Kushdo që të ishin këta dhunues, veprimi i vandalizuesve tregonte mungesë burrërie që ballafaqoheshin me njerëz të vdekur, duke dëshmuar kështu sa të dobët ishin edhe moralisht, por pse duhej të etiketoheshin një grup njerëzish mbi baza religjioze, kur ende nuk ishte zbardhur asnjë detaj mbi aktorët e këtij krimi! Dikush mezi priste që në Kosovë të kishte akte të shëmtuara “në emër të Allahut”, që ta ‘dekoronin’ me “fashizmin Islamik”, siç do të bënte më së fundi edhe Baton Haxhiu [Tema, 16.7.2013]. Por fashizmi islamik, sot pak më i ftohët, në një kohë hyri në qendër të debateve botërore, me përkrahje e reagime nga të gjitha anët.
Ne mund ta marrim me mend se për çfarë, kreu socialist Edi Rama, e cilësonte qeverinë e Berishës si: “fashizëm oriental”. Për çfarë Dr. Mirolub Jevtiqi, kur fliste për Kosovën, thoshte se: “Islami krijon një fashizëm... më të vrazhdë se... Hitleri” [Bota Sot, 14.10.1998]. E dimë çfarë i duhej edhe ish-presidenti Bush, kur thoshte se populli amerikan: “është në luftë me fashizmin islamik” [NYT, 13.8.2006], të cilët urrejnë “lirinë” [N.Y.S, 11-13.8.2006]! Apo kryeministri britanik Tony Blair, kur fliste për “islamofashistët që janë të bashkuar me urrejtje ndaj nesh...” [WSJ, 11.8.2006]. Jo z. President – i shkruante asokohe Nicola Nesser – ata u urrejnë për shkak të administratës tuaj, që dekada me radhë i ka shtypur dhe i ka shfrytëzuar [Asian Tribune, 29.9.2006]. Përdoruesit e këtij termi janë “të pafajshëm” kur janë të rrethuar me injorancë dhe nuk i njohin kuptimet e termeve “fashizëm” dhe “islamik”, por kur këtë e përdorë një profesor filozofie e një këshilltarë politik ose një gazetar siç është Baton Haxhiu, çështja ndryshon!
Që nga Islamofobia, Fundamentalizmi Islamik, ekstremizmi Islamik, fanatizmi Islamik, Islami politik, Islami religjion i dhunës, terrorizmi Islamik e deri te fashizmi Islamik, Bullaçi i konsideron pjesë të tezës së “Përplasjes së Qytetërimeve” të Huntington-it dhe Lewis-it! Një term që synon “demonizimin” e muslimanëve dhe botës islame, duke përdorur fenë e tyre, secili për qëllimet e veta. Bie fjala, në Lindjen e Mesme përdoret nga neo-konservatorët në fushën e operacioneve të organizuara, ndërsa në Europë në fushën e “ksenofobisë dhe diskriminimit racor” [Ecconomist, 31.72007].
Termi “Islamo-fashizëm” u kritikua nga shumë studiues të njohur [New Republic, 8.4.2010]. Historiani Ferguson dhe studiuesi Codevilla e konsideronin historikisht të pasaktë dhe qëllimkeq. Ferguson-i shkruante se vetë termi ‘islamo-fashizëm’ është koncept qëllimkeq’, pa asnjë lidhje virtuale me “Al Kaidën” [Ferguson: 2006]. Po ashtu edhe Richard Alan Nelson-i e kritikonte përdorimin e këtij termi në të gjitha rastet propaganduese: “Islamo-fashizmi nuk është gjë tjeter veç se një term i zbrazët propagandistik, që në kohë lufte synon të prodhojë histeri dhe shkatërrim të çdo lloji. Përdoruesit e termave të këtillë, janë të interesuar më shumë të humbin kokat tona, sesa të ruajnë kokat e veta” [Nelson: 1996]! Në paralelizimin e Islamit me fashizmin, ata nuk mund të gjenin asnjë karakteristikë a lidhje ekstremiste, duke cituar, në fakt, se në aspektin religjioz, fashizmi ishte pjellë e katolicizmit nën Benito Musolinin e Italisë ose të Francisco Franco’s së Spanjës [Boston Globe, 21.1.2008]. Max Blumenthal, e etiketonte si “një kryqëzatë të madhe islamofobe”, të pseudo-intelektualëve, neofashistëve evropian, izraelitëve të dhunshëm dhe shpresës së presidentit të republikanëve në krye të kryqëzatave [AntiWar.com, 20 dhjetor 2010]. Ndërkohë që Hedges e shikonte më shumë si rrjedhojë e rritjes së të djathtës së krishterë ektremiste në Amerikë, që synonte krijimin e një shtetit teokratik, të bazuar në ligjin biblik [truthdig.com, 7.6.2010].
Kur profesori marksist David Horowitz, në tetor të 2007-tës ligjëroi në “Columbia University”, të shumtë qenë studentët që reaguan ashpër ndaj shprehjes së tij “fashizëm islamik” [CDS, 8.10.2007]. Ata e akuzuan për shprehjet e tij agresive, vulgare, raciste e islamofobe dhe e kritikuan haptas, duke e quajtur konspirator, racist e ofendues për të gjithë muslimanët e botës. Studenti Sholmo Bolts e quajti armik me mungesë të përgatitjes akademike, kurse Dan Peyser-i tha se atij “nuk duhet t'i lejohet platformë për ligjërata...”, se ai s’është gjë tjetër, veçse një mbrojtës i regjimin të shëmtuar të Bushit [CDS, 22.10.2007], që ndjek një “politikë pornografike” [CDS, 25.10.2007].
Ata që protestuan fuqimisht kundër ligjëratës së Horowitz-it, ishin studentë të rregullt, profesorë nga Atalanta, studentë nga “Emory University”, nga “Amnesty International”, nga “Students for Justice in Palestine”, “Muslim Students Asociation”, etj [Daily Bruin, tetor 2007]. Këtu, megjithatë, nuk ngjau sikurse në ligjëratën që mbajti në “Emory University”, kur studentët i kërkuan policisë ta zbriste Horowitz-in nga bina mu në mesin e ligjëratës. Por, edhe këtu kundërshtitë qenë të forta. Me të filluar ligjëratën, Horowitz-i tha: “Unë nuk mendoj se ka edhe një religjion tjetër si islamin, që e bën të shenjtin nga vrasësi”. Menjëherë reagoj studenti J. Porter-i: “e di unë një, është Krishterimi që posedon ‘të ‘shenjtë’ përkundër islamit që nuk njeh njerëz të shenjtë. Dy më të favorshmit për mua janë Shën Luisi që vriste muslimanë, tek humbaste betejen në Kryqëzatën e Dytë. Tjetri është Shën Gjergji, një ushtar romak që meritën më të madhe e mori në kasaphane mbi njerëzit”. Porter-i nuk kishte dalë në mbrojtje të Islamit, por kundër racizmit: “Derisa islamo-fashizmi me sukses mbjell racizmin, injorancën e impotencën, ne duhet të gjejmë një term tjetër, unë e kam një ‘republikano-fashist siç është vetë Horowitz-i” [CDS, 26.10.2007].
Po kështu edhe eksperti i sigurisë, Daniel Benjamin, studuesi i shkencave politike Norman Finkelstein dhe kolumnisti Daniel Larison (për: “The American Conservative”), e kanë nënvizuar si propagandë të papranueshme dhe të pasaktë pretendimin se xhihadistët ose kushdo tjetër që lidhet me këtë term, e kanë përqafuar ideologjinë fashiste të Musolinit. Sipas tyre, ky lloj propagande synonte influencën dhe ushqente audiencën me emocione për ta përdorur në mesazhe njëanësore propaganduese, për qëllimet e atyre që mbajnë në dorë konglomeratin mediatik.
Në shkrimet e dy artikujve të ndryshëm, autorët që kishin studiuar fashizmin japonez në vitet e ’30-ta e të ’40-ta dhe kishin diskutuar definicione të ndryshme mbi fashizmin, përdorimin e tij në rastin e japonezëve, nuk posedonin asnjë definicion që mund ta lidhnin me Islamin dhe as me vendet islame [Boston Globe, 8.11.2007]!
Sigurisht që Horowitz-i nuk mbeti i vetëm në mendimin e tij. Me termin “islamo-fashist”, Schwartz-i [Schwartz: 2006] dhe Hitchens-i definonin “ekstremistët islamikë” dhe grupet terroriste, siç ishte “Al Kaida” “Hamas”, “Hasbullah”, Talibani, Vëllazëria muslimane, etj. Në përpjekje të vendosjes së lidhjes historike të termeve “fashizëm” dhe “islamo-fashizëm” [Washington Times, 1.9.2006], Hitchens-i ‘argumentonte’ se: “të dyja lëvizjet bazohen në kultin e vrasjeve... të dy e kundërshtojnë modernitetin... dhe të dy kanë nastolgji për perandoritë e perënduara... Që të dyja janë anti-çifute dhe anti-masone... Që të dyja i kanë shpallë luftë seksit, në veçanti devijimeve seksuale... Të dyja janë kundër literaturës degjeneruese dhe po të dyja djegin libra e shembin muze...” [Hitchens: 2007].
Ngjashëm me këto, filozofi ateist francez Michel Onfray, i përdoron termat “fashizëm islamik” dhe “fashizëm musliman”, të lindura – sipas tij – në Revolocionin Islamik të Homeinit në Iran [Onfray: 2007]. William Safire mendonte se përdorimi i parë i termit “islamo-fashist” [NYT, 8.8.2007] ishte bërë nga Malise Ruthven-i, kur shkruante në “The Independent”, për të definuar qeveritë autoritariane nga Maroko në Pakistan [Ruthven: 1990], ndërsa Scruton, ja lë ‘meritën’ fillestare marksistit francez Maxine Rodinson (1915-2004), për të paraqitur Revolocionin Iranian të 1978-tës, fillimisht si “fundamentalizëm Islamik” [Barr: 1984]. Tepria e Rodinsonit ishte që të quante “fashiste” secilën lëvizje, me të cilën ai nuk pajtohej [WSJ, 17.82006]. Kurse Safire implementonte edhe frazën “fashizëm me fytyrë islame”, në rastin ku termi “islam” mund të zëvendësohej me cilindo term tjetër, pavarësisht kuptimit që ka në vete. Jaffery Herf-i e konsideronte si një unitet të urrejtjes ndaj çifutëve dhe aspiratave zioniste [Republic, 4.2010], ndërsa Michael Howard-i e vendoste ndërmjet ideologjisë fashiste dhe vehabizmit [Ruthven: 2002]. Ndërkohë “New Oxford American Dictionary” e lidhte me lëvizjen politike të fillimshekullit të XX-të në Evropë.
Në vështrim kritik, “fashizmi Islamik” ishte një fenomen modern i shekullit XX, i dizajnuar me qëllim që të ushqente rininë me fiksime utopike, prej të cilave bota duhej të çlirohej. Ishte diçka që vendet demokratike e kishin shpenzuar gjithë shekullin XX duke e luftuar, sepse ishte kundër demokracisë, kundër shprehjes së lirë, kundër të drejtave njerëzore, urrejtës ndaj çifutëve, ateistëve dhe homoseksualëve dhe kundër lirisë së femrave!
Silverman-i pajtohej me Hitchens-in dhe përpiqej me “dëshmi” më shumë qesharake se shkencore, të krijonte ‘gogolin islamik’, për të cilin termi ‘fashizëm’ ishte shumë i butë, pasi – sipas tij – islami kishte qenë gjithmonë organizatë politike imperialiste, që kishte synuar të udhëhiqte botën dhe t’i mbante popujt e tjerë nën sundim, nga Persia në Indi, nga Spanja në Lindjen e Largët. Sipas tij, zgjidhja e vetme ishte shkatërrimi i këtij fashizmi, ngjashëm me shkatërrimin e komunizmit, por për këtë do të duhej një kohë më e gjatë, ndoshta dy-tre dekada “lufte të ftoftë”, ndoshta edhe 2-3 luftëra të nxehta! Veçse “Islamo-fashizmi” do të humbiste, kurse demokracia do të ngadhënjente [Silverman: 2012].
Debati më i nxehtë filloj kur shprehjet “Islamo-fashizëm” dhe “Islamo-fashist” (2005 - 2006) i përdori ish-Presidenti George W. Bush, me çka po tregonte një gjë shumë të keqe dhe ne duhej të fillonim me një “të mirë” – kryqëzatë kundër tyre, sepse: ”Ky komb (amerikan) është në luftë me ‘fashizmin islamik’ që përdorë gjithçka për të shkatërruar ata që duan lirinë”. Bushi ishte shprehur qartë: “Dikush e quan këtë djallëzi e radikalizmit islamik, dikush tjetër militantizëm xhihadist, të tjerët islamofashizëm...” [NY Post, 11.8.2006]
Por, reagimet qenë të shumta [Review of Books,21.9.2006]. Për çudinë e madhe – thoshte Ignatius-i – Musolini dhe Hitleri ishin të krishterë dhe asnjëherë nuk u quajtën “kristjano-fashistë”, nuk u përfshinë të gjithë të krishterët dhe nuk u konsiderua asnjë lidhje fetare mes tyre! [Ignatius: 2006]. Ndërkohë, Ralph Peters-i e përdorte këtë shprehje për t’i dhënë të drejtë Izraelit që kishte sulmuar “terroristët” brenda shtetit të Libanit, se kështu “të mirët” po sulmonin “të këqijtë” për hir të “paqes në botë” [NY Post, 20.8.2006].
Reagime të shumta në adresë të Bushit erdhën edhe nga opozita demokratike, një lojë e zakonshme politike, më i ashpri i të cilëve qe senatori i Wisconsin-it – Russ Feingold, që e akuzonte Bushin për faj të rëndë të krahasimit të Islamit me fashizmin. Për kritikun Krugman nuk ekzistonte diçka që quhej “islamo-fashizëm”, nuk ishte ideologji, ishte vetëm një fragment imagjinate, një term që përdorej për të fajësuar Sadam Huseinin kur Amerika filloi luftë ilegale kundër Irakut [NY Times, 29 tetor 2007].
Historiani britanik Andrew Roberts vazhdimisht e këshillonte presidentin, qe me të tilla fraza, të mos bëhej shkak i ngritjes së anti-amerikanizmit në luftë “kundër terrorizmit”, ndërkohë që Mark Steyn-i e sugjeronte të mos e shpinte botën drejt një epoke të errësirës, ku Amerika do ta kishte të vështirë mbijetesën si “një qiri i vetmuar i lirisë” [Asia Times, 20.3.2007], një rrezik që vetë Bushi po e krijonte, duke e ndarë kështu botën Islame dhe jo-Islame” [Haaretz, 1.9.2007]. Por, reagimi i parë në adresë të Bushit i erdhi nga “Council on American Islamic Relations”, që i tërhiqte vërejtjen se përdorimi i një termi të tillë mund ta transferonte luftën ‘kundër terrorizmit’ në ‘luftë kundër Islamit’ [Christian Science Monitor, 23.2.2007]. Këtë përshtypje mbante edhe “The National Sacurity Network”!” Kështu, sipas “Asociated Press” [prill-2008], “Agjencia Federale e Amerikës” bashkë me “Departamentin e Shtetit” dhe me “Departamentin e Sigurisë Shtetërore”, sugjeronin ndërprerjen e përdorimit të termit “islamo-fashizëm”, për të mos lënduar prezantimin e luftës kundër terrorizmit në sytë e muslimanëve [Larison: 2008] ose sipas Webster-it, në përgjithësi mund vështirësonte problemin e fenomenit të terrorizmit [New Statesman, 28.62007].
Në një reagim të tillë edhe Enver Masud shkruante se: “Islami nuk arrin definicionin e fashizmit… kur një komunitet muslimanësh (Ummah) kishte një autoritet qendror (Kalifat) nuk ishte as totalitarise e as fashiste” [The Wisdom Fund, 31.8.2006]. Kurse Eric S. Margolis në “The Big Lie About 'Islamic Fascism" e kundërshtonte termin, duke e lidhur me suksesin e luftërave, të ngjalljes së frikës nga invadimet e huaja e me kërcënime nacionale, për ta mbajtur popullin në ‘dhunën e frikës’. Sipas Margolis-it, “ironikisht të gjitha regjimet totalitare në vendet islame janë aleatë të SHBA-ve”. Ai nuk gjen asgjë nga bota islame që mund ta lidhë me fashizmin e botës perëndimore! Kurse J.B. Priestly pretendonte se edhe kjo, si të gjitha propagandat e tjera, synonte ngjalljen e frikës, pasi zyrtarët e dinë se mbi një popull të frikësuar mund të sundojnë më e lehtë! Amerika me këtë ‘islamofashizëm’ – thoshte ai – edhe nëse e fiton politikën, do ta humbë historinë! [The Wisdom Fund, 6.9.2006]. Me këtë droje edhe Karen Hughes, zyrtar i Diplomacisë Publike për Departamentin e Shtetit, i thoshte CNN-it, të mos përdorte termin ‘islamo-fashizëm’ se po keqinterpretohej rreth botës, kurse David Gergen-i (ish-shkrues i fjalimeve të presidentit Nixon), kërkonte të gjendej një frazë e përshtatshme që kishte një kuptim për botën arabe, pasi fraza ‘islamo-fashizëm’ atje nuk kishte asnjë kuptim [NYTimes 24.9.2006].
Përdorimi i termit “Islamo-fashizëm” për të definuar “doktrinën e islamit radikal”, kishte ngjallur reagime nga media të ndryshme, organizata e individë, që e pretendonin si një shembull islamofobie. Në tetor 2007, për shembull, revista “The Nation” kishte cituar Elizabeth Castellin, profesoreshë në “Bernard College”, që e konsideronte “islamo-fashizmin” si term të fiksuar e të dizajnuar nga qarqe të caktuara, për të impozuar ‘argumente’ për interesa individuale të atyre që posedonin pozita! Po në këtë kohë “Daily Kos” shkruante: ”edhe nëse ekzistojnë radikalët islamikë, që promovojnë teokracinë, termi i “fashizmit islamik” është qëllimkeq. Në fakt, rasti i vetëm që unë njoh në këtë moment, që mund të them se po promovon fashizmin në Amerikë është “American religious right's”, që po formojnë ndjekës të prishur me veti fashiste dhe me synim të teokracisë së krishterë”.
Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, për fashistët ‘i keqi’ dhe ‘i shëmtuari’ ishte socializmi! Filozofi gjerman Martin Heidegger u kishte shkruar një letër të hapur studentëve të Freiburg-ut (nëntor-1933): “Doktrinat e ideologjitë nuk duhet më ta qeverisin ekzistencën tonë. Vetë Fyehrer-i dhe askush tjetër është e tashmja dhe e ardhmja e realitetit gjerman”. Hitleri thoshte: “Ata që në Socializmin Nacional nuk shohin ndryshe vetëm si lëvizje politike, nuk dinë asgjë për të”. George Seldes-i më 1934 e analizonte çështjen kështu: “Në Rusinë Sovjetike shteti posedon industrinë, në të kundërtën industria e posedon shtetin”. Vetë George Bernard Shaw në veprën e vet muzikore e quante fashizmin “kapitalizëm diktatorial”, kurse fashizmi spanjoll, që ngadhënjeu më 1939 nën diktatorin Franco, kishte adoptuar sloganin absurd: “Rroftë vdekja – Poshtë inteligjenca”.
Sipas kritikëve tani, termi “islamo-fashizëm” nuk kishte asnjë domethënie, përdorej qëllimisht prej atyre që donin të manipulonin me islamin, ashtu siç kishte bërë marksisti David Horowitz. Por, ata që i gjurmonin origjinën e termit, niseshin nga termi “fashizëm me fytyrë njeriu”, më pas “socializëm me fytyrë njeriu”, që ishte përdor prej kohës së invazionit sovjetik të Çekosllovakisë! Më 2001 ateisti Christopher Hitchens, tek fliste për terrorizmin, përdoroi shprehjen “fashizëm me fytyrë islame”. Sipas Gorge Orwell-it, në përdorimin popullor të termit ‘fashizëm’ operohej si term i qëllimshëm më shumë se një term për të specifikuar një sistem politik! Në këtë mënyrë në fjalorin e terminologjisë socialiste, ‘fashizmi’ përfitonte kuptime të shëmtuara: arrogancë, obskuranizëm, antiliberalë, gjithçka që ishte kundër klasës punëtore! Ishte thjeshtë një anti-socializëm!
Pas Luftës së Dytë Botërore, sikur mbeti një term pa referencë ideologjike, ndoshta për shkak se ideologjia e regjimit të vërtetë fashist pretendonte të posedonte më shumë komponentë politikë e kombëtarë sesa ideologjikë! Në raste të veçanta përdorej edhe fraza “fashizëm katolik”, në rastin kur kisha katolike mbështeste Franco-n ose “fashizmi i krishterë”, për të demonizuar të drejtat evangjelike. Njëjtë përdorej edhe “fashizmi çifut”, për të kundërshtuar ekspansionizmin izraelit. Në këtë mënyrë pastaj doli “islamo-fashizmi”, që kishte për qëllim legalizimin ‘fetar’ të shtypjes në botën Islame [Columbia Daily Spectator, 22.10.2007].
Sot fashizmi nuk është gjë tjetër, veçse një “fuqi” pa principe, kurse manipuluesve u vjen për dore si shprehje, për ta shëmtuar një gjë. është thjeshtë një term i zbrazur propagandistik, që e përdorin përkrahësit e të ashtuquajturit “luftë kundër terrorit” [Words in Wartime, 18.4.2006] ose në rastin shqiptar “alarm kundër islamit”...