Imam Ibn ‘Abidin esh-Shami el-Hanefij (1198–1252 H)

El-lameh Ibn Abidin (1198–1252 H)

Sejjid Muhammed Emin ibn Sejjid Umer ibn Sejjid Abd el-Aziz ibn Sejjid Ahmed ibn Sejjid Abd er-Rahim ibn Sejjid Nexhmudin ibn Sejjid Muĥammed Salaĥuddin, i njohur gjerësisht si Ibn ‘Abidin është i lavdëruar me këto fjalë: dijetari i shquar, i lavdërueshëm dhe fisnik; një oqean i diturisë; dijetari i zoti; juristi i madh [fekih]; gjeniu; më i miri i dijetarëve të mëvonshëm dhe i fundit prej dijetarëve verifikues; me origjinë të lartësuar; Imami erudit; shkrimtari.

 

Familja

Imami (ra) është lindur në Damask (Siri), në një familje dijetarësh dhe prejardhje të lartë në vitin 1198 AH. Prejardhja e tij arrin Sejjid Sherif Zejn el-‘Abidinin dhe prej tij tek Sejjidah Fatimeja, e bija e zotëriut të krijesave (s.a.v.s.). Babai i Ibn ‘Abidinit, Sejjid Umer dhe nëna e tij, ishin të famshëm për devotshmërinë dhe takwa-llëkun e tyre. Allahu i pastë mëshiruar ata.

Ai iu referua mjeshtërit të recituesve të kohës së tij, (Shejh el-Kurra’, Al-lameh) Muhammed Sejjid ibn Ibrahim el-Hemewi (vd. 1236 H). Me të ai perfeksionoi texhvidin e tij dhe memorizoi shatibijjeh, mejdanijeh dhe xhezerijeh. Ai gjithashtu mësoi fikhun shafii prej tij dhe memorizoi ez-Zebd. Ai mësoi gramatikën arabe dhe morfologjinë [nehw, sarf] para se në të përfundimit studimet e tij dhe të marrë një diplomë të përgjithshme të autorizimit nga ai [ixhazetun Aameh].

Allahu teala ia ka caktuar atij të takoj dijetarin më të madh të kohës së tij, Shejh Shakir el-Akad, i njohur gjerësisht si Ibn el-Mikdam Sead. Nën të, ai studioi libra të shpjegimit të Kur’anit, parimeve ligjore, trashëgimisë, tesavufit, matematikës (dmth, tefsir, hadith, usul, ferajid, tesavuf, hisab) dhe shkencat racionale.

Akad ishte rëndësishëm për ndryshimin e medhhebit të tij në atë të Imam el-Adhamit [Ibn
Abidini ishte një shafii më parë]. Ai studoi librat kryesor të fikhut Hanefi nën të, si Multeka el-Abhur, Kanz ed-Dekajik dhe shpjegimet e tyre Behr er-Rajik, Dirajeh dhe Hidajeh.

Ai filloi studimin e (veprës) Dur el-Muhtar nën dijetar të mirënjohur, më i famshmi prej tyre Shejh Sejjid el-Halebi . Takimi i Ibn Abidinit me Shejh Shakir ishte një hap gjigant në karrierën e tij prej dijetari dhe udhëtari në rrugën shpirtërore.

Prandaj nuk është për t’u habitur që ai ndejti në shoqërim të tij për shtatë vite, pas së cilës Shejh Shakir do ta prezantonte atë para mësuesve të tij dhe tu rekomandoj atyre t’i jepnin atij autorizime. Zinxhiri (senedi) i tij i transmetimit u bë më i lartë dhe më i shkurtë sesa të mëhershmit. Ai poashtu u bë anëtar [murid] i rendit Kadirij të cilin ai e mbajti përgjithmonë. [Tarikati i Gawth el-Adham Shejh Abd el-Kadir Xhilani r.a.]

Pas vdekjes së Shejh Shakir (ra), ai vazhdoi studimet tek zëvendësi i tij, shejh Sejjid el-Halebi. El-Halebi ishte njeriu më i ditur në hallkën e Shejh Shakirit dhe gjithashtu ishte dijetari kryesor hanefij i kohës së tij. Ai e donte Ibn Abidinin aq shumë sa që ai nuk ka filluar mësimet e tij deri sa Ibn Abidini ishte prezent aty. Mësimet e Dur el-Muhtar mbaheshin pranë xhamisë Emevite pas namazit të sabahut.

 

Trashëgimtar i Pejgamberit

Ibn Ábidin ishte shumë i pashëm dhe karizmatik, ai ishte i gjatë dhe kishte fizik të mirë. Ishte i butë, i sjellshëm, dhe gjithmonë i gëzuar; mirëpo, ai ishte dinjitoz dhe i vetëpërmbajtur. Ai kishte karakter të tillë që e detyronte tjetrin për respekt ndaj tij. Fjalimi i tij ishte plot urtësi dhe largpamësi.

Diplomat e Autorizimit (ixhazet):

Ai morri diploma autorizimi prej dijetarëve kryesor të kohës së tij, prej shejhëve të tij, dhe prej shejhëve të tyre. Kjo ishte për shkak të shehut të tij Akad, i cili e prezantoi atë me shejhët e tij dhe krye-shejhët kur e vërejti inteligjencën e jashtëzakonshme, sinqeritetin dhe talentin e djaloshit. Më poshtë janë dhënë diplomat e autorizimit që ai morri:

1. Një diplomë të përgjithshme autorizimi nga shejhu i famshëm, Muhammed el-Kazbūrī el-Kebīr, muhadithi i kohës së tij i cili ndërroi jetë në vitin 1221 H. Ai nënshkroi certifikatën e autorizimit në vitin 1210H kur Ibn ‘Abidīni ishte pak mbi dymbëdhjetë vite.

2. Një tjetër diplomë të përgjithshme autorizimi nga dijetari i madh dhe muhadithi i famshëm, Shejh Ahmed el-Attar i cili ndërroi jetë në vitin 1218 H. Ai i lëshoi atij këtë ixhazeh në 1216 kur ishte rreh tetëmbëdhjetë vite.

3. Një tjetër diplomë të përgjithshme autorizimi nga dijetari i madh , el-Emīr el-Kebīr (vd. 1232 AH), të cilën ai ia dërgoi atij në vitin 1228 H.

4. Një ixhaze të transmetoj prej recituesve të Damaskut, përmes mësuesit të tij të parë Muĥamed Sejid el-Hemewi (vd. 1236 H) e cila përfshinte shumë dijetarë të spikatur të asaj kohe.

5. Dhe diplomën e shejhut të tij, Muhammed Shakir el-Akkād, i njohur si Ibn Mikdam Seád….

 

Dijetari

Ibn Abidini filloj të shkruaj kur ai ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjet. Prej shkrimeve më të hershme të tij ishin shënimet rreth librave të cilat i kishte lexuar me shejhun e tij, Akadin, sidomos rreth Bahr er-Rajik dhe Durr el-Muhtar.

Ai punoi shumë dhe kishte një përparim të vazhdueshëm derisa ai eventualisht u bë autoriteti kryesor i fikhut Hanefi në kohën e tij. Në kohën e Shejh Husein el-Muradit, ai u bë myftiu kryesor i Damaskut. Ai merrte pyetje përmes postës prej rreth e rrotull botës rreth çështjeve të ndryshme të cilave ai iu përgjigjej, ndonjëherë në mënyrë shumë të detajuar.

“Hashijjeh” ose margjinalia për Durr el-Muhtar, është kryevepra e tij në të cilën ai përpiloi vendimet e preferuara (të fikhut hanefij), me këtë duke e bërë atë autoritet në medhhebi hanefi. Durr el-Muhtar është vepër koncize; prandaj, shumë çështje janë hequr që të mbetet koncize. Ndonjëherë, përshkrimet janë të fshehta pos për një sy të stërvitur dhe mjeshtër me eksperiencë. Ibn Abidini pa nevojën për shpjegimin e saj, dhe përfshirjen e shumë çështjeve që janë lënë jashtë saj.

Rastësisht, autor të mëhershëm që provuan vepra të tilla gjithëpërfshirëse, ndërruan jetë para se të mund të përfundonin punën e tyre. Zakonisht këto libra nuk arrinin më larg sesa seksionit ixhaareh (punësimin, marrjen me qira) si për shembull vepra Fet’h el-Kedir (e Imam Kemal ibn Humam). Prandaj, Ibn Abidini filloi margjinalian e tij prej pjesës së Ixhaare-s, si kompletim i veprave të papërfunduara më herët, duke thënë “Nëse vdekja më vjen më herët, kjo le të shërbejë si kompletim i veprave të përfunduara më herët. Por nëse jetoj mjaftueshëm gjatë, do t’i kthehem dhe ta bëj në tërësi, si vepër të tërë”.

Ai filloi shkrimin e Margjinalias së tij nën patronazhin e shejhut të tij, Sejid el-Halebi pasi përfundoi leximin e Durr el-Muhtar herën e parë dhe prej shënimeve që ai i kishte nxjerrë për këtë. Pastaj, ai e lexoj edhe një herë me shënimet e Ibrahim el-Halebiut. Në ndërkohë ai ia tregonte draftet [f: versioni jopërfundimtar i një punimi] shejhut të tij i cili ishte i kënaqur dhe thoshte: “Ka ardhur koha që ky koleksion i madh më në fund të renditët dhe kjo punë gjigante të kompletohet.”

Siç u përmend më herët, ai filloi prej pjesës së Ixhare-s dhe shkoi deri në fund. Pastaj ai filloi prej fillimit dhe përfundoi tek Ixhare-ja. Pasi u kompletua, ai filloi renditjen e dorëshkrimeve, por vdekja nuk i dha kohë atij për ta kompletuar një kopje të pastër të dorëshkrimeve.

I biri i tij Alauddini, më vonë kompletoj kopjen e pastër dhe i shtoi (edhe) shënimet e tij duke u zgjeruar në dy vëllime, dhe e titulloi Qurrat el-Ujun el-Akhjar bi Tekmeleti Radd el-Muhtar.

Perëndimi i një ylli

Një jetë e devotshme e kaluar në arritjen e kënaqësisë së prindërve të tij, dhe bindje ndaj Allahut; një jetë e kaluar në tubim të diturisë dhe veprave të mira shuhet të mërkurën, 21-tin e Rebijul-Thani 1252 hixhrij. Ai ishte vetëm 54 vjeçar kur vdiç.

Namazin e xhenazes e udhëhoqi mësuesi i tij Sejid el-Halebi, i cili s’u përmbajt dot dhe filloi të qaj dhe të shtrëngoj (me dorë) mjekrën e tij.

Namazet u falen në xhaminë Sinanijeh dhe ai u varros – me dëshirën (kërkesën) e tij – pranë varrit të Shejh Alauddin el-Haskafi, autorit të Durr el-Muhtar dhe pranë muhadithit të madh Salih el-Xhejnini në Damask.

Allahu qoftë i kënaqur me të dhe i dhëntë atij xhenetin më të lartë.

 

Shënim mbi veprën Radd el-Muhtar

Shkurtesat e përdorur në këtë vepër: kur ai e shënon me ‘ta’, e ka fjalën për Hashije-n e Alameh et-Tahtaviun mbi veprën Durr el-Muhtar, ‘ha’, e ka fjalën për Hashije-n e Alameh el-Halebiut, i cili shkroi margjinalian e Durr el-Muhtar në dy vëllime.

Në të gjitha veprat e tij, përfshirë margjinalian e tij, ai tregon respektin më të madh për dijetarët më të hershëm dhe iu referohet atyre me respektin e duhur. Mirëpo, ndonjëherë kur ai citon Tahtaviun ose Halebiun ai shton: ‘Mendoj’ ose ‘Ka nevojë për verifikim’ ose ‘Në pritje të shqyrtimeve të mëtutjeshme’ – ai ka për qëllim që, edhepse i citon ata, ai mund të mos ua pranojë opinionet e tyre. Kështu ai le të kuptohet me respekt mospajtimi i tij në vend që ta thotë këtë gjë në mënyrë eksplicite.



Përktheu: Fatih Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme