Ebu’l Ala El-Mevdudi (1903 - 1979)

Ebu'l ala el-Mevdudi është njëri nga thirrësit islam i cili e sakrifikoi tërë jetën e vet në ngritjen e fjalës së All-llahut. Tërë koha i kalonte duke u munduar që të fusë në zemrat e njerëzve dashurinë për All-llahun, Fenë Islame dhe Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], duke u munduar që jetën e tyre ta bëjë vetëm për hir të All-llahut dhe Fesë Islame, duke u munduar të vendosë ligjin e All-llahut të sundojë në tokë. Ishte i sinqertë në thirrjen e tij, andaj edhe kishte ndikim të madh tek ata të cilët e dëgjonin dhe përcillnin rrugën e tij. Kishte një ëmbëlsi kur fliste, një shprehje tërheqëse kur shkruante. Ai nuk ishte vetëm që fliste dhe shkruante, por ishte edhe shembull i rrallë kur vepronte. Të gjithë e emëronin si mendimtar islam dhe themelues të Lëvizjes islame. Qëllimi final i tij ishte që të vendosë ligjin e All-llahut të Madhërishëm të sundojë në tokë.

 

 

Lindja dhe prejardhja

 

Ebu'l ala el-Mevdudi u lind më 25 shtator të vitit 1903 në Ornekabad, një zonë kjo e cila është e lidhur me krahinën Hajdarabat. Familja e tij ishte e njohur me nofkën "fisi Mevdudijeh". Ata gjithashtu ishin të njohur edhe për nga dituria madhe që e posedonin dhe për shërbimin që e bënin për Fenë Islame. Prejardhja e tij arrin deri te Shejh Kutbuddin el-Mevdudi. Ky i fundit ka jetuar në Indi në vitin 527 hixhrij dhe është shejh i tarikatit Xheshitije. Babai i Mevdudit, Sejid Ahmed Hasan el-Mevdudi, i cili u lind në Dahli të Indisë në vitin 1266 hixhri (1850 m.) përfundoi Universitetin "AL IKRA", punoi si profesor, e pastaj edhe si avokat. Me 25 shtator të vitit 1903 All-llahu i dhuroi atij një fëmijë të cilin e emërtoi EBUL ALA. Babai filloi t'i kushtonte një kohë edhe birit të tij për mësime në shtëpi, duke e ruajtur që mos të ndikojnë te Mevdudi i vogël gjërat negative dhe mësimet e huaja. Për këtë arsye ai birin e tij nuk e dërgoi në shkollat angleze por i jepte mësim në shtëpi, duke ia mësuar jetën e Profetit Muhammed, jetën e sahabëve, historinë islame, gjuhën arabe dhe atë persiane, fik'hun islam dhe hadithin e profetit Muhammed. Ai po ashtu e merrte nëpër mexhliset e ndryshme kur takohej me shokët e vet, në mënyrë që edhe Mevdudi i vogël të përfitojë nga këto takime.

Mevdudi u regjistrua në një nga shkollat e mesme dhe përfundoi shkollimin për një kohë të shkurtër. Babai i tij ndërroi jetë sikur i ri, akoma pa arritur t'i ndajë mjaft kohë djalit të tij në dije. Kështu, Mevdudi u detyrua që të marrë përsipër përgjegjësitë e familjes që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Megjithatë ai kurrë nuk u largua nga mësimi i shkencave islame. Nga njëra anë i mësonte këto dije nga burime origjinale, kurse në anën tjetër ndiqte ndodhitë e kohës. Kështu ai e arsimonte veten edhe në fushën islame edhe në fushën e problemeve të kohës.

 

 

Mevdudi si gazetar

 

Mevdudi e filloi veprimtarinë e tij si gazetar islam që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, duke e zgjedhur këtë si një nga rrugët e mundshme për shërbimin e Fesë Islame. Në fillim ishte kryeredaktor i gazetës "Taxh", e pastaj i gazetës "Muslim", të cilat botoheshin në qytetin Xhebelbur, kurse me vonë filloi edhe veprimtarinë e tij ne gazetën "Xhemijeh", ku edhe ishte një nga themeluesit e saj, e pastaj edhe kryeredaktor në qytetin Delhi. Gjithashtu posedonte edhe një revistë në bashkëpunim me Shoqatën e dijetarëve të Indisë, të cilën e botonte një herë në muaj, me titullin "Terxhuman el-Kur'an", e cila filloi të botohet në vitin 1923. Kjo revistë e ndihmoi shumë Lëvizjen islame në gadishullin indian dhe vazhdoi të botohet edhe disa vite pasi që ndërroi jetë Mevdudi, duke u njohur si një nga revistat islame më me vlerë në gjithë botën.

 

 

Mevdudi kundër shpifjeve të Mahatma Gandit

 

Mevdudi bëri një angazhim të madh kundër shpifjeve që bënte Mahtama Gandi. Gandi, me këto shpifje, kishte për qëllim që të nxjerrë dyshime kundër Islamit, por Mevdudi në librin e tij të njohur "Diskutimi në Islam" nxori në pah se këto shpifje nuk janë të vërteta. Mevdudi u përpoq shumë kundër kulturës imperialiste të Perëndimit. Ai e vazhdoi këtë përpjekje me dijen dhe besimin e fortë të tij. Gjithë jetën e tij e kaloi duke mësuar shkencat islame dhe për të zgjidhur problemet e asaj kohe. Ai përdori gjithë kohën dhe potencialin e vet për rregullimin e çështjeve politike, ekonomike dhe sociale. Ai dha shumë përpjekje serioze kundër armiqve të Islamit, grupeve që kishin mendime të devijuara dhe ndaj grupit Kadijanist; i nxori në pah humbjen dhe jokonsekuencën e tyre dhe i qortoi dijetarët muslimanë për pasivitetin e tyre. Mevdudi ishte shumë i pasur nga dituria që e posedonte dhe njihej për mënyrën e bukur se si e shpjegonte fenë islame në momentet kur ligjëronte dhe kur e shprehte idenë e tij në letër të shkruar. Kishte një respekt të madh nga të gjithë dijetarët dhe mendimtarët islam dhe ata perëndimorë për idetë dhe mendimet të cilat i posedonte. Dijetarët e asaj kohe ishin shumë të ndikuar nga mendimet e Mevdudit dhe mënyra se si ai vepronte për fenë islame. Omer Tilmisani thoshte: "Nëse gjendet ndokund ndonjë personalitet i rrallë i cili meriton të udhëheqë me tërë muslimanët në rruzullin tokësor dhe i posedon të gjithë elementet e një udhëheqësi në këto kohëra të vështira pas humbjes së Hilafetit, ata do të ishin Hasan el-Benna dhe Ebu ala el-Mevdudi. Ky mendimtar islam meriton një vend të lartë në mesin e personaliteteve islame, i cili dha një mund të madh në shërbim të fesë islame dhe të muslimanëve, duke u njohur si organizator, ligjërues i rrallë dhe shkrimtar i dalluar.

 

 

Ebu ala el-Mevdudi dhe poeti islam Muhammed Ikball

 

Në vitin 1932, revista "Terxhuman el-Kur'an" botoi një artikull me titullin "Barteni o ju musliman thirrjen e Kur'anit dhe ngjituni me të mbi gjithë botën". Ndikimi i Mevdudit me revistën e tij ishte shumë i madh ne Indi dhe kjo ishte njëra nga rrugët e cila më së shumti i ndihmoi Mevdudit të përhapë mendimin islam në gjithë Indinë, duke kurorëzuar këtë Lëvizje dhe këto mendime që demonstroheshin në këtë revistë në fund me partinë politike "Lidhja Islame". Ndikimi i këtyre ideve u vërejt kur iu bë ftesa që të merr pjesë në Kongresin i cili u mbajt në Linko në vitin 1937, me tentimin për të bërë një shkëputje të vendeve me shumicë muslimane. Pas kongresit vërehej ndikimi i mendimit të Mevdudit te shumica e njerëzve në botën islame. Mevdudi i bëri ftesë poetit dhe mendimtarit të njohur islam, Muhammed Ikball, në vitin 1937 në Lahore që t'i bashkëngjitet veprimtarisë islame dhe të vazhdojnë së bashku këtë mision. Muhammed Ikballi e pranoi me zemërgjerësi ftesën dhe bëri marrëveshje me Mevdudin për të ndihmuar njëri-tjetrin, ashtu që Islamin ta bënin udhëheqës të jetës. Megjithatë Ikbali ndërroi jetë akoma pa marrë formën e fundit të tij ky punim, duke lënë një zbrazëtirë të madhe në arenën e mendimit dhe thirrjes islame, andaj edhe

këtë shtresë u mundua ta plotësojë Mevdudi.

 

Themelimi i "Xhema'a Islamije" (Shoqëria Islame) në Lahore

 

Filloi Mevdudi Lëvizjen islame e cila kishte për qëllim thellimin e fesë tek elita e shoqërisë, siç ishin mendimtarët, filozofët dhe elita islame, duke iu bërë ftesë të bashkëveprojnë në themelimin e kësaj Lëvizje, përderisa edhe e themeluan në Lahore më 26 gusht 1941. Ebu'l ala el-Mevdudi u zgjodh kryetar i saj. Në vitin 1943 qendra e Lëvizjes u transferua nga qyteti Lahore në Daru Selam. Gjatë tërë kësaj kohe Mevdudi aspak nuk u ndal duke shkruar dhe botuar punimet dhe librat e tij, duke vepruar në fushën e thirrjes islame, kur edhe botoi librat që ishin shumë të lexuar: "Katër termet themelore në Kur'an", "Islami dhe injoranca", "Feja e vërtetë", "Bazat e karakterit islam" dhe të tjera. Me lajmërimin e ngritjes së shtetit pakistanez më 28 gusht 1947, Mevdudi u transferua në Lahore, ku edhe e vendosi qendrën e "Xhema'a Islamije" me shokët e tij. Në janar të vitit 1948, pesë muaj pas themelimit të shtetit pakistanez, Mevdudi e mbajti edhe fjalimin e parë në Fakultetin e drejtësisë dhe kërkoi që ligji pakistanez të vendoset sipas ligjit islam. Në mars të vitit 1948, në Kartashi, mbajti edhe fjalimin e dytë me temën "Kriteri islam për rregullim (ligj) islam".



Burgimet e Mevdudit dhe gjykimi me vdekje

 

Xhema'a Islamije në Pakistan filloi t'i bëjë shtypje qeverisë së Pakistanit, duke kërkuar që ligji kryesor i Pakistanit të jetë Sheriati dhe që qeveria pakistaneze të gjykojë sipas ligjit sheriatik. Me 4 tetor të vitit 1948 qeveria filloj t'i kundërshtojë kërkesat e Mevdudit duke e burgosur atë dhe udhëheqësinë e Xhematit Islamik. Mirëpo kjo aspak nuk e ndaloi Mevdudin dhe pjesën tjetër të udhëheqësisë nga kërkesat e tyre për një udhëheqësi islame në Pakistan. Pastaj u ngrit edhe populli duke i përkrahur idetë e Mevdudit dhe xhematit të tij, që Pakistani të udhëhiqet nga njerëz islamistë dhe me ligj islam, duke e detyruar qeverinë që të pranojë kërkesat e Xhematit Islamik më 12 mars të vitit 1949. Pas një viti, me 28 maj të vitit 1950, qeveria pakistaneze e liroi Mevdudin dhe shokët e tij nga burgu dhe iu dha liri absolute në veprim.

 

Pas kësaj, më 21 janar 1951, në qytetin Kertashi, Mevdudi i tuboi 31 dijetarë nga lëmi të ndryshme që të diskutojnë për çështjen e qeverisjes së Pakistanit. Me këtë rast ata vendosën disa pika të cilat duhet t'i posedojë qeveria pakistaneze. Megjithatë, qeveria nuk iu dha asnjë përgjigje pozitive, prej nga u kuptua se ajo nuk i ka pranuar kërkesat e Xhematit Islamik dhe të dijetarëve pakistanez, por ka qenë thjeshtë një lojë për ta qetësuar popullin nga përkrahja e Mevdudit dhe shokëve të tij. Mevdudi nuk u ndal së vepruari për t'i arritur qëllimet e veta në të mirë të Islamit dhe muslimanëve, duke filluar të realizojë takime me popullatën. Mevdudi burgoset përsëri në vitin 1953 dhe dënohet nga gjyqi me dënim për vdekje. Kjo ngjalli reagime të mëdha në tërë botën islame. E gjetur para një presioni të tillë, qeveria pakistaneze e ndërroi dënimin me vdekje për burg të përjetshëm. Por populli pakistanez u ngrit edhe kundër një vendimi të tillë, duke kërkuar që Mevdudi të lihet i lirë. Në vitin 1955 Mevdudi u lirua nga burgu. Ai u burgos përsëri në vitin 1963, për t'u liruar prapë në vitin 1964.



Përshëndetja e fundit

 

Me 22 shtator të vitit 1979 Mevdudi ishte në Njujork të SHBA-ve për vizitë të të birit. Atje edhe e dha amanetin e fundit. U fik edhe kjo dritë e cila ndriçonte rrugën e udhëzimit të drejtë për shumë muslimanë, u këput edhe kjo lule në kopshtin e dijetarëve, mendimtarëve dhe themeluesve të mëdhenj, ndaloi të valavitet penda e cila thurte mendime dhe ide për një shoqëri të pastër islame. Ai me të vërtetë vdiq, por punimet, idetë dhe veprimtaria madhështore e tij është gjallë dhe ende jeton me ne, na mëson rrugën e veprimit islam, na mëson vlerën e të gjykuarit me ligjin e All-llahut.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme