe mendjes që pengon të kuptuarit e të Vërtetës Hyjnore Islame. Turp dhe shëmti është zbulimi i gjoksit të femrave, zbulimi i kofshëve të tyre dhe kjo (ç)veshje e çoroditur. Turp dhe shëmti është të jesh kundër mbulesës së femrave dhe të bësh thirrje për lakuriqësinë e tyre. Turp dhe shëmti është t’ia heqësh femrave shamitë nga koka dhe t’i bindësh ato për veshje të shkurta.
Në kohën tonë shohim shumë dukuri negative dhe vese që po sjellin një akulturim dhe lëvizje pas, çka lë për të dëshiruar për të ardhmen e rinisë sonë. Për çdo individ të përgjegjshëm, parësore duhet të jetë familja e ndershme, shoqëria, rinia dhe shteti i shëndoshë e i fortë.
Prandaj nuk duhet të shqetësohemi për ato vajza që mbulohen, përkundrazi. Le të shqetësohemi për ato vajza të zhveshura që reklamohen si mall, për ato të mitura që trafikohen nga rrjete të organizuara kriminale, për skllavërimin modern të femrës, për prostitucionin, drogën, alkoolin, për shthurjen dhe shkatërrimin e familjeve që çdo ditë e më shumë po pllakosin shoqërinë tonë. Të shqetësohemi për zvetënimin e shoqërisë, mashtrimin, gënjeshtrën, hipokrizinë, krimin, dobësimin dhe shkëputjen e lidhjeve familjare, që po e bëjnë shoqërinë gjithnjë e më materialiste, në kundërshtim me shëndetin moral e shpirtëror të saj.
Ishte pikërisht edukata islame, ajo që ruajti dhe mbrojti popullin tonë i cili u shqua nga të tjerët për fjalën e mbajtur dhe për ruajtjen e nderit. Tashmë kjo duhet vitalizuar nga të gjithë ne, nëse duam ta ruajmë rininë tonë.
Kjo gjendje në të cilën është katandisur rinia, ku çdo ditë kemi kronika të zeza në vend dhe jashtë, tregon vetëm të keqen. E përse mos ta edukojmë atë me edukatë fetare? Jemi një popull i ri në Evropë, një popull vital, energjik, inteligjent, kemi histori bashkëjetese që mund të merret shembull nga të tjerët.
Përse duhet të jemi kundër etikës dhe edukimit fetar, secili sipas fesë së tij, që do të na bënte një komb të fortë, të qëndrueshëm, besnik ndaj kulturës dhe traditës sonë, me një të ardhme të sigurt e të ndritshme?!
Përse të mos i bashkëngjiten kësaj pune fisnike e të fisme edhe njerëzit si Batoni dhe të tjerë, në vend që të sulmojnë Islamin dhe dispozitat e tij, duke marrë pozicion armiqësor ndaj mbulesës së nënave e gjysheve të tyre?!
Ata që sulmojnë Islamin dhe vdesin janë të ngjashëm me Samiriun në kohën e Musait, Jehudhën/Judën në kohën e Isait, dhe Ebu Xhehlin në kohën e Muhammedit a.s. të shndërruar në djaj të vërtetë, të ulur kudo.
Dyert e Islamit janë të hapura për cilindo që dëshiron të vdes si Umeri r.a. dhe shokët e tjerë të Pejgamberit a.s.
Në këtë botë ka vend edhe për ata që dëshirojnë të jenë si Ebu Xhehli dhe idhujtarët arabë, por ata do të shërbejnë si referencë negative dhe mallkimet e muslimanëve vazhdimisht do t’iu adresohen atyre.
Uroj që z. Batoni të mos shërbejë si referencë negative në të ardhmen.