
MBROJTJA E SHKODRËS DHE HASAN RIZA PASHA
Librat e shkruar nga autorë të ndryshëm mbi Luftën e Shkodrës, të shtynë të kërkosh dhe kuptosh të vërtetën e luftës që ndodhi në qytetin e Bushatllijve, gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Fatkeqësisht historiografia shqiptare, e shkruar nga historianët komunistë, shpesh nuk është treguar e sinqertë në rrëfimet e saj mbi të vërtetat e mëdha të kombit tonë dhe në shumë raste është mbushur me tone përçmuese dhe shpërfillëse ndaj kombit turk dhe Perandorisë Osmane.
Mbrojtja gjashtëmujore që i është bërë Qytetit të Shkodrës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më ka shtyrë prej kohësh të kërkoj dhe zbuloj të vërtetën e këtij rrethimi. Duke ditur se lufta e Shkodrës mund të rrëfehet më mirë nga vetë mbrojtësit e saj, sëbashku me një mikun tim turk, Mehmet Vejsi Ishik, që punonte për Fondacionin e Anadollit për Zhvillim në Tiranë, i hymë punës për të kuptuar se çfarë është shkruar nga autorët turq mbi këtë luftë. Dhe në vitin 2004 ne arritëm të gjejmë librin e shkruar nga Hamdi Ertuna në vitin 1986, titulluar “Ishkodra Savunmasi ve Hasan Riza Pasha” që në shqip përkthehet “Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza Pasha”.
Libri “Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza Pasha” është një riprodhim i kujtimeve që ushtarakët turq kanë lënë për betejat që ata bënë për të mbrojtur Rumelinë, nga agresioni i monarkive ortodokse gjatë rënies së Perandorisë Osmane. Autori Hamdi Ertuna është mbështetur në librin e gjeneralit Fevzi Çakmak të botuar në Stamboll më 1924 me titull “Ngjarje të ndriçuara të Rumelisë Perendimore dhe Fronti Perëndimor në Luftën Ballkanike” dhe librin e Abdurrahman Gyrmanit dhe Nafiz Koxhamanit, të botuar në Stamboll më 1933 me titull “Mbrojtja e Shkodrës në Luftën Ballkanike” ku betejat për Mbrojtjen e Shkodrën janë rrëfyer me ndershmëri nga veteranët turq.
Libri “Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza Pasha” botuar nga Drejtoria e Studimeve Strategjike dhe Historisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm Turk, është një libër me vlerë që shpjegon historikun e rrethimit të qytetit të Shkodrës gjatë luftës ballkanike dhe mbrojtjen që garnizoni shqiptaro – turk i bëri atij. Në këtë libër rrëfehet sesi një garnizon turk i udhëhequr nga një komandant turk, pa logjistikën e duhur, i shkëputur nga Shtatmadhoria e Ushtrisë Turke dhe në kundërshtim me direktivat e Shtetit të tyre, vendosi të mbronte një qytet, që tashmë nuk i përkiste më Perandorisë Osmane, por popullit shqiptar. Kjo rezistencë ka lënë mbresa të mëdha në mesin e shkodranëve, të cilët e kanë ruajtur në kujtesë brez pas brezi këtë ngjarje epike, të njohur nga të vjetrit si koha e “muhaseres”. Shkodranët e moshuar flasin deri në ditët tona, me admirim dhe respekt për Komandantin turk, i cili arriti të bëhet i pavdekshëm sa për popullin e tij aq edhe atë shqiptar, duke mbrojtur me jetën e tij kryeqendrën e vilajetit më të madh të shqiptarisë.
Lidhur me këtë studiuesi Ferid Hafizi, në librin e përkthyer prej tij “Rrethimi i Shkodrës” (ditar i gruas së Konsullit austriak, Hortense von Zambaur) thekson se:
“…është vetëm një nxitje, një shenjë për të na drejtuar vëmendjen te një njeri, vepra e të cilit i shërbeu aq shumë shpëtimit të qytetit tonë, Shkodrës mijëvjeçare dhe kombit tonë në ato çaste dramatike të Luftës Ballkanike 1912 – 13; te ai njeri të cilin e vrau plumbi i tradhtisë, por që veç ia rriti lavdinë, duke e vendosur në piedestalin e martirit, kurse në heshtjen mosmirënjohëse, është vetëm një zë, një thirrje për të na kujtuar borxhin që i kemi këtij burri të madh. Në kushtet e sotme e ndjejmë më thellë këtë borxh si një detyrim human dhe si peng nderi.”
Dashuria që Hasan Riza Pasha dhe kombi turk tregoi për shqiptarët gjatë rrethimit të Shkodrës, nuk është i vetmi rast në historinë tonë të përbashkët kur turqit i kanë mbrojtur shqiptarët. Ata kanë bërë kështu edhe në Janinë, Vlorë dhe mbarë Ballkanin gjatë luftërave ballkanike. Lidhjet e sinqerta dhe dashamirëse ndërmjet popullit shqiptar dhe turk dolën në pah edhe gjatë ditëve të vështira për ne në 1997, kur klasa jonë politike i vuri zjarrin vendit që kërcënohej nga agresioni helen. Turqit qenë pranë nesh edhe gjatë fushtës së NATO-s në Kosovë më 1999, siç qenë në krahun tonë edhe në vitin 1389, kur me në krye sulltan Muratin dhe Bajazidin, thyen njëherë e përgjithmonë supremacinë serbe në Kosovë dhe ndanë me shqiptarët sundimin e Ballkanit për pesëqind vite me radhë.
Libri “Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza Pasha” rrëfen për qytetarët shqiptarë legjendën me të cilën ne duhet të krenohemi. Ajo legjendë zhvillohet në kryeqendrën e shqiptarisë, në Shkodër. Aty një komandant turk, me një grusht turqish dhe shqiptarësh, vendosën të derdhin edhe pikën e fundit të gjakut për të mos lënë qytetin e shqiptarëve në duar të zgjedhës serbo ortodokse dhe imponojnë fuqive të mëdha që të pranojnë realitetin Shqipëri.
Për kërkuesit e të vërtetës, ky libër ndihmon edhe në rivlerësimin historik të kryengritjeve të Malësisë së Madhe dhe Kosovës, gjatë kohës së Luftës Ballkanike; duke i zhveshur këto kryengritje nga romantizmi dhe paragjykimet që ka shoqëruar historianët komunistë gjatë përshkrimit të tyre dhe treguar disa të vërteta edhe më të mëdha. Këtu vlen të përmendim atë që Hortense von Zambaur, thotë në librin që përmendëm më sipër (fq. 28):
“14 Nëndor 1912: Bombardime, si ditën e djeshme. Të krishterët po bëhen gjithnjë e më nervozë dhe tashti po fillojnë të pendohen për intrigat e tyre me Malin e Zi. Mirë t’u bëhet; këto janë frytet e politikës së tyre.”
Rrëfimet e luftës së “muhaseres” shkruesve të kësaj parathënie i ndërlidhen edhe me kujtimet e tyre personale. Apo më saktë me Latif Sokolin (rahmet i gjetë shpirti), i cili ashtu si shumë qytetarë të tjerë shkodranë, edhe pse ishte vetëm 13 vjeç është inkuadruar në formacionet e Taraboshit. Tregimet e tij për trimërinë e asqerëve turq, të ushqyerit me mish mushke, etj, që rrëfente deri vonë kanë qënë të pabesueshme. Latifi Sokoli i cili gjatë kësaj luftë është plagosur në bark, ashtu si shumë heronj të tjerë të heshtur të vegjëlisë së kombit tonë, jetën e kaloi ne thjeshtësi dhe harresë nga regjimet. Ashtu si edhe herojtë e tjerë, ai qendroi i paepur dhe me një urrejtje të thellë për komunistët, të cilët i quante “kaurra”dhe “qafirë” (fjalët më të fëlliqura për botëkuptimin e tij). I brumosur me mentalitetin shkodran të patriotizmit dhe burrnisë, ai mori pjesë edhe në Luftën e Koplikut më 1920 kundër serbëve. Por si për ironi të fatit, jetën e mbylli i pamartuar, roje në një çerdhe, duke banuar me qira në një bodrum… duke vdekur ashtu si edhe Hasan Riza Pasha i legjendës shkodrane; i pafalenderuar dhe i pamirënjohur nga regjimet e prapa që shqiptarëve i’u imponuan gjatë shekullit të XX-të.
Olsi Jazexhi & Sali Agaj
Në Tiranë, më korrik 2006
Parathënie
Libri me titull “Mbrojtja e Shkodrës dhe Gjenerali (Pashai) Hasan Riza” përgatitur nga Drejtoria e Studimeve Strategjike dhe Historisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, ka si qëllim t’i bëjë të ditur brezave të rinj betejat në rrethinat e Shkodrës gjatë luftës së dytë ballkanike dhe mbrojtja e kalasë së Shkodrës sidhe përmenden dhe luftëtarët që morën pjesë nën komandën e Hasan Riza Pashës.
Kur analizojmë historinë e shekullit të XX-të shohim humbjen e luftës Ballkanike 1912-1913 e quajtur edhe si luftë e vështirë. Ajo ka mbetur në kujtesën e popullit turk si një ngjarje shumë e hidhur. Paçka se është i humbur, populli turk nuk nënvleftëson ndikimin që pati kjo dhe fitoret që arritën luftëtarët e vetë, gjë që krenon sot çdo qytetar turk.
Nëqoftëse vlerësojmë karakterin e përgjithshëm të luftës vemë re trimërinë e ushtarakëve turq në mbrojtjen e kalave të Janinës, Edirnes dhe të Shkodrës gjë kjo që të bën të ndjehesh krenar. Një grusht ushtarësh turq që kishin shkëputur të gjitha lidhjet me vendin e tyre mbronin kalanë e Shkodrës nga rrethimi i forcave serbo-malazeze. Megjithëse në faqet e historisë quhet humbje, kjo mbrojtje e kalasë bëhet shkas për shkrimin e një legjende për të cilën turqit edhe sot krenohen. Populli turk do të krenohet gjithmonë me mbrojtësit e Shkodrës me në krye komandantin e jashtëzakonshëm Gjeneralin (Pashain) Hasan Riza.
Leximi i këtij libri është i dobishëm për të gjithë rininë turke dhe oficerët e rinj.
Vepra është shkruar nga Hamdi Ertuna (tani në pension) dhe është kontrolluar teknikisht e studiuar nga Drejtoria e Studimeve Strategjike dhe Historisë Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm.
Hamdi Köseoğlu
Gjeneral Korpusi
Drejtoria e Studimeve Strategjike dhe
Historisë Ushtarake pranë Shtabit te Përgjithshëm
Hyrje
Patjetër ka një të vërtetë që duhet përmendur se vendet armike kishin si qëllim dërgimin e turqve nga Europa në Azi. Veçanërisht qëllimi i drejtpërdrejtë i sulmit në pjesën europiane ishte të minimizojë prezencën e turqve në Europë. Për këtë arsye Lufta Ballkanike mund të përshkruhet kështu: Lufta Ballkanike ishte një rrëzim përfundimtar i prezencës sonë në Europë.
Në fillim të vitit 1913, Perandoria Osmane përgjithësisht ishte e formuar mbi dy gadishuj të mëdhenj: Njëri i Anadollit dhe tjetri Gadishulli Ballkanik (e quajtur ndryshe Rumeli).
Shtetet Ballkanike ishin të bashkuara në mendimin për të ndarë Rumelinë në mes tyre. Fuqitë e mëdha për të realizuar qëllimet e tyre në kurriz të Perandorisë Osmane pikërisht nga kjo pikë do të niseshin. Kjo ishte çështja që zinte vend, qoftë në luftrat me turqit, qoftë edhe në marrveshjet me ta. Këto zhvillime nganjëherë bëheshin të fshehta dhe nganjëherë të hapura. Këto njohuri të cilat janë shumë më të gjëra në vepra të tjera (sidomos në librin mbrojtja e Janinës dhe Esat Pasha në Luftrat Ballkanike) shpjegojnë në mënyrë të mjaftueshme gjatë gjithë historisë qëndrimet e Anglisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, İtalisë...kundra Perandorisë Osmane. Kësisoj në një situatë të tillë është e domosdoshme të ndalemi seriozisht në çështjen se si duhej të veprohej për të mbrojtur atdheun. Për këtë arsye është mirë që të përqëndrohemi në periudhën para këtyre ngjarjeve sidomos para Luftës Ballkanike. Sido që të vlerësohen ngjarjet dhe luftrat si gjithnjë edhe në atë periudhë, kanë patur shkaqet dhe arsyet e tyre. Në të kaluarën, sidomos politika kombëtare e krijimit të shteteve është mbështetur në disa shtylla. Në këtë libër çështjeve që kanë të bëjnë me Serbinë dhe Malin e Zi, u është dhënë një vend më i gjerë duke pasë parasysh edhe temat e historisë aktuale dhe duke menduar se duhen analizuar armiqësitë dhe lojrat politike mes shteteve.
Në peridhën e Sulltanatit Osman sidomos periudhën e fundit të ekzistencës së tij, nuk mund të thuhet se kishte një politikë shtetërore të qartë dhe të mbështetur. Një Kryeministër ndiqte kursin e politikës gjermane, kurse një tjetër atë të politikës angleze. Mirëpo nga askush prej tyre nuk doli ajo që pritej dhe shpresohej. Në kohën që u ndoq politika gjermane ne u dëmtuam me të ashtuquajturën paqe trepalshe. Kështu Austria aneksoi Bosnje-Herzegovinën, ndërsa Italia, Libinë. Kjo tregoi që nuk kishte siguri në politikën e jashtme.
Qeveria Osmane duke dashur që të kishte gjithnjë në vëmendje vendet armike, hoqi dorë nga vendet e largëta, madje ajo ishte e pa informuar edhe nga proçeset ballkanike që ishin në disfavorin tonë. Aq shumë e pa informuar ishte ajo saqë nuk ja vuri veshin as raporteve të shtypit të huaj.
Lidhur me këtë çështje mund të themi se Qeveria Osmane ishte fare e papërgatitur .Bile kërkonte që dhe ata ushtarë aktivë që dispononte të çmobilizoheshin. Për fat të keq duke besuar që nuk do të kishte më luftë, ajo bënte atë që kërkonin armiqtë.
Por e vërteta është se dhe në historinë e kohës sotme ka patur aq shumë marrdhënie miqësie të rreme saqë të gjithë vendet e prapambetura janë gjendur të papërgatitur.
Për këtë arsye janë bërë të varur prej tyre. Jemi dëshmitar që gjatë sulmit të Anadollit, në kohën që Lloid Xhorxhi bënte bisedimet për paqe me delegacionin e Z. Beqir Sami që ndodhej në Londër, grekët shtonin përgatitjet për sulm ushtarak. Veçse Qeveria e sapo krijuar e Anadollit nuk u mashtrua dhe ashtu siç nuk u mashtura, fitorja e dytë e Inonysë ishte përgjigja e duhur për Lloid Xhorxhin. Shtetet e tjera me propogandat politike që ndiqnin humbën besimin në popull dhe e përçanë popullin e tyre. Me këtë rrugë që ndiqej dukej që në derë po trokiste një katastrofë. Filluan problemet ekonomike, sociale, politike dhe për më tepër humbi disiplina brenda forcave ushtarake dhe në arsim e më në fund bie shteti. Një ditë konsulli rus në Mitrovicë ngriti një gotë për nder të turqve në një mbrëmje të Konfederatës Ballkanike. Ky veprim qe si një dush i ftohtë. Kjo nuk u pa me sy të mirë. Por për fat të keq pas një kohe të shkurtër kur dhe politika gjermane u kthye kundër asaj turke, rusët e patën të lehtë pajtimin e Ballkanit. Ka një të vërtetë se shtetet nuk njohin miq, por interes. Qofshin miq ose armiq shtetet mes tyre kur kanë një interes madhor bëhen të paskrupullt. Mardhëniet mes tyre ndërtohen sipas ligjeve të natyrës dhe dashje pa dashje pas një periudhe historia e marrdhënieve kthehet sipas këtyre ligjeve. Drejtësia në mardhëniet mes shteteve vihet vetëm në rastet kur ka përputhje interesash ose forca të njëjta. Kur vende të caktuara janë të dobta, gjenden të papërgatitura ose kur copëtohen, bëhen pjesë e të tjerëve. Një fakt që nuk duhet harruar është se një copë merret më lehtë se një e tërë. Duhet përmendur se shkak për uzurpimin dhe shfrytëzimin janë pakujdesitë në të kaluarën dhe prapambetja. Perandoria Osmane që kishte provuar shijen e humbjes së parë më 1699 në Marveshjen e Karlofçës kishte marrë dhe një plagë të madhe nga Marveshja e vogël e Kajnarxhës në v. 1774. Pas kësaj fuqitë e mëdha, të vogla dhe grupet etnike merrnin hak duke e sulmuar vazhdimisht mbi luanin e plagosur. Më në fund në mes të shekullit XIX Cari i Rusisë i quajtur ‘Njeriu i sëmurë’ u bë kryefjala për bisedimet mbi ndarjen e Perandorisë Osmane ndërmjet shteteve të tjera.
Në kohën kur ndodhnin të gjitha këto drejtuesit e Perandorisë Osmane përpiqeshin të modernizonin ushtrinë dhe jo strukturat e shtetit. Perandoria Osmane bëhej pre e sulmeve të Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe humbiste dita ditës pjesë nga tokat e veta. Dhe lufta e Ballkanit qe një nga sulmet e vendeve të sipërpërmendura.
Natyrisht që fundi i Shtetit Osman ishte i qartë kohë më parë, për shkak të qeverisjes së dobët dhe mungesës së disiplinës.
Vështrim i përgjithshëm i situatës dhe gjendjes politike para luftës së dytë ballkanike:
1.- Vështrim i përgjithshëm i situatës para luftës ballkanike
Maqedonia zinte një vend të rëndësishëm në politikën e brendshme dhe të jashtme të Perandorisë Osmane. Kur thuhet Maqedoni është e pamundur të lihen pa përmendur dhe bullgarët, serbët dhe grekët. Në fund të shekullit të XIX-të filluan lëvizjet, të cilat në fillim të shekullit XX-të (1902-1903) ishin bërë çështje serioze në marrdhëniet ndërkombëtare të Perandorisë Osmane.
Popujt që jetonin në Maqedoni ishin: turqit, bullgarët, serbët, vllehët (arumunët) dhe shqiptarët. Këta popuj kishin probleme mes tyre. Në të tre vilajetet Selanik, Manastir dhe Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë ishte myslimane. Gjithsesi pjesën e mbetur e përbënin bullgarët. Meqë kemi prekur temën e Maqedonisë duhet të përmendim dhe dy ngjarje të rëndësishme që i krijuan probleme Shtetit Osman.
Më 11 Mars të 1870 kishat e Maqedonisë u ndanë nga Patriarkana e Fanarit të Stamboll duke krijuar një kishë kombëtare të pavarur. Me formimin e kësaj kishe në Maqedoni u përjetua një shqetësim i madh. Kishat greke dhe bullgare që të bënin për vete të krishterët e Maqedonisë u konfrontuan në mes tyre deri në gjakderdhje. Serbët dhe vllehët duke u frymëzuar nga këto zhvillime, filluan të formonin kishat e tyre kombëtare. Kështu që kontradikat e brendshme të fesë dhe ato ndërmjet grupeve etnike e ndezën çështjen e Maqedonisë. Në Marrveshjen e dytë të Shën Stefanit (Yeşilköy), Maqedonia i ishte dhënë Bullgarisë. Pas marrveshjes së Berlinit, Maqedonia mbeti përsëri nën Perandorinë Osmane. Kjo situatë ngacmoi ambicjet e Bullgarisë dhe bullgarët i vunë vetes si qëllim të bëheshin zotër të Maqedonisë; kështu vazhduan veprimtaritë e tyre subversive me të gjitha forcat. Në v. 1890 në Sofje u krijua Komiteti Qëndror Edirne -Maqedoni; me 1893 në Selanik u formua Organizata Revolucionare e Maqedonisë. Komiteti i Maqedonisë në 1902 nxit rebelimin për pavarsi, duke krijuar trazira me anën e terrorit. Për të parandaluar të gjitha këto, Shteti Osman me miratimin e fuqive të mëdha u fut në Maqedoni për të ndryshuar diçka, por nuk mundi t’i bindte as bullgarët e as ballkanasit e tjerë. Rusia dhe Austria përgatitën një Memorandum me 21 shkurt 1903 dhe ja dhanë Qeverisë Osmane, e cila e pa të arsyeshme dhe e vuri në zbatim. Pavarësisht nga kjo trazirat vazhdonin. Shteteve të Ballkanit duke mos ju ardhur mirë e gjithë kjo filluan ta tepronin. Në këtë kohë u rrit vala e urrejtjes mes popujve. Në 25 Korrik të 1903 filloi të vepronte dhe Komiteti i Shpëtimit të të Krishterëve të Maqedonisë. Ata me një komunikatë ftonin popullin e krishterë maqedonas në një kryengritje masive. Kjo lëvizje u bë e ndjeshme në një kohë shumë të shkurtër dhe u bë shkak i situatave të përgjakshme në verën e vitit 1903 në Maqedoni. Kryengritja Ilin-Den që nisi më 2 Gusht 1903 zgjati rreth tre muaj deri më 22 Tetor 1903. Pasi u shtyp kjo kryengritja, në këtë çështje u përfshinë dhe Rusia me Austrinë, të cilat hartuan Programin e Stabilitetit dhe ja besuan Shtetit Osman. Megjithëse kjo ndërhyrje siguroi një stabilitet kalimtar, nuk mundi të krijonte mirkuptimin e plotë mes feve, tarikateve dhe racave të ndryshme; fërkimet vazhdonin ende. Në këtë kohë qeveria me politikat e turqizimit në Maqedoni solli trazira të mëdha. Nga ana tjetër grekët po përdornin çdo mënyrë për të kompensuar nga humbja e v. 1897. Sulmi i İtalisë kundër Trablugarpit u pa nga bullgarët si një mundësi shumë e mirë dhe në të njëjtën kohë u hodhën themelet për pajtimin bullgaro-serb. Marveshja që kishte si qellim këtë pajtim kishte kohë që nuk realizohej. Rusia që përdorte një presion mbi të dy vendet dhe në veçanti Cari me peshën e tij personale bëri që të firmosej kjo Marrveshje më 13 Mars 1912.
2.- Situata politike
Politika e jashtme
Kur flitet për luftën Ballkanike dhe betejat në zonën e Shkodrës dhe Kalanë e saj na vjen në mendje Mali i Zi sepse përgjithësisht betejat e kësaj zone kanë qenë me Malin e Zi. Betejat me serbët kanë qenë të kufizuara.
Në marrveshjen e Berlinit të v. 1878 zonat që kishin një popullsi më shumicë shqiptare si Peja, Plava dhe Gucia i ishin dhënë Malit të Zi. Vetë shqiptarët duke mos dashur të rrinë nën sundimin malazez, nuk e pëlqyen lëvizjen e Qeverisë Osmane dhe u ngritën kundër saj. Për të marrë këto troje malazezët përdorën forcën kundër shqiptarve. Më 1879 filluan përleshjet mes malazezve dhe shqiptarëve. Malazezët duke mos ja dalë dot kundër shqiptarve ia ngarkuan përgjegjësinë Qeverisë Osmane dhe u bënë kërkesë shteteve që kishin firmosur marrveshjen e Berlinit. Bazuar në këtë kërkesë fuqitë e mëdha u mblodhën në Qershor të v. 1880 në Berlin. Në vend të Plavës dhe Gucisë vendosën t’i linin Malit të Zi, qytetin e Ulqinit deri në Bunë dhe këtë vendim ja komunikuan Qeverisë Osmane. Qeveria Osmane nuk e miratoi këtë zgjidhje. Duke ndodhur kështu shohim që në këtë çështje ndërhyn edhe Anglia. Për ta detyruar Shtetin Osman të pranojë këtë propozim dërgoi një flotë detare në bregdetin e Ulqinit. Malazezët duke marrë zemër nga ky qëndrim i anglezve sulmuan ushtarakisht Ulqinin, por nuk arritën ta merrnin. Anglia duke parë këtë ndërhyrje të pasuksesshme shtoi presionin ndaj Qeverisë Osmane dhe i komunikoi se do hynte në Izmir. Qeveria Osmane nuk mundi t’i rezistojë këtyre presioneve të vazhdueshme dhe i dorëzoi Malit të Zi, Ulqinin. Edhe pas kësaj malazezët nuk ndenjën rehat, por u bënë shkak i një përleshjeve të përgjakshme dhe i djegjes së disa fshatrave në kufi. Kështu Mali i Zi prishi të gjitha marrdhëniet me Shtetin Osman duke dhënë shkas për luftë.
Marrdhëniet mes shteteve ballkanike dhe politikat ballkanike të fuqive të mëdha (1878-1912)
Megjithse kemi folur për Luftën Ballkanike dhe përgatitësit e saj në pjesën e hyrjes, do të ishte me vend t’i përkushtoheshim dhe pak veprimtarive dhe propozimeve të fuqive të mëdha. Qëllimet kryesore të grekve ishin turqit dhe tokat turke. Para luftës ballkanike, Greqia zotëronte një pjesë Thesalisë dhe po përpiqej të fuste plotësisht nën sundimin e saj Epirin dhe Maqedoninë. Grekët nuk ishin të kënaqur me ndryshimin e kufijve që u bë në marrveshjen e Berlinit. Kështu që nuk ndenjën rehat, por morën parasysh të fillonin luftën në v. 1897. Grekët me këtë lëvizje të tyre rrënuan ushtrinë e tyre përballë asaj osmane dhe u strehuan në gjirin e fuqive të mëdha siç ishte Rusia, duke marrë dhe guxim prej tyre. Ky fëmijë i përkëdhelur i Europës vazhdon të ketë të njëjtat qëllime. Duke vazhduar, për më tepër krijoi situata në Kretë dhe Maqedoni. Më 6 Tetor 1908 pati guximin dhe shpalli Kretën si pjesë të Greqisë. Kurse Bullgarët kishin për qëllim të merrnin Thrakën e Maqedonisë dhe të gjithë Dobruxhan. Si qëllim parësor kishin të bashkonin Rumelinë Lindore me Principatën Bullgare(18 Shtator 1885). Pas qeverisjes së dytë principata bullgare u shpall mbretëri. Serbët pasi fituan pavarsinë duke bashkuar edhe serbët e jugut kishin si qëllim formimin e Serbisë së Madhe. Me këtë qëllim duke shtënë në dorë Maqedoninë e më pas Shqipërinë të lidheshin me malazezët me të cilët flisnin të njëjtën gjuhë, më pas duke luftuar me Perandorin Austro-Hungareze të pushtonin Slloveninë, Bosnje-Hercegovinën e Kroacinë. Kështu që aneksimi i Bosnjes nga Austro-Hungaria i kish prishur qejfin Serbisë, aq sa po të mos kishte ndërhyrë Rusia mes Serbisë dhe Austro-Hungarisë do të kishte filluar lufta. Kur bëhej fjalë për fuqitë e mëdha si Italia, Rusia, Austro-Hungaria, Anglia; ato me politikat që ndiqnin donin ta përpinin Shtetin Osman ose ta shfrytëzonin atë sa të mundnin. Në rradhë të parë Rusia mendonte të bashkonte të gjithë sllavët nën drejtimin e vet. Pas kësaj ajo planifikonte që t’i përfshinte këto në atdhetarizmin rus dhe t’i bënte pjesë të tij. Pasi ta realizonte këtë planifikonte të shtinte në dorë trojet e tyre në Ballkan. Kur të mbaronin të gjitha këto donte të kthehej në një mbrojtës të ortodoksisë. Me anë të fesë të shtinte në dorë vendet e Ballkanit dhe më në fund qëllimi i saj, ishte të shtinte në dorë Ngushticën e Stambollit dhe të kalonte në detrat e ngrohta. Anglia gjithashtu i ndiqte me vemendje politikat dhe ndërhyrjet që bënte Rusia. Sepse Rusia me të shtënë në dorë vendet Ballkanike do arrinte në Detin Mesdhe, gjë që do të ndikonte negativisht në sigurinë dhe tregtinë angleze në vendet e Mesdheut. Për këtë arsye Anglia ruante ekuilibrin në Ballkan dhe mbante në presion Shtetin Osman. Kurse Franca dhe Italia kërkonin të shtinin në dorë pjesë nga tokat e Shtetit Osman. Në veçanti Franca kontrollonte ekonominë osmane dhe përdorte intrigat për të realizuar qëllimet e saj. Në krahun tjetër të dy këto shtete mbështesnin në çdo drejtim vendet e Ballkanit.
(1) Rëndësia politike e Shkodrës. Rusia, Italia, Austria dhe Mali i Zi
dhe qëllimet e tyre kundrejt Shkodrës.
Shkodra dhe rrethinat e saj që ndodhen në cepin perëndimor të Shqipërisë së Veriut ishte vendi që Rusia, Austria dhe Italia përpiqeshin ta kishin dhe popullsinë e saj nën pushtetin e tyre. Rusia që të mos i linte Austrisë Shqipërinë e Veriut, bënte lloj lloj ndërhyrjesh në favor të qeverive sllave dhe në dëm të çështjes shqiptare. Qëllimi kryesor i sllavëve të jugut ishin brigjet e Adriatikut të Shqipërisë. Me të vërtetë pushtimi sllav ishte qëllimi final. Grekët dhe mbretëritë sllave kishin projektuar ndarjen e Gadishullit Ballkanik sipas të ashtuquajturës marrveshje të pansllavizmit. Veçse qeveritë e vogla të Ballkanit nuk binin dakort për pjesët që do të merrnin. Politika austriake i nxiste këto mosmarrveshje. Pas marrveshjes trepalshe Rusi-Franc-Angli po realizohej një pushtim sllav, gjë që ishte një rrezik i madh për osmanllinjtë. Italia kërkonte ta merrte Shkodrën në rrugë politike. Italianët nuk shfrytzonin fenë, injorancën dhe kryengritjet me armë për të arritur këtë qëllim. Ata përpiqeshin të fitonin zemrën e popullit me anë të shkollave artistike dhe fushatën e ndihmës sociale që kishin filluar. Thënë ndryshe italianët duke i bërë gjërat në fshehtësi, donin ta siguronin pjesën e tyre pa luftë. Qeveria austriake kërkonte të përparonte me hir ose pahir drejt lindjes që të zbatonte politikat e saj. Ajo kishte vite që shpenzonte para për këtë punë. Kishte punuar me propogandën fetare dhe kishte ndërtuar kisha që nga qytetet e deri në fshatrat e thella malore. Paguante rrogat e priftërinjve dhe peshkopve shqiptarë dhe i përdorte ata në shërbim të interesave austriake.
(2) Bashkimi i vendeve të Ballkanit përballë Shtetit Osman
Mali i Zi ishte një vend i varfër dhe malor. Ai nuk kishte asgjë dhe ishte gjithmonë në kërkim të një toke pjellore dhe natyre të pasur për të përmisuar kushtet e jetesës. Prandaj i kishte vënë syrin Rrethinave të Shkodrës, Beranës, Pejës dhe Gjakovës.
Kryengritjet kundër qeverisë për t’u ndarë nga administrata turke po shtoheshin çdo ditë. Paaftësia për t’i shtypur këto kryengritje me nizamët dhe ushtarët e mobilizuar, bëri që Shteti Osman të futej në një rrugë pa krye. Sipas këndvështrimit të qeverive ballkanike ngjarjet që ndodhën më 31 Mars patën lënë shumë në diskutim vijueshmrinë e Qeverisë Osmane. Duke qenë kështu ky ishte momenti më i volitshëm për vendet e Ballkanit t’i hidheshin presë. Qeveria Serbe kishte filluar përgatitjet. Siç e kemi përmendur dhe më lart me ndërhyrjen e Rusisë më 13 Mars 1912 Bullgaria dhe Serbia firmosën pajtimin mes tyre. Veçse ky pajtim kishte të regjistruar si kusht: ‘Angazhimin e të dy palëve për të mos ndërmarrë asnjë lloj sulmi në çfarëdo rasti të ndryshimit të statusit Ballkanik pa pyetur Rusinë...’. Pas dy muajsh këtë marveshje e firmosën Mali i Zi më 29 Prill 1912 dhe Greqia më 16 Maj 1912.
Rusia nuk e kishte lajmëruar Francën dhe Anglinë për këtë marveshje. Austria dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishin marrë lajmin e këtyre zhvillimeve të fshehta. Që nga momenti që turqit kishin ardhë në Europë, mendimi i vetëm i europianve ishte t’i kalonin ata në krahun tjetër ngushticave. Këto qëllime u vunë re shumë mirë pas luftës ruso - osmane 1877-1878. Kontradiktat dhe konkurenca mes tyre bëhej shkak që këto qëllime të mos realizoheshin. Për fat të keq ne nuk arritëm të përfitonim nga mosmarrveshjet e tyre. Në qoftë se do të përdornim mirë fërkimet dhe mosmarvshjet mes tyre mund të themi që nuk do ta kishim humbur Rumelinë.
(3) Mardhëniet ndërmjet Shtetit Osman, Shteteve të Europës dhe vendeve fqinje.
Kur ndodhi lufta Ballkanike më 1912 politika europiane ishte ndarë në dy grupe: grupi i Aleancës Trepalshe dhe grupi i Marveshjes Trepalshe. Politika e Aleancës Trepalshe ku bënin pjesë Gjermania, Italia dhe Austria ishte të mbështeste faktin që Shteti Osman meritonte të fundosej dhe bazuar në këtë objektiv ndërtonte edhe marrdhëniet me Shtetin Osman. Austro-Hungaria nuk ishin dakort me fuqizimin e shtetit osman nëpërmjet reformave dhe eukilibrin që do arrihej pas kësaj në Ballkan. Politika Austriake përfitonte nga çdo mundësi qoftë nga vendet e Ballkanit qoftë dhe nga pozitat e saj në Adriatik. Për këtë arsye nga një anë mundohej të tërhiqte bullgarët dhe nga ana tjetër të arrinte kalimin nëpër Shqipëri.
Gjermania duke parë që ishte larg nga Shteti Osman dhe nuk do të përfitonte asgjë nga copëtimi i saj sidhe duke menduar që rivalet e saj mund të përfitonin nga kjo shihte si më të përshtatshëm moscopëtimin. Kurse Italia në këtë kohë ishte në gjendje lufte me Shtetin Osman. Ky shtet kishte frikë se me zbritjen e Austrisë drejt jugut, kjo e fundit do të merrte nën zotërim brigjet e Adriatikut në perëndim të Shqipërisë. Gjithashtu për hir të interesave të tyre edhe qeveritë sllave ishin kundër qëllimeve të Austrisë. Franca e përfshirë në Marrveshjen Trepalshe (ku bënin pjesë Anglia, Rusia dhe Franca) siç kemi parë dhe më lart kishte interesi të veçantë në aspektin ekonomik. Por nuk mund të thuhej që nuk kërkonte edhe tokë, p.sh. Franca kishte kohë që i kish vënë syrin tokave osmane të zonës së Sirisë. Për depërtimin shpirtëror dhe për kërkesat ekonomike që ajo kishte arritur në atë zonë nuk njihte rival. Me politikat e fshehta që ndiqte Franca hiqej sikur nuk luante asnjë rol në fatet e Shtetit Osman. Ndërsa qëndrimi i Anglisë ishte interesant. Pushtimi i Egjyptit, marrja në dorë e rrugës së Indisë dhe ndarja e Afrikës së Veriut mes saj dhe Francës kishte ndrequr mosmarrveshjet dhe rivalitetin mes tyre, nga ana tjetër mardhëniet e ftohta me Qeverinë Omane kishin ndryshuar. Por këtij vendi nuk mund t’i besoje kurrë. Ajo i kishte vënë syrin fort Irakut dhe Arabisë. Lidhja e vetme që kishte Anglia me osmanët ishte të pengoheshin rusët të dilnin në ngushticën e Bosforit. Përgatitja e këtyre për një pavarsi të brendshme dhe të jashtme, zgjerimi i veçorive dhe ligjërimi i elementëve të krishterë ishte politika që ndiqte Anglia prej shekujsh. Autonomia e Maqedonisë dhe zgjerimi i shteteve të vogla të Ballkanit kishte një rëndësi të veçantë për Rusinë dhe Austrinë. Politika lindore e Anglisë bashkë me Italinë ishte formimi i një Greqie të Madhe.
Qëllimi më kryesor i Rusisë ishte kalimi i flotës së saj në ngushticën e Bosforit dhe nga ana tjetër të mos linte asnjë flotë tjetër të kalonte në këtë ngushticë. Një qëllim tjetër i Rusisë ishte të kalonte nga Irani të zbriste Gjirin e Basrës, ndërsa në Ballkan të ishte e plotfuqishme. Rusia që prej shekujsh kishte derdhur shumë gjak qeveritë e Ballkanit të ishin vulnerabël ndaj saj. Fakti që grekët ishin bërë zotër të Epirit i takonte së kaluarës. Duke hapur disa shkolla në Durrës dhe Jug të Shqipërisë ata kërkonin të shtrinin gjuhën e tyre dhe të greqizonin shqiptarët e krishterë dhe në këtë pikë ata patën sukses.
Politika e brendshme
(1) Vështrim i përgjithshëm i politikës së brendshme
Perandoria Osmane mbeti shumë ngushtë pas kushteve të vështira që u detyrua të pranojë nga Marveshja e Berlinit. Prestigji i saj nuk kishte rënë vetëm në syrin e të huajve, por dhe në syrin e botës Islame. Pas fillimit të kryengritjes në 1902-1903 në Maqedoni, dobësimi i pushtetit të saj sa vinte e rritej. Edhe armenët me nxitjen e Rusisë filluan kryengritjet që nga v. 1890. Shteti osman e kishte punën pisk me ta. Si të mos mjaftonin këto, regjimi i egër i Abdylhamidit u bë shkak për fillimin e lëvizjes së xhonturqve që po bëhej dita ditës më e fuqishme. Gjendja e keqe ekonomike brenda Perandorisë po thellohej më shumë. Ata që drejtonin shtetin mbanin një qëndrim të gabuar e të pakuptueshëm. Shteti Osman përballej me shumë vështirësi, shkonte kundër rrymës dhe humbte shumë kohë me veprime të kota. Me vendimet e gabuara që merrte i shtonte orekset armiqve. Armiqësitë që ekzistonin prej kohësh midis vendeve të Ballkanit, arritën të ktheheshin në miqësi dhe kjo ndodhi sepse u bashkuan kundër Shtetit Osman.
Më poshtë përmendim një vendim të gabuar të Qeverisë Osmane me pasoja të mëdha. Në këtë moment kritik ajo kishte ç’mobilizuar ushtrinë dhe kishte lënë rradhët e ushtrisë bosh. Ushtarët e armatosur që kishte në dispozicion përveç vendit të punës ishin shumë të shpërndarë dhe shumë të dobët për ti përballuar kryengritjes. Madje dhe ndihma logjistike në kohë lufte që ishte planifikuar të vinte nga Anadolli nuk mundi të vinte sepse forcat greke në Detin Egje ishin më të mëdha. Kjo do të thotë që nuk do të kishte transportim forcash apo logjistike nga Deti Egje. E vetmja rrugë që mbetej ishte me tren nëpërmjet Thrakës. Thënë hapur fati i ushtrisë në pjesën perëndimore ishte në dorë të Zotit. Si të mos mjaftonte kjo mes krerëve të ushtrisë kishte ende mosmarveshje. Oficerët mes tyre diskutonin nëse kishte mbaruar apo jo lufta me İtalinë dhe nëse kryengritjet në Shqipëri dhe Jemen përbënin një problem të madh përsa i përket financës së dobët dhe pamundësisë për të bërë një luftë. Në veçanti marrja e ushtarakëve me politikë prishte disiplinën e ushtrisë dhe e bënte atë të merrte fund. Në këtë kohë kishte nga ata ushtarakë që thoshin se nuk donin të luftonin me vendet e Ballkanit bile kishte nga ata që e kishin vendosur këtë, me qëllimin të qëndronin sa më larg luftës. Dhe në qoftë se nuk mund të tërhiqeshin nga lufta ta zgjasnin fillimin a saj sa të ishte e mundur. Qeveria e mbetur nën ndikimin e oficerëve të saj që përpiqeshin të ndiqnin drejtimin e fuqive të mëdha, mbante nën presion vendet ballkanike. Krahas kësaj propozohej që Rumelia të jepej si kompesim, me kushtin që portet e Greqisë t’i bënin bllokadë Anglisë dhe Francës. Shteti Osman që nuk kishte besim tek vetja dhe kërkonte ndihmë nga të huajt, duke mos gjetur atë që priste mbeti i vetëm në këtë politikë.
(2) Malazezët
Ata janë racë sllave dhe të fesë ortodokse. Bisedimet e osmanllinjve me malazezët filluan që në fillimet e shekullit e XV-të. Në atë kohë në krye të Shtetit Osman ishte Sulltan Murati II-të, ndërsa malazezët ishin nën urdhërat e dhespotit serb Stefan Lezaraviç (v. 1430).
Në kohën e Fatih Sulltan Mehmetit me 1479, Ivan Cërnojeviçi kishte zënë vendin e Lazareviçit dhe në të njëjtën kohë kishte shtënë në dorë Shkodrën, duke lënë pas dore punët e brendshme të Malit të Zi. Në 1514 kur Mali i Zi u shkëput nga Shkodra mori emrin Cërnagora (që në gjuhën sllave do të thotë Mali i Zi ). Në shekullin e XVI-të Mali i Zi që ishte nën drejtimin e osmanllinjve drejtohej nga udhëheqësit fetarë. Në v. 1688 Mali i Zi u sulmua nga Venediku dhe u bë pjesë e tij. Pas kësaj në v. 1692 Flamurtari i Shkodrës Sulejman Pasha sulmoi Malin e Zi, shkatërroi Cetinjen dhe e bëri pjesë të Perandorisë Osmane. Në fillim të shekullit të XVIII-të shihen mosmarveshje të theksuara midis Shtetit Osman dhe Malit të Zi. Në atë kohë ishte në krye të Rusisë ishte Car Pjetri, që nxiste vazhdimisht malazezët për rebelim. Në Cetinjë ishte hapur një konsullatë ruse. Me nxitjen e Rusisë dhe herë pas herë të Francës dhe Austrisë në Malin e Zi organizoheshin turbullira kundër sundimit osman. Në v. 1860 me nxitjen e Rusisë, ngritën krye herzegovinasit. Si gjithmonë këtë kryengritje e përkrahnin dhe malazezët. Por këtë herë forcat osmane i udhëhiqte një komandant shumë i zoti siç ishte Serdar Ekrem Ömer Lutfiu. Ky komandant i zoti e me vlera i shpartalloi malazezët në Rijekë dhe i detyroi të kërkonin paqe. Sipas marrveshjes së nënshkruar, malazezët nuk duhet të dilnin më jashtë kufijve të vet dhe nuk duhet të merrnin pjesë në kryengritjet përreth dhe do të linin të lirë kalimin në rrugën që lidhte Shkodrën me Herzegovinën. Në të njëjtën kohë populli malazez nuk do të pemgonin ndërtimin e kullave të vrojtimit që do të ngrinin osmanët (31 Gusht 1862). Princ Nikolla në njërën anë firmoste marrveshjen, në anën tjetër duke gjetur përkrahje te Franca dhe Rusia nxiste kryengritjet. Me presionin e këtyre dy shteteve, Qeveria Osmane prishi kalatë që kishte filluar të ndërtonte në rrugën Shkodër - Herzegovinë. Në v. 1875 në Herzegovinë fillon një kryengritje tjetër. Në aparencë Rusia dhe Austria paralajmëronin princin malazez të mos përfshihej në këto kryengritje, por nën rrogoz e nxisnin dhe i jepnin zemër. Në v. 1876 Serbia i shpalli luftë Shtetit Osman, ku përfshi edhe Mali i Zi që kishte marveshje me Serbinë. Në fund të kësaj lufte Serbia pësoi disfatë dhe u detyrua të kërkonte armpushim. Mali i Zi mbeti i vetëm, prandaj në skenë u çfaqën fuqitë e mëdha që e detyruan Qeverinë Osmane të pushonte luftën. Fuqitë e mëdha të mbledhura në Stamboll i sugjeruan Qeverisë Osmane të dalë fitimtare nga kjo luftë, t’i linte Nikshiqin dhe zonën mbi Kolashin si shtet të pavarur të Malit të Zi. Qeveria Osmane duke mos e pranuar këtë pranoi disa lëshime që ishin në disfavor të saj, por pa i dhënë të drejtë Malit të Zi të ishte i pavarur. Delegatët në mbledhje nuk i pranuan këto propozime dhe kështu kjo mbledhje u mbyll pa rezultat. Pas kësaj Fuqitë e Mëdha u mblodhën në Londër dhe firmosën mes tyre protokollin e 31 Marsit 1877. Rusia informoi Qeverinë Osmane se në rast se nuk do të firmosej edhe prej saj ky protokoll, ky do të ishte një shkak për luftë ndermjet tyre dhe Perandorisë Osmane. Pas diskutmesh të shumta deputetët e Parlamentit Osman nuk i pranuan kushtet shumë të rënda të protokollit. Duke gjetur këtë pretekst rusët i shpallen luftë (1877-1878). Qëllimi i luftës së Rusisë ishte dendësimi i përleshjeve në kufirin me Malin e Zi. Natyrshëm që duke qënë se lufta e malazezëve tani ishte margjinale për osmanët, nuk arriheshin më rezultate pozitiveprej tyre. Malazezët arritën më në fund të merrnin Nikshiqin, Podgoricën, Tivarin dhe Ulqinin. Lufta me rusët që zgjati përreth një vit bëri që ushtria Osmane të humbte në Lindje të Anadollit dhe përgjatë Tunës. Qeveria Osmane u detyrua të pranojë marrveshjen e Yeshilköy (Sh. Stefan) me 3 Mars 1878. Sipas kësaj marveshje Shteti Osman duhet t’ia linte Bullgarisë Thraken dhe Maqedoninë, territoret në Rumeli të ndaheshin ne tre pjesë dhe ajo që ishte më e vështira të pranonte pavarsinë e Malit të Zi. Me ndërhyrjen e fuqive të mëdha dhe veçanërisht Anglisë në marveshjen e Berlinit me 13 Korrik 1878 u miratua përsëri pavarsia e Malit të Zi, ku kësaj principate iu la një pjesë e mirë deri në Portin e Tivarit ku futeshin dhe Piva e Nikshiqi, Kolashini, Podgorica, Shpuza, Plava dhe Gucia. Ulqini që ishte në duart e malazesve kalonte përsëri Shtetit Osman. Porti i Tivarit dhe të gjithë ujrat e Malit të Zi ishin të mbyllur për anijet e huaja luftarake. Kështu që pas 400 vjetësh nën drejtimin e Shtetit Osman, Mali i Zi arriti të bëhej një shtet i pavarur.
(3) Serbët
Serbia është një nga republikat jugosllave. Shtrihet në veri të Gadishullit Ballkanik ose në jug të Europës, me një sipërfaqe prej 55. 965 km katror. Ka një popullsi prej 4. 823. 000 banorësh dhe qendra e saj është Beogradi (para luftës Ballkanike ajo kishte 48. 303 km katror dhe popullsia e saj ishte 2. 853. 659)
Janë popull sllav që kanë ardhë në Ballkan në shekullin e VII-të. Në korespondncat e frankëve në vitin 822 përmendej si Sorabi. Serbët të cilët u vendosën në perëndim të Moravës, Dibrës, Drinit, Tarës dhe Pivas nuk mundën të krijonin shtet. Ata jetonin në fise dhe kishin shumë pak lidhje me njëri-tjetrin. Udhëhiqeshin nga kryetarët e fisit si nga ana politike ashtu dhe nga ana ushtarake. Këta kryetarë derdhën shumë gjak në luftë për të qenë mbi të tjerët. Përveç kësaj me vdekjen e kryetarit krijohej një problem i madh për faktin se stafetën nuk e merrte djali i tij por më i vjetri i fisit. Me gjithë paqet apo luftrat që bënte Serbia kohë pas kohe ajo arriti të shtinte në dorë dhe Maqedoninë. Bile në v. 1345 shohim që serbët dhe grekët morën emrin Çari.
Më në fund del në skenë Perandoria Osmane. Herë herë serbët ose tokat që serbët pushtonin ngriheshin kundër Osmanllinjve. Serbia e cila zotëronte një pjesë të mirë të Maqedonisë dhe Bullgarisë me në krye Mbretin Llazar, kundërshtoi me armë taksat e vendosura nga Sulltan Murati I-rë, si rrjedhojë bile pushtoi edhe Nishin në v. 1436. ai u ndalua në Polçenik nga ushtria osmane dhe nuk mundi të përparojë më tutje. Murati II-të i shpalli luftë Serbisë, kështu që të dy ushtritë u ndeshën më 15 Qershor 1439 në Kosovë. Megjithëse Murati II-të u vra, ushtria serbe doli e humbur nga kjo luftë. Llazari u kap rob dhe iu pre koka. Ky ishte një grusht vdekjeprurës për Serbinë. Pas kësaj humbje shteti serb mbijetoi dhe për 70 vjet të tjera. Pas pranimit të aleancës me Sulltan Bajazitin, në krye të Serbisë ishte djali i Llazarit, Stefan Lazaroviç. Pas kësaj Serbia ishte nën drejtimin e osmanllinjëve dhe mori pjesë në disa beteja si pjesë e ushtrisë osmane. Në kohën e Sulltan Sulejmanit ligjërisht tokat serbe iu bashkuan Bejlerbejllëkut të Rumelisë që kishte si qendër Sofjen. Në vitet 1800 në Serbi fillon ndërhyrja dhe ndihma e rusëve. Serbia që i kishte dalë nga duart për një farë kohe Shtetit Osman, në kohën që Europa merrej më Napoleonin ishte përsëri nën zotërimin turk. Në kohën e Milloshit më 6 Nëntor 1817 u quajt një mbretëri e lidhur me Perandorinë Osmane. Më 1830 Mahmuti II-të e njohu autonominë e Serbisë. Pas Luftës së Krimesë dhe fuqitë e mëdha njohën autonominë e Serbisë. Pas luftës ruse-turke, Serbia me mbështetjen e Austro-Hungarisë më 22 Gusht 1878 fitoi pavarsinë e plotë nga Perandoria Osmane. Serbia sulmonte vazhdimisht Shtetin Osman dhe firmosi një marveshje miqësie me Bullgarinë dhe luftë të përbashkët kundër turqve. Gjithashtu me 27 Shtator të 1912 firmosi një marveshje politike dhe ushtarake me Malin e Zi. Të tre këto shtete sëbashku me Greqinë i shpallën luftë Shtetit Osman, duke sulmuar njëkohësisht tokat osmane.
(4) Shqiptarët
Shumica e historianëve nuk japin konkluzione konkrete për origjinën e saktë të shqiptarëve. Një pjesë mendon se të parët e tyre janë ilirët kurse një pjesë tjetër mendojnë se janë thrakasit. Në kohët e hershme ilirët krijuan shtetin e madh ilir. Para erës sonë Gjenerali i Romës Amelius Polus ua mori Epirin ilirëve dhe më vonë Roma vuri nën zotërim edhe Maqedoninë dhe Ilirinë. Në vitin 395 të Erës sonë kur Perandoria e Romës u nda në atë të Lindjes dhe Perëndimit kufiri mes të dyjave kalonte përmes Shqipërisë. Në këndvështrimin gjeografik Shqipëria është përballur shumë pak me pushtime nga shtetet barbare. Pas shekullit të VI ishte hera e parë që sllavët hynin në bisedime me këto vende. Avarët turq bënë një sulm në Shqipëri në v. 619, por nuk patën rezultat. Rreth fundit të shekullit të IX-të bullgarët që ishin sllavizuar vërshuan drejt Maqedonisë. Në v. 917 Car Simeoni pushtoi të gjithë Maqedoninë. Në periudhën e Bazilikës, Shqipëria ishte pjesë e Perndorisë Bizantine (v. 1019). Qendra e bizantinëve në këtë vend ishte qyteti me emrin Albanon. Pas formimit të Perandorisë Latine më 1204 u krijua Despotati i Epirit. Ky despotat mori dhe një pjesë të zonave ku jetonin shqiptarë. Perandori bizantin Andronikos III-të kërkoi ndihmë nga Zotni Umur Ajdinoglu për të shtënë në dorë Despotatin e Epirit (v. 1336). Zotni Umur dërgoi 2000 ushtarë. Këta i detyruan shqiptarët të shkonin drejt Maqedonisë dhe zaptuan Portin e Vlorës. Ishte hera e parë që përballeshin shqiptarët me turqit. Në v. 1340 Stefan Dushani pushtoi të gjithë Shqipërinë dhe e bashkoi atë me Vilajetin e Zetës. (Në ate kohë Zeta ishte nën drejtimin e Balshajve). Përpjekjet e para të shqiptarëve për pavarsi ndodhën i përkasin kësaj periudhe. Në v. 1358 Karl Topia i hapi luftë Despotatit të Epirit dhe e fitoi betejë që u zhvillua buzë lumit Akheloos. Në v. 1360 në veri një princ tjetër i Balshajve formoi një principatë në Shkodër. Gjithashtu u formua edhe një principatë e tretë shqiptare në lindje të lumit Drin, në Dukagjin. Në v. 1385 Princi Thoma i Janinës u detyrua të pranonte vasalitetin e Sulltanit. Në v. 1387 topiasit kërkuan ndihmën e ushtrisë osmane kundër balshajve ku edhe e fituan luftën. Në v. 1389 në luftën e Kosovës shqiptarët mbajtën krahun e serbve dhe luftuan kundër osmanllinjve. Pas kësaj humbje prijësat shqiptarë pranuan të ishin pjesë e Perandorisë Osmane, të jepnin taksat dhe të dërgonin ushtarë. Në Periudhën e Sulltan Bajazit (Jilldirimit – Vetëtimës, pas v. 1394) Shqipëria u lidh drejtpërdrejt me Perandoinë. Turkmenët e Saruhanit u shpërngulën nga Anadolli dhe u vendosën në Shqipëri. Bashkë me këta emigrantë filloi të aplikohej dhe sistemi osman i Timarit. Drejtimi i vendit ju dha uçbejve që quheshin ndryshe ‘Flamurtarët e Shqipërisë’. Princat vendas hynë në kuadrin e timarit. Shumica e këtyre princave ishin të krishterë dhe me kalimin e kohës u kthyen në myslimanë.
Në v. 1417-1419 Ballaban Beu pushtoi disa qytete në Veri të Shqipërisë. Aliu Beu që vinte nga familja e Aranitasve ngriti krye kundër Jovan Kastriotit * . Për këtë arsye ky i fundit u detyrua të linte peng katër djemtë e tij tek qeveritarët osmanë. Pas shumë përpjekjesh në v. 1501 e gjithë Shqipëria ishte nën pushtimin osman. Pas krijimit të Shtetit Osman në vend, Shqipëria u nda në tetë flamuj (principata). Një pjesë e këtyre principatave mbeti nën sundimin e Bejlerbeut e Rumelisë, kurse pjesa tjetër nën Kapllan Pashain.
Sipas Marveshjes së Berlinit një pjesë e tokave shqiptare mendohej t’i lihej grekëve dhe serbëve. Më në fund në v. 1912 statusi i Shqipërisë u ndryshua, shqiptarët fituan pavarsinë. Në v. 1912 filloi Lufta ballkanike dhe kështu bullgarët, grekët, malazezët sulmuan territoret që i përkisnin Shtetit Osman. Deputeti shqiptar në parlamentin turk, Ismail Qemal Vlora erdhi nga Stambolli në Durrës, ku shpalli pavarësinë e Shqipërisë. U krijua një Qeveri dhe një Parlament i përkohshëm. Ai ia komunikoi këtë lajm fuqive të mëdha. Me 17 Dhjetor 1912 u arrit pavarsia zyrtare e vendit, ndërsa pavarsia de facto erdhi me 29 Korrik 1913 si rezultat i Marveshjes së Londrës që arrit pas luftës ballkanike dhe ku Ismail Qemali dërgoi një delegacion që përfaqësonte shqiptarët.
Pas kësaj osmanllinjtë nuk kishin më të drejta mbi Shqipërinë.
* Gjon Kastrioti
________________________________
Përgatiti:
Drejtoria e Studimeve Strategjike dhe Historisë Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke
Përshtati: Sali Agaj
Korrektoi: Olsi Jazexhi
© Copyright i botimit në shqip: Olsi Jazexhi
Botimi u ndihmua nga: Mehmet Vejsi Ishik dhe Fondacioni i Anadollit për Zhvillim, Tiranë, 2006