Populli pa atdhe

image

Derisa gjurmët e Edi Ramës dhe të Hashim Thaçit akoma nuk janë fshirë nga balta e Prizrenit, ndërsa nuk kanë prajtur komentet rreth këtij takimi, që nga cilësimet se kjo ishte “Lidhja e re Prizrenit” e deri te ato se “ishte një takim i dështuar dhe sa për sy e faqe”, ia vlen që edhe ne - shqiptarët e Maqedonisë, të pyetemi se ku ishim ne në atë takim. Ndonëse dy kryeministrat u treguan “të mëshirshëm” me Luginën e Preshevës, duke ia dhuruar një shumë gati se komike, për shqiptarët e Maqedonisë thuajse nuk pati asnjë qindarkë dhe asnjë llaf optimist.
Dhe, kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e çështjes. Sepse, duke qenë dy shtete të pavarura, që pikën e parë të agjendës së tyre e kanë integrimin në BE, ato “nuk kanë çka përzihen në punët e brendshme” të një shteti “mik” siç është Maqedonia. Por, më e rëndësishme se kjo është mesazhi që u përcillet nga ky takim shqiptarëve të Maqedonisë.
Me agjendat e shpalosura, jo vetëm në takimin e Prizrenit, dy shtetet shqiptare dëshmojnë se ato nuk kanë kurrfarë plani për bashkimin e trojeve shqiptare. Ato janë deklaruar haptazi se agjenda e tyre është BE-ja dhe se atje do të bashkohen. Pra, kur të bashkohen me Sllovakinë e Letoninë, do të bashkohen edhe këto dy shtete. Kjo i bie se edhe sikur BE-ja të shpërbëhet, Shqipëria e Kosova do të duhet t’i mbeten besnike asaj, sepse vetëm ashtu përmbushet agjenda e bashkimit shqiptar. Ngase, ato nuk kanë plan B. Kjo shpresë i mban edhe disa shqiptarë të Maqedonisë, të cilët janë të frustuar tejmase nga këto agjenda. Tashmë kur dihet se Shqipëria nuk ka plan për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në rajon, tashmë kur dihet që as Kosova nuk guxon të ketë këso agjende, tashmë kur e dimë se kostoja financiare e bashkimit është e papërballueshme edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën, tashmë kur e dimë se kostoja diplomatike për bashkim e këtyre dy shteteve (dhe e shqiptarëve të tjerë në Ballkan) është nën nivelin e dëshiruar, tashmë kur e dimë se sa është takati ushtarak shqiptar për ta realizuar me forcë një bashkim kombëtar, bëhet krejt e pakuptimtë që shqiptarët e Maqedonisë sa herë që e këndojnë poezinë “Mëmëdheu” të Çajupit, ta kenë në mendje Shqipërinë. Nëse ky mëmëdhe realisht nuk ka asnjë plan për të na bërë “bij” të vet, cili është kuptimi që “vendin ku më ka rënurë koka” ta konsiderojmë si një atdhe të përkohshëm, i cili së shpejti do të shpërbëhet dhe ne do të jemi pjesë e atdheut të vërtetë.
Nëse nisemi edhe nga shpjegimi në FGJSSH-së (Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe) se atdheu është “Vendi ku kemi lindur e jetojmë ne dhe ku kanë jetuar të parët tanë, vendi ku banon prej kohësh një popull a një komb, mëmëdhe.”, kjo i bie që shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht të mos e kenë të zgjidhur këtë çështje. Formalisht dhe për nga përkufizimi duhet ta kenë atdhe Maqedoninë, ndërsa kulturalisht e kanë atdhe Shqipërinë. Kur i ndërmendim edhe faktet e sipërthëna për mundësinë që Shqipëria (ose Kosova) të bëhet edhe atdhe formal i shqiptarëve të Maqedonisë, del në pah mungesa e agjendës së elitave politike shqiptare në Maqedoni. Këto elita (nëse vërtet e meritojnë këtë emërtim prijësit e partive tona politike) sa herë që flasin para publikut maqedonas dhe veçmas kur janë në pushtet, atdhe e kanë Maqedoninë (kujtohuni në deklaratat e Ali Ahmetit dhe të Gëzim Ostrenit), madje janë edhe vojvodë (si Menduh Thaçi kur ishte në pushtet), ndërsa sa herë që janë para publikut shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë bëjnë me dije se ata e konsiderojnë Maqedoninë si një shtet të përkohshëm dhe qëndrimin tonë këtu si qëndrim dy-trejavor në ndonjë hotel, derisa ne të bashkohemi me “mëmën Shqipëri”. Përveçse është demagogji dhe hipokrizi ndaj bashkëqytetarëve tanë maqedonas dhe, për ata vetë, lojë jokorrekte ndaj partnerit të tyre në pushtet, moszgjidhja e kësaj dileme është aq më shumë e dhimbshme për qytetarin shqiptar. Ai jeton mes dilemës “A është atdheu im Shqipëria, së cilës nuk ia shoh hajrin as sa Lugina e Preshevës, apo është Maqedonia, e cila vazhdon të më diskriminojë në baza etnike, duke më trajtuar si një mish të egër?”
Të gjendur në këtë situatë, ne edhe nuk mund t’u përshkruajmë faj politikanëve të Shqipërisë e të Kosovës (ndonëse ata dinë edhe të krekosen në Shkup se e kanë hallin tonë, siç ndodhi më 2012), sepse ata janë deklaruar qartë se çfarë mendojnë për shqiptarët e Maqedonisë, por duhet t’i kapim fort për fyti politikanët tanë që “kërkojnë Kërçovën shqiptare” (me idenë që t’i vendosim vijat etnike), që “kanë një ëndërr që ende s’ka ardhur koha ta thonë” (Ali Ahmeti), që kurrë nuk marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të “atdheut të tyre” (Maqedonisë), ndërsa nuk harrojnë të patriotizohen deri në dehje për 28 Nëntor, e pastaj kur dalin para të huajve dhe maqedonasve gënjejnë se Maqedoninë e ndjejnë si atdhe të tyre. Kështu ata kanë prodhuar një frustrim që shfaqet që nga abetarja e librat e letërsisë shqipe në Maqedoni, ku atdheu jonë kulturor kontrabandohet si atdhe formal, e deri te diaspora e shqiptarëve të Maqedonisë, që nuk mban asnjë lidhje me përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë, ndërsa nuk përfiton asgjë nga përfaqësitë e Kosovës e të Shqipërisë.
Këto janë arsyet që neve na bëjnë të pyetemi pa hipokrizinë e politikanëve se cili është apo cili duam të jetë atdheu jonë? Në kushtet kur Shqipëria na privon nga kjo e drejtë, në kushtet kur Kosova as që ka ngenë ta dëgjojë këtë zë, ne do të duhej t’i kthehemi vetes sonë dhe atdheun ta prodhojnë “aty ku kemi lindur”, pra në Maqedoni. Natyrisht, që të ndodhë kjo ne duhet të vëmë disa kushte, që nga ndryshimi i emrit të shtetit, që nga identiteti shtetëror i shtetasve të Maqedonisë (nuk ka kuptim që edhe identiteti etnik i shumicës të jetë “maqedonas” edhe identiteti shtetëror të jetë “maqedonas), e deri te simbolet shtetërore (himni, stema e flamuri shtetëror), në mënyrë që Maqedonia (që mund edhe të mos quhet më kështu) të kthehet në një shtet qytetar, të cilin edhe shqiptarët etnikë, edhe maqedonasit etnikë, por edhe të tjerët, ta ndjejnë si atdhe të tyre.
Megjithëse mund të duket vështirë e realizueshme, sepse janë një sërë faktorësh që duhet të binden, nuk duhet të harrojmë se të mëdhenjtë janë për të marrë vendime të vështira. Fundja prandaj politikanët marrin mandatin e popullit – për të marrë vendime të vështira, sepse vendimet e lehta, si puna e ndërrimit të rektorëve e drejtorëve, i merr secili komandant vetëm me një kobure në brez.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme