
Në vitin 1960, nga fundi mijëvjeçarit të dytë është botuar libri Fundi i ideologjisë i Daniel Bell-it. Sot, në prag të mijëvjeçarit të tretë dhe më shumë se gjysmë shekulli më vonë (53 vjet), hiti i dikurshëm intelektual, me një titull tek i cili edhe shtetet më të armiqësuara, partitë politike, grupet dhe individët dëshironin të shihnin pikërisht përmbushjen e pritshmërive të tyre, praktikisht është harruar. Por, jo dhe pritshmëria se ndonjë ideologji (pikërisht e jona!) do të konsiderohet përfundimisht si e vërtetë objektive, e jo formë e një vetëdijeje të shtrembëruar. Nën ndikimin e këtyre aspiratave, pohimi se ideologjitë kanë perënduar tanimë, u shndërrua në një ideologji më vete, madje më dominuesja e kohës sonë.
Jo vetëm që ideologjia për fundin e ideologjisë (që nënkupton fundin e çdo ideologjie tjetër përveç ideologjisë sonë) zëvendësoi modelin klasik, sipas të cilit lufta e ideologjive të ndryshme është një fakt universal, karakteristik për gjithë historinë e mëparshme të botës, por, rolin e një arbitri kryesor në jetën politike dhe në realitetin shoqëror të botës në tërësi, u përpoq ta merrte pikërisht ideologjia, nën devizën se tashmë është konfirmuar e vërteta objektive për fundin e historisë!? Në të vërtetë, në revistën për marrëdhënie ndërkombëtare, “The National Interest” (1989), ishte botuar një artikull i Francis Fukuyama-s, pikërisht Fundi i historisë?, i cili aludonte që në titull për këtë çështje. Pikëpyetja në fund të këtij titulli kishte të njëjtin funksion që ka shuplaka në vendin ku duhet marrë injeksioni. Muskuli i tendosur në pritje të injeksionit zbutet; shtangia davaritet dhe, pikërisht në këtë çast, maja e mprehtë e gjilpërës futet mu te vendi! Ky artikull ishte një shuplakë që synonte ta zbuste botën para se t’i futej injeksioni, pavarësisht se bota nuk e kishte kërkuar ndonjëherë një gjë të tillë. Përmbajtja e atij injeksioni, që është planifikuar me kujdes në gjakderdhjen e mendimit dhe praktikës politike botërore, ishte injektuar në vitin 1992 përmes gjilpërës në formë libri, nën titullin lapidar Fundi i historisë dhe njeriu i fundit. Meqë kësaj radhe bëhej fjalë për shpimin e njëmendët të gjilpërës, mungonte edhe shuplaka në formë pikëpyetjeje. Forma apodiktike e titullit ishte zgjedhur me shumë kujdes, sepse duhej të tingëllonte si urdhër, i cili duhej marrë si një gjë e njohur, për të cilën nuk kishte vend për asnjë lloj pikëpyetjeje dhe as për diskutime. Ngjashëm me shuplakën që i paraprinte injeksionit, pak më vonë, botës së zënë gafil do i bëhej gjilpëra nga pamfleti i mirënjohur i Samuel Huntington-it. Në fakt, gjatë vitit 1993, po në revistën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ai botoi një artikull me titull Përplasja e qytetërimeve? (The Clash of Civilizations?). Duke pasur një mbështetje të fuqishme mediatike, i propaganduar me të gjitha mjetet e informacionit dhe në të gjitha nivelet, artikulli mori udhën për t’u bërë libër (kësaj here pa pikëpyetjen që na shkul pak veshin): Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit të ri botëror (The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order) – një libër i cili përfaqësonte një injeksion me dozë të madhe dopingu ideologjik.
Kush janë këta dy misionarë të njohur në rang botëror të ideologjisë për fundin e çdo ideologjie tjetër, përpos asaj që predikojnë ata? Si njëri, ashtu dhe tjetri, ishin nëpunës të lartë të shtetit në qeverinë e amerikane dhe, më konkretisht, në Departamentin e Shtetit; madje Francis Fukuyama ishte edhe zëvendësdrejtor i njësisë për planifikimin e politikës. Përmbajtja e këtyre librave nuk meriton ndonjë vëmendje të veçantë, sidomos kur shihet nga këndvështrimi i shkencave politike dhe teorisë politike. Gjoja libra me erudicion, por sipërfaqësorë, përplot me gabime që bien ndesh me faktet, pa një metodologji konstante; me përfundime që nuk vijojnë nga premisat etj. Që të dy librat paraqesin manifeste tipike ideologjike. Ajo që i dallon nga të gjitha tekstet e mëparshme me përmbajtje ideologjike nuk është cilësia e tyre (që është thjesht diç standarde/rutinë në këtë zhanër), por shpallja për herë të parë e fundit të të gjitha ideologjive të tjera, gjë që sipas tyre shpallte automatikisht fundin e historisë.
Ndonëse një titull i tillë mund ta fusë në mendime një lexues jo shumë të informuar, duke e shtyrë të përfytyrojë ndonjë vizion apokaliptik ose ndonjë profeci për fundin e botës, pamfleti ideologjik i Fukuyama-s, në fakt, shpall fundin e historisë, e jo të botës. Shumë thjesht, por në mënyrë fort precize, Fukuyama porosit se bota do të vazhdojë, por historia përfundon këtu! Kujdes, se këtë e thotë zëvendësdrejtori Fukuyama, në emër të Departamentit të Shtetit. Porosia vazhdon me tezën se historia e botës është një histori kërkimesh njerëzore për një rend më të mirë shoqëror.
Tani dëgjoni me kujdes dhe merrni vesh mirë: Kërkuat çfarë kërkuat, tani i erdhi fundi të gjitha kërkesave tuaja! Historia, si një kërkesë për një rend më të mirë shoqëror, ndodhet në fund. Kjo, sepse tanimë është gjetur rendi më i mirë shoqëror! Demokracia bashkëkohore e Perëndimit është pikërisht rendi më i mirë dhe, logjikisht, paraqet pikën e fundit dhe përfundimin e evolucionit shoqëroro-politik, si dhe formën përfundimtare të udhëheqjes! Ky është rendi të cilin duhet ta pranoni të gjithë në të ardhmen, që nuk keni arritur akoma në parajsë, në fundin e historisë! Prandaj, filloni me braktisjen e modelit sipas të cilit keni jetuar deri më tani! Pra, në vend që të humbisni kohë duke menduar për jetën tuaj shoqërore dhe të çdokujt tjetër, dorëzojeni atë në duart tona dhe na lini t’ju nxjerrim nga historia. Ne e kemi gjetur rendin e përkryer! Ne do ua instalojmë atë! Ne do ju tregojmë se si ta jetoni jetën tuaj!
Ndonëse një interpretim i tillë mund të duket paksa i ekzagjeruar, ama, pohimi se duhet të heqim dorë nga mënyra se si jetojmë, është theksuar në mënyrë eksplicite në titullin e këtij traktati ideologjik. Le të kujtohemi: libri titullohet Fundi i historisë dhe njeriu i fundit! Ndërkohë njeriu i fundit është vatërzuar tek ata që jetojnë akoma pa një kontroll të vazhdueshëm shoqëror; njerëz që formohen nën ndikimin e rrethanave të paparashikueshme dhe në përputhje me personalitetin e tyre, në vend që të formohen në seri sipas kallëpit të standardizuar të matricës bashkëkohore perëndimore edukative liberale. Një njeriu të tillë, njësoj si historisë, i ka ardhur fundi! Njeriu i të ardhmes do jetë një prodhim në seri sipas shkencës së njohur si “teknologjia e sjelljes”, e zhvilluar në liberalizmin perëndimor.
Në përputhje me këtë koncepcion radikal ideologjik, Fukuyama na porosit në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Ajo për të cilën jemi dëshmitarë sot nuk është vetëm fundi i Luftës së Ftohtë, as kalimi në ndonjë periudhë të veçantë pas luftës, por pikërisht parajsa e historisë si e tillë, dhe kjo nënkupton pikën e fundit të evoluimit ideologjik dhe zbatimin e përgjithshëm të demokracisë liberale të Perëndimit, si formën përfundimtare dhe universale të udhëheqjes.”
Merret me mend që eufemizmat e terminologjisë teknike e zbusin në shumë mënyra përqendrimin e përmbajtjes së injeksionit, që z. Fukuyama ia injekton njerëzimit në emër të Departamentit të Shtetit. Për shembull, duke kaluar në debat përmes sforcimit të dëshmisë së tërthortë, përmes së cilës shtron pyetjen: “Vallë, nuk është dëshmuar triumfi i Perëndimit (i idesë perëndimore – është fjala për idenë e demokracisë; por, ajo nuk është aspak perëndimore, sepse buron nga juglindja në skaj të Europës, pikërisht nga Ballkani. E njëjta gjë vlen edhe për të ashtuquajturën filozofi, kulturë dhe art “perëndimor”) me faktin e një pafuqie tërësore të të gjitha përpjekjeve si alternativa të liberalizmit perëndimor?” Ja pra si e arsyeton z. Fukuyama. Por, përmes vrimave të shqyera të perdes së këtij eufemizmi akademik, shihen qartë vijat e mprehta të ultimatumit për të kapitulluar pa kushte dhe fati vetjak të lihet në mëshirën dhe pamëshirën e atyre që kanë arritur fundin e evolucionit, me besim se po ata që e porosisin ultimatumin, ndoshta do të japin ndihmën e tyre për evoluimin e të tjerëve, qoftë edhe për një shkallë më lart.
E thënë më thjesht, Fukuyama ka shkruar një platformë ideologjike, e cila ka për qëllim t’i bindë (ose detyrojë) të gjitha ideologjitë e tjera për formatimin e tyre përfundimtar, duke na porositur se tani që është formuluar ideologjia e vërtetë, u ka ardhur fundi të gjitha ideologjive të tjera; sepse tani që është gjetur rendi më i mirë shoqëror, i ka ardhur fundi edhe historisë, si asaj shoqërore, ashtu edhe asaj individuale.
Në këtë pikë duhet shtruar pyetja se çfarë nënkuptohet me nocionin “ideologji”?
Në fakt, një gabim shumë i përsëritur është ai që nuke bëjmë, por e pranojmë si të vetëkuptueshëm nocionin për të cilin diskutojmë. Ndonëse rrënja etimologjike na shpie drejtpërdrejt te sintagma “shkenca e ideve” si përkthimi më i saktë (kuptim që gjendet në filozofi), megjithatë, nocioni “ideologjia”, me kalimin e kohës mori një konotacion krejt tjetër. I lindur nga fundi i shek. XVIII, ky term mori konotacione të theksuara apolitike, dhe si pasojë, gjatë shek. XIX u bë shumë shpejt një prej nocioneve më të përdorura dhe më të rëndësishme të filozofisë politike dhe të shkencave shoqërore. Në atë periudhë “ideologjia” mori siluetat më të rëndësishme semantike të sotme, në kuptimin e një sistemi qëndrimesh, doktrine, shtrati ideor, sipas të cilit individi, grupi, klasa shoqërore, një parti politike, institucioni, shteti dhe lëvizja organizojnë veprimtarinë e tyre. Domethënë, ideologjia është një koncepcion konkret për veprim, cilido qoftë plani sistematik sipas të cilit organizohet jeta vetjake ose aksioni shoqëror.
Nga ana tjetër, kjo do të thotë se çdo njeri mund ta ketë, kurse çdo grupim më i madh njerëzish, që është organizuar për realizimin e një qëllimi të përbashkët, duhet ta ketë medoemos ideologjinë e vet. Ndërsa, nga ana tjetër (ka akoma), ndonëse me këtë postulohet e drejta e përgjithshme e ideologjisë, njëkohësisht implikohet edhe karakteri i pjesshëm dhe i theksuar subjektiv i çdo ideologjie. Ideologjia shtetërore është po aq subjektive sa edhe ideologjia e një njeriu të vetëm. Ky karakter subjektiv/i pjesshëm i ideologjisë, i cili shpreh gjithnjë qëndrimin dhe idealet e një njeriu, institucioni ose grupi, dëshmon se detyrimisht kjo paraqet shkarje, rënie dhe aberracion. Domethënë, një formë e vetëdijes së shtrembëruar. Mbi këtë fakt Marx-i e ndërtoi kritikën e tij ndaj çdo ideologjie si vetëdije të caktuar klasore, që nënkupton formën e vetëdijes së shtrembëruar. Ideologjia e atij që posedon mjetet e prodhimit (kapitalistit) është e ndryshme nga ajo e punëtorit me rrogë (e punëtorit të falimentuar), por që të dyja janë forma të vetëdijes së shtrembëruar ose, më saktë: të përcaktuara nga dallimi real në pozicionet shoqërore dhe në situatat jetësore të përfaqësuesve të secilës nga këto dy ideologji.
Marx-i nuk është një përjashtim në pohimin se ideologjia paraqet një formë vetëdijeje detyrimisht të shtrembëruar. Praktikisht, deri në daljen e manifesteve ideologjike të Fukuyama-s dhe Huntington-it, të gjithë autorët ishin në një mendje se ideologjia thjesht nuk mund të jetë objektive ose një fotografi e vërtetë e botës, porse ajo paraqet detyrimisht një formë të vetëdijes së shtrembëruar. Pikërisht për shkak se aksioma e ideologjisë si formë e vetëdijes së shtrembëruar konsiderohet si fakt evident, Daniel Bell-i i fton hulumtuesit shoqërorë për përpjekje të përbashkëta, me qëllim për të shpallur fundin e ideologjisë dhe, në vend që të ndjekin matricat ideologjike të rrymave të ndryshme politike dhe interesave shtetërore, të krijojnë një paradigmë të re, të argumentuar shkencërisht dhe të studiuar në mënyrë objektive, të lirë nga të gjitha ndikimet ideologjike.
Natyrisht që nga pikëpamja e faktorëve që shtrembërojnë vetëdijen ideologjike ekzistojnë teza të ndryshme, si dhe mbizotëron një kundërti e theksuar. Si një tezë me ndikim të veçantë, e pranishme edhe në interpretimet bashkëkohore, dallohet teza e Max Weber-it, sipas të cilit, në kundërshtim me Marx-in, asnjë vetëdije (pra, edhe vetëdija e shtrembëruar ideologjike) nuk mund të shpjegohet me ndikimin e fuqive anonime materiale! Interpretimi i jetës shoqërore si rezultat i mënyrës së prodhimit të jetës materiale (që te Marx-i është “baza”, ndërsa ideologjia është “mbindërtimi” ose superstruktura), sipas Weber-it është kthyer mbrapsht! Duke iu referuar veprës më të njohur të Weber-it, Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit, themeli i vërtetë, pra “baza” e çdo shoqërie është pikërisht sistemi i qëndrimeve të vetëdijshme, para së gjithash në kulturë dhe fe. Thënë ndryshe, ajo është ideologjia. Ndërkaq mbindërtimi, gjegjësisht superstruktura, paraqet pikërisht mënyrën e prodhimit të jetës materiale. Duke e testuar këtë hipotezë në përputhje me metodën e tij të “tipave idealë”, në këtë studim Weber-i e paraqet kapitalizmin si rezultat të impulseve të motivuara kulturore dhe fetare, që para së gjithash ndodhen tek etika protestante si model kapitalizmi.
Pavarësisht se çfarë ndodhet në themel të saj, pa dyshim që ideologjia paraqet gjithnjë një lloj vetëdijeje subjektive, të pjesshme dhe, aq më tepër, të detyrueshme. Pikërisht për shkak të këtij subjektiviteti dhe pjesshmërisë së saj universale, në vend të “fundit të ideologjisë”, mund të flitet vetëm për “pafundësinë e ideologjisë”. Shuma e perspektivave të shtrembëruara nuk mund të krijojë asnjëherë një perspektivë të drejtë. Prandaj edhe ideologjitë do të mbeten gjithnjë lloje dëshmish për ndryshimet, si dhe dëshmi për lirinë për të qenë i ndryshëm dhe për të menduar ndryshe. A do të thotë kjo se jetojmë akoma në botën e ideologjisë? Të gjitha programet politike, pavarësisht se nga cila anë vijnë, përbëjnë ideologji të ndryshme, që njëherësh nënkupton forma të ndryshme të vetëdijes së shtrembëruar.
Kant-i ka thënë se njeriu është bërë nga një dru aq i shtrembër, saqë prej tij nuk del dot një shkop i drejtë!
Ideologjia që shpallën Fukuyama dhe Huntington-i për fundin e historisë dhe të njeriut dhe, nëpërmjet kësaj edhe për ideologjinë e vetme të pashtrembëruar, sot mban shkopin në dorë. Ai është shkopi më i madh, më i fortë, por edhe më i shtrembëruari i ideologjisë, që nuk është e vetëdijshme për natyrën e saj ideologjike.
Duket se me fundin e historisë dhe njeriun e fundit, përfundimisht të gjitha variantet që kemi në dispozicion tashmë janë provuar dhe ka mbetur vetëm një përfundim. Nëse në botën e njeriut ekziston ndonjë pafundësi, ajo është pafundësia e ideologjisë! Njeriu është ajo qenie që është krijuar nga ideologjia dhe bota jonë e vogël është e fundosur në një pafundësi ideologjike.
Duke pasur parasysh se çdo ideologji paraqet një vetëdije subjektive, çdonjëra syresh është njëherësh edhe vetëdije e shtrembëruar, një vetëdije tjetër, e korrigjuar. E drejta e vetëdijes sonë të shtrembëruar/të tjetërfartë/të korrigjuar, sipas kësaj, del se është njësoj si e drejta për vetëdije vetjake! Ai që e ruan ideologjinë e tij, do ta ruajë vetëdijen e tij dhe kësisoj do ta ruajë edhe identitetin e tij.