Kur mikpritja kthehet me urrejtje! Mirë se vjen ‘vëllai i madh’- Erdoğan

e7af84ec417178cdf94b982c17c1093b

 

 Përgjatë studimeve të mia gjithmonë më bezdiste thënia filozofike “politika është një lojë e pistë” (politics is a dirty game). Mu për këtë gjithmonë kisha mëri politikën dhe sa herë që ajo përmendej mendja më shkonte tek diçka jo e zakontë. Megjithatë, duke u mësuar me realitetin, duke fituar përvoja të ndryshme të punës, karrierës dhe jetës në përgjithësi njeriu e kupton se proceset, çfarëdo qofshin ato, nuk mund të jenë të pista përderisa njerëzit nuk i bëjnë ato të tilla. Kështu qëndron puna edhe me politikën. Si proces, politika nuk është e pistë nga vetvetiu por njerëzit janë ata që i luajnë lojërat e pista apo i shndërrojnë proceset në të pista për interesa të ndryshme personale, materiale, karrieriste, nacionaliste, raciste, degraduese por absolutisht jo për interesa humane.

Së këndejmi, kohëve të fundit më bëri përshtypje edhe një letër e hapur drejtuar kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njeriut më me ndikim në Ballkan i njohur ndryshe në vendin tonë si ‘Vëllai i Madh’. Në këtë letër autorja, deputete e pavarur e Kuvendit të Kosovës pasi u largua nga VV për shkak të qëndrimeve jokorrekte ndaj muslimanëve të vendit, shpreh ndjenjat e përziera rreth këtij personaliteti të mirënjohur në nivel botëror që pritet, sot, ta vizitojë vendin tonë. Aty shprehet mahnitja e autores në fjalë nga mikpritja e kryeministrit, kabinetit të tij dhe tërë shtetit turk që i kishte bërë një delegacioni të Kosovës nën udhëheqjen e Kryetarit të Kuvendit. Si duket ky takim ishte jashtë protokollit dhe bisedat që u zhvilluan gjatë këtij takimi ishin po ashtu pa protokoll, të një natyre miqësore, në mes të krerëve të dy shteteve me një histori dikur të përbashkët.

Kur jemi te natyra e vizitës, pikërisht këtu na plasë sherri pasi që deputetja, si pjesë e opozitës, është mësuar me avazin ‘kundërshto që të njihesh’ ndaj edhe me këtë rast si duket nuk di të bëjë dallimin në mes të një takimi zyrtar, ku flitet me protokoll, dhe atij miqësor ku pushtetarët bisedojnë në mënyrë të rëndomtë hallet dhe problemet njerëzore pa pasur ndonjë prapavijë politike. Ndaj autoren na e paska brengosur fakti se pse çështja kryesore që u diskutua, gjatë atij takimi miqësor, ishte xhamia në Prishtinë dhe ngecjet, pengesat e panevojshme dhe nepotizmat rreth ndërtimit të saj. Madje, ajo qenka hidhëruar aq thellë saqë këtë hidhërim e paska akumuluar për një vit e gjysmë për ta kthyer në urrejtje dhe mllef mu në prag të vizitës së kryeministrit Erdoğan. Tërë ky mllef jo vetëm kundër kryeministrit por edhe ndaj shtetit të tij, të kaluarës sonë historike me këtë shtet dhe në veçanti agjendës politike që kryeministri dhe shteti i tij po u munduakan ta ‘shtrijnë’ edhe në vendin tonë!. 

Mu për faktin se mllefi po shprehet pikërisht në këto ditë fushate, kur secili po mundohet të përfitoj diçka nga kafshata e popullit të stërkequr të Kosovës, duke u munduar të rrëmbej edhe këpucët e grisura që i kanë mbetur ‘Lulit të Vocërr’, m’u desh të reagojë për të nxjerrë në pah disa të vërteta.

Së pari, ku e kishte gojën deputetja që nuk fliste gjersa ishte në vizitë te Abeja, pikërisht në Pallatin e dikurshëm të Sulltanit. A mos vallë dëshiron të tregohet tashmë ‘Shqiponjë’ ndër zogj këtu në kreshtat e shqipes përderisa në mesin e sokolave ndihej ‘qyqe’ dhe nuk mori guxim të nxjerrë llaf nga goja. A po mos ndoshta nuk e ka kuptuar bisedën nga mahnitja e mikpritjes dhe gostisë së madhe që i bëri ‘vëllai i madh’. Madje, ku ishte diplomacia kosovare që nuk ndërronte kahje të bisedës p.sh. duke pyetur kryeministrin për shëndetin apo duke hedhur topin tek kriza e Lindjes së Mesme, atje ku të gjithë diplomatët amatorë mësohen se si të bëjnë diplomaci pa veprime konkrete.

Si e mendoi deputetja, duke qenë vrima më e poshtme e kavallit pra ‘kundërshto njihu’, se do të bisedohej me të për thellimin e bashkëpunimit në fushën ekonomisë, luftës së krimit të organizuar, trafikimeve etj., kur këto bashkëpunime bëhen kryesisht me vendimmarrësit-pra qeverinë; e jo me pjesëtarë të opozitës veçanërisht kur opozita është e sojit që kundërshton çdo gjë-madje gjithsesi edhe ndërtimin e Xhamisë.

A thua vallë çfarë synon autorja me thënien se ‘në fakt ne i jemi mirënjohës kujtdo që punon sado pak, apo ushtron influencën e tij për të na e hequr qafe Serbinë’ dhe nuk merr parasysh aspak faktin se Turqia ishte ajo që më së ashpri e sulmoi Serbinë gjatë operacioneve të NATO-së, duke qenë anëtare e fuqishme e këtij pakti. Madje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Republika e Turqisë e njohu atë të nesërmen, për shkaqe diplomatike edhe para Shqipërisë amë, gjersa ministri i atëhershëm i punëve të jashtme të Turqisë, Ali Babacan, shqeu notë-protestën që i kishte dërguar Serbia për tërheqjen e njohjes. Si dhe lobimi i Turqisë për Kosovën është fakt i mirënjohur edhe nga fshatarët e lëre më diplomatët.

Madje kush i dha të drejtën autores të ndihet e tradhtuar nga ankesa e Naim Tërnavës tek kryeministri, i një shteti të huaj, për punën e xhamisë kur dihet fare mirë se para se ajo të kishte fatin të shkonte e të bënte sefa në sarajet e kryeministrit Erdoğan, kryeministri dhe stafi i tij disa herë më parë kishin vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ishin njohur hollësisht me problemet e saj, përfshirë edhe ngecjet rreth Xhamisë. Vërtetë paksa ironike por kur nuk kryen punë vëllai i vogël, barra i bie ‘vëllait të madh’.

A ka nevojë akoma për korrigjime?!

Me duhet t’i rikujtojë autores në fjalë, se për sa i përket “Thellësisë Strategjike” të Davutoglu (jo Davitoglu), të cilin e kam lexuar, ai nuk është libër për fillestar ndaj, para se të paragjykohet se cilën ngjyrë e ka vendosur autori mbi cilën, ju bën mirë të lexoni vlerësimet rreth këtij libri nga The Economist, ku Davutoglu përshkruhet si “njeri i dhënë pas librit për nga natyra dhe që posedon njohuri të jashtëzakonshme të historisë” apo ‘figurë e jashtëzakonshme, brilant si dhe ‘Kissinger i Turqisë’ siç përshkruan James Traube, reporter nga the New York Times.

Prandaj nuk është për tu çuditur dashuria e Davutoglu për Prizrenin, sepse njerëzit e mëdhenj janë të afërt dhe përplot dashuri, por për çudi është urrejtja e shqiptarëve për Stambollin me gjakun, mundin dhe djersën e të cilëve u ndërtuan shumë lagje të tij. Imagjino, nga 292 ministra sa mendohet të kishte Perandoria Osmane, 37 prej tyre ishin shqiptarë, përfshirë edhe Mere Husein Pasha i cili nuk dinte aspak turqisht dhe mori ofiqin Mere nga urdhri që jepte në shqip, merre këtë apo atë. Fundi i fundit Prizreni u ndërtua, u zbukurua dhe madje u bë kryeqytet kur as shqiptarët nuk e ndienin veten shqiptarë e as turqit turq, pra para se të zinte fill kombi e nacionalizmi. Madje çudia edhe më e madhe na shfaqet kur autorja po rikujtuaka vashat që hidheshin nga shkëmbinjtë të mos bien në duart e ushtarëve turq, atëherë kur nuk kishte akoma turq, kullat e djegura, djemtë që lanë shtëpi e katandi para qindra vitesh për t’i shërbyer perandorisë, edhe pse këta të fundit mësynë shkretëtirat e Arabisë jo më larg se dhjetë vjet, pikërisht si në kohën e perandorisë, por kësaj radhe për të mbrojtur interesat e politikave të arit të zi. Ndërkaq nuk po iu kujtuaka autores se pikërisht Prishtinën, Gjakovën, Tiranën, Beratin, Lushnjën, Korçën, Hanin e Elezit, Kumanovën e shumë qytete tjera anekënd Shqipërisë etnike i themeluan, ngritën e ndërtuan po ata ‘osmanlinjtë e ‘tërbuar’ që nuk njihnin tjetër vetëm se djegie e grabitje, e që shpesh udhëheqësit/vezirët e tyre ishin shqiptarë’!

Ndaj ne nuk duam të shikojmë okupimin e dikurshëm si lulëzim e as keqpërdorimet si të drejta por vetëm po mundohemi të nxjerrim në pah atë që historianë, shkencëtarë e publicistë të mirënjohur ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Florian Bieber, Xavier Bougarel, Donald Quataert, Leften S. Stavrianos e shumë e shumë të tjerë kanë deklaruar publikisht prej dekadash se sundimi osman nuk duhet të shikohet si kiamet e as si një e ve e veshur në të zezë, por si çdo administratë tjetër me përmasa botërore edhe perandoria osmane ndërtoi qytete, rrugë, kalldrëme, infrastrukturë, banja publike si dhe objekte administrative e fetare.

Për fund po vijmë tek thelbi i problemit, meqë ku dhemb dhembi vatë gjuha-thotë populli, pra thelbi i tërë kësaj letre të hapur është suksesi i pareshtur i partisë AK me orientim islam. A thua vallë mund të imagjinojë ndokush si do të dukej Greqia e Serbia pa agjendën e tyre ortodokse në politikë. Si do të dukej Izraeli pa agjendën çifute apo Irlanda pa atë katolike. Prandaj të kërkosh nga Turqia të zhveshët nga agjenda e saj islame është njësoj sikur të kërkosh nga të lartpërmendurat të zhveshën nga identiteti i tyre fetar përkatës, dhe s’do mend se këtë nuk do ta kërkonte njeri. Besoj se problematika tashmë është e qartë, “Parti! Enver! jemi gati asnjë(kurdo)herë”, në emër të dashurisë ndaj atdheut, shfaqet frika e humbjes së pushtetit mu për këtë shkas autorja shpreh mllefin e saj duke përshkruar agjendën islame si helm. Pra islami politik po e nxjerrë kokën në Kosovë thuajse kurrë më parë nuk ka qenë prezent. Nëse ju, në mëmëdheun londinez, e nderuar autore, e mbyllët fenë dhe i shndërruat xhamitë, kishat dhe objektet e kultit në banja publike Ne në Kosovë dhe në të gjitha viset e banuara me shqiptarë jashtë mëmëdheut një gjë të tillë e përjetuam nën thundrën e sllavit. Ndaj sikur keni harruar se Lidhjen e Prizrenit, rezultat i së cilës Shqipëria sot gëzon pavarësinë, e organizuan pikërisht hoxhë e haxhi, Ymer Prizreni e Haxhi Zeka, dhe pikërisht në Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren. Hoxhë Vehbi Dibra ishte ndër themeltarët dhe nënshkruesit e pavarësisë së Shqipërisë, kryetar i pleqësisë dhe nënkryetar i qeverisë së Ismail Qemalit. Hoxhë Kadri Prishtina ishte Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Zogut, Mulla Idriz Gjilani u dogj i gjallë, së bashku me familjen, nga ushtria e ish-Jugosllavisë socialiste me 1949, meqë luftonte për mbrojtjen e Kosovës. Ndaj këto përpjekje për mbrojtje të atdheut, nderit e familjes ishin fillet e para të islamit politik apo islamit aktiv siç preferojnë ekspertët. Ne nuk kemi nevojë për shtrirjen e ndikimit të askujt përderisa kemi akoma të freskëta aktivitet islamo-politike të këtyre kolosëve. Ndaj islami politik në Kosovë është origjinal dhe jo i importuar. Tashmë është radha e intelektualëve muslimanë vendas t’i dalin në krah atdheut për ta mbrojtur atë nga copëtimet e keqpërdorimet nga vendasit pikërisht ashtu siç e copëtonin dhe e keqpërdornin atë dikur të huajt. Ka ardhur koha, që njerëzit që vërtetë i do dhe i përkrahë populli të flasin në emër të popullit, e jo tu jepet rasti ‘qyqeve’ të ngurojnë kur nuk duhet e të kukasin prapë kur nuk duhet.

Ndaj ‘vëllait të madh’ që na përkrahu dhe po na përkrahë, në dekë e drekë, nuk mund të mos i dëshirojmë mirëseardhje. Mirë se vjen në mesin e shqiptarëve ‘Vëllai i Madh’-Erdoğan.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme