PËRSËRI PËR IDENTITETIN SHQIPTAR TË ISMAIL KADARESË

Me 22 shkurt 2007 në gaz. “Shekulli” u botua një letër e redaktorit të g. “Illyria”, Ruben Avxhiut, që titullohej “Letra e mosmirënjohjes”. Ky shkrim kishte një varg “akuzash” kundër meje që në reagimin tim me titull “Identitetit shqiptar i Ismail Kadaresë” paskam marrë guxim t’i bëj vërejtje Ismail Kadaresë, i cili në një intervistë i kishte shprehur qëndrimet e veta lidhur “Programin e Ahtisarit” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Autori më akuzonte se e kam fyer Kadarenë, pse nuk jam pajtuar me mendimet e tij, por nuk e theksonte drejtpërdrejt asnjë shprehje fyese, sepse të tilla nuk ka teksti im. Në qoftë se dikush fyhet, kur i thuhet e vërteta, atëherë kjo është punë tjetër.

Në anën tjetër, “letra” e z. Avxhiu, që donte t’ia bënte argatin e plotë Ismail Kadaresë, përmban më shumë se njëzet herë epitetet fyese për mua, duke filluar që nga më të thjeshtat për mosdije, etikë, e deri te tradhtia kombëtare dhe “puna e serbit” etj.

Sikur kjo letër, me të gjitha këto fyerje, të botohej diku në Amerikë, apo në ndonjë vend të qytetëruar të botës së Perëndimit, do të kisha mundësi që ta padis z. Avxhiu dhe të kërkoja edhe dëmshpërblimin përkatës, por te ne shqiptarët të gjitha janë të lejueshme. Mund të të shajë njeriu si të dojë dhe kur të dojë publikisht me anë të shtypit dhe kurrgjë kurkujt, e bafsh me shëndet!

Duke u nisur nga pasaktësia e tij lidhur me kronologjinë e Konferencës së Rambujesë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mund të konstatohet fare lehtë se Avxhiu është një gazetar që ka mangësi të njohurive elementare. Prandaj, nuk do të merrem fare me “marifetet” e letrës së z. Avxhiu, por do të flas përsëri për Ismail Kadarenë dhe identitetin e tij shqiptar.


Ismail Kadare gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri


Para se ta bëj këtë, për lexuesit e gazetës, mendoj se është i domosdoshëm edhe një sqarim: Nuk e di pse në këtë letër trajtohem si drejtor i Institutit Albanologjik (pos për ta përgojuar pa të drejtë institucionin, për punën e të cilit z. Avxhiu nuk ka haber!), kur unë reagimin tim nuk e kam nënshkruar as si drejtor e as si bartës i ndonjë titulli apo grade shkencore?!

Letra është shkruar me emër e me mbiemër, sepse për intervistën e Ismail Kadaresë kam reaguar si lexues i rëndomtë i saj. Të theksoj kalimthi se për romanet e I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gurë”unë kam shkruar para 28 vjetëve dhe studiuesit e letërsisë e din mirë se çfarë ka qenë vlerësimi im për këto vepra.

Duke trajtuar mendimet që Ismail Kadare i ka shprehur në intervistën e tij, unë nuk pata asnjë qëllim që ta mohojë identitetin shqiptar të shkrimtarit tonë, por e theksova mu atë, duke i parë tek ai veçoritë thelbësore të psikologjisë së shqiptarit të kohës sonë.

Për të mos i përsëritur ato që i kam thënë në shkrimin tim të mëparshëm do t’ia kujtoj lexuesit se unë e qortova Ismailin, sepse ai në Programin e Ahtisarit shihte se po “krijohej shteti i dytë shqiptar”, siç thoshte ai ”rast që vjen një herë në njëmijë vjet”.

E vërteta është se Kosova si protektorat i pashpallur i UNMIK-ut, sepse ende është në fuqi Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara që e trajton “territor të Serbisë”, pas miratimit eventual të një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jetë sërish protektorat i pashpallur, me afat te pakufizuar, i Bashkësisë Evropiane dhe brenda këtij territori do të veprojnë komunat etnike serbe me lidhje të veçanta me Serbinë. Brenda Kosovës do të veprojë e pashpallur zyrtarisht një “republika serpska” si në Bosnje.

Derisa I. Kadareja entuziazmohej si shumë shqiptarë naivë, edhe nga radhët e poltikanëve mendjeshkurtër, unë e theksova qartë se pa të drejtën e vetëvendosjes, pastaj, me vendimmarrje të Parlamentit të Kosovës me “votën e dyfishtë”, me konsensusin e domosdoshëm për shumë çështje vitale me deputetet e minoriteteve (me vetë Serbinë), kjo kreaturë shteterore shqiptaro-serbe nuk do të mund të funksiononte. Aq me tepër, kur komunat serbe sipas Dokumentit të Ahtisarit do të kenë pavarësi ekonomike, në fushën e gjyqësisë, në polici, në arsim, në shëndetësi etj., ato, edhe në qoftë se marrin pjesë me përfaqësuesit e tyre në organet qendrore të Kosovës, vijnë aty vetëm për të sjellë pengesa dhe për t’i shfrytëzuar fondet e përbashkëta.

Derisa Ismail Kadareja, duke u bazuar në oportunitetin politik të qarqeve të caktuara shqiptare dhe evropiane, i jepte përkrahje të plotë Grupit të Unitetit, i cili kishte pranuar shumë kompromise lidhur me të ashtuquajturin “decentralizim dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore e fetare serbe”, duke ua lënë komunave serbe dhe kishave ortodokse, që qeverisen drejtpërdrejt nga Beogradit, gati tridhjetë për qind të territorit të Kosovës, unë kërkoja që të përkrahet lëvizja “Vetëvendosja” e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila përfaqëson interesat e përgjithshme të popullit shqiptar dhe ka mbështetje të plotë në të drejtën e përgjithshme (universale) të popujve për vetëvendosje në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Unë kam bindje të plotë se këtë të drejtë, më në fund, si të gjithë popujt e botës, herët a vonë, do ta gëzojë edhe populli shqiptar, i cili do të vendosë vetë se si do ta ndërtojë Shqipërinë e Vërtetë, e jo një, dy, apo më shumë “shtete shqiptare”, siç flet me entuziazëm naiv Ismail Kadareja (?!)

Duke i trajtuar këto çështje si njohës i mirë i rrethanave të Kosovës si territor historikisht dhe aktualisht shqiptar dhe i historisë së saj më të re, si njeri që jam jetësisht i lidhur me fatin e saj, e jo si politikan pragmatist, unë konstatova se Ismail Kadareja i shikon gjërat në prizmin e ngushtë të oportunitetit politik të kohës dhe nuk ka vizion për ardhmërinë, ose të paktën, këtë vizion nuk do ta shprehë në shkrimet e këtilla. Andaj, pa pasur qëllim tjetër, në fund të kësaj letre, e këshillova në mënyrë përkatëse, madje duke cilësuar edhe “Ismail, i dashur” që të mos gabojë, të mos flas për qejfin e politikës ditore.

Më në fund të gjithë e din, pos z. Avxhiu, se edhe Ismail Kadareja, si njeri që është, mund të bëjë edhe gabime, prandaj edhe mund të qortohet publikisht, sepse gabimet e tij kanë pasoja më të mëdha dhe më të dëmshme sesa të politikanëve.

Vërejtja kryesore në letrën time ishte se Ismail Kadare e ka vlerësuar gabimisht Dokumentin e Ahtisarit. Nuk është kjo hera e parë që ai bën gabime të këtilla, të qëllimshme ose të paqëllimshme (?!).

Të gjithë ata që e kanë përcjellë aktivitetin e tij politik e din mirë se Ismaili në disa raste edhe vetë i ka parë gabimet e veta dhe ka bërë përpjekje t’i korrigjojë. Do t’i përmendi vetëm telegrafikisht disa nga rastet e këtilla:

Ismail Kadareja e ka paraqitur vlerësime kontradiktore për figurën e Ibrahim Rugovës; ai e ka vlerësuar gabimisht Konferencën e Rambujesë; për vlerësimet kontradiktore të Ismail Kadaresë për UÇK-në është botuar një libër i tërë (Shpëtim Golemi “UÇK-ja dhe Kadareja”, Prishtinë 2004); Ismaili ka dhënë edhe vlerësime të ndryshueshme për Jakov Xoxën, Arshi Pipën, për Adem Demaçin e pastaj, tash së voni, edhe për Rexhep Qosjen; dikur moti ai në plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte vlerësuar lart metodën e realizmit socialist, por më vonë është distancuar nga qëndrimet e tij të mëparshme.

Me në fund, do ta themi edhe një të vërtetë se Ismail Kadareja, duke qenë kontradiktor dhe i ndryshueshëm, madje edhe i paqëndrueshëm në aspekte të veçanta karakterologjike, ka bërë edhe ndryshime e plotësime të mëvonshme në shumë nga veprat e tij.

Disa nga këto vepra që nga zanafilla kanë pasur edhe nga dy e më shumë versione, prandaj është bukur e çuditshme se si një krijues me luhatje të këtilla, ka mundur ta ruajë vazhdimësinë e plotë në krijimtarinë e vet.

Kjo, mbase, do të jetë një nga çështjet me të cilën do të merren studiuesit e ardhshëm të veprës së tij dhe do t’ia caktojnë vendin e merituar midis vlerave të trashëgimisë letrare të popullit tonë, e jo pragmatizmi politik në shkrimet publicistike të Ismail Kadaresë, që është dukuri kalimtare, por mund të ketë edhe efekte atatgjata negative .

__________________________________________________

LETRA E MOSMIRËNJOHJES


Nga Ruben Avxhiu - Redaktor i gazetës "Illyria" në Nju Jork, SHBA

Më 22-02-2007 Gazeta –“Shekulli”



Këtë fundjavë, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës me anë të një letre të botuar në Gazetën "Shqiptare", është përpjekur të fyejë publikisht shkrimtarin më të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Preteksti ka qenë një intervistë e shkrimtarit dhënë këto ditë botuesit të gazetës Illyria, Vehbi Bajrami, në SHBA për zhvillimet në Kosovë. Media në mbarë trojet shqiptare e ka përcjellë intervistën duke vlerësuar peshën dhe rëndësinë e mesazhit.

Fjala e asnjë personaliteti tjetër shqiptar nuk pritet me kaq interes, kuriozitet e respekt sesa e shkrimtarit Kadare, jo thjesht për kontributin e tij në botën letrare shqiptare por edhe për rolin personal që ka luajtur në këto 20 vitet e fundit në ndërkombëtarizimin e kauzës kosovare e në përpjekjet për ta zgjidhur atë drejtësisht, në favor të shqiptarëve. Intervista e fundit përqendrohej tek Propozimi i Ahtisaarit dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.


Ismail Kadare



Problemi i letrës së Sadri Fetiut nuk është ai nuk bie dakord me qendrimet e shprehura nga Kadareja gjatë intervistës. Shprehja e mendimeve të kundërta është pasurim i debatit publik. Një kundërshtim me argumente e fakte do të ishte mirëpritur nga lexuesi serioz e madje edhe nga vetë shkrimtari. Në këtë periudhë kyçe për fatet e kombit shqiptar, Kosovës e mbarë rajonit, të gjithë kemi nevojë për një shkëmbim të sinqertë mendimesh të pjekura e alternativa të matura të veprimit politik.

Në vend që të sillte një kontribut të tillë, letra e Sadri Fetiut ishte një sulm i padrejtë, i pamoralshëm, i pasaktë, i ndërtuar keq dhe pa edukatë ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. I ardhur nga një njeri që drejton Institutin Albanologjik të Prishtinës, ky sulm është akoma edhe më shqetësues.

Duke peshuar dy kritika për Propozimin e Ahtisaarit

Fetiu mundohet të justifikojë sulmin kundër Kadaresë me vlerësimin pozitiv që sipas tij shkrimtari i ka bërë Propozimit të Ahtisaarit, të cilin Sadri Fetiu e përshkruan si antishqiptar.

Ai nuk është shqiptari i parë që ngrihet kundër Propozimit të Ahtisaarit dhe kjo nuk është ndonjë herezi. Diplomati finlandez e ka sjellë projektin e tij pikërisht për këtë punë, që të vihet në diskutim. Puna është se ndryshe nga një numër bashkatdhetarësh të tij, që janë zhgënjyer nga ky dokument, Sadri Fetiu nuk e di se pse është kundër.

Ndryshe, nga ai, Kadare në intervistën e dhënë gazetës "Illyria" i ka bër Propozimit të Ahtisaarit kritikën më thelbësore të deritanishme. Këtë

e ka bërë jo duke u marrë thjesht me detaje teknike të tij, por duke kritikuar frymën, vizionin e gabuar anti-shqiptar që për shekuj ka gjalluar në Europë e që megjithë zbutjen e kohëve të fundit sërish endet në formë mbeturinash të rrezikshme. Ai godet të keqen në burimin e saj, në rrënjën e saj, duke synuar ta shkulë njëherë e përgjithmonë.

Kjo përpjekje e lavdërueshme e shkrimtarit të shquar nuk është lexuar, nuk është kuptuar ose nuk është vlerësuar nga drejtori i institutit.

Fetiu është gabim edhe në trajtimin e elementëve të Propozimit të Ahtisaarit që sipas tij ndjellin keq për të ardhmen e Kosovës. Ndryshe nga kritikat serioze e me profesionalizëm që i janë bërë Propozimit Ahtisaari nga shqiptarë e të huaj, Ai përdor terma të gabuara politikë e juridikë dhe është i pazoti të sjellë fakte për të ndriçuar, zbërthyer e le më për të mbështetur opinionet e tija të shiptuara keq.

"Ky shtet", thotë ai, veç të tjerash, pa e vrarë mendjen se nuk e kupton se çfarë po shkruan, "duhet të veprojë me konsensus të plotë midis shqiptarëve dhe Serbisë, meqë dihet mirë se komunat e serbe do të jenë në lidhje vertikale me shtetin amë".

Tani lexuesi serioz mendon se Dokumenti i Ahtisaarit sjell konceptin e ndonjë vetoje serbe si ajo që Kosova gëzonte gjatë periudhës së Kushtetutës së Titos në vitet '70 apo të ndonjë mekanizmi të ngjashëm ligjor që e detyron Prishtinën që për çdo gjë të shpresojë në miratimin e përfaqësuesve ligjorë të komunave serbe. Mirëpo, kjo sigurisht nuk ekziston në Propozimin e Ahtisaarit. Aq më tepër nuk ka vijë llogjike mes nevojës së Prishtinës për konsensus dhe të drejtës komunare për të vendosur marrëveshje të drejtpërdrejta me Beogradin.

Kjo pozitë e Kosovës nga plani i Ahtisaarit, sipas Fetiut, është krejt "e ngjashme me atë që kishte Kosova në Federatën Jugosllave, në bazë të Kushtetutës të 1974" dhe se si e tillë nuk gëzon të drejtën e shkëputjes!

Sipas Propozimit të Ahtisaarit, Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare si OKB, FMN etj. Nuk ka asnjë precedent ligjor e historik që ndonjë krahinë, provincë e vetqeverisur etj të ketë të pasur drejtë të bëjë një aplikim të tillë.

A ka të meta shqetësuese plani i Ahtisaarit? Sigurisht që ka. Po Sadri Fetiu është treguar i paaftë t'i analizojë ato e akoma më i paaftë për të ofruar ndreqje.

Kjo e bën sulmin e tij me letër, përveçse të pasaktë edhe të pamoralshëm. Ai ofron një ekspertizë të cilën nuk e zotëron. Pse kjo arrogancë ndaj lexuesit serioz? Ndoshta, sepse kritika ndaj Ahtisaarit nuk është qëllimi i letrës. Ndoshta, sepse e ardhmja e Kosovës nuk ndryshon çfarëdo që të thotë ai? Ndoshta, sepse beson se do të jetë gjithmonë drejtor i Institutit që drejton çfarëdo që të thotë e të bëjë? Apo ndoshta se synimi i vërtetë i letrës nuk ka të bëjë më fatet e Kosovës, po me denigrimin e paramenduar të figurës së shkrimtarit Kadare.

Përgjigjen duhej ta jepte vetë autori i letrës, po kam përshtypjen se sinqeriteti nuk është vetia e tij më e ndritur.

Në fakt nga të dy, Kadareja është ai që e ka fshikulluar vërtet Propozimin e Ahtisaarit. Ai sheh në segmente të caktuara të Propozimit një keqkuptim "që është pjellë e përbashkët e një propaganda të palodhur, e një demagogjije, e një paradoksi cinik, që arrin deri aty sa që xhelati të viktimizohet dhe viktima të fajësohet".

Kritika e Kadaresë godet vizionin diskrimues ndaj shqiptarëve, duke treguar se nga vijnë pjesët antishqiptare të Propozimit, kurse Fetiu sulmon në erë, me krahasime pa vend, që e bëjnë kritikën e tij të pabesueshme dhe në fund të fundit vetëm sa dobësojnë përpjekjet shqiptare për të ndryshuar dokumentin e Ahtisaarit. Është ironike se si pas kësaj, Fetiut i duket Kadareja inferior e për më tepër, po nuk ngopet me këtë, po tenton t'ua veshë këtë të metë të gjithë shqiptarëve. Shumica e tyre, sipas tij, kanë mbetur psikollogjikisht inferiorë ndaj të huajve. Se ku e gjen ky njeri guximin që të fyejë një komb të tërë, nuk e di. Aq më tepër pasi ka ofruar veten si shembull inferioriteti me trajtimin që i ka bërë dokumentit të Ahtisaarit.

Nga Rambujeja tek Ahtisaarit dhe historia e ringjalljes së një argumenti

Kadareja me të drejtë thotë se është burrëri sot të besosh te Grupi i Unitetit e tek procesi i statusit. Nuk duhet harruar se shqiptarët e kanë treguar njëherë një burrëri të tillë më 1999, kur firmosën Marrëveshjen e Rambujesë. Atëhere ishte akoma edhe më e vështirë. Po firmosej një marrëveshje që bazohej mbi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit që Kosovën ia linte Beogradit. Edhe atëhere dashakeqësit, naivët dhe mendjeshkurtërit bënë thirrje për refuzim. Po njerëzit vizionarë argumentuan me sukses të kundërtën dhe fituan. Sot, në sajë të asaj firme që dukej aq e dyshimtë, Kosova është e lirë, Jugosllavia e shpartalluar dhe rezoluta famëkeqe nuk ekziston më.

Ai precedent na bën që të kemi besim te miqtë tanë perëndimorë, sot, kur situata është shumë më premtuese, kur kufizimet që sjell plani i Ahtisaarit janë shumë më të dobëta e më të përkohshme se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit.

Që të arrihej deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Beteja për zemrat dhe mendjet e Perëndimit nuk ka qenë e lehtë. Serbët kanë sulmuar me propagandë e shpifje të të gjitha llojeve kundër shqiptarëve. Tema e preferuar e tyre ka qenë që shqiptarët e Kosovës janë vetëm një komunitet fetar. Për rrjedhojë, krijimi i shtetit të Kosovës do të ishte krijimi i një shteti fetar. Kjo, argumentonin deri në pambarim serbët, jo vetëm nuk është në frymën laike mbareuropiane po do të ishte shembull i gabuar në një kohë që Lindja e Mesme valon nga revanshi fetar, i cili synon që të krijojë regjime të bazuara jo në demokraci e të drejtat e njeriut po në "diktatura të shenjta".

Këtij imazhi mashtrues të shqiptarëve muslimanë që rrezikokan krishtërimin perëndimor, i janë ngritur kundër miqtë më të mirë të shqiptarëve në Perëndim e në botë, po edhe figurat tona të shquara si Kadare, të cilët me saktësi kanë vënë në dukje se lëvizja e shqiptarëve të Kosovës është një lëvizje kombëtare e jo fetare e se ndonëse shqiptarët janë në shumicë muslimanë, mes tyre gjallon e pastër një nga traditat më të hershme botërore të krishtërimit.

Më tej, ata kanë treguar me fakte sesi që dhuna serbe nuk e ka kursyer as komunitetin katolik të Kosovës e se nuk ka pasur asgjë kristiane në sjelljen shtazarake të regjimit të Millosheviçit e, pas tij, në politikën arrogante të Koshtunicës.

Qindra e qindra fletë të shkruara, e fotografi me pamje makabër janë shpërndarë në Washington nga diplomacia serbe duke treguar sipas tyre dhunën "binladenske" të shqiptarëve ndaj kishave në Kosovë. Pamjet tronditën edhe disa nga miqtë tradicionalë të shqiptarëve në kryeqytetin e vendit më të fuqishëm të botës.

Po kësaj loje të turpshme u duk se i dha fund vizita në SHBA e Imzot Sopit e priftërinjve të tjerë katolikë të Kosovës që erdhën në Kongresin Amerikan, e takuan zyrtarë të Uashington-it për t'u thënë se shqiptarët nuk janë një entitet fetar po një komb me fe të ndryshme e harmoni ndërfetare për t'u pasur zili. Atyre që nuk kishin gjetur gjurmë të katolicizmit në kryeqytet u thanë se Prishtina do ta kishte shpejt Katedralen e saj. Ata mbi të gjitha thanë se katolikët shqiptarë ashtu si vëllezërit e tyre muslimanë duan pavarësi nga Serbia.

Kapitull i mbyllur: fushata serbe kishte dështuar! Apo kështu menduam ne e miqtë tanë këtu në SHBA.

Mjerisht, si një dhuratë e papritur për Beogradin e marrosur erdhi lëvizja nga Kosova për të ndalur ndërtimin e Katedrales e për të kufizuar praninë publike të bashkësisë katolike. Në krye të kësaj lëvizjeje mendjeshkurtër (në mos tradhëtare të kombit) qendronte edhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

"Katedralja në qendër të Prishtinës reflekton mjerimin tonë shpirtëror", kumtonte Sadri Fetiu, për gëzimin e serbëve në Beograd e kudo, "e fukarallëkun tonë mendor dhe poltronizmin tonë shekullor ndaj të huajve, që kanë vepruar pothuajse gjithnjë kundër interesave tona kombëtare".

Urrejtja ndaj "të huajve" ka qenë gjithmonë në sinkron me politikën serbe që nga koha e Millosheviçit, që luftonte kundër ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Mirëpo, për inat të Millosheviçit, "të huajt" erdhën në Kosovë, duke e çliruar atë nga kthetrat e një regjimi vrasës e duke e vënë në rrugën e pavarësisë.

Sulmi në Kosovë kundër Katedrales ka qenë dhurata më e madhe për propagandën serbe në këto shtatë vitet e fundit. Ai ringjalli fushatën e tyre, praktikisht të vdekur.

Për më tepër, Fetiu, në sulmin e tij ndaj katedrales, nuk ka lënë pa përdorur banalitetin që ndoshta e karakterizon në të gjitha ndërhyrjet publike:

"Nëse ndodh kjo", shkruante ai, "është mirë që në vend të Fakultetit të Rologjisë të ndërtojmë një çmendinë me permasa gjiganteske, për ta vendosur në të gjithë budallakinë që ka lulëzuar në kokat e disa politikanëve të dorës së parë dhe të një pjesë të elektoratit të tyre".

Si t'ia justifikoj këtë sjellje Sadri Fetiut? Të them që është musliman i përkushtuar? Po këto deklarata nuk i kanë hije një muslimani që është mësuar të respektojë besimtarin e Zotit pavarësisht cilës fe i përket. Sot, xhamia më e madhe e Europës është në Romë, po kjo nuk e ka bërë Romën më pak katolike. E një katedrale në Prishtinë nuk do ta bënte kryeqytetin më pak musliman.

Të them që është naiv e nuk e kupton lojën serbe kundër Kosovës? Po ky është drejtor i një Instituti me emër. Po nuk e kuptoi ai si mund të kem shpresë tek njerëzit e thjeshtë?!

Të them se është tradhëtar i kauzës për pavarësinë e Kosovës? Po është akuzë e rëndë për ta shqiptuar e a thua tradhëtarët veprojnë kaq haptas, se edhe ata kanë frikë në mos turp.

Të jetë këtu arsyeja e vërtetë pse iu vërsul, pas asnjë kuptim në dukje, Kadaresë? Të jetë ngaqë shkrimtari duke qenë se është përplasur disa herë publikisht me propaganduesit serbë në Perëndim, dalloi frytet e mashtrimit serb në Propozimin e Ahtisaarit dhe ngriti çështjen e traditës katolike shqiptare në Kosovë?

Një kritikë e vonuar apo ndihmë në kohën e duhur

Po ka edhe më. Një nga pikat e tjera të rëndësishme të fushatës serbe kundër Kosovës ka qenë paralajmërimi se Kosova menjëherë pas pavarësisë do të bashkohej me Shqipërinë duke i dhënë fill në Ballkan krijimit të shteteve-kombe. Edhe njëherë miqtë e pavarësisë së Kosovës argumentuan se Kosova tani ka një identitet të sajin, e që politikanët e saj nuk do të heqin dorë nga Prishtina si kryeqytet i një vendi të pavarur, për ta kthyer përsëri në një qendër të një province të largët.

Për të siguruar zgjidhjen në favor të shqiptarëve të çështjes së Kosovës, diplomacia amerikane futi mosbashkimin me Shqipërinë si një nga kushtet e pavarësimit të Kosovës. Ky kusht ua hoqi nga dora këtë argument serbëve dhe rusëve.

Kjo ka ndodhur katër vjet më parë. Mirëpo, pikërisht pak ditë më parë, po Sadri Fetiu del me një sulm kundër udhëheqësve shqiptarë, të cilët paskan bërë gabimin më të rëndë duke firmosur mosbashkimin me Shqipërinë. (Ata në fakt nuk kanë firmosur gjë ende, por po pranojmë se Fetiu flet në mënyrë figurative.)

Pse bëhet kjo lloj kritike tani? Ka katër vjet që kur mosbashkimi me Shqipërinë është shpallur si kusht nga ndërkombëtarët, që atëhere njëfarësoj të gjithë politikanët e Kosovës, me përjashtim të një partie të vogël, kanë rënë dakord në mënyrë gojore se nuk do të ketë bashkim.

Në fakt, mendohet se bashkimi me Shqipërinë do të hapte veç të tjerash lojën e ndarjes së Kosovës. Nga ana tjetër, ndarja është alternativa që po gatuan Beogradi tani kur po e sheh që pavarësia e Kosovës po bëhet e pashmangshme. Tani papritmas argumenti nuk është më i vdekur. E sërish, ringjallja ndihmohet nga Prishtina.

Mosmirënjohje

Unë nuk dua të them se Sadri Fetiu bën lojën e serbëve, po nuk mund ta mohoj se ai ka një aftësi të çuditshme për të thënë ato që s'duhet në kohën që s'duhet. E për ironi të fatit, është ai që i sugjeron Kadaresë shprehjen e Konicës, "Zot, na mba gojën…". Në fakt, Zoti të na mbajë gojën që të mos i themi ndonjë gjë më të rëndë Sadri Fetiut kur na sjell dëme të tilla të përmasave historike.

Dhe në fakt, e kemi mbajtur gojën. Po kur në vend që të kërkojë falje për ato që ka shkruar ngrihet përsëri e hap gojën, kësaj here për të denigruar, njeriun që nga tribunat më të mëdha të medias ndërkombëtare për vite të tëra është bërë flamurtar i pavarësisë së Kosovës, atëhere nuk duhet heshtur më.

Kadare nuk ka nevojë për mbrojtje, se gëzon nderimin e mbarë popullit të Kosovës, po është përpjekja e shëmtuar e Fetiut për të vënë në dyshim identitetin shqiptar të shkrimtarit të madh që nxiti këtë reagim timin.

Ismail Kadare e ka vënë emrin e tij, famën e tij ndërkombëtare në shërbim të çështjes së pavarësisë së Kosovës. Pa asnjë detyrim apo interes personal, ai ka shpenzuar kredibilitetin e tij prej letrari të madh për t'i dhënë Kosovës mbështetje politike, intelektuale e publike në Francë e në mbarë botën. Ai nuk ka kërkuar ndonjëherë lavde për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, por është e pafalshme që të "shpërblehet" me mosmirënjohje si ajo që kullon nga letra e Sadri Fetiut.

ttp://www.shekulli.com.al/news/44/ARTICLE/5091/2007-02-22.html


RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme