QËNDRIMI I PRESIDENTES I PAPËRGJEGJSHËM DHE KUNDËRKUSHTETUES

Qëndrimi i presidentes së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga i shprehur në një intervistë televizive, ku shprehet kundër të drejtës së shkollimit të nxënëseve kosovare që mbajnë shami në shkollat publike të vendit, për Kryesinë e BIK dhe besimtarët është i habitshëm, i papranueshëm, i papërgjegjshëm dhe kundërkushtetues.

 

Presidentja e vendit si simbol i unitetit, mbrojtëse e Kushtetutës dhe përfaqësuese e qytetarëve të vendit, në asnjë variant nuk do të duhej të kishte një qëndrim të tillë çfarë e shprehu në atë intervistë ku presidentja përkrah dhe angazhohet për të mohuar të drejtën e shkollimit të nxënëseve kosovare vetëm pse ato bartin mbulesën islame.

 

Zonja Presidente! Përkufizimi i Kosovës si shtet laik a shekullar ka të bëjë me marrëdhënien e shtetit me bashkësitë fetare, por kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë as Ministrisë së Arsimit, as drejtorive komunale, e as drejtorive të shkollave të vendit që t'ua mohojnë të drejtën e arsimimit nxënëseve tanë në shkollat publike, sepse e drejta e arsimimit është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit.

 

Pra, e ritheksojmë shekullariteti, ku ju thirreni, rregullon marrëdhëniet e shtetit dhe të bashkësive fetare, por kjo nuk prek të drejtën e lirisë së besimit, të shkollimit a punësimit, e që janë të drejta të njeriut, të garantuara jo vetëm me Kushtetutën tonë, por edhe me akte e Konventa Ndërkombëtare.

 

E nderuar! Ju me qëndrimin e shprehur nuk e keni mbrojtur Kushtetutën e vendit, nuk e keni ruajtur unitetin e popullit, dhe nuk keni prezantuar në mënyrë dinjitoze qytetarët e Kosovës, por keni mbrojtur një Vendim Administrativ të Ministrisë së Arsimit, i cili bie ndesh me kushtetutën, ka frymë antievropiane, prodhon diskriminim në baza fetare, si dhe bie erë nga sistemet ideologjike të shkollës ateiste -komuniste.

 

Bashkësia Islame e Kosovës, fton presidenten e vendit që të përmbush detyrave të saja kushtetuese, pra të mbroj Kushtetutën e vendit, të mbrojë të drejtat e qytetarëve, të mbroj e të promovoj të  drejtën e shkollimit të nxënëseve tanë  pa marrë parasysh cilës fe, cilës etni apo cilës kategori shoqërore i përkasin ata.

 

Zonja Presidente! Ju drejtohemi publikisht përmes këtij reagimi që të mos t'i kontribuoni  politizimit e polarizimit të një të drejte elementare të nxënëseve tona, e që  është e drejtë hyjnore, kushtetuese e ligjore.

 

Keni tërë kohën dhe hapësirën e duhur në dispozicion që këtë çështje ta trajtoni në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe sipas modelit të shumicës së vendeve të BE-së.

 

 

 

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme