Lexuesit të nderuar i kam prezantuar biografi modeste të Imam Ebu Hanifes dhe dy nxënësve të tij (sahibanëve, Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit) të cilëve u atribuohet Fikhu hanefij. Në librin “El-Hajratu’l-Hisan” thuhet: “Dinjiteti i një njeriu dëshmohet kur për të ndahen njerëzit në dy grupe,” shiko se si për Aliun, All-llau ia ndriçoftë fytyrën, për të cilën u shkatërruan dy grupet: “Ata të cilët nga dashuria e madhe ranë në fanatizëm dhe ata të cilët nga urrejtja e madhe ranë në ekstremizëm.”
Me të vërtetë këto fjalë janë plotë të vërteta të cilat i përshtaten personalitetit të Ebu Hanifes, rahimehullah, ashtu që disa nga përkrahësit e tij u bënë fanatik sa që e ngritën pozitën e tij deri te pejgamberët, duke pretenduar se Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ka theksuar emrin e tij dhe e ngritën me atribute dhe virtytet e tij të cilat e veçonin pozitën e tij.
Ndërsa disa ekstremistë të tjerë shpifën duke gjykuar se ai është në devijim, largues nga sunneti dhe jep fetva pa argumente. Nga kjo shihet se ka fanatikë të verbër që e duan shumë ose ekstremistë që i bënë shpifje fesë, personalitetit dhe besimit të tij.
Në anën tjetër, Ebu Hanifja ka pasur personalitet të lartë sa që metoda e tij e fikhut ka tejkaluar zhvillimin e depërtimit të saj prej qytetit ku ka jetuar në të gjitha qytetet tjera të shtetit islam. Njerëzit flisnin për mendimet e tij në shumë vende të shtetit islam dhe se është takuar me kundërshtarët dhe përkrahësit; kundërshtarët e urrenin, kurse përkrahësit e ndihmonin. Ndërsa kundërshtarët mendonin është se ai ka sajuar disa mendime në fe, kështu që ata në mënyrë të prerë e refuzuan atë, edhe pse nuk e kishin parë dhe as nuk ishin ndal që të shohin se sa ka qenë i sinqertë dhe takva (i nënshtruar plotë ndaj urdhrave të Zotit). Gjithashtu e kanë përfolur se nuk i ka dhënë shumë kujdes gjuhës për dhënie mendime siç e ka kuptuar argumentin, kurse ai në atë çka ka dhënë mendim e ka sqaruar me argument dhe e ka qëlluar. Transmetohet në lidhje me këtë se Imam El-Euzaiu, juristi (fakihu) i Shamit, i cili ka qenë bashkëkohës i Ebu Hanifes, e ka pyetur Abdullah bin El-Mubarekun: Kush është ky sajues, i cili ka dalë në Kufe pseudonimi i të cilit është Ebu Hanife? Abullah ibn Mubareku nuk është përgjigjur, por ka filluar t’i tregojë disa çështje të vështira që është habitur për fetvatë e tyre, ndërsa ato fetva kanë qenë të Ebu Hanifes. Imam El-Euzaiu pyet: Kush është ai i cili i ka thënë këto fetva? Abdullah ibn Mubareku thotë: Këto janë të një dijetari që e kam takuar në Irak. Imam El-Euzaiu thotë: Ky qenka nga dijetarët e ndershëm dhe fisnik, unë të shkoj te ky të përfitoj më shumë. Atëherë Abdullah bin Mubareku thotë: Ky është Ebu Hanifja. Pastaj El-Euzaiu është takuar me Ebu Hanifen në Mekke e ka pyet për çështjet të cilat ia ka treguar Ibn Mubareku dhe ia ka treguar po ashtu të njëjtë ashtu si atij. Ndërsa kur u nda Euzaiu nga Ebu Hanifja i tha Ibn Mubarekut: Jam inkurajuar shumë për diturinë e gjerë dhe arsye të lartë që posedonte dhe kërkoj falje nga All-llahu, ngase isha në gabim nga ajo që më kishte arritur mua e cila ka qenë e kundërta e saj.
Imam Ebu Hanijfa kishte personalitet të lartë, ndikim të thellë dhe ka qenë larg shkreptimave dhe rrëshqitjeve. Ai ka qenë ekspert për dhënien e fetvave dhe tahrixhit (burimit të hadithit), njohjen e hadithit dhe nxjerrjen e dispozitave nga hadithi, kështu që filloi metodën e tij ta zgjerojë te nxënësit e tij, ndërsa nxënësit e tij pasuesve të tyre, përafërsisht kjo ka qenë tridhjetë vite ose më shumë. Kurse kush është i tillë patjetër është që të merret në shënjestër të kritikave që disa ia ofenduan personalitetin, disa të tjerë i falsifikuan mendimet e tij dhe disa të tjerë nga ekstremizmi i madh e kundërshtuan atë.
* * *
Lindja dhe gjeneza
Imam Ebu Hanifja ka lindur në Kufe vitin 80 h./699 m. sipas transmetimit të shumicës, sa që të gjithë historianët janë unanim. Prindi i tij ka qenë Thabit bin Zuta El-Farisij. Ky transmetim është transmetim i favorizuar dhe të gjithë ata që e mbështetin këtë transmetim janë të besueshëm. Gjyshi i tij ka qenë prej Kabulli i cili është zënë rob gjatë çlirimit të atyre tokave prej arabëve myslimanë dhe është marrë për robë nga fisi Beni Tejjim bin Tha’lebe. Pastaj është liruar nga robëria dhe për shkak të kësaj lidhjeje ai është njohur se ka qenë me përkatësi nga ky fis Et-Tejjmi. Ky transmetim është nga nipi i Ebu Hanifes Umer bin Hammad bin Ebi Hanife, i cili tregon për gjenezën e tij. Ismaili, vëllai i Umerit, tregon se Ebu Hanifja është En-Nu’man bin Thabit bin Nu’man bin El-Merziban dhe thotë: Pasha All-llahun nuk ka qenë asnjë rob nga gjeneza jonë. Por, sidoqoftë gjyshi i tij a ka qenë rob apo jo nuk është me rëndësi, por ky dhe prindi i tij kanë lindur të lirë, gjithashtu nuk e cenon dinjitetin, diturinë dhe famën e Ebu Hanifes se gjyshi i tij ose prindi i tij ose vet ai se kanë qenë rob, por famën e tij e ka përvetësuar nga talenti i tij, shpirti i pastër, logjika dhe frikë – respekti i tij ndaj All-llahut. Këto cilësi janë ato të cilat e tregojnë dinjitetin e një personi. All-llahu i Lartësuar thotë: “...e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat),” (El-Huxhurat, 12). Ndërsa Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për Selman El-Farisiun ka thënë: “Selmani është prej nesh, Ehli Bejtit (familjes së Pejgamberit).”[2] All-llahu i Lartësuar djalin e Nuhit, alejhi’s-selam, e nxori nga anëtarët e familjes së tij: “(Zoti) Tha: “O Nuh, ai (djali) nuk ishte nga familja jote (për të cilën të premtova se do t’i shpëtoj), ai ishte punëkeq...” (El-Hud, 46). Gjithashtu i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e bëri anëtar (një nga të afërmit) të familjes së vet Bilal El-Habeshiun, ndërsa ungjin e tij Ebu Lehebin (Abdu’l-Uzan) e nxori (largoi) nga anëtarët e familjes së tij. Gjeneza e Imam Ebu Hanifes edhe pse është nga Irani nuk do të thotë se ia ka cenuar dinjitetin dhe karakterin, gjithashtu as nuk është pengesë për të çmuar dhe vlerësuar atë. Imam Ebu Hanifja nuk ka qenë rob, por ka qenë i lirë me prejardhje fisnike e të ndershme. Në kohën kur është rritur Ebu Hanifja dituria më së tepërmi ka qenë te jo arabët edhe pse kanë qenë të nënvlerësuar për nga krenaria e gjenezës, por All-llahu atyre ua ka dhënë krenarinë e diturisë (shkencës), e cila është më e pastër, e zhvilluar, e përjetshme dhe më e mirë e cila ruhet në kujtime. Në librin “El-Hajratu’l-Hisan” të Ibn Haxher El-Mekkijut prezantohet biseda në mes ‘Ata’ bin Abdullahut dhe Hisham bin Abdu’l-Melikut. ‘Ata’u thotë: Hyra brenda te pallati Hisham bin Abdu’l-Meliku në Resafe[3] dhe ai tha: O Ata’! A ke njohuri rreth dijetarët e vendeve?
‘Atau thotë: Gjithsesi po, o prijësi i myslimanëve!
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është fakihu (dijetari) i Medines?
‘Atau thotë: Nafiu (jo arab) rob i liruar i Abdullah bin Umerit.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është dijetari i Mekkes?
‘Atau thotë: Ata’ bin Ebi Rebbah.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A është jo arap apo është arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë Kush është dijetari i Jemenit?
‘Atau thotë: Tavuus bin Kejsan.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A është jo arap apo është arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është dijetari i Jemames?
‘Atau thotë: Jahja bin Kethir.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A është jo arap apo është arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është dijetari i Shamit?
‘Atau thotë: Mekhuli.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A është jo arap apo është arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është dijetari i Xhezires?
‘Atau thotë: Mejmun bin Mehran.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A është jo arap apo është arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është dijetari i Horosanit?
‘Atau thotë: Ed-Dahak bin Muzahim.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A është jo arap apo arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisham bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush ka qenë dijetari i Basrës?
‘Atau thotë: Hasani dhe Ibn Sirin.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Këto dy a kanë qenë jo arap apo arap?
‘Atau thotë: Jo arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Kush është dijetari i Kufes?
‘Atau thotë: Ibrahim En-Nehaiu.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: A ka qenë jo arap apo arap?
‘Atau thotë: Ka qenë arap.
Hisahm bin Abdu’l-Meliku thotë: Për pak sa që do të kisha nxjerr veten time të të pyes se nuk the për asnjë se është arap.
Dituria pas sahabeve ka mbetur gjatë kohë e zhvilluar te jo arabët, ngaqë nuk ka diçka për të habitur për Nu’man Ebu Hanifen të ketë qenë prej jo arabëve, ngase ata kanë jetuar në qendër të shkencës së shtetit islam. Ndërsa në lidhje me diturinë se do të jetë nga bijtë e persianëve e cila vërtetohet me lajmin e të Dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe autorët e tjerë të librave (përmbledhjeve) të hadithit se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Në qoftë se besimi do të ishte në shenjëz, do të arrinin vetëm njerëz (ose vetëm njëri) nga bijtë e persianëve”. Ndërsa sipas transmetimit të Imam Ahmedit është: “Në qoftë se dituria do të ishte në shenjëz...”[4]
Formimi i Ebu Hanifes
Imam Ebu Hanifja u rrit dhe u edukua në Kufe (Irak). Gjithashtu, pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar aty si nxënës, duke garuar në dije dhe si mësues. Ai ka qenë nga familja e klasës punëtore prej tregtarëve. Prindi i tij kur ka qenë i vogël kur është takuar me Ali bin Ebi Talibin, me ç’rast gjyshi i tij i ka dhuruar Aliut r.a. ashure në ditën e nevruzit (ditën e pranverës). Ndërsa familja e tij ka qenë e pasur e cila ka poseduar pasuri të madhe që ka mundur t’i dhurojë halifit ëmbëlsira. Transmetohet se Aliu është lutur për begati ndaj Thabitit dhe pasardhësve të tij. Nga kjo kuptohet se ai ka qenë mysliman. Kurse shihet qartë se Ebu Hanifja që nga lindja e tij është rritur në shtëpi myslimane të sinqertë. Këtë e vërtetojnë të gjithë dijetarët, përveç atyre të cilët nuk e përfillin nga anomalitë e tyre.
Imam Ebu Hanifja që në fillim të fëmijërisë iu drejtua hifzit (mësimit përmendësh) të Kur’anit dhe leximin e drejtë nga Imam Asimi, njëri nga shtatë Imamët e kiraeteve (Kurrau’s-Seba’). Në atë kohë Kufeja ka qenë një nga qytetet e mëdha e cila është konsideruar qyteti i dytë më i madh në Irak. Në Irak kanë ekzistuar fe dhe sekte të ndryshme. Ai që nga mosha e rinore ka filluar të diskutojë me ta dhe është takuar me disa përfaqësues të sekteve devijuese, të cilëve ua tregoi rrugën e drejtë. Përkundër kësaj ai ka qenë më së shumti duke u marrë me tregti duke bredhur nëpër tregje, kurse shumë pak është interesuar që të ndjek dijetarët. Mirëpo, disa dijetarë kanë vërejtur tek ai mendjemprehtësi dhe prirje shkencore, dhe mendonin se ai nuk duhet ta kalojë gjithë kohën vetëm në tregti, por e këshilluan që të vrapojë pas dijetarëve ashtu siç bredh nëpër tregje. Ibn Haxher El-Mekkij thotë: Ebu Hanifja ka thënë: Një ditë isha duke kaluar pranë Sha’biut, e ai duke qëndruar i ulur më thirri dhe më tha: Ku je duke bredh? Unë i thash: Jam duke bredh nëpër tregje. Ai tha: Nuk kam për qëllim për bredhjen nëpër tregje, por kam për qëllim te cilët dijetarë je duke shkuar (i ndjekur). Unë i thash: Unë jam duke shkuar fort pak pas tyre. Ai më tha: Mos vepro kështu! Ti duhesh të zhytesh në shkencë, të qëndrosh me dijetarët se unë me të vërtetë jam duke vërejtur tek ti vigjilencë dhe shumë aktiv. Ebu Hanifja thotë: Këto fjalë më ndikuan tepër shumë thellë në zemër, e braktisa bredhjen nëpër tregje dhe fillova të merrem me shkencë. Kështu që nga kjo fjalë e tij All-llahu më dhuroi dobi.
Imam Ebu Hanifja një kohë të shkurtër mendoi se ç’të zgjedh prej shkencave për të studiuar dhe vendosi që të merret me shkencën e fikhut dhe u veçua që të studiojë vetëm në drejtim të saj. Ai përvetësoi dobi nga diskutimet në themelet e besimit që arriti një pozitë të lartë që iu drejtoheshin me gishta në shkencën e Ilmu’l-Kelamit, pastaj ky u përcaktua në shkencën e fikhut dhe gjithashtu u drejtua për të studiuar fetvatë nga dijetarët e mëdhenj të cilët ishin në kohën e tij. Në atë kohë Kufeja ishte qendra e fukahave të Irakut. Imam Ebu Hanifja, rahimehullah, lidhur me këtë thotë: Isha në minierat e shkencës dhe fikhut që u ula te ai i cili ishte i thirrur për të, e që përqendrova te juristi më i madh nga juristët e Kufes, e ai ishte Hammad bin Ebi Sulejmani. Imam Ebu Hanifja shkencën e fikhut e mbaroi te ky dhe qëndroi deri në vdekje të tij, e cila vërtetohet se ka qëndruar tetëmbëdhjetë vite. Zuferi transmeton për lidhshmërinë e fortë të Ebu Hanifes me mësuesin e tij Hammadin me ç’rast ka thënë: Atë e shoqërova dhjetë vite, pastaj epshi më nxiti për kërkim udhëheqësi dhe dëshiroja që të largohem nga ai dhe të formojë një hallkë (klasë për mësimdhënie) në vete. Kështu, një ditë dola për në namazin e jacisë dhe unë me vendosmëri që të praktikoj atë që më kishte nxitur epshi, e kur hyra brenda në xhami dhe e pash atë nuk më kënaq shpirti që të largohem nga ai, arrita aty dhe u ula në hallkën e tij. Në atë natë erdhi lajmi se kishte vdekur një i afërmi i tij në Basra, e ai kishte lënë pasuri që nuk kishte tjetër përpos tij që do të trashëgoj atë dhe më urdhëroi që të ulem në vendin e tij. Kurse unë u ula në vendin e tij dhe u përgjigjesha pyetjeve të shtruara dhe ato i shënoja. Kur u kthye mësuesi Hammadi ia prezantova pyetjet të cilat përafërsisht ishin gjashtëdhjetë pyetje. Nga ato në dyzet çështje ishim unanim, ndërsa në njëzet tjera ishte në mospajtim me mua, kështu që në fund vendosa të mos largohem nga ai derisa të vdes dhe nuk u largova gjersa ai vdiq.[5]
Imam Ebu Hanifja ishte në moshën dyzet vjet kur vdiq Hammadi dhe pastaj e mori hallkën e tij në dorë. Ai nuk ka qenë i ndarë vetëm te Hammadi në kohën kur mësonte shkencën e fikhut te ai, por ai ka udhëtuar shumë për në Haxhxh, ku në Mekke dhe Medine është takuar me dijetarë nga të cilët shumica e tyre kanë qenë prej tab’inëve (brezi pas sahabëve). Aty ka marrë pjesë në takimet shkencore dhe nga ata ka transmetuar hadithe dhe ua ka treguar fikhun të cilin e ka mësuar nga: Zejd bin Ali bin El-Husejn, Xha’fer Es-Sadik dhe Abdullah bin Hasen Ebu Muhamed En-Nefsu’z-Zekije. Gjithashtu ai shkonte pas tabi’inëve kudo që ishin gjersa edhe thotë: E kam mësuar fikhun e Umerit dhe të Aliut, fikhun e Abdullah bin Mes’udit dhe të Ibn Abbasit prej nxënësve të tyre.
Ndërsa kur u pavarësua në mësim pas Hammadit filloi t’ua mësojë nxënësve të tij nga fetvatë që jepte për çështjet e reja të ngjara (jo të ndodhura ose çështjet hipotetike), kështu që për këto çështje aplikonte analogjinë, me çështjet që kishin motiv të njëjtë, të cilat i bënte me mendje (logjik) të mprehtë, të drejtë dhe të shëndoshë gjersa e formoi këtë shkollë të fikhut, por ky me gjithë këtë nuk u distancua nga jeta tregtare dhe se ai kishte një ortak besnik i cili e ndihmonte që të mos merret me punët e tregut dhe ky ka qenë një shembull prej dijetarëve të cilët kanë vepruar edhe në jetën shkencore, por edhe në jetën tregtare.
Ebu Hanifja tregtar
Imam Ebu Hanifja në jetën tregtare cilësohet me katër cilësi, për t’u marrë shembull i të qenit tregtar i drejtë dhe për t’u konsideruar në pozitën më të lartë në mesin e dijetarëve:
1. Imam Ebu Hanifja ka qenë zemërgjerë (sy ngopur) dhe nuk ka pasur prirje për varfëri shpirtërore.
2. Ka qenë besnik i madh ndaj amanetit
3. Ka qenë bujar i madh dhe All-llahu e ka mbrojtur nga koprracia.
4. Ka qenë fetar i denjë dhe i përkushtuar, adhurues i madh që ka agjëruar ditën dhe ka falur namaz nate.
Shumica e dijetarëve në jetën tregtare Ebu Hanifen e krahasojnë me Ebu Bekr Es-Siddikun. Gjithashtu, ka qenë i denjë si në blerje të mallit ashtu edhe në shitje. Ka qenë besnik i madh ndaj amanetit. Kështu, që tregohet se një ditë prej ditëve ka ardhur një grua tek ai me një copë prej mëndafshi që t’ia shes. Ebu Hanifja e pyet: Sa është çmimi i saj? Ajo ka thënë: Njëqind dirhem? Ebu Hanifja thotë: Kjo ia vlen më shumë se njëqind dirhem. Sa kërkon (pyet Ebu Hanifja): Kështu ajo e shtoi çmimin nga njëqind në katërqind dirhem. Mirëpo, ai i thotë se kjo ia vlen më shumë se katërqind dirhem. Ajo thotë: Ti a po tallesh me mua? Ebu Hanifja thotë: Sjelle një njeri që të caktojë çmimin e gjësendit. Ajo shkon dhe kthehet me një njeri dhe në këtë mënyrë Ebu Hanifja atë e bleu pesëqind dirhem. Imam Ebu Hanifja ka qenë i matur për shitësin para se të jetë i matur për vetveten e tij. Gjithashtu nuk ka vështruar rast që të shfrytëzojë nga pakujdesia e shitësit, por në qoftë se shihte vend për ta këshilluar e këshillonte dhe nëse shihte vend për ta udhëzuar e udhëzonte.
Ebu Hanifja ka qenë shitës i cili nuk shikonte të fitojë në qoftë se blerësi ishte ndonjë i varfër ose mik i tij, bile edhe ndonjëherë dhuronte për shkak që fitonte shumë. Një ditë prej ditëve vjen një grua te Ebu Hanifja dhe i thotë: Unë jam e dobët dhe i thotë: Sa do të më shesësh këtë teshë më lirë nga ajo sa ke mundësi. Ebu Hanifja thotë: Merre atë për katër dirhem. Ajo thotë: Mos u tall me mua se unë jam e moshuar. Ebu Hanifja thotë: Unë i kam blerë dy tesha, njërën e kam shitur më lirë se katër dirhem nga ajo çka i kisha blerë të dy teshat, kështu që kjo teshë më ka ngelur për katër dirhem.
Gjithashtu një ditë prej ditëve vjen një mik i tij dhe kërkon nga ai një teshë prej mëndafshi duke ia përshkruar dhe përcaktuar ngjyrën. Kurse Ebu Hanifja i thotë: Duro deri sa të siguroj atë dhe do të sjell ty atë insha’Allah (me lejen e All-llahut). Pas një jave atë ia siguroi dhe miku i tij ishte duke kaluar pranë tij, me ç’rast Ebu Hanifja i thotë: Unë të solla atë çka e kërkove dhe ia nxori që të shoh atë; ai e pyeti sa kushton kjo: Ebu Hanifja i thotë: Një dirhem. Ai thotë: Unë nuk e kam paramenduar se do të tallej me mua. Ebu Hanifja thotë: Unë nuk jam duke u tallur, ngase unë i kam blerë dy tesha për njëzet dinarë e një dirhem, ndërsa unë njërën prej tyre e shita njëzet dinar, kështu që kjo mua më ka ngelur për një dirhem.
Ebu Hanifja ka qenë shumë i kujdesshëm prej gjërave të dyshimta që e zhytin njeriun në mëkat, kështu që ai në qoftë se supozonte se nga ajo çka ka fituar është zhytur në mëkat, atë pasuri të tërën ia shpërndante të varfërve dhe nevojtarëve. Transmetohet se Ebu Hanifja ortakun e tij e ka dërguar që të shes mall, por veçanërisht i ka treguar se një teshë është me të metë dhe i ka thënë atij që ta tregojë atë të metë kur të shes, ndërsa ortaku i tij atë pëlhurë e ka shitur dhe ka harruar që t’i tregojë blerësit për mangësinë e pëlhurës. Gjithashtu ortaku kishte harruar se kush e ka blerë, por Ebu Hanifja kur e merr vesh këtë, të gjithë pasurinë e fituar e shpërndau (e dhuroi). Por, me gjithë atë tregtia e tij atij i jepte fitim të madh sa që nga ajo shpenzonte për vetveten, për nevojat e mësuesve të vet, si dhe për muhadithinët (shkencëtarët e hadithit). Po ashtu, edhe nga fitimi që i ngelte ua dhuronte atyre (mësuesve dhe muhadithinëve) dhe atyre u thoshte: Shpenzoni këto për nevojat tuaja dhe mos falënderoni tjetër kend përveç All-llahut, ngase unë nuk kam dhënë nga pasuria ime diçka, por kjo është nga dhuntia e All-llahut ndaj juve. Ebu Hanifja po ashtu ka qenë shumë i kujdesshëm ndaj veshjes dhe ata të cilët i ka njohur i ka sugjeruar për veshje të bukur dhe ta mbajnë veten të bukur.
Imam Ebu Hanifja ka jetuar pesëdhjetë e dy vjet të jetës së tij në periudhën e sundimit emevit dhe tetëmbëdhjetë vjet në periudhën e sundimit abasit. Në vitin (130 h.) ka ikur në Mekkë dhe atje ka qëndruar gjer sa është formuar hilafeti abasit dhe pastaj është kthyer në Kufë në kohën e Ebu Xha’fer El-Mensurit.
Ftesa për gjykatës
Një ditë prej ditëve Ebu Xha’fer El-Mensuri e fton Ebu Hanifen për ta caktuar gjykatës suprem, por Ebu Hanifja këtë ofertë nuk e pranon. Gjithashtu halifi nga ai kishte kërkuar që gjykatësve që u shfaqen probleme në procedurat gjyqësore të konsultohen me të, por Ebu Hanifja edhe këtë ofertë e refuzoi, kështu që Ebu Xha’feri atë e dënoi me rrahje dhe burgim ose sipas disa historianëve thonë se e ka dënuar vetëm me burgim.
Në librin “El-Menakib” të El-Muvefak El-Mekiut thuhet: Ebu Hanifes kur i ka ardhur koha që të shkojë në Bagdad i është ndryshuar fytyra, duke thënë: Ky më ka ftuar për detyrë që të më caktojë gjykatës. Ndërsa unë atij i tregova se nuk jam për atë detyrë edhe pse e di se argumenti i takon atij që dëshmon, ndërsa betimi atij që refuzon, kështu që për gjykatës nuk mund të jetë kush tjetër veç njeriut i cili do të jetë kundër atij, fëmijëve dhe komandantëve të tij. Ndërsa unë këtë nuk mund të bëj, sepse kur hyra tek ai nuk isha në vete gjersa u largova prej tij.
Ebu Xha’fer El-Mensuri i thotë: Pse nuk i pranove dhuratat e mia? Ebu Hanifja thotë: Unë i tregova shërbetorit se prijësi i myslimanëve nuk më ka dhuruar diçka nga pasuria e tij që atë të mos e kthej, por në qoftë se do të më kishte dhuruar diçka nga pasuria e tij sigurisht do ta kisha pranuar. Ndërsa ato që më ishin sjell mua nga prijësi i myslimanëve ishin prej pasurisë së arkës shtetërore të myslimanëve, kurse unë nuk kam pjesë në pasurinë e tyre nga arka shtetërore, ngase nuk jam prej atyre që luftojnë, e të marrë atë që u takon luftëtarëve. Gjithashtu nuk jam prej fëmijëve të tyre nga ajo që u takon dhe marrin fëmijët e tyre, po ashtu nuk jam nga të varfërit që të marrë atë që u takon të varfërve. Ebu Xha’fer El-Mensuri thotë: Atëherë prano që të vinë gjykatësit për atë çka do të kenë nevojë për ty. Ebu Hanifja gjithashtu refuzoi që të caktohet gjykatës, sepse Ebu Hanifja atë e shihte punë të rrezikshme, ndoshta për arsye që kishte frikë për veten për t’u ballafaquar me të. Po ashtu ai refuzoi edhe konsultimin e gjykatësve me të, sepse kur të paraqitet ndonjë çështje gjyqësore ajo ishte si me dhënë vendim, ndërsa ai nuk dëshironte në asnjë mënyrë që të japë vendime. Ky refuzim i tij nuk ishte çështje e thjeshtë e refuzimit të caktimit për gjykatës, të konsultuarit e gjykatësve me të dhe refuzimin e dhuratave, por Ebu Hanifja nuk e përfilli aspak përfundimin e saj. Kurse Ebu Xha’fer El-Mensuri pas këtij refuzimi atë e burgosi dhe urdhëroi që të rrihet dhe se është rrahur me njëqind e dhjetë shkopinj. Ndërsa sa herë që rrihej i thoshin prano caktimin për gjykatës, ai thoshte: Nuk mundem, por kur u zgjatën rrahjet ai fshehtas u lutë duke thënë: “O Zot me fuqinë Tënde largo nga unë dëmin e tyre.” Kështu që një kohë shumë të shkurt pas kësaj lutje do të bisedojnë për gjendjen e vështirë të tij me Ebu Xha’fer El-Mensurin dhe do ta lirojë atë nga burgu. Ebu Hanifja pas lirmit nga burgu qëndron në burgim shtëpiak dhe i ndalohet që të jep fetva, të ulet me njerëzit dhe të del nga shtëpia. Kurse kjo gjendje e tillë ka zgjatur deri në vdekje në vitin (150 h./767 m.) Ebu Hanifja kishte lënë testament që të varroset në një tokë të lejuar e cila nuk është e uzurpuar, gjithashtu edhe në tokën në të cilën nuk do të mund që të shpif Ebu Xha’feri atë se atë e ka uzurpuar. Në lidhje me këtë transmetohet se Ebu Xha’feri kur ka dëgjuar këtë ka thënë: Kush do të më justifikoj për Ebu Hanifen duke qenë gjallë dhe i vdekur. Në namazin e xhenazes së juristit të Irakut (Fekihu’l-Irak) dhe Imamit më të madh (Imamu’l-A’dham) ka marrë pjesë tërë Bagdadi dhe supozohet se numri i atyre që kanë prezantuar në faljen e namazit të xhenazes ka qenë 50.000 vetë. Imami është varrosur në Bagdad.
Lavdërimet e bashkëkohësve të tij për të[6]
-El-Fudejl bin Ijad (bashkëkohësi i Ebu Hanifes) ka thënë: “Ebu Hanifja ka qenë jurist (fekih) dhe i njohur për dituri të gjerë dhe të pasur, i njohur nga rrethi i tij për bujari, durimtar në mësim të diturisë tërë natën dhe ditën, zbukuronte netët me falje të namazit të natës, agjëronte shumë, shumë pak fliste edhe atë vetëm kur çështja kishte të bëjë me hallallin (të lejuarën) dhe haramin (të ndaluarën); ka qenë shumë i zgjuar që të sjell argumente të forta për të vërtetën”.
-Xha’fer bin Er-Rebi’ ka thënë: “Qëndrova te Ebu Hanifja pesë vite dhe nuk kam parë njeri sikur ai që qëndronte në heshtje, por kur pyetej në lidhje me çështjet e fikhut menjëherë gjallërohej dhe fillonte të rrjedhë si lumë.”
Abdullah bin Mubareku (bashkëkohës i Ebu Hanifes) thotë: “Ebu Hanifja ka qenë truri i dijes (shkencës).”
-El-A’meshi (bashkëkohës i Ebu Hanifes) ka thënë: “Me të vërtetë Ebu Hanifja është fakih (jurist)”.
-Muhadithi i njohur Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Ky në të ardhmen do të jetë njeri mahnitës, por kur u rritë dhe filloi të përmendet ai, tha: Ky me të vërtetë është fakih, ky me të vërtetë është fakih.”
Gjithashtu edhe disa dijetarë bashkëkohës së tij për të kanë thënë: “Sikur ai (Ebu Hanifja) nuk e ka njohur askush hadithin, ngase ai i nxirrte shkaqet e dispozitave që ngërthenin nga shprehjet dhe lidhshmëritë e tyre që ishin të përafërta me thëniet dhe se nuk ngelte vetëm me kuptimin literal (kuptimin sipërfaqësor) të hadithit, por, me kuptimin e vërtetë të saj që përmbante hadithi. Prandaj që nxirrte shkakun dhe ndërlidhte me çështjet të cilat ishin të ndërlidhura me të njëra-tjetra ose të ngjashme, pastaj për to jepte vendim. Kështu që dispozitën e njohur e konsideronte bazë për ato çështje të cilat ishin të ngjashme për nga kuptimi.”
Dituria e Ebu Hanifes
Në këtë pjesë do të trajtojmë për:
1. Veçoritë dhe karakteristikat natyrore dhe të përfituara logjike.
2. Mësuesit e tij te të cilët mësoj dhe influenca e madhe ndaj tyre që ia vizatuan rrugën.
3. Metoda e studimit të tij e veçantë dhe përvojat e tij.
Veçoritë e diturisë
Ebu Hanifja ka qenë kontrollues i vetes, i matur nga emocionet, i qetë, i vendosur, durimtar, tolerant, nuk ka rrëshqit dhe shkreptuar në mendime për shkak të gjendjes së stuhive shpirtërore.
Ky ka qenë i pavarur në mendime që nuk u mbështetej në mendimet e të tjerëve, i lirë duke mos iu përulur askujt përveç teksteve të Librit (Kur’anit) ose Sunnetit (Traditës pejgamberike) ose fetvave të sahabiut. Ndërsa për qëndrimet e tabi’nëve (brezit pas sahabeve) ai i shikonte qëndrimet e tyre dhe i vlerësonte se a janë gabim ose të sakta, sepse qëndrimi i tabi’nëve nuk është obligim të imitohet dhe as nuk është nga devotshmëria (takvallëku). Kështu që nga ajo që ky çka kishte mësuar nga Zejd bin Ali, Xha’fer Es-Sadiku, Muhamed El-Bakiri dhe Abdullah bin Hasani kishte mbrojtur mendimin e tij për sahabet e denjë me një anim të madh ndaj familjes së Pejgamberit (Ehli Bejtit) dashurinë për to dhe përballimit të torturave për në rrugën e tyre. Gjithashtu ky ka poseduar mendime të pavarura për të cilat nuk i është përulur popullatës së thjeshtë dhe as nuk është mbështetur për popullatën e veçantë, si dhe te ky nuk ndikonte dashuria dhe urrejtja për të përfaqësuar ndonjë mendim të ndonjërit.
Ashtu siç folëm më parë ky ka qenë mendim që është futur thellë në çështje (problematikat).
Ebu Hanifja ka qenë njeri i cili është përgjigjur aty për momentin dhe për momentin kur kishte nevojë në tru i silleshin kuptime të ndryshme, kështu që nuk mundte të mos e prezantonte mendimin e tij, e as që të mbyllë sytë dhe as që mund të ndalej për të debatuar për derisa ai ishte në të drejtë. Gjithashtu posedonte argumente për të vërtetuar dhe mposht kundërshtarin e tij, gjë e cila ishte lehtë për të. Ndërsa librat e historisë së biografisë së tij janë të stërmbushura lidhje me diskutimet e tij. Transmetohet nga Lejth bin Sead i cili ka thënë: Dëshiroja që të shohë Ebu Hanifen kështu që një ditë prej ditëve pash disa njerëz se ishin tubuar grumbull pas një dijetari dhe njëri tha: O Ebu Hanife! dhe e pyeti për një çështje. Betohem në All-llahun nuk më mahniti përgjigja e saktë sa më mahniti shpejtësia e dhënies së përgjigjes.
Ka qenë i sinqertë në kërkimin e së vërtetës. Gjithashtu nuk supozonte për qëndrimin e tij se ajo është e vërteta absolute për të cilën nuk ka dyshim, por ai thoshte: Ky është mendimi ynë kjo është më e mira nga ajo çka ke mi arritur të vlerësojmë, por kush vjen me ndonjë më të mirë se mendimi ynë ajo është më e saktë nga e jona.
Gjithashtu nga sinqeriteti i tij për kërkimin e të vërtetës ka hequr dorë nga qëndrimi i tij, në qoftë se polemizuesi i ka treguar ndonjë hadith, e ai hadithi në qoftë se më parë te ai ka qenë në mënyrë jo autentik i transmetuar ose ka pasur kundërshtime në lidhje me atë hadith ose edhe për ndonjë fetva të sahabiut kur iu është treguar që nuk i ka arritur ajo fetva, Ebu Hanifja nuk ka qenë prej ekstremistëve të rreptë ndaj mendimeve të tyre, por e ka mbrojtur sinqeritetin për të vërtetën që ka poseduar zemër të hapur për qëndrimet e tjerëve ndaj qëndrimit të tij.
Imam Ebu Hanifja ka poseduar personalitet të fuqishëm, shpirt të fortë dhe ndikim mahnitës te tjetri. Ky ka pasur shumë nxënës të cilëve nuk ua prezantonte mendimin e tij, por ata i mësonte dhe ua tregonte mendimet e dijetarëve të mëdhenjve dhe i shtynte në debat që të debatojnë sipas arsyes e jo moshës së nxënësve dhe në fund ky e përmbyllte çështjen sipas mendimit të tij dhe që të gjithë heshtnin dhe qëndronin qetë, kurse disa prej nxënësve edhe përkundër mësuesit të tyre ata i mbanin qëndrimet e tyre.
Mësuesit
Ebu Hanifja njohuritë nuk i ka marr vetëm prej një dijetari, por prej tyre ka që mësuar shkencën e hadithit nga dijetarët e saj specialistë, prej tyre që mësojë njohjen e Kur’anit dhe shkencën e saj nga komentatori i Kur’anit Abdullah bin Abbasi, radiall-llahu anhu. Gjithashtu ka mësuar edhe nga disa dijetarë të sektit shia dhe të tjerë. Ndërsa nga ai nuk ndihet se është kundërshtuar me to, përveç se ka ndarë dashurinë ndaj familjes së Pejgambeit (Ehli Bejtit). Po ashtu, prej tyre ka mësuar fetvatë e sahabeve të cilët kanë qenë të njohur për muxhtehid (kompetent për dhënie gjykime), eleganca e dijes dhe logjikës.
Në veprën “Tarihu’l-Bagdad” citohet se Ebu Hanifja një ditë prej ditëve ka ardhur te Ebu Xha’fer El-Mensuri ndërsa tek ai ka qenë Isa bin Musa. Ebu Xha’fer El-Mensuri thotë: Ky në këtë kohë është dijetari i botës. Ai pyet Ebu Hanifen: O Nu’man prej kujt e ke marrë diturinë? Ebu Hanifja thotë: Nga nxënësit e Omerit, Aliut dhe Abdullah ibn Mes’udit, radiall-llahu anhum.
Nuk ka pasur më të dijshëm gjatë sundimit abasit në fytyrën e tokës më të dijshëm se ky. Isa bin Musa thotë: Vërtetë qenke i mbështetur mirë.
Gjithashtu Ebu Hanifja ka takuar disa prej sahabeve të cilët kanë jetuar gjatë deri në kohën e tij, por ky nuk ka transmetuar diç prej tyre. Nga ata kanë qenë: Enes bin Maliku (v. 93 h.), Abdullah bin Ebi Eufa (v. 87 h.), Vathile bin El-Eska’ (v. 85 h.) dhe Ebu Tufejl Amir bin Vathile (v. 102 h.). A mund të llogarisim Ebu Hanifen prej tabi’inëve (brezit pas sahabeve)? Në qoftë se do të kthehemi në definicionet ashtu siç thuhet se ai i cili ka takuar sahabet është tabi’in edhe pse nuk ka shoqëruar, por vetëm e ka takuar atëherë mund që të llogarisim prej tabi’inëve. Ndërsa në qoftë se kthehemi definicionit tjetër i cili thotë se patjetër që të ketë shoqëruar dhe takuar atë atëherë nga ky definicion nuk mund të konsiderojmë prej gjeneratës së tabi’inëve.
Ndërsa të gjithë janë unanim se Ebu Hanifja ka takuar disa prej tabi’inëve dhe nga të cilët ka transmetuar dhe ka mësuar shkencën e fikhut prej tyre. Ata janë: Sha’biu i cili është i njohur në Hadith dhe prej atyre tabi’inëve me të cilët edhe është takuar më shumë që kanë qenë të njohur për racio. Gjithashtu ka mësuar nga Ikreme i cili e ka transmetuar diturinë e Ibn Abbasit, Nafiun i cili e ka transmetuar diturinë e Ibn Umerit, juristin (fakihun) e Mekkes Ata bin Rebbahun (v. 114h.) në kohën kur ka qenë nxënës te Hammad bin Sulejmani.
Mësuesi i tij Hammad bin Ebi Sulejman El-Esh’arij i cili ka mësuar fikhun te Ibrahim En-Nehaiu. Hammadi ka qenë njeriu më i dijshëm. Ebu Hanifja ka mësuar fikhun e Ibrahim En-Nehaiut nga Hammadi, ndërsa fikhun e Sha’biut nga vetë ai. Kurse En-Nehaiu dhe Sh’abiu kanë mësuar nga Shurejhi, Alkame bin Kajsi dhe Mensur bin El-Exhda’. Ndërsa këto kanë mësuar nga dy sahabi Abdullah bin Mes’udi dhe Ali bin Ebi Talibi. Prandaj, shumica e banorëve të Kufes e kanë trashëguar fikhun e këtyre dy sahabive. Imam Ed-Dehleviu thotë: “Formimin dhe zhvillimin e Fikhut Hanefi e ndihmuan qëndrimet e Ibrahim En-Nehaiut”.
Imam Ebu Hanifja fikhun e dijetarëve të hadithit e ka mësuar nga Sha’biu, ndërsa fikhun e dijetarëve racionalë nga mësuesi i tij Hammadi, ka mësuar po ashtu fikhun e Zejd bin Ali dhe ka mësuar nga dijetarë të ndryshëm kiraetet (llojet e ndryshme të leximit të Kur’anit), fikhun, akaidin dhe shkencat e Kur’anit.
Gjithashtu ai ka mësuar edhe nga Muhamed bin El-Bakir bin Ali, Xha’fer Es-Sadik bin Muhamed El-Bakir, po ashtu edhe nga Muhamed En-Nefsu’z-Zekije Abdullah bin El-Hasen bin El-Hasen, si dhe ka mësuar fikhun nga sekte të mëdha islame të cilat kanë qenë rival të njëra-tjetrës.
Metoda e studimit të tij e veçantë
Imam Ebu Hanifja shumë shpesh ka udhëtuar në Mekkë (Shtëpinë e All-llahut). Ndërsa të parën herë kur ka shkuar është takuar me ‘Ata bin Ebi Rebah dhe ky e ka pyet prej nga je ti? Ebu Hanifja ka thënë: Nga Kufeja. ‘Atau i thotë: Prej banorëve të cilët e ndanë fenë e tyre në grupe? Ebu Hanifja thotë: Po. ‘Atau pyet Ebu Hanifen ti prej cilës grup je? Ebu Hanifja thotë: Prej atyre të cilëve nuk i fyejnë selefët (të parët), besojnë në kader (caktimin e All-llahut) dhe nuk i akuzojnë mëkatarët me kufr (pabesim). ‘Atau thotë: Përqendrohu kësaj rruge se ti e njeh të vërtetën.
Imam Ebu Hanifja shkonte te Maliku për argumente dhe bisedonin me njëri-tjetrin për çështjet e fikhut; gjithashtu takohej edhe me Euzaiun dhe bisedonte me të lidhje me çështjet e fikhut. Udhëtimet e tij kanë qenë udhëtime shkencore në tokat e shpalljes-mesazhit, vendet në të cilat ka jetuar dhe shëtitur i Dërguari i All-llahut për të përmbledhur kuptimin e gjurmëve dhe lajmeve të vërteta dhe precize.
Imam Ebu Hanifja ka qenë studiues dhe zhytës në polemika dhe debate. Transmetohet se ky ka polemizuar përafërsisht me njëzet e dy sekte për të mbrojtur fenë Islame, nga kjo që dituria iu është forcuar dhe ka filluar të perceptojë akoma më thellë. Imam Ebu Hanifja gjithashtu ka zhvilluar debate në çdo vend gjatë udhëtimeve të tij në Mekkë, Medinë dhe në vendet e tjera të Hixhazit.
Metoda e Ebu Hanifes në mësimdhënie nuk ka qenë të shpjeguarit mësim nxënësve të tij, por ka pasur metodë të veçantë për mësimdhënie. Imam Ebu Hanifja nxënësve ua plasonte meselen (çështjen juridike), pastaj polemizonte me ata për dispozitën e saj, kështu çdo njëri tregonte mendimin e tij. Nxënësit e tij në analogji e mbështetnin atë, ndërsa në ixhtihad ndonjëherë e kundërshtonin. Ndonjëherë e ngritnin zërin lartë ndaj njëri-tjetrit që u dëgjonte një zhurmë e madhe dhe pasi që çështjen e studionin në të gjitha aspektet Ebu Hanifja në fund tregonte qëndrimin e tij dhe e përfundonte këtë studim dhe të gjithë e pranonin dhe pëlqenin atë. Studimi në këtë mënyrë e zhvillon së bashku mësuesin dhe nxënësin.
Imam Ebu Hanifja nuk i braktiste nxënësit e tij vetëm duke përshkruar, por ai i zhyste në debate. Gjithashtu disave iu ndihmonte me pasuri (ju jepte bursë) si dhe ju ndihmonte brenda kohës për ndonjë vështirësi të paraqitur atyre. Ebu Hanifja po ashtu shikonte në sjelljet e nxënësve të tij nga e cila ata i vështronte dhe kujdesej për to, në qoftë se ndonjërin e shihte se nga dituri e ka goditur mendjemadhësia atij ia largonte atë sëmundje me disa prova gjersa të ndjehej se akoma ka nevojë më shumë për vlerësime të njohjes ashtu si me Ebu Jusufin lidhje me çështjen e rrobaqepësit. Ebu Hanifja gjithashtu i këshillonte ata, e veçanërisht ata të cilët ishin të dalluar te ai, si Ebu Jusufin dhe të tjerë që i këshilloi. Po ashtu prej studentëve disa i bëri shok dhe se për ata flijonte shpirtin bile edhe u thoshte atyre: Ju jeni lumturia e zemrës dhe largues të brengave të mia.
Fikhu i Ebu Hanifes
Nuk është e njohur ndonjë vepër e Ebu Hanifes lidhje me shkencën e fikhut, ngase në kohën e tij nuk ka qenë ië përhapur shkrimi i librave. Sahabet të cilët ishin muxhtehidë nuk lejonin që të regjistroheshin fetvatë e tyre që të mbetet vetëm e vetëm libri i All-llahut i regjistruar, pastaj dijetarët u detyruan që të regjistrojnë sunnetin dhe të regjistrojnë fetvatë dhe fikhun.
Nxënësit e Ebu Hanifes regjistronin mendimet e tij, gjithashtu ndonjë herë ai ua diktonte vetë ato. Ndërsa mendimet e tij të regjistruara në librat e Imam Muhamedit janë nga mësuesi i tij Ebu Jusufi dhe të tjerë, gjithashtu disa janë që i ka dëgjuar edhe vetë nga Ebu Hanifja. Ngase mosha e tij nuk ishte e mjaftueshme që të regjistrojë gjithë atë që është shkruar nga Ebu Hanifja, sepse Ebu Hanifja kur ka vdekur ai ka pasur tetëmbëdhjetë vjetë. Imam Muhamedi gjithçka çka ka shkruar i ka marrë nga koleksionet e regjistruara të cilat kanë qenë të njohura nga nxënësit e Ebu Hanifes. Ndërsa ata të cilët i përshkruajnë libra Ebu Hanifes ose siç thonë se ka shkruar lidhje me shkencën e fikhut. Kjo thënie e tyre është se nxënësit e tij i kanë shënuar mendimet e tij nën rudaktimin dhe kontrollimin e Ebu Hanifes ndonjëherë, kështu që nxënësit e tij botuan libra të ndara në kapituj të radhitura duke filluar me pastërtinë, namazin dhe pastaj me adhurimet tjera me radhë (El-Ibadat), pastaj me marrëdhëniet civile (El-Muamelat) dhe më pas e përfunduar me çështjen e trashëgimisë. Ndërsa fillimi nga pastërtia dhe namazi është se personi i obliguar pas besimit të vërtetë me sendin e parë të cilin duhet të jetë i përgjegjshëm është namazi, ngase ai është më i veçanti nga adhurime dhe më i përgjithshmi për nga obligueshmëria.
Musnedi i Ebu Hanifes
Ebu Jusufi ka përmbledhur një sërë transmetimesh nga Ebu Hanifja të cilën e ka quajtur “El-Athar”. Gjithashtu edhe Muhamedi ka përmbledh një sërë transmetimesh të cilën edhe ky e quan “El-Athar”. Ibn Haxher El-Askalani në librin “Teaxhilu’l-Menfa’” thotë: Musnedi i Ebu Hanifes nuk është nga përmbledhja e tij, ndërsa kjo është nga hadithet e Ebu Hanifes e cila është nga libri “El-Athar” të cilën e transmeton Muhamed bin Hasani, gjithashtu një vepër e tillë është edhe nga Ebu Jusufi para tij.
Haxhi Halife në librin “Keshfu’dh-Dhunun” e përmend transmetimin e “Musnedit të Ebu Hanifes”, mospajtimet, përmbledhjen dhe radhitjen e saj. Gjithashtu përmend se “Musnedi i Ebu Hanifes” është e arritur nga pesëmbëdhjetë transmetime (rrugë) e cila është përmbledhur nga dijetarë të zgjedhur të hadithit. Këto transmetime nuk paraqesin dyshime në autenticitetin e transmetimit të kësaj vepre në përgjithësi. Ndërsa senedi (zinxhirë i transmetuesve) më i fuqishëm është transmetimi “El-Athar i Ebu Jusufit” dhe “El-Athar i Muhamedit.”
Burimet e fikhut sipas Ebu Hanifes
Në librin “Tarihu’l-Bagdad” transmetohet nga Ebu Hanifja i cili ka thënë: “Unë bazohem në Kur’an, në qoftë se nuk gjej në të (argument), atëherë në Sunnetin e të Dërguarit të All-llahut, por, në qoftë se nuk gjejë as në Librin e All-llahut dhe as në Sunnetin e të Dërguarit të All-llahut, atëherë bazohem në thëniet e sahabeve dhe marr nga mendimet e cilit sahabi dua dhe e braktisi cilin dua prej tyre. Nuk dalë prej mendimit të tyre gjersa të gjej argument nga mendimet e tyre në mendimet e të tjerëve, por kur vjen fjala te Ibrahim En-Nehaiu, Ibn Sirini, Hasani[7], ‘Atau, Sejjid bin Musejjebi dhe një numër prej burrave të cilët kanë qenë kompetent për dhënie gjykime personale (ixhtihad) edhe unë bëjë ixhtihad ashtu siç kanë bërë ata.”
Në librin “El-Menakib” të El-Mekiut thuhet: Ebu Hanifja ka qenë gjurmues i madh në lidhje me En-Nasihun dhe El-Mensuhin (Pezullimin), ka vepruar me hadith i cili është vërtetuar te ai se është nga Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe shokët e tij. Ky e ka njohur mirë hadithin e Kufes dhe ka qenë ndjekës i madh në traditën e cila ishte në vendin e tij. Gjithashtu në këtë vepër thuhet: Mendimi i Ebu Hanifes është që dituria të merret prej njerëzve të besueshëm, të larguarit nga të këqijat, të shikuarit në praktikën e njerëzve (traditën) dhe ajo e cila çon drejt saj dhe gjendjen e shëndoshë të saj. Ebu Hanifja gjithashtu i zgjidhte problemet me kijas (analogji), në qoftë se çështja nuk jepte përfundim të mirë me analogji atëherë vepronte me istihsanin (preferencën juridike), në qoftë se edhe me istihasanin nuk arrihej atëherë kthehej në atë çka vepronin myslimanët (urfit - traditës). Të gjitha këto tekste janë argumente të cilat implikojnë burimet e fikhut të Ebu Hanifes.
Nga kjo kuptohet se burimi i parë është Kur’ani, i dyti Sunneti, i treti ixhmai (konsensusi) i sahabeve dhe mospajtimet e sahabeve në disa çështje nuk i ka braktisur që të merrë mendimet e të tjerëve, por zgjidhte nga qëndrimet e tyre cilën e donte dhe se dëshira e tij ishte e ndërlidhur me atë çka bënte analogji sipas teorisë së tij ose më shumë e përputhur në nxjerrjen e dispozitave nga Kur’ani dhe Sunneti. Burimi i dytë tregon ndjekjen e tij në të (traditën) çka ishin njerëzit e qytetit të tij dhe ata të cilët pasonin në atë çka ishin njerëzit e qytetit të tij dhe se më e mirë është që të pasohet në atë çka janë të gjithë fukahatë (juristët). Burimi i tretë tregon se në qoftë se nuk ekziston tekst në Kur’an dhe Sunnet ose në qëndrimet e sahabeve, atëherë vepron me kijasin (analogjinë) në atë që mund të implikohet, në qoftë se nuk mund të implikohet në atë çka mund të arrihet me kijas, atëherë vepronte me istihsan (preferencë juridike) në atë çështje që mund të veprohej me të, e në qoftë se jo, atëherë vepronte në bazë të urfit (të drejtës së traditës).
Perktheu: Muin Sulejmani