Transformimet shpirtërore

Diskurset e fundit rreth identitetit kosovar te shumë të rinj e kanë zbehur ndjenjën e nacionalizmit shqiptar, madje shumë prej tyre, të zhgënjyer nga joefikasitetit i diskursit nacionalist në zhvillimin e tyre shpirtëror dhe intelektual, kanë filluar të gjejnë strehim në religjione të ndryshme, veçanërisht atë islam. Megjithëse në shekullin XX shkenca u vetëshpall si sfiduese e fesë, tani vërejmë që një gjë të tillë e pranojnë vetë shkencëtarët – se feja jo vetëm që s’është zhdukur nga njeriu modern, por ajo dita-ditës gjithnjë po bëhet kasolle strehimi për shumë njerëz. Shoqëria shqiptare gjatë shekujve ishte fetare si çdo shoqëri tjetër tradicionale e botës. Ndërkaq, me instalimin e sistemeve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi (Maqedoni dhe Kosovë), ajo përjetoi një transformim të dhunshëm shpirtëror. Lufta kundër fesë më ashpër u zhvillua në sistemin arsimor të komunizmit, ndërsa vazhdon edhe sot e kësaj dite nëpërmjet aparaturave hegjemonike të liberalizmit. Gjatë kësaj periudhe të modernizimit të shoqërisë shqiptare, e cila vazhdon edhe sot, sidomos në rajonet rurale të Kosovës dhe Maqedonisë, shohim një largim nga tradita, në përgjithësi, dhe nga feja, në veçanti. Dëgjojmë shpesh të thuhet se shoqëria shqiptare po përjeton një periudhë të vështirë të tranzicionit, ndërsa për mua tranzicioni s’është gjë tjetër pos një ‘urë’ për kalimin e shoqërisë shqiptare nga tradicionalja/fetarja te modernizmi. Edhe pse shoqëria jonë në mënyrë të pavetëdijshme është duke përjetuar një modernizim ose evropianizim të egër në të gjitha dimensionet e jetës, megjithatë shohim një numër të madh të të rinjve të cilët bëhen fetarë të devotshëm. Shumë nga këta të rinj ose u takojnë familjeve të modernizuara shqiptare ose vijnë nga familjet e varfra rurale. Pra, siç shihet, të rinjtë shqiptarë, të cilët zgjedhin të jenë besimtarë muslimanë, vijnë nga një rreth ku nuk ka ekzistuar një traditë fetare. Këta të rinj duhet të njihen me të vërtetat e fesë dhe do të ishte një shërbim që atyre t’u krijohen rrethana për hulumtim dhe arsimim të duhur fetar; përndryshe mund të bëhen viktimë e ideologjive, politikave dhe misionarëve të ndryshëm. 

Feja ka dy lloj veprimtarish: feja poseduese e së vërtetës dhe feja si krijuese e identitetit. Pra, islami luan dy role; në njërën anë njeriut ia dhuron të vërtetën dhe, në anën tjetër, atij ia krijon identitetin. Feja islame i përmban të gjitha elementet për t’i luajtur këto role. Megjithatë s’duhet harruar se identiteti fetar pa të vërtetën fetare nuk ka asnjë efekt dhe është i destinuar të dështojë. Ndonjëherë ndodhë që individi të zgjedhë një fe për të arritur deri te një identitet, ngase njeriu nuk mund të jetojë pa identitet. Kur ndodhë që një individ përjeton krizë identiteti, atëherë për të shpëtuar nga kjo krizë, ai kërkon një element që atij i jep identitet. Fetë gjatë historisë gjithnjë kanë pasur mision dhe kanë qenë ndër elementet më të rëndësishme të krijimit të identitetit. Këtë mund ta quajmë islam i identitetit ose fe e identitetit. Identiteti fetar është i nevojshëm për një shoqëri, sepse ajo jeton, frymon dhe zhvillohet sipas këtij identiteti. Por, ‘vërtetësia’ e fesë është diçka e përjetshme dhe lypset krijuar një ekuilibër mes identitetit dhe të vërtetës. Feja, e cila tërësisht shndërrohet në identitet, pa të vërtetën mund të sjellë fundamentalizmin, dhunën dhe konfliktin. 

Mund të hasim një ngjashmëri të madhe të fesë me elementet tjerë që krijojnë identitet, siç janë kombi, etnia, raca, civilizimi, etj.. Kështu edhe në qoftë se feja merret vetëm si identitet, e zhveshur nga vërtetësia e saj, atëherë duhet të presim rreziqe të mëdha për shoqërinë. Njëra nga pasojat më të mëdha është konflikti me identitetet e tjera. Gjatë historisë shohim se luftërat fetare dhe sektare janë zhvilluar për shkak të dallimeve identitetare dhe ideologjike fetare. Një pasoj tjetër është se nuk i kushtohet vëmendje të vërtetës, por çdo gjë harxhohet për identitet dhe konflikt me të tjerët. Këtu kemi një zhveshje nga qasjet konceptuale dhe botëkuptimore, ngase ato fokusohen absolutisht në gjërat e dukshme (të jashtme) dhe vëmendja vihet vetëm në interesat e jashtme të identitetit fetar. Në një qasje të tillë për individin nuk është me rëndësi fare se cila shkollë është e vërtetë, cila e devijuar ose çfarë thotë ajo. Për të është me rëndësi të thuhet: unë i takoj kësaj feje, jam pjesëtar i atij sekti ose i takoj këtij xhemati dhe për mua nuk ekziston gjë tjetër. Për një individ të tillë më me rëndësi është fjala ose qëndrimi i liderit a klerikut, të cilin ai e ndjek, sesa e vërteta.  

Identiteti fetar mund të posedojë edhe ngjyrime e elemente të kulturave, vendeve dhe mendësive të ndryshme islame. Kemi identitete fetare turke, arabe, iraniane, boshnjake, shqiptare etj. Kështu, megjithëse bërthamë e të gjitha këtyre është e vërteta islame, përsëri ekzistojnë dallime të dukshme. Këto dallime, nëse nuk shoqërohen me dije, kulturë dhe racionalitet, mund të krijojnë përçarje dhe konflikte. Shoqëria jonë, për shkak të rrethanave historike dhe aktuale, sot është dëshmitare e disa identiteteve fetare islame. Për dallim nga shoqëritë tjera islame, këto identitete të reja fetare te ne janë krijuar në dekadat e fundit, pra nuk kanë ekzistuar më herët. Me një realitetit të llojit të këtillë nuk përballen sot vendet e mëdha islame, siç janë Turqia, Irani, Egjipti, Arabia Saudite, etj., sepse ato kanë universitetet dhe shkollat e tyre teologjike dhe përgatisin kuadro sipas interesave, kërkesave dhe realiteteve të tyre shoqërore. Duke e pasur parasysh këtë realitet, sot në shoqërinë islame shqiptare, përveç identitetit tradicional fetar, kemi edhe identitete të tjera. Këto identitete janë krijuar nga hoxhallarët, të cilët kanë studiuar nëpër vende të ndryshme islame dhe këtu, përveç dijeve islame, kanë sjellë edhe kulturat, identitetet dhe mendësitë e atyre vendeve, ku kanë studiuar. Prandaj lirisht mund të pohohet se sot kemi një pluralizëm të identiteteve fetare. Edhe pse në shoqëri kemi edhe grupe të tjera të fesë islame, siç janë bektashinjtë dhe rendet e tjera sufiste, ata nuk përbëjnë ndonjë identitet të caktuar fetar, për arsye se janë shkrirë në identitetin modern të shoqërisë. 

Këtu nuk duhet harruar se ne kemi edhe një islam të vërtetë: ekzistojnë persona, të cilët e zgjedhin këtë islam jo për arsye të identitetit, por për shkak të vërtetësisë së tij. Padyshim se kur zgjidhet vetëm për hir të së vërtetës, ai krijon edhe identitet, por në këtë rast identiteti s’është element themelor, por është dytësor. Ne mund të shpëtojmë nga pasojat e identitetit vetëm kur të vërtetën e vendosim përpara identitetit. Pra, vetëm në rast kur fenë e pranojmë dhe e besojmë vetëm si të vërtetë, e jo vetëm si një identitet që na bën të dallohemi nga të tjerët.  

Shokët e Pejgamberit nuk u rreshtuan pas tij vetëm se pse feja e tij u jepte identitet. Ata i tërhiqte mbi të gjitha qasja ndryshe ndaj jetës, ndaj krijimit dhe botës tjetër dhe islami atyre u jepte një botëkuptim tjetër për çdo gjë. Këta persona, të dashuruar pas të vërtetës, arritën të krijonin identitet dhe civilizim madhështor, por një gjë të tillë nuk e bënë vetëm që të krijonin një identitet dhe asgjë tjetër. Ata kishin mësuar dhe besuar të vërtetën dhe pa pasur kohë të mendojnë shumë për dukjen e jashtme, iu kishin përvjelë punës dhe kishin arritur të krijojnë civilizimin më me ndikim në historinë njerëzore. Në imagjinatën e asnjë muslimani të atëhershëm s’ka ekzistuar ideja se ne jemi duke krijuar një kulturë ose  civilizim të madh. Një gjë të tillë më pas e thanë historianët. Por, ata muslimanë ishin thellë të bindur se kishin gjetur të vërtetën dhe shprehnin gatishmëri të sakrifikonin çdo gjë për të. Për muslimanët në rend të parë duhet të zërë vend e vërteta. Kur e vërteta të depërtojë dhe të vendoset mirë në zemrat e muslimanëve, pastaj ajo vetvetiu dhuron edhe identitet.  

Duhet pasur kujdes që fenë mos ta shndërrojmë vetëm në identitet dhe të përpiqemi të veprojmë vetëm për t’u dalluar nga të tjerët, sepse shkollat dhe ideologjitë njerëzore janë ato të cilat duan të krijojnë vetëm identitet dhe të përfitojnë sa më shumë ithtarë e pasues. Në qoftë se fokusohemi vetëm në identitet të zhveshur nga e vërteta, atëherë përçarjet dhe ndarjet mes vete do të jenë më të dukshme. Identiteti luan rolin e lëvozhgës dhe është i nevojshëm për ruajtjen e bërthamës, por ekzistenca e tij është e nevojshme vetëm kur ekziston bërthama, përndryshe ai nuk ka asnjë vlerë. Bërthama është ajo e cila e mban gjallë shpirtin dhe mendjen e individit e jo lëvozhga, megjithëse kjo e fundit nevojitet për ruajtjen e saj. Në shoqërinë tonë hasim shumë individë, të cilët më shumë i kushtojnë rëndësi identitetit dhe elementëve përbërës të tij sesa të vërtetës. Por, një gjë nuk duhet harruar – se ideologjia, politika dhe disa misionarë me agjendë të kësaj bote më tepër i kushtojnë rëndësi identitetit, për arsye se u duhen sa më shumë pasues nëpërmjet të cilëve realizojnë projekte profitabile. Por, muslimani i vetëdijshëm, i cili të vërtetën e ka mësuar nga përpjekja e tij individuale dhe nuk e ka marrë atë si kallëp nga dikush tjetër, ai nuk lejon të bëhet viktimë e ideologjive, politikave dhe interesave të të tjerëve. Kjo është edhe arsyeja se pse shumë dijetarë muslimanë kanë kërkuar që të mos jemi vetëm pasues të verbër fetarë, por të hulumtojmë dhe vet ta gjejmë të vërtetën. Pasuria e trashëguar nga prindërit nuk është e vlefshme sa pasuria e fituar vet! E vërteta e përfituar nga hulumtimi dhe përpjekja është e pakrahasueshme me “të vërtetën” që ta japin të tjerët.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme