Piramidat e gënjeshtrës dhe panbogdanizmi shqiptaro-maqedonas

Sa janë të arsyeshme këto reagime?


Para se të ofrojmë përgjigje për këtë, duhet ta kemi të qartë se në thesarin kulturor shqiptar ekzistojnë edhe të atillë që në histori kanë hyrë përmes “dyerve të ferrit”, e që për shkencën e mirëfilltë apo për të vërtetën dhe realitetin shqiptar janë person non grata (të padëshiruar) dhe destruktiv. Pasi që për personat e atillë vërtetohet historikisht se kanë qenë njerëz me “histori të zezë”, atëherë pa hamendje ata (atë) duhet hedhur në aut, madje edhe nëse gjatë shekujve emri përkatës arriti të merr famë. Për fat të keq me emrat e tyre emërtohen edhe vatra të arsimit apo institucione arsimore, siç janë: shkollat, shoqatat, forumet, klubet e ndryshme, madje edhe Institutet etj. Gjithë kjo bëhet pa kurrfarë kujdesi ose me qëllim që “të tjerëve” t’u tregojmë se ne nuk i përfillim ata emra që nuk janë nga Perëndimi. Ndër ata personalitete për të cilin edhe më nxiti të shkruaj këto rreshta, është pikërisht Pjetër Bogdani, në të vërtetë emërtimi i Institutit Albanologjik në Shkup me këtë emër.


Në të vërtetë kush ishte Pjetër Bogdani?


Pjetër Bogdani jetoi në shekullin XVII. Pas kryerjes së shkollimit fillor do të regjistrohet në Kolegjin e Loretos, që drejtohej nga jezuitët. Të theksojmë se jezuitët ishin një grup i krishterë (sekt) të cilët morën për obligim përhapjen sa më efikase të katolicizmit. Kjo ishte një lëvizje katolike të cilën në vitin 1534 e themeloi ushtaraku dhe teologu Ignjacio Lojola (1491-1556). (www.loyola.edu/about/). Pasi që papa Pali III në vitin 1540 u njoh për së afërmi me jezuitët, ai tha: “Po këta janë gishtërinjtë e Zotit”! (www.jesuit.org/sections/default.asp). Kah fundi i shekullit XIX, rendi jezuit u inkua­drua edhe në fushatën raciste dhe më vonë edhe në atë nacional-socialiste kundër hebrenjve. Ata u inkuadruan edhe në formimin e kampeve famëkeqe të koncentrimit. (MURTEZAI, Ekrem, “Fjalor i feve”, Rilindja, Prishtinë, 2000, f. 162). Pas përfundimit të studimeve në Loreto dhe në Padovë të Italisë, Pjetër Bogdani u shugurua për prift. Më vonë sërish shkoi në Itali për studime të larta teologjike dhe filozofike, por tani në Romë, ku edhe doktoroi. Punoi si ipeshkv i Shkodrës afër 21 vjet. Nën mbikëqyrje kishte edhe arqipeshkvinë e Tivarit. Pas një kohe Vatikani e kishte emërtuar si “arqipeshkv i Shkupit dhe administrator i gjithë mbretërisë së Serbisë” (Archepiscopo Scoporom ac totivs regni Serviae administratore). (BOGDANI, Pjetër, ‘Çeta e Profetëve’, shkalla II, ligjërata III, paragrafi 3, Prishtinë, 1990. f. 60-61). Bogdani vdiq nga murtaja në dhjetor të vitit 1689.

Bogdani pati marrëdhënie mjaft të mira me Romën dhe Vjenën, i cili me mish e me shpirt angazhohej për një kryengritje kundër “okupatorit otoman”. Ndoshta ai nuk e dinte, se para se të vinin osmanët në Ballkan, e me këtë edhe në Shqipërinë etnike, osmanët turq këto vise shqiptare i gjetën të copëtuara dhe të okupuara nga joshqiptarët të cilët orvateshin për asimilim të plotë të tyre. Siç u vërtetua, osmanët kishin bërë unifikimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, madje ata edhe e ndalën procesin e asimilimit në sllav, grekë, etj., gjë për të cilën nuk dëshirojmë të flasim në këtë tekst.

Sidoqoftë, për Pjetër Bogadnin thuhet se ka qenë nga ata të cilët kanë vend qendror në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare, sidomos si prozator më i madh i saj, por njëherit edhe si poet, filozof, shkencëtar e teolog. Në rregull, gjërat pozitive duhet përkrahur pa kurrfarë hamendje, madje vlerat shkencore nuk kontestohen asnjëherë. Mirëpo, nga ana tjetër është e njohura e fshehur se Pjetër Bogdani është autor i veprës së famshme Çeta e profetëve, në të cilën mund të gjejshë çfarëdo, përpos filozofisë dhe teologjisë. Ai në “Çetën...” e tij (madje edhe në disa tekste të tjera të tij) shprehu arrogancën e ashpër ndaj muslimanëve dhe profetit të islamit - Muhammedit (a.s.) si dhe ndaj kulturës islame në përgjithësi. Ata të cilët me vëmendje e kanë lexuar veprën e Bogdanit e kanë kuptuar se për çfarë teologu dhe filozofi bëhet fjalë. Me 25.06.1675, Bogdani i dërgoi një letër Kuvendit të propagandës - ‘Propaganda Fide’ (Vatikan), nga ku kërkoi që t’i shtypet vepra.

Çka ishte dhe çka përfaqësonte ‘Propaganda fide’?! Propaganda Fide u themelua në fillim të shekullit XVII (1622) nga Papa Gërguri XV dhe ishte një organizatë brenda kishtare që orvatej për përhapjen e katolicizmit me dhunë në ato vise ku përhapja e besimeve tjera kishte marrë hov, siç ishte rasti me fenë islame në Ballkan. Në këtë propagandë krishtere me mish e shpirt u aktivizua edhe Pjetër Bogdani /Pietro Bogdano/. Aktiviteti i Pjetër Bogdanit për qëllimet e ‘Propaganda fide-së’, qartë u vërejt edhe gjatë aventurës së tij kishtare masakruese në vitin 1689, ku mori pjesë në gjenocidin kundër popullatës muslimane shqiptare që jetonin në trojet etnike shqiptare. Sidoqoftë, vepra e tij “Çeta e Profetëve” u shtyp në vitin 1685 në Padovë të Italisë. Kjo vepër ishte përkthyer edhe në italishte. Në njërën nga parathëniet e tij, ai shkruan: “Lexues të nderuar unë nuk shkrova për lavdin tim, por në dobi të të shenjtës fe”. (Pra, jo për interesat gjithëpopullore shqiptare, por për ato të Vatikanit që kryet e kishte drejt muslimanëve, me këtë edhe drejt shqiptarëve).

Më tej ai thotë: “Andaj turqit dhe hebrenjtë, duke ndjekur gjurmët e Ismaelit e të Ezaut, nuk zunë besë Jezu Krishtit, të vërtetit Mesi, por ndoqën idhujt: Muhametin, Surullahin e Talmudin. Duhet ditur se këta krerë të të gjitha të këqiave, Muhameti, Surullahi e Talmudi, po sikur që shtinë themel një ligji të lirë, pa udhë e pa arsye, plot me fëlliqësi, ashtu edhe i kanë marrë prapa njerëzit e paudhë e pa ndonjë nder në vetë, që janë arabët, tatarët e turqit, që janë dhënë pas lakmive të kësaj jete, fëlliqësive e shtazarive, e pasi ishte Muhameti bari i deveve dhe i pelave duke u ngjitur me gjithë to. Nuk është pra çudi që njerëzve të kësaj dore të mos u pëlqejë feja e vërtetë e Krishtit, as pastërtia e madhe e saj”. (‘Çeta e Profetëve’, shkalla II, ligjërata III, paragrafi 3, f. 229, Prishtinë, 1990).

Dorën në zemër, këtu nuk ka asnjë germë që i përket realitetit historik e as atij teologjik islam, ndërsa për atë shkencor, as që mund të flitet. Këtu qartë vërehet intoleranca fetare dhe anti-semitizmi katolik, sepse thjeshtë, ai (Bog-Dan-i) si myslimanët, ashtu edhe hebrenjtë, i quan ndjekës të idhujve, gjë që aspak nuk është e vërtetë. Ai pa kurrfarë diturie flet rreth besimit dhe qëndrimit islam që ka ndaj Jezusit (Isaut a.s.). Ai mundohet të tregojë për ndonjë papastërti fantazmash, që aspak nuk kanë të bëjnë me realitetin, pasi që dihet mirë se çfarë është qëndrimi islam ndaj pastërtisë etj. (Lidhje me këtë vetëm të përkujtojmë përgatitjet para faljes, larjen e dhëmbëve, pastrimi i domosdoshëm i trupit, pastrimi i rrobave, synetimi i meshkujve, etj.).



II

“Jetës së Kishës nuk do t’i gjykohet sipas nivelit të përparimit njerëzor, por në bazë të faqeve të historisë së saj”. (Viktor Ygo)


Pse Pjetër Bogdani nuk kishte shkruar për Evropën krishtere mesjetare ku Kisha kishte paraparë se sa më gjatë të mos pastrohet besimtari i krishterë, aq më i devotshëm do të bëhet tek Zoti? Pse kishte fshehur dëshmitë Kur’anore dhe qëndrimin islam ndaj shkencës dhe shkencëtarëve? A nuk ka patur dituri se fjalët e para Hyjnore në Kur’an i dedikohen mësimit dhe diturisë? Pasi që konsiderohej si teolog dhe filozof i shquar i shek. XVII, atëherë a nuk kishte patur njohuri për zgjerimin e mjaft lëmive shkencore që u përhapën në Spanjën myslimane, ku dominoi kultura dhe qytetërimi islam? Pse ai nuk kishte shkruar për qëndrimin e Kishës ndaj shkencëtarëve mesjetar, siç ishte gjykimi me vdekje ndaj: Sigerit të Brabandit (përfaqësuesit më të njohur françez të mësimeve të averroizmit) i cili me vendim të Gjyqit të Inkuizicionit, në vitin 1277 në Paris u gjykua me vdekje, Xhordano Brunos, të cilin e dogjën në stivë drujsh në sheshin Campo di Fiori në Romë në vitin 1600, ndaj Miguell Servetos të cilin, në vitin 1553 Inkuizicioni e dogj të gjallë në stivë, Luçilio Vaninit, reformist dhe filozof i njohur italian, i cili për shkak të mendimeve të tija të lira në vitin 1619 nga ana e Inkuizicionit u gjykua me këputjen e gjuhës, etj. Ndoshta këtë e bëri për ta mbuluar mëkatin kishtar për Natën e Shën Bartolomeut, kur më 23-24 gusht të vitit 1572 tinëzisht u sulmuan dhe u mbytën mijëra besimtarë të sektit hugenotë nga katolikët ose për ta mbuluar krimin teologjik papnor kur në vitet 1239-1242 vetëm në Paris janë djegur 24 qerre me disa mijëra libra hebreje! (Aleksandar Stipčević, ‘Sudbina Knjige’, Naklada Benja, Lokve, 2000, f. 268-269). Pse për këto gjëra nuk shkroi Bogdani në “Çetën …”, e tij?

Kur kemi parasyshë faktin se në “Çetën e Profetëve” Pjetër Bogdani përdor një dozë të gjerë të antisemitizmit katolik, atëherë menjëherë do të na shkojë mendja te historia e Kishës kur do të vërejmë se arrogancë e atillë ishte shprehur që më herët nga ky institucion krishter (papa), kur në vitin 1622 ushtria e Ligës Katolike në krye me princin e Bavarisë Maksimilijanin I vendos t’a plaçkitë bibliotekën e Pallatinit në Hajdelberg, ndërsa librat t’ia dërgojnë papës Gërgurit XV. (Aleksandar Stipčević, ‘Sudbina Knjige’, Naklada Benja, Lokve, 2000, f. 340). Siç duket, në “Çetën e Profetëve” ekziston një blasfemi e vërtetë. Të gjitha këto “dituri” Bogdani ua servoi të krishterëve shqiptarë dhe italianë, në veçanti shqiptarëve që kishin treguar interes për të kaluar në fenë islame. Ai me mjaft perfiditet akuzoi muslimanët dhe Muhammedin (a.s.). Në një pjesë të librit të tij ai vazhdon dhe thotë: “...Muhameti në asnjë mënyrë nuk mund të jetë dhe s’duhet thënë profet, siç e mbajnë turqit. E ndoshta do të ketë kallëzuar ndonjë gjë dhe parashikuar si hamendje ndonjë të vërtetë: nuk duhet pra për t’u çuditur duke u gjetur se djalli herë flet të vërtetën për gojë të profetëve të vet rrenacakë...”. “Çeta e Profetëve”, shkalla II, ligjërata I, paragrafi 4, f. 269. Përmes teksteve të tij kuptojmë se Bogdanit mjaft i kishte penguar Islami dhe muslimanët, andaj ata i quan “infedelta orientale”, por për çudi atij nuk i kishte penguar Serbia, që dy shekujt e fundit (XII-XIV) kishte pushtuar mbi gjysmën e tokave shqiptare. (IBRAHIMI, Nexhat, ‘Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve’, Logos/A-Shkup, 1999, f. 98-99). Po qe se orvatemi të bëjmë një krahasim ndërmjet veprës ‘Çeta e profetëve’ dhe “Verseteve stanike” të Salman Rushdiut, do të vërejmë se dallimi qëndron vetëm aty se Salman Rushdiu shkroi në gjuhën angleze, ndërsa Pjetër Bogdani në atë shqipe. Madje, kjo e fundit është dy herë vetëvrasëse, sepse Bogdani ofendoi rëndë fenë e bashkëkombëseve të tij, që atëherë përbënin afër 80%. Ky është shembull tipik me karakter të fundamentalizmit krishterë mesjetar evropian, madje në kohën kur Bogdani i kishte shkruar disa nga letrat dhe veprat e tij, zhvillohej lufta Turko-Venedikase e Kandisë (1644-1669), andaj deri në një farë mase mund të flitet për propagandë antiosmane.

Aq për aktivitetet teologjike. Sa i përket aktiviteteve të Bogdanit në rafshin politik-diplomatik (nëse mund të themi kështu), do të duhej të theksojmë të vërtetën historike, gjegjësisht injorimin e tij të emrit të shqiptarëve në trojet e Kosovës. Territorin e Kosovës ai nuk e quante as Iliri, as Dardani, as Kosovë, e as Shqipëri (që në shekullin XVII emri shqiptar e Shqipëri ishte në përdorim intensiv), por ai (Kosovën) e quante ‘Mbretëri të Serbisë’, ndërsa veten e quante ‘administrator i gjithë Mbretërisë së Serbisë’. Në atë kohë edhe pse njihej emri shqiptar, ai veten e tij e quante “Pjetër Bogdan Maqedonasi” (Petro Bogdano Macedone). (IBRAHIMI, Nexhat, ‘Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve’, Logos/A-Shkup, 1999, f. 108-110.

Ndër aktivitetet e tij do të veçojmë faktin se Pjetër Bogdani në vitin 1689 në miqësi me priftin malezias Arsenije Çarnojeviqin, realizuan një marrëveshje me ushtrinë austro-hungareze, pikërisht me komandantin austriak Nikollo Pikollominin, me qëllim që t’i sulmojnë turqit. Mirëpo, ata në atë aventurë kundër turqve, dogjën pothuajse një numër të madh të vendbanimeve shqiptare muslimane siç ishin; Shkupi, Prizreni, Prishtina etj. Në këtë gjenocid, ndaj popullatës muslimane të cilët pothuajse rreth 80% ishin shqiptarë, rolin kryesorë e pati Bogdani. Pas kësaj masakre, shumë shqiptarë që kishin qenë pjesëmarrës në ushtrinë austriake, e nën ndikimin krishterë katolik të Pjetër Bogdanit, së bashku me priftin Arsenije ikën nga kundërsulmi i ushtrisë Osmane. Shqiptarët që kishin ikur në Itali për një kohë të shkurtër ishin asimiluar... Është me rëndësi të thuhet se Nikollo Pikollomini, pasi që e kishte djegur edhe Shkupin, kishte dalë në periferi të qytetit (në malin Vodno të Shkupit), prej nga kishte shikuar tymin dhe flakën e qytetit. Por, duke u kthyer përmes grykës së Kaçanikut, Pikollomini ishte sëmurë rëndë nga murtaja dhe vdes, fatin e njëjtë të cilin disa javë më vonë e përjetoi edhe Pjetër Bogdani...

E tërë kjo u realizua me bekimin e Propaganda Fide-së në shërbim të së cilës u vu edhe Bogdani. Pra, lufta ishte kundër muslimanëve, me këtë edhe kundër shqiptarëve që u gjetën në këtë flakë, sidomos ata që u gjetën në Shkup, ku një Institut Shqiptar do ta mbajë emrin e pikërisht të Pjetër Bogdanit, pra emrin e atij që e dogji këtë vendbanim të lashtë shqiptar. Por, jo vetëm kaq, historiani shqiptar Hysamedin Ferraj, në librin e tij ‘Skicë e mendimit politik shqiptar’ në f. 58 thotë: “Kosova si rajon më i zhvilluar i Shqipërisë etnike dhe i Ballkanit u shkatërrua plotësisht nga luftërat e Austro-Hungarisë, Serbisë dhe në aleancë me ta të forcave shqiptare-katolike të udhëhequra nga Pjetër Bogdani kundër Perandorisë osmane që pikërisht u zhvilluan në këtë rajon”. (FERRAJ, Hysamedin, ‘Skicë e mendimit politik shqiptar’, Logos/A, Shkup, 1999, f. 58). Duhet të pajtohemi me faktin se në të kaluarën, pothuajse të gjitha librat shqip të shekullit XVII e më vonë, janë shkruar për nevojat misionariste kristiane të Vatikanit. Se Vatikani këtë angazhim nuk e kishte për të na e ruajtur, zhvilluar e kultivuar gjuhën shqipe, por për qëllime të veta kishtare, mjaft flet edhe rasti i Ndre Mjedës i cili, “megjithëse ishte student i fakultetit të teologjisë, u ngrit që në fillim të veprimtarisë së tij gjuhësore kundër veprave të misionarëve të huaj italianë”. (KASTRATI, Jup, ‘Historia e gramatologjisë shqiptare (1635-1944)’, Prishtinë, 1980, f. 202, cituar sipas: IBRAHIMI, Nexhat, ‘Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve’, Logos/A-Shkup, 1999, f. 111-112).

Autorët e letërsisë shqiptare lidhur me këtë pohojnë: “Duke parë se pozitat e katolicizmit po tronditeshin fort në Evropë, me përhapjen e protestantizmit dhe përhapjen e islamit në Ballkan, Vatikani lejoi që gjuha latine të zëvendësohet sadopak me gjuhët vendëse në librat e shërbesat kishtare”. (Grup autorësh, ‘Historia e letërsisë shqiptare’, Prishtinë, 1989, f. 16). Për këtë letërsi Muhamed Pirraku pohon se ishte e “programuar dhe e angazhuar në rend të parë për nevoja të Papës dhe të ‘Propagandës fide’, për ruajtjen e katolicizmit në zonat e Ballkanit të banuara me albanofonë”. (PIRRAKU, Muhamed, ‘Kultura kombëtare shqiptare deri në lidhjen e Prizrenit’, Prishtinë, 1989, f. 181). Nga gjithë kjo kuptohet se “krijimtaria letrare shqiptare e proveniencës islame... në historinë e letërsisë shqiptare nuk ka gëzuar gjykim të drejtë dhe adekuat me gjykimin që i është bërë letërsisë shqipe të proveniencës së krishterë”. (PIRRAKU, Muhamed, ‘Kultura kombëtare shqiptare deri në lidhjen e Prizrenit’, Prishtinë, 1989, f. 112). Kjo është bërë me qëllim që të minimizohen personalitetet shqiptarë muslimanë që kontribuuan në zhvillimin e kulturës shqiptare, veprat e të cilëve janë konsideruar si të huaja... Andaj me vend është pyetja: Nëse është menduar se krijimtaria e proveniencës muslimane shqiptare është pjellë e pushtuesit të huaj, pjellë e kujt ishte kultivimi i letërsisë shqiptare të proveniencës së krishterë, e shkruar me alfabetin grek e latin?

Pasi që, sipas ndonjë logjike, po u dashka të ndahen identiteti fetar nga ai kombëtar, atëherë shtrohen disa pyetje logjike: nëse nuk duhet të ndodh kjo përzierje, atëherë pse në disa raste përzihet aq shumë? Pse, si p.sh. “Meshari” i Gjon Buzukut dhe veprat e autorëve si Pjetër Budi e Pjetër Bogadni, konsiderohen vepra kombëtare, kur janë tërësisht vepra fetare?

Pse ndonjë aktivist(e) ose humanist(e) me angazhimin tërësisht fetar, trajtohet si simbol kombëtar? E vërteta është se përdoren kute të dyfishta në këto çështje. Kur është fjala për veprimtarinë dhe intelektualë të proveniencës krishtere, pa asnjë hamendje pranohet se veprimtaria fetare është veprimtari kombëtare, madje pavarësisht rezultateve që ka prodhuar për kulturën, shtetin dhe kombin shqiptar. Si argument i kuteve të dyfishtë, mund të përkujtohet me këtë rast vetëm trajtimi i poetit alamiadist shqiptar, Nezim Frakullës. Poezia e tij është e shkruar shqip, ka tema dhe motive laike dhe ka tone kritike ndaj sundimit osman. Nezimi madje ka vdekur në burgjet osmane, deri më sot ai nuk është trajtuar me asnjë fjalë si poet kombëtar. Në gjykimet shkencore të këtyre deformimeve që u janë bërë vlerave tona kulturore dhe kombëtare, nuk ka vend për politikat ditore të partive. Një konstatim të këtillë e thekson edhe prof. dr. Ferat Polisi kur thotë se: “Nezim Frakulla është ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë, madje jo vetëm të këtij segmenti të letërsisë, që trajton poetikisht edhe probleme të poetikës letrare: Nezimi qe poet me formim teorik-letrar, i denjë për polemika letrare dhe një krijues i njëmendtë i një vepre krejtësisht artistike. Ky problem edhe pse mjaft i pranishëm në veprën e Nezimit, gjer vonë nuk është trajtuar fare dhe nuk i është dhënë vlerësimi i merituar, megjithëse kohëve të fundit hetohet një interesim por jo aq sa duhet”. (Koha Ditore, 19 nëntor, 2005, prof.dr. Ferat Polisi, “Tematika në veprën e shkrimtarëve të vjetër”).


“Filozofia e imitimit të verbër i posedon këmbët prej qelqi, ato thyhen lehtë”

Pasi që kuptuam se “të gjitha librat shqip (tërë letërsia) të shekullit XVII e më vonë, janë shkruar për nevojat misionariste kristiane të Vatikanit, pra për qëllime të veta kishtare, e jo për të na e ruajtur, zhvilluar, e kultivuar gjuhën shqipe”, atëherë është e udhës që një herë e përgjithmonë të braktisen manipulimet dhe të largohemi nga ata të cilët shkaktuan dëme të mëdha, madje kush do qoftë ai. Pse të mos emërohet Instituti me ndonjërin nga emrat e famshëm të cilët nuk janë të njohur për ndonjë aktivitet ose rol destruktiv e vëllavrasës ndërshqiptar, si Vaso Pasha, Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini, Hasan Masurica, Ndre Mjeda... etj.

Mendoj se, po qe se në aspektin shkencor merren parasysh këto të vërteta historike që kanë të bëjnë me “aktivitetin” e Pjetër Bogdanit, atëherë do të shohim se sa është meritor që ai (Pjetër Bogdani) të jetë emër i Institutit Albanologjik në Maqedoni!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme