
Këngët e muhaxhirëve në folkloristikën dhe në historinë e popullit tonë përbëjnë një kaptinë të veçantë të shkruar me ngjyrën e gjakut, me flijime të mëdha, që flasin qartë në gjuhën e kohës për të kaluarën. Në këtë kontekst, golgota e shpërnguljes me dhunë paraqet njërën ndër tragjeditë më të mëdha kombëtare, të filluara që nga koha antike e deri në ditët e sotme.
Në këtë artikull do të trajtohet shpërngulja e muhaxhirëve nga Vilajeti i Nishit gjatë luftës ruso-turke të viteve 1877-1878 me anë të katër këngëve popullore që dëshmojnë për këtë tragjedi kombëtare.
Plaga kombëtare
Në historinë e popullit tonë shpërngulja e dhunshme ishte dhe mbeti ndër plagët më të rënda individuale dhe një tra¬gjedi e përbashkët kombëtare. Në të kaluarën, por edhe sot, të shpërngulurit shqiptarë, për shkaqe të ndry¬sh¬me, çajnë rrugët e meridianëve të botës pas erës së bukës, për shpëtimin e kokës, për arsimim etj.
Shpërnguljet e popullit shqiptar gjatë rrjedhave his¬torike u bënë kryesisht për shkaqe politike, por edhe për arsye të tjera, të cilat me këtë rast nuk do t’i zëmë ngoje. Mirëpo, secila prej tyre paraqet një kapitull të veçantë të kësaj golgote shqiptare në përgjithësi.
Çështjen e shpërnguljes në këtë punim do ta shqyr¬tojmë duke i analizuar katër këngë popullore kushtuar dëbimit të muhaxhirëve shqiptarë nga qeveria serbe nga rrethinat e sanxhakut të Nishit, Leskovcit, Toplicës, Kur¬shumlisë, Prokuplës, Pusta Rekës, Vranjës etj. Shkaktar i kësaj shpërnguljeje të madhe, ndër të tjera, është lufta ruso-turke e viteve 1877-1878, si dhe humbja e Turqisë, e cila u detyrua t’iu bënte koncesione Rusisë dhe vasalëve të saj. Këto këngë trajtojnë fatin e shpër¬nguljes së muhaxhirëve nga tokat e veta shekullore nën tytat e ushtrisë serbe. Të dhënat historike tregojnë se në atë luftë në ushtrinë serbe kishte mjaft ushtarë dhe oficerë rusë, në krye me kolonelin Georgije Babrikov, të cilët kishin urdhër që ta vrasin çdo shqiptar dhe të plaçkitin pasurinë e tyre. Këtë realitet të hidhur e përmbajnë dhe e plotësojnë edhe vetë këngët popullore të muhaxhirëve.
Këto krijime gojore ngërthejnë në vete në mënyrë besnike dramën e muhaxhirëve, sikundër e konstatojnë edhe shumë studiues shqiptarë, ballkanikë dhe evropianë. Në këngët e muhaxhirëve realiteti jetësor e historik përkon dukshëm me realitetin e transponuar artistik. Në disa raste ndërmjet këtyre dy relacioneve mund të vihen shenja të barazimit. Ato e plotësojnë njëra-tjetrën, duke ngjeshur dhe funksionalizuar në shkallë më të lartë mesazhin kupti¬mor e artistik ndaj receptorit.
Dimensioni i këngëve
Dimensioni hapësinor i mërgimit të muhaxhirëve në këto këngë popullore zë vend të dukshëm. Ai luan rol të shumëfishtë në strukturën e krijimeve, si në ndërtimin artistik, ashtu edhe në shumësinë kuptimore të tyre. Kën¬gët në shqyrtim përmbajnë në vetë pikat e shtrirjes hapësi¬nore, arkivore e studimore të ushtarakëve e të studiuesve të ndryshëm. Sipas të dhënave folklorike, muhaxhirët, nën rrebeshin e plumbave serbë nga rrethinat e Nishit, Topli¬cës, Leskovcit, Pusta Rekës, Kurshumlisë, Vranjës etj., shpërngulen në mënyrë të paorganizuar, duke marrë rru¬gën e arratisë kush si mundet e si di nëpër rrugë të këqija e përrenj të pakalueshëm, andaj edhe pasojat janë të rënda, gjë që e dëshmojnë edhe vargjet e kësaj kënge: Muhaxhert-o, medet, kah po shkojnë,/ Kah p’e thrrasin, medet, shoqishojn-e .O s’p’ e din’ veten, kah po shkojnë! Ani ja ka lshue, medet, borë e shi, O krejt përjashta, more, muhaxheri, O ç’po bërtasin, medet, rob e thmi!
Të dhënat historike flasin për atë se si populli shqip¬tar u ballafaqua gjatë shekujve me dhunën e push¬tuesit dhe me pasojat e saj. Këtë të keqe ia imponuan të tjerët, që ishin shumë më të mëdhenj dhe ushtarakisht më të përgatitur. Mirëpo, edhe në këto sprova të rënda, shqip-ta¬rët luftuan për ta fituar lirinë, me dëshirën për ta gëzuar jetën: prandaj madhëruan sakrificat dhe përjetësuan vde¬kjen për këtë qëllim. Dëshmi për këtë janë flijimet e shumta individuale e të përbashkëta që këndohen në shu¬më këngë popullore.
Këto krijime i shquan jo rrallë toni gjithë mllef e madje edhe elegjiak, që vjen si katarzë e këngëtarit popu¬llor ndaj padrejtësisë së kohës dhe bartësve të saj: Po na vret, o po na i pret./ O se p’i Nishit, o teri n’Kikë,/ Po na i pret dushmani me thikë./ O p’i Surdulli ter’ n’Karadak, I vret dushmani, o pa i pas’ hak (...)O p’i Leskovcit, o teri n’Vrajë,/ O po na therin, bre, po na vrajnë!
Këtu vargjet shquhen në rrafshin artistik me dimen¬sionin e qartë informativ, që ka për qëllim ta vërë në dukje gjenocidin shtetëror serb mbi popullin shqiptar, ndërsa në rrafshin kuptimor ironizimin e kohës dhe të neglizhencës së Fuqive të Mëdha e të Perandorisë Osmane ndaj çështjes shqiptare.
Pjesa dërrmuese e muhaxhirëve të shpërngulur gjej¬në strehim në trojet e Kosovës, të Maqedonisë, të Ana¬do¬llit, e, sipas njërës nga këto këngë, edhe në Sham (Da¬mask) të Sirisë. Numrin e saktë i shqiptarëve të shpërngulur nga tre¬vat e veta nuk është ditur kurrë. Janë dhënë shifra të ndry¬shme, varësisht nga përkatësia kombëtare, simpatia, anti¬patia e feja e studiuesve të ndryshëm. Një gjë dihet e sigurt: numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte shumë i madh. Kështu, nga burimet e ndryshme statistikore bëhet e ditur se në territorin e Toplicës, të Prekuples, të Vranjës, të Leskovcit, të Nishit e të regjioneve të tjera kishte 545 fshatra shqiptare, të cilat qeveria serbe i zhduku me dhunë nga harta gjeografike. Ndërkaq, sipas burimeve osmane, vetëm në Vilajetin e Kosovës numri i banorëve muhaxhirë e kishte arritur shifrën 117.000. Këtë shpërngulje qeveria serbe e bënte me qëllim të caktuar. Madje, ajo nuk e fshihte fare qëndrimin e saj shovinist. Ajo deklaronte zëshëm se “...nga Serbia do të krijojë një Serbi të pastër, një shtet na¬ci¬o¬nal, sikur e ndiente dhe e thoshte dikur Njegoshi: “pastroje vendin nga të pakryqtë”.
Të dhënat folklorike e historike bëjnë me dije se populli shqiptar iu afrua për ndi¬h¬më muhaxhirëve me kujdes të madh dhe në mënyrë të veçantë. Në këtë aksion meritë të madhe kanë prijësit popu¬llorë shqiptarë sikundër ishin: Sefë Kosharja, Brahim Ha¬lla¬qi etj., të cilët me trimërinë dhe me bujarinë e tyre u bënë shembull për afrimin e muhaxhirëve të mjerë.
Të dhënat folklorike
Trishtuese janë të dhënat folklorike e historike që flasin për gjendjen e rëndë materiale e shpirtërore të mu¬ha¬xhirëve të sfilitur, të cilët para singiave të ushtrisë serbe, ikën në kushte tejet të vështira klimatike, duke u munduar t’u shpëtojnë krimeve të luftës. Në këtë rrugë të gjatë e të mundimshme, përplot me sakrifica, një pjesë e madhe e tyre ecnin këmbëzbathur, gjë që ndikoi që një numër i madh fëmijësh e pleqsh të vdesin në rrugë e sipër: Ore tanë po desim-o në borë e n’shi,/Ore bukë pa hangër, medet, uj’ pa pi,/ Ani ka dhetë vetë ni vorr jem hi, /O s’na ka thirrë kush tallkin përmi!
Për gjendjen alarmuese të muhaxhirëve shqiptarë të shpërngulur nga trojet e veta dhe për masakrimet e ush¬trisë serbe ndaj tyre dëshmojnë disa të dhëna të burimeve historike serbe. Kështu, në një shënim të një mësuesi nga Leskovci, pos tjerash thuhet: “Kanë qenë shumë turq (men¬dohet në shqiptarë nën. A. Z.), të cilët zhveshur e zbathur në dimrin më të madh të dhjetorit kanë ikur me këmbë nëpër borë dhe të cilët lanë shtëpitë e tyre përplot me mall. Në atë anë shumë fëmijë në qerre ose në krahët e nënave, në djepa, kanë vdekur nga të ftohtit e madh. Derisa këto familje iknin dhe tërhiqeshin nëpër luginën e lumit të Moravës Jugore, nëpër të ftohtin më të madh, pranë rrugës nëpër Grykën e Gërlicës deri në Vranjë e Kumanova, shiheshin fëmijë të hedhur të vdekur dhe pleq të ngrirë”.
Shpërnguljet e muhaxhirëve shqiptarë nga trojet e veta atëbotë nga Evropa kundroheshin pa kujdesin e duhur. Ata reagonin herë pas here pranë qeverisë serbe, duke akuzuar për gjenocid ndaj popullatës shqiptare, por pa dobi të theksuar, e cila do të ndryshonte gjendjen në të mirë të tyre. Në këtë kohë, nga disa vise të vendit ku vendosen muhaxhirët, dërgohen telegrame e kundërshtime për gjendjen e rëndë të refugjatëve. Kështu, në një telegram të dërguar nga ana e muhaxhirëve të vendosur në Prishtinë, më 28 qershor të vitit 1878, ndër të tjera, thuhet: “Me gjithë gjendjen e vështirë, popullsia e Kosovës ka bërë çmos që t’u dalë në ndihmë të ikurve, por problemet dhe hallet e tyre janë aq të mëdha, saqë mund të zgjidhen vetëm me anë të një vendimi të drejtë të Evropës, që ata të kthehen sërish në trojet e tyre dhe ta vazhdojnë jetën e tyre si më parë”.
Në këtë drejtim do theksuar se, për dramën e rëndë të muhaxhirëve, kapitull të rëndësishëm paraqet Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila fatin e muhaxhirëve shqiptarë e përcjell me vëmendje dhe aktivitet të shtuar. Ajo reagon në mënyrë të rreptë shumë herë te Porta e Lartë dhe te Fuqitë e Mëdha, duke potencuar gjendjen e vështirë të muhaxhirëve, si dhe duke kundërshtuar dërgimin e tyre për në Anadoll. Kështu, e ngre zërin me të madhe: “Kër¬kesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që muha¬xhirët të kthehen nga Anadolli shqyrtohen për herë të dytë në Këshillin e Ministrisë Osmane. Mirëpo, mu¬ha¬xhirët nuk lejohet të kthehen nga Anadolli”.
Në fund do thënë se këngët e muhaxhirëve janë të pakta e të veçanta në folkloristikën shqiptare. Ato ngërthejnë në vete një struk¬turë të posaçme si në planin ndërtimor, ashtu dhe në atë kumtues. Struktura e tyre përbëhet nga elementet lirike, epike, historike e, herë-herë, edhe nga ato baladeske. Kën¬gët i shquan veçmas dimensioni i fuqishëm informues, që ka për qëllim kumtimin e gjendjes materiale e shpir¬të¬rore të muhaxhirëve në trajtë fort pikëlluese. Po ashtu, në strukturën e këtyre krijimeve zënë vend të rëndësishëm elementet dhe dukuritë e natyrës, të cilat brenda trupëzohen në mënyrë organike në përbërjen dhe funksionin e këngës, duke u identifikuar me dramën e tragjedinë e të perse¬ku¬tuarve, në përpjekjet e tyre jetësore e historike, kundruall makinës së tërbuar ushtarake serbe.
Kurse teksti, nënteksti dhe konteksti i vargjeve në këngët e muhaxhirëve rrëfen qartë me gjuhën artistike se në valët e jetës përsëriten të bëmat historike, ndryshon koha e gjeneratat, pushtuesit vijnë e shkojnë, ngrihen e rrënohen tempujt të ndryshëm qëndresash, bëhen mërgime me dhunë si atëbotë, por edhe sot nga trojet shqiptare. Ndërkaq, këngët e muhaxhirëve në folkloristikën dhe në historinë e popullit tonë përbëjnë një kaptinë të veçantë të shkruar me ngjyrën e gjakut, me flijime të mëdha, që fla¬sin qartë në gjuhën e kohës për të kaluarën, por i përshta¬ten të sotmes dhe e pasurojnë artistikisht të ardhmen e popullit shqiptar.