A b s t r a k t
E Drejta Ndërkombëtare Islame është pjesë e Jurisprudencës Krahasuese, e cila lindi kryesisht në periudhën e mesjetës, nga studiues dhe juristë të së drejtës së Sheriatit, të cilët vendosën për herë të parë mekanizmat krahasues, për të parë anët progresive dhe më pozitive që shfaq kjo disiplinë shkencore me karakter juridike dhe procedural.
Kjo teori u përdor dhe gjatë kohës së zgjerimit të territoreve dhe pushtetit politik, ku u konsiderua si domosdoshmëri që krahas zbatimit të ligjit vendas, juristët të merreshin dhe me studimin e fenomeneve social-juridike, të zakoneve ligjore autoktone, të vendeve që ata zotëronin.
Pas luftës së dytë botërore, ku dhe doktrina e së Drejtës Ndërkombëtare Publike mori një hov më të gjerë (u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila u mor drejtpërsëdrejti me garantimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave universale të njeriut, u vendosën norma me karakter ndërkombëtar mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, ndalimin e skllavërisë, piraterisë, etj.) e drejta ndërkombëtare islame, morri një shtrirje më të larmishme duke krijuar dhe ajo mekanizmat e saj funksionalë si: (Organizata e Konferencës Islamike, e cila nxjerr rezoluta dhe rekomandime me karakter ndërkombëtar mbi promovimin e demokracisë, lirisë, respektimin e të drejtave universale të njeriut, bashkëpunim në të mirë të ambientit global etj).
Në kuadrin e sistemeve juridike krahasuese, kjo doktrinë shfaq një interes tepër të madh. Nga njëra anë kontribuon me burimet e saj juridike në pasurimin e legjislacioneve perëndimore, me norma juridike sa më zbatuese dhe sa më afër interesit të qytetarëve, duke i garantuar atyre një mbrojtje ligjore sa më efikase, por nga ana tjetër duke qenë se jetojmë në periudhën e globalizmit, mundëson që ato rregulla, që mund të zbatohen në një shtet të caktuar të gjejnë aplikueshmëri dhe zbatueshmëri në një shtet tjetër, duke i siguruar njerëzimit më tepër siguri dhe lehtësira procedurale.
Për këtë qëllim është detyrë e studiuesve, hulumtuesve dhe juristëve, që të shfaqin rolin e tyre, duke përqasur dhe harmonizuar familjet e ndryshme ligjore, sa më afër metodave krahasuese me degë të tjera të së drejtës.
Hyrje
E drejta ndërkombëtare Islame, është pjesë përbërëse e korpusit të ligjeve dhe burimeve juridiko-fetare, si dhe e normale, zakoneve dhe sjelljeve sociale me karakter ndërkombëtar, të cilat kanë si qëllim rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve Islame që respektojnë legjislacionin Islam (pra, të drejtën Islame) ndërmjet shteteve të tjera që respektojnë të drejtën pozitive. (Legjislacionit e familjes ligjore civil-law dhe te sistemit comman-law). Teoria klasike e të drejtës ndërkombëtare Islame (siyar) u përdor gjerësisht në periudhën e “shkëlqimit të shteteve Islame”, periudhë e cila përkon me shek. II-të hixhri, ose me shek. VIII-të te erës sonë.
Në fakt është pikërisht kjo periudhë kur vendet Islame arritën kulmin e ekspansionit territorial, si dhe të zhvillimit të mëtejshëm të institucioneve të shtetit dhe të jetës politike, sociale dhe ekonomike. Ky zhvillim i shteteve Islame është i lidhur ngushtësisht me parimin e përhapjes së këtyre normave juridiko-fetare me karakter ndërkombëtar në të gjithë territorin e shtetit Islam. Si pasojë e këtij zgjerimi popullsia myslimane hynte në kontakt me popullsitë e tjera jomyslimane, si përmes tregtisë, por dhe marrëdhënieve të tjera njerëzore, dhe pikërisht për të sistemuar këto marrëdhënie social-ekonomike, ndërhyn e drejta Islame, që rregullonte këto dukuri me element të huaj.
Studiuesit dhe juristët e parë të cilët u morën gjerësisht me interpretimin e normave juridike të së drejtës ndërkombëtare Islame, u bazuan në konsekuencat dhe rezultatet e arritura, si pasojë e përhapjes së Islamit në territoret e tjera jomyslimane. Në këtë mënyrë për të vendosur këto raporte nevojitej një kuadër-normativ me dispozita permanente juridiko-fetare, për të qenë të njësuara, si për popullsinë myslimane, që jeton në gadishullin Iberik, ashtu dhe për atë popullsi që jeton në gadishullin Arabik, si dhe në pjesë të tjera të botës.
I pari jurist dhe dijetar Islam, që u mor seriozisht dhe në mënyrë sistematike me normat e të drejtës ndërkombëtare Islame, ishte juristi Ebu Hanife (v. më 767 e.s), dhe më pas i ndjekur po nga një nxënës i tij, juristi Al-Avza’i (v. më 774 e.s).[1] Dijetarit dhe juristit Al-Avza’i i dedikohet mendimi i parë juridiko-ndërkombëtar mbi Islamin, sepse trajtoi për herë të parë në veprën e tij, këndvështrimin juridiko-shkencor të Islamit. Por nga ana tjetër një tjetër jurist i shkollës Hanefi, Al-Saybani (v. më 805 e.s), ishte i pari jurist Islam që shkroi traktatin e parë të së drejtës ndërkombëtare.
Nga ky dijetar kemi dhe përkufizimin e parë të së drejtës ndërkombëtare Islame (sijer). Sipas tij e drejta ndërkombëtare Islame ka karakter që të përshkruaj “kujdesin dhe të drejtat që besimtarët mysliman, vendosin në marrëdhënie me popullsitë e huaja jomyslimane, që jetojnë në territoret e tyre, dhe kur popullsia jomyslimane ndodhet në territoret e shteteve Islame në mënyrë të përkohëshme (musta-min), dhe ato që ndodhen me banim të përhershëm (dhimmi), në territoret e shteteve Islame. Ky citim tregon qartë se statusi i të drejtave, për popullsitë e huaja jomyslimane ishin të garantuara juridikisht në territoret Islame, që në fillim të shek. VII-të të erës sonë. Një rrjedhojë kjo e cila buronte nga Kur’ani dhe tradita profetike.
a) Objekti, dhe parimet themelore të së Drejtës Ndërkombëtare Islame
Në dritën e të drejtës ndërkombëtare moderne e cila daton vetëm pas vitit 1648, vetë e drejta ndërkombëtare Islame, nuk ndërton një korpus juridik të ndarë dhe të papajtueshëm nga e drejta Islame (sheriati). Por ai është bazuar në parimet e reciprocitetit dhe të një konsensusi të gjerë ndërmjet shteteve dhe që konfirmohet, si një përmbledhje e normave juridike të cilat përmbajnë rregulla, që stabilizojnë marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve dhe shtetasve të huaj jomyslimanë, brenda dhe jashtë territorit të shtetit Islam, ku detyrë për t’i zbatuar dhe vëzhguar këto norma i është rezervuar në mënyrë thelbësore dhe ekskluzive autoriteteve shtetërore Islame. Kjo përbën dhe objektin kryesor të veprimtarisë të së drejtës ndërkombëtare Islame.
Themelore, është mbi të gjitha të kuptuarit të parimit dhe nocionit territor Islam, në të drejtën ndërkombëtare Islame. Ashtu si dhe njerëzimi i cili është i ndarë ndërmjet popullsisë myslimane dhe popullsi të tjera fetare, kështu dhe territori po sipas juristëve klasikë është i ndarë në, territorin Islam (dar-ul-Islam), dhe që do të thotë se është territori i cili është i banuar nga myslimanët dhe ku janë në fuqi ligjet e sheriatit dhe në territore të huaja, ku ndër të tjera nuk përjashtohet dhe territoret në gjendje lufte (dar ul-harb), qoftë dhe në territoret e kontrolluara nga jomyslimanët. Sipas disa juristëve, territoret në gjendje lufte, mund të konfigurohen si (dar-ul-sulh), që do të thotë territore ku parimi i reciprocitetit ndërmjet shteteve është pezulluar, ose ndërprerë për aq kohë sa shtetet janë në një gjendje të tillë.
Si dhe në (dar al-a’hd) këto konsiderohen territore të paktit apo marrëveshjes, kur shtete Islame me shtetet e tjera jomyslimane nënshkruajnë marrveshje apo traktate dypalëshe ose shumëpalëshe, për mbarimin apo pezullimin e luftës ndërmjet tyre. Po sipas shkencës të së drejtës ndërkombëtare Islame, qëllimi kryesor i shteteve islame, ëshytë ai që duke zbatuar normat e të drejtës ndërkombëtare Islame, të realizojnë transformimit të territoreve eventualisht në të huaja apo në gjëndje lufte (dar al-harb), në tërritore kur vepron legjislacioni Islam ( dar al- Islam).
Një pjesë e madhe e studiuesve dhe juristëve mysliman, pretendojnë se teoria klasike e ndarjes së territorit ndërmjet, territore të shtetit Islam (dar al-Islam) dhe territore të tjera në gjëndje lufte ( dar al- harb ), është pjesë e teorisë së të drejtës Islame, që rregullon marrëdhënie me shtetet e huaja. Kujtojmë rastet kur Profeti Muhamed (alejhi selam), i drejtonte konsujve, mbretërve dhe perandorëve të mbarë botës, paktet e miqësisë dhe të bashkëpunimit reciprok të shoqëruara me ftesë të posaçme për pranimin e fesë Islame nga ana e tyre. Sipas parimeve islame duhet konsideruar si territore të gjëndjes së luftës, ato territore në të cilat nuk kryhet gjakderdhje ndaj popullsisë së pa mbrojtur civile, si: të moshuarit, të miturit, gratë, dhe personat e pambrojtur. Gjithashtu, nuk duhet ushtruar dhunë fizike mbi objektet e kultit, si dhe nuk duhet treguar vulgaritet ndaj personit armik i cili nuk qëllon i pari ndaj luftëtarëve.
Norma të posaçme disiplinojnë marrëdhëniet dhe mbrojnë të drejtat e popullsive të tjera fetare, si të katolikëve, hebrenjve, protestantëve, të quajtur (dhimma), si dhe ndaj popullsisë të quajtur (musta-min), ku bën pjesë ajo popullsi jomyslimane që jeton në territoret e shtetit Islam, dhe që hyjnë në tregjet, markatat, apo studentët që studiojnë në brendësi të territoreve të shtetit Islam (dar al-Islam), por që nuk janë konsideruar si shtetas të këtyre vendeve. Status civitatis, në kuptimin juridik të fjalës sepse ato nuk kanë kushtin e të qënurit mysliman kusht ky optima jura. Pra siç treguam më sipër e fiton cilësinë e të qënurit shtetas i një shteti të caktuar në vendet Islame një person, jo sipas konceptit që derivon nga e drejta ndërkombëtare publike, dhe që janë dy mënyrat e fitimit të shtetësisë:
- 1. Sipas gjakut të prindërve (Ius sanguini), që ka personi i lindur, apo në castin e zënies së lindjes së tij.
- 2. Sipas territorit apo vendit ku lind personi (Ius loci), në një shtet të caktuar.
Zakonisht sipas parimit të gjakut, apo origjinës së prindërve e ndjekin vendet e Evropës, si Franca, Gjermania, vendet Skandinave etj. Ndërsa parimin e dytë sipas vendit, e ndjekin vendet anglo-saksone, si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, duke përfshirë dhe Amerikën, dhe vendet e Amerikës Latine. Kështu në fushën e së drejtës ndërkombëtare Islame, shtetësia përthithet, në momentin kur personi është i lindur nga prindër mysliman, ose nga prindër të konvertuar në mysliman.
Në këtë mënyrë në shtetet Islame, fitimi i shtetësisë së një personi është i lidhur ngushtë jo me territorin kur lind personi, dhe as se çfarë origjine gjaku kanë prindërit e nje fëmije të porsalindur, por është e lidhur ngushtësisht me besimin islam, që kanë shfaqur prindërit e një fëmije të porsalindur, apo i një personi i cili merr shtetësinë pas konvertimit. Në këtë mënyrë në ndryshim nga shtetet e tjera që aplikojnë procedura të tejzgjatura kohore për fitimin e shtetësisë/qytetarisë, në shtetet Islame një veprimtari e tillë nuk zgjat gjatë.
Një numër i konsiderueshëm studiuesish modern, pretendojnë se teoria klasike e ndarjes së territorit ndërmjet dar al-Islam’ dhe dar al-harb ( pra, e territoreve të vendeve Islame, dhe territoreve në gjendje lufte), është pjesë e teorisë së propagandës së ligjit Islam. Këtu studiuesit konstatojnë ndikimin e një epoke të veçantë historie e lidhur ngushtë me periudhën historike të zgjerimit të territoreve gjatë periudhës së Kalifatit Islam.
Është e konfirmuar nga vet doktrina dhe praktika e shteteve Islame, që mbajtja e lidhjeve me subjektet e tjera shtetërore të komuniteteve ndërkombëtare, dhe të organizmave ndërkombëtar, në respekt të së drejtës ndërkombëtare, është pjesë përbërëse e vetë normave juridikie të së drejtës ndërkombëtare Islame.[2]
b) Territori i shtetit Islam, sipas së drejtës ndërkombëtare Islame.
Në vazhdimësi të karakterit normativ, por dhe personal të së drejtës Islame, territori i shtetit Islam, nuk bënë pjesë në “ elementin “ e shtetit. Pra sipas doktrinës të së drejtës Islame, territori nuk përbën kusht esencial për ekzistencë apo mosekzistencë e një shteti, në ndryshim nga e drejta ndërkombëtare publike (pozitive), që territorin e një vendi e konsideron kusht primar për lindjen e një shteti.[3] Kjo praktikë rrjedh nga një thënie profetike se: “Toka, i takon në mënyrë ekskluzive Zotit, dhe i është besuar të dërguarit te tij, derisa ai e drejton atë (tokën) në interesat e popullit.
Në bazën e kësaj thënie profetike, dhe në vazhdimësinë e shembujve që rrjedhin nga, tradita dhe zakonet e vendeve arabe, toka e pushtuar (ghani’ma), duhet të shpërndahet në disa njësi, ndërmjet të gjithë ushtarakëve, dhe një njësi (khums) të ruhet në financat publike për më nevojtarët. Ideja qëndron se toka nuk është e shtetit, por toka dhe prodhimet e saj i takojnë individit që e formojnë shtetin. Protagonistët kryesor të luftës (të cilët janë luftëtarët), marrin prej saj një pjesë dhe prodhimet e tokës. Në ndryshim nga e drejta ndërkombëtare publike, të cilën e konsideron territorin si të domosdoshëm për lindjen dhe zhvillimin e një shteti, e drejta ndërkombëtare Islame nuk e konsideron sit ë tillë, por njeh si domosdoshmëri për lindjen e një shteti popullsinë e atij vendi.
c) Doktrina Juridike e Xhihadit
Parimet themelore të sanksionuara në të drejtën ndërkombëtare Islame në termat e të drejtës ndërkombëtare publike, siç u theksua më sipër, vërtiten rreth termit xhihad, që në kuptimit terminologjik dhe origjinal të fjalës do të thotë, “sforcim, përpjekje” dhe e ka prejardhjen nga fjala xhid (të përpiqesh për të aplikuar me zell). Shihet se puna spiritualiste dhe sociale, është bërë duke interpretuar shkrimet e shenjta të myslimanëve, si një përpjekje për të respektuar jo vetëm besimin fetar Islam, por nga ana tjetër dhe të drejtat Islame që rrjedhin nga vetë legjislacioni i shtetit. Realisht, termi juridik apo fjala më e përdorur për të treguar gjendjen e luftës, është harb dhe jo fjala xhihad, dhe pjesët më të mëdha të verseteve kur’anore që përmbajnë këtë term, nuk kanë kuptimin e veçantë të gjendjes së luftës.
Sipas studiuesve dhe juristëve Islam, thojnë se zbritja e ajeteve kuranore përpara emigrimit të profetit Muhamed (a.s.), në Mekë, referojnë një përdorim në të gjerë të termit xhihad, e kuptuar si një përpjekje për të besuar dhe kuptuar një veprim apo sjellje determinante në jetën e njeriut. Ndërsa gjatë krijimit të bashkësive Islame në Medine, si një grupim emigrantësh mysliman, termi merr kuptimin e një tipi të veçantë luftimi. Kryesisht ai përdorej si një autorizim, për ti lejuar myslimanët, për të luftuar ato që i sulmonin ( pra si një formë e mbrojtjes kolektive dhe të një lufte të drejtë, që doktrina e së drejtës ndërkombëtare publike e ka njohur me termin latin, ius in bellum, d.m.th. e drejta për të bërë luftë, kur një trup e huaj agresore të sulmon ).
Xhihadi në kuptimin natyror të fjalës, është konsideruar, nga juristët mysliman si një nga detyrat e imponuara nga ligjet e shenjta Islame.
Këto ligje njohin katër mënyra që subjektet ti përmbushin, këto obligime:
- 1. me zemër, (me ndergjegje dhe koshiencë të plotë)
- 2. me gjuhe (të pranosh të mirën, duke u larguar nga e keqja)
- 3. me duar, (përmes forcës detyruese të organeve shtetërore)
- 4. me luftë (kundër dhunuesve, dhe të mbrohesh nga agresioni i njerëzve)
Janë këto katër elemente, që në konceptin e xhihadit u dhanë nga profeti. Ai theksoi se “Lufta më e vërtetë është lufta me egon dhe pasionin, e ndjekur dhe nga lufta kundër pasurisë së pa ndershme“. Xhihadi i brendshëm shërben për të afirmuar idealet e së vërtetës dhe të drejtësisë, në një botë gjithmonë dhe më të korruptuar. Në fund, lufta e vërtetë është kusht sine qua non (i patjetërsueshëm), me qëllim që të parandalohet në kohë për tu mos kthyer në një agresion serioz, për mbarë kombin dhe botën.
Tre elementet e para që sqaruam më sipër i takojnë xhihadit në kuptimin moralo-religjioz, dhe janë detyra të karakterit personal (individual), kurse elementi i katërt (lufta), është këndvështrim juridiko-ushtarak, dhe përbën përgjithësisht një detyrë kolektive. I takon Kryetarëve të shteteve (Monarkut në Mbretëri, apo Presidentit të Republikës, në vendet Republikë) që pas propozimit që i japin parlamentet përkatëse të shpallin gjendjen e luftës. Legjitimiteti i luftës, vjen i njohur nga juristët Islam të shek. VIII e të IX p.l.k. Ishin këto jurist që definuan konceptin në dar al’Islam( territori i shtetit Islam ), dhe të dar al harb, (terrritor ne gjendje lufte).
Fitorja në të drejtën ndërkombëtare Islame konsiderohet:
- 1. Kur armiku humb betejën,
- 2. Kur pala kundërshtare, humbëse, impenjohet që të respektojë ligjin e shtetit fitues,
- 3. Kur pala kundërshtare heq dorë nga politeizmi ( idhujtaria),
- 4. Kur pala kundërshtare shkel një traktat apo kontratë të paqes, dhe ku ka si kusht pagimin e një tribute (takse), në favor të shtetit fitues,
- 5. Kur shpallet paqja, pas një beteje.
d) Parime që kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
E drejta ndërkombëtare publike, siç dihet i ka fillesat e saj, pas përfundimit të luftës 30-vjeçare (1618-1648 luftë kjo me karakter fetar), e njohur me emrin Paqja e Vestfalisë.[4] Kjo luftë e pajisur dhe me motive fetare, ndërmjet vendeve katolike dhe atyre protestante, pati pasoja të mëdha për shtetet pjesëmarrëse dhe ndërluftuese. Me fillimin e shek. XX-të, krerët e shteteve më të fuqishme të botës u mblodhën në Hagë të Mbretërisë së Hollandës, në një konferencë ku argumentuan domosdoshmërinë e një traktati që do të vendoste rregulla për bërjen e luftës, dhe ku çdo shtet firmosës duhet t’i zbatonte me seriozitet.
Ky traktat, që më vonë u amendua nga shtetet dhe u quajt konventë, njihet sot me emrin e drejta ndërkombëtare humanitare (e drejta ndërkombëtare e luftës), dhe ligji ndërkombëtar, njihet si, Konventa mbi të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare. Në periudhën e Perandorisë Romake, dhe asaj Bizantine, përdoreshin dy terma juridik për të identifikuar gjendjen e luftës. Termi Ius ad Bellum, që nënkuptonte të drejtën që i lind një shteti për të bërë luftë, legjitimimi i një shteti për ti shpallur një shteti apo disa shteteve njëkohësisht luftë, si dhe Ius in Bellum, e drejta që i lind një shteti apo disa shteteve, për tu mbrojtur nga lufta.
Konventa shprehet se një shteti i lind e drejta për të shpallur gjendjen e luftës vetëm përpara një rreziku real dhe eminent, por me kusht që kjo luftë nuk duhet të cënoj dhe të dhunojë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Në lidhje me të drejtën e luftës, gjatë periudhës së Profetit Muhamed (a.s.), u vendosën pikat se çfarë karakteri do të kishte lufta, dhe cilat do të ishin kushtet e saj. Sot, konventa e të drejtës ndërkombëtare të luftës është derivat i marrëveshjeve profetike mes popullsisë myslimane, katolike, dhe hebrenjve. Kjo marrëveshje e cila daton që para 14-shekujsh njihet si paqa e Hudeibit. Ndërsa xhihadi duhet kuptuar si një respekt i disa parimeve të karakterit universal dhe humanitar, të cilat janë:
- 1. Të mos i shkaktosh një dëm më të madh armikut, por aq sa e shfaq nevoja që armiku të dorëzohet.
- 2. Të evituarit në mënyrë të thellë të dëmeve të kota dhe të pa nevojshme ndaj, të mirave materiale, njerëzve, dhe të mirave natyrore.
- 3. Të kursesh dhunën ndaj grave, të moshuarve, fëmijëve, të sëmurëve, dhe personave fetar, të cilët nuk marrin pjesë në luftë.
Një sërë parimesh ndërtojnë obligime me karakter fetar, të cilat burojnë nga normat juridike të së drejtës ndërkombëtare Islame. Norma si ai i të respektuarit të dinjitetit njerëzor, parimet e barazisë, të drejtësisë sociale, si dhe ai i evitimit të vuajtjeve të panevojshme. Përkufizimi i këtyre rregullave dhe normash sjelljeje, që reflektojnë mbi të drejtën ndërkombëtare Islame të luftës, pra i këtyre normale në periudhën e mesjetës, pasqyron një të ardhmja mjaft me vlerë. Disa studiues të së drejtës ndërkombëtare mendojnë se kanë qenë pikërisht myslimanët ato të cilët sollën në Evropë, në vazhdimësinë e luftërave në kohën e kryqëzatave, parimet themelore mbi respektimin e raporteve të luftës, që në periudhën moderne janë përkufizuar si e e drejtë humanitare e luftës.
f) Ndërmjetësimi dhe Marrëdhëniet Paqësore
Është me rëndësi që të evidentohet fakti se për religjonin Islam shprehja xhihad, nuk është e vetmja mënyrë për të realizuar objektivin suprem, por xhihadi përfaqëson një veprimtari që realizohet vetëm pasi kanë shteruar rrugët e komunikimit diplomatik dhe ndërmjetësues për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve ndërmjet shteteve. Në gjuhën juridiko-latine do ta quanim si një veprim extra ratio (veprim ekstrem). Kjo mund të ndodhi vetëm kur shteti agresor, sulmon popullsinë myslimane dhe shfaq në të veprime armiqësore.
Vetëm në këtë rast shteti difensor (mbrojtës), ushtron mbrojtjen e popullit dhe të kombit të tij përmes luftës. Një veprim i tillë gjen mbështetjen dhe në sferën e të drejtës ndërkombëtare publike, si dhe në të drejtën ndërkombëtare humanitare me termin juridiko-latin, ius in bellum. E drejta ndërkombëtare Islame, dhe e drejta Islame shtetërore, njeh dhe preferon në mënyrë primare, zgjidhjen e konflikteve me ndërmjetësim dhe në mënyrë paqësore, si dhe kur nevojitet rasti ndërthurjen dhe të një personi të tretë (apo i një subjekti, ose pale shtetesh), që ka si qëllim të ndërmjetësojë, të përdor këshillën miqësore, dhe arbitrimin si një mënyrë më e mirë e mundshme për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet shteteve.
Duhet theksuar se ndërmjetësimi është mjeti më i pëlqyer dhe më i mundshëm i rekomanduar nga Kur’ani dhe tradita e profetit Muhamed, për zgjidhjen e ndasive dhe të konflikteve ndërmjet shteteve dhe komuniteteve të ndryshme fetare në vënd, të kontrasteve ndërmjet mjaft fraksioneve dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Përveç të tjerash, është e mundshme që të arrihen me armiqtë traktatet e përkohshme dhe të përhershme të paqes, të pezullimit të luftërave për një kohë të caktuar, vendosjen e aleancave ushtarake dhe politike.
Zakonisht, një marrëveshje paqeje mund të vendoset vetëm në qoftë se është e dobishme në kuadrin e shtetit Islam, dhe që i përgjigjet nevojave të karakterit politik dhe tregtar. Kurse pezullimi i gjendjes së luftës, i imponon sovranit apo kryetarit të shtetit Islam, që përkundrejt jo-myslimanëve ti jepet një lloj autonomie në “ qeverisjeje me pagesë “, që nënkupton pagimin e një lloj tributi apo takse të caktuar, në favor të shtetit Islam, ku palës së popullsisë armike i jepet siguria totale në shtetformimin dhe autonominë e një pjese të territorit të vëndit, por që siguria kombëtare dhe politika e jashtme e drejton gjithmonë shteti fitues. Traktatri i aleancës, në kuadër të së drejtës Islame, është i përqendruar kryesisht në arritjen e një zgjidhje për palët, apo të një marrëveshjeje.
E drejta ndërkombëtare Islame në doktrinën e saj njeh tre lloj marrëveshjesh.
- 1. Marrëveshjen e arritur ndërmjet dy shteteve ndërluftuese apo në konflikt, e njohur me termin marrëveshje bilaterale.
- 2. Marrëveshjen e arritur ndërmjet disa shteteve në konflikt me njëra-tjetrën, apo në gjendje lufte, e njohur me termin marrëveshje multilaterale.
- 3. Në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare Islame, por dhe në sferën e së drejtës ndërkombëtare publike, njihen dhe marrëveshjet ndërmjet një shteti në konflikt me disa shtete të tjera, e njohur me termin marrëveshje uni-multilaterale.
Parimi i neutralitetit nuk është marrë në konsideratë (studiuar) nga shkenca e së drejtës ndërkombëtare Islame, edhe pse ka raste të veçanta në të cilën një shtet agresor nuk është pjesë e një konflikti ushtarak. Si e tillë mbetet në fuqi parimi i heshtur se shteti neutral dhe asnjanës në konflikt, është shtet në favor të paqes dhe të zgjidhjes së mosmarrveshjejeve, dhe zakonisht janë pikërisht shtetet që mbajnë pozicione asnjanëse ato që veprojnë si palë e tretë për subjektet shtetërore ne konfliktet.
l) Statusi i shtetësisë dhe raportet me shtetin Islam.
Në raport me shtetin dhe me anëtarët e tjerë të popullsisë myslimane, popullsitë e tjera monoteiste nuk gëzojnë statusin e shtetësisë në shtetin Islam. Por ato kanë gjëndjen e “ rezidentit të mbrojtur “, si dhe kanë të drejtë të gëzojnë një zotësi juridike të kufizuar, në dallim nga zotësia juridike e popullsisë myslimane, që jetojnë në vendet myslimane. Zakonisht në disa shtete arabe, shtetësia e këtij lloji duke mos pasur pozitë të barabartë me atë të popullsisë myslimane, nuk i lind e drejta që të punësohet menjëherë në zyrat e administratës publike, nuk mund të ushtrojnë funksionet e gjyqtarit ( të kadiut ), ose të ndërmjetësit, atë të albitrit ndërmjet myslimanëve, apo si taksidar, apo nënpunës i lidhjes së martesave.
Kurse subjektet tregtare dhe të bisneseve të mëdha, që gëzojnë pasuri në prona si dhe ata që kanë aktivitete ekonomike me rendiment të lartë i mbahet një taksë qoftë ky shtetas mysliman apo rezident në shtetet arabe. Ky tatim quhet në terminologjinë arabe me termin kharaj. Në shtetet perëndimore ky detyrim fiskal quhet si tatim mbi të ardhurat nga aktiviteti tregtar, dhe qytetarët që posedojnë aktivitete të tilla ekonomike, janë të obliguar që ta derdhin këtë detyrim në arkën e shtetit.
Në marrëdhënie tregtare me myslimanët, dhimma’ duhet të jenë të kujdesshëm që të respektojnë praktikat dhe zakonet tregtare. Si p.sh. atyre i lind e drejta që të marrin mallrat sipas një kontakte të caktuar, si kontratë shit-blerje, qeraje, spedizioni, transporti, etj. Por duhet të jenë tepër të kujdesshëm në respektimin e afateve kohore të kontratës dhe të likuidimit në kohë të mallrave, si ndaj tregtarëve mysliman ashtu dhe me autoritetet shtetërore, si me doganat, tatimet dhe policinë ekonomike.
Gjithashtu atyre i lind e drejta që të bëjnë tregti me ato mallra dhe shërbime të konsideruara si të lejuara nga Kur’ani dhe zakoni profetik. Në rastet e kundravajtjeve administrative dhe të kundravajtjeve penale, që kryejnë këto grupe shoqërore por dhe shtetasit mysliman, dhënia e gjykimit i takon gjyqtarit ( apo një trupi gjykuesish mysliman) dhe ligji i aplikueshëm në këtë rast është ai i territorit ku është kryer vepra penale, apo qoftë kundravajtja penale apo administrative.
Kjo praktikë e të gjykuarit njihet dhe në sferën e të Drejtës Ndërkombëtare Publike, me termin latin ius loci. Dhe është ligji i zbatuar në territorin ku ndodhet personi në momentin e realizimit të një krimi apo kundravajtjeje (penale apo administrative). Përsa i përket jetës private dhe të drejtës martesore, një mashkulli musliam i lind e drejta që të martohet me një femër nga popullsia dhimma’, kurse e anasjellta nuk mund të ndodhi. Ky veprim është i pa lejuar dhe nuk njihet nga doktrina e së Drejtës Islame, dhe jurisprudenca e saj.
n) Dallimi ndërmjet Dhimma’-s dhe Mustamin-it
Po ti rikthehemi lejeqarkullimit (musta-min) ai i jep çdo personi të drejtën për të lëvizur lirshëm dhe me siguri në brendësi të territorit të vendit kur ai ka kërkuar lejekalimin apo qarkullim të lirë. Gjithashtu atij i garantohet dhe baza materiale dhe të mirat jetësore, deri në momentin që ky person nuk kërkohet publikisht dhe ti vërtetohet akuza nga një gjykatë e caktuar, dhe deri kur ai nuk kryen një krim në territorin e vëndit që ka kërkuar strehim dhe mbrojtje juridike.
Në dallim nga dhimma’ që theksuam se janë të drejtat që i sigurohen një kategorie të caktuar njerëzish rezident në vendet Islame. Kësaj kategorie nuk i njihet e drejta e mbrojtjes ndaj një proçedimi penal në rast kërkimi nga shteti i vendit të personit që ka kryer krimin. Për faktin se rezidenca e dhimma’s ka natyrë dhe motiv të ndryshëm nga rezidenca e mustaminit, pra i kategorisë së personave që kërkojnë lejeqëndrim në vendet Islame. Kategorisë së personave musta’minit i sigurohet jo vetëm qëndrimi, por dhe mbrojtja dhe siguria juridike e personalitetit dhe dinjitetit të personit, deri në momentin që një gjykatë e shtetit që e kërkon ekstradimin e tij, të ketë dhënë një vendim të formës së caktuar për personin.
Personi i kategorisë musta-min, nuk duhet të sulmojë apo të kryej ndonjë vepër penale ndaj popullsisë vendas. Si dhe nuk duhet të shfaqin sjellje që ofendojnë ndjeshmërinë fetare të popullsisë të shtetit strehues mysliman. Në dallim nga statusi dhimma’, e cila është një gjëndje juridike permanente, në kohë dhe hapësirë, musta-mini mund të jetë i legjitimuar nga organet kompetente të shtetit për një periudhë kohore të kufizuar.
Periudha kohore e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 12 muaj (1 vit) kalendarik. Si personi i kategorisë dhimma’ ashtu dhe musta-mini janë që të dy subjekte që obligohen në pagimin e taksës së xhizes, për shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm në këto vende.[5]
k) Pozita e myslimanëve në territoret e dar al-harb
Popullsia e vendeve myslimane që jetojnë dhe punojnë në territoret e shteteve të besimeve të tjera fetare, janë subjekte të afateve të caktuara kohore ne lejet e qëndrimit, si dhe të parshkrimit të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i brendshëm i këtyre shteteve. Në rastet kur një shtetas mysliman është me precedent penal, ai është i detyruar që të respektojë ligjin dhe procedurat e shtetit ku ai është rezident, që rrjedhin nga qëndrimi i personit në një territor të huaj.[6]
Gjithashtu popullsia myslimane që jetojnë në territoret e shteteve të huaja, duhet të respektojnë autoritetet publike të vendit që ato janë rezident, pa bërë konfortime qoftë fizike apo përdorim dhume ndaj tyre. Ndërsa komuniteti i qytetarëve mysliman që jeton në një vend të huaj nuk duhet të kenë polemika dhe ofendime morale ndaj komunitetit fetare dominues të rajonit apo qytetit kur ato ndodhen.
Në bazë të së drejtës islame por dhe thënieve profetike “aplikimi në mënyrë subjektive dhe personale i normale Islame, mund të bazohet edhe mbi të ashtu quajturën e drejta subjektive myslimane,[7] ku në të përfshihen raportet e myslimanëve me shoqërinë e tyre, marrëdhëniet e myslimanëve me familjen dhe njëri-tjetrin, respektimi i parimeve morale dhe fetare në mënyrë personale, ku ndër të tjera përfshihen si: Lutjet e besimtarit mysliman, mosmarrja e parave me interes në përqindje, mos përdorimi i alkoolit dhe i ushqimeve të ndaluara, pavarësisht faktit nëse ato jetojnë në territori të shteteve të huaja. Respektimi i jetës dhe i pronës, themelimi i një familje, e mirërritja e fëmijëve.[8]
Literatura:
Castro, Prof. Francesco, Diritto Musulmano, Capacita’ delle persone, shtëpia Botuese Juridike UTET. Torino (TO) 2006.
Castro, Prof. Francesco, Il Modello Islamico. Il Dirtto Penale e il Processo, shtëpia Botuese, G. GIAPPICHELLI EDITORE-TORINO, Seconda Edizione, 2007.
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut në Islam (Miratuar dhe ratifikuar në 19 shtator 1981, në Unesko-Paris). Është pjesë përbërëse e Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, si dhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 1948.
Diritto Islamico, Il Diritto Internazionale Islamico, Shtëpia Botuese Juridike SIMONE, Napoli, 2005.
Puto, Prof. Arben, “E Drejta Ndërkombëtare Publike; Territori; Nocioni i territorit shtetëror dhe rëndësia e saj”, shtëpia Botuese Albin, Tiranë, botimi i 8-të.
[1] Shih Diritto Islamico, Il Diritto Internazionale Islamico, Shtëpia Botuese Juridike SIMONE, Napoli, kapitulli 7, 2005: 108.
[2]. Diritto Islamico, Il Diritto Internazionale Islamico, capitulli 7, fq.112. Shtepia Botuese Juridike SIMONE, Napoli, 2005
[3] Prof. Arben Puto, E Drejta Ndërkombëtare Publike. Territori. Nocioni i territorit shtetëror dhe rëndësia e saj. fq. 290. Shtëpia Botuese Albin, Tiranë. Botimi i 8-të.
[4] Sistemi Giuridici Comparati. Prof. Francesco Castro, Il Modello Islamico. Il Dirtto Penale e il Processo. Fq. 81. Shtëpia Botuese, G. GIAPPICHELLI EDITORE-TORINO. 2007. Seconda Edizione.
[5] Il Modello Islamico. Francesco Castro. Il Diritto Penale e il Processo. Kapitulli VI-të. Fq.84. Shtëpia Botuese Juridike, G. Giappichelli Editore-Torino. 2007.
[6] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut në Islam. (Miratuar dhe ratifikuar në 19 shtator të vitin 1981, në Unesko-Paris). Eshtë pjesë përbërëse e Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, si dhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 1948. Shih, art. 1. E Drejta e Jetës, fq.13: art.2, E Drejta e Lirisë, si dhe art.3 E Drejta e një Gjykimi të Drejtë, fq. 15 e Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut në Islam. (UDNJI).
[7] Universitaria. Francesco Castro. Diritto Musulmano. Capacita’ delle persone. Fq.35. Shtëpia Botuese Juridike UTET. Torino ( TO ) 2006.
[8] Il Modello Islamico. Francesco Castro. Il Diritto Penale e il Processo. Kapitulli VI-të. Fq.84. Shtëpia Botuese Juridike, G. Giappichelli Editore-Torino. 2007.