CIA dhe kaosi shqiptar i '97-tës

Aktualisht, presim me padurim të kemi në dorë tërësinë e librit në fjalë, ndaj dhe gjykimet e mësipërme po i japim mbi bazën e një numri të kufizuar citimesh që na jepen nga shtypi. Në këtë libër, midis të tjerash, ka një frazë interesante, ku thuhet se, (citim i plotë): “CIA kishte vendosur të amplifikonte një gafë të asaj kohe të Berishës ...” Kanë kaluar kaq vjet dhe, ndonëse plagët e shumë familjeve që humbën të dashurit e tyre janë ende të nxehta e mbase nuk do të mbyllën kurrë, duket se shumica e opinionit vendas sot, është në gjendje t`i matarojë më mirë emocionet e veta e të shohë me gjakftohtësi zhvillimin e atyre ngjarjeve aq të rënda, të cilat jo vetëm thërrmuan çdo ëndërr për një integrim të shpejtë, evropian, por edhe rrezikuan e rrezikojnë ende ta fusin emrin e Shqipërisë në listën e vendeve të dështuara. Sqarojmë që në fillim se këtu nuk është aspak fjala për t'iu kthyer edhe njëherë pohimeve të shefit të shërbimeve të fshehta, shqiptare të kohës, me të cilat të gjithë qeshëm pak nën hundë. Vazhdimi i kësaj linje arsyetimi do të qe një grackë e vetvetes për të mos parë më tej në thelbin tragjik të problemit. Këtu madje, nuk është as rasti të nisim të gjykojmë për rolin e opozitës së majtë apo gabimet e presidentit të kohës, S. Berisha e të PD-së në pushtet, mosveprimi në kohë i të cilëve nuk mund të mos kishte një numër pasojash të caktuara, ndonëse jo deriatje, ku degjeneruan ngjarjet.
Pyetja duhet të përfshijë një rrethanë shumë më të gjerë dhe duhet ta formulojmë si qytetarë që përtej çdo emocioni politik, kanë të drejtë të dinë se çfarë ndodhi që ngjarjet përshpejtuan drejt një spiraleje të pafrenueshme dhune, derisa në fund të gjithë e panë veten të ecin mbi një grumbull kufomash e gërmadhash. Pyetja është kjo: A ka patur vërtet në atë kohë ndërhyrje të CIA-s në problemet e brendshme të një vendi sovran si Shqipëria? A është Shqipëria vendi i parë, evropian që është trajtuar sipas së njëjtës skemë tragjike, sikundër disa vende latino-amerikane në vitet `60-`70-të, për të cilat gjeneralët e CIA-s vinin baste se për sa ditë mund t`i përmbysnin? Se një lloj stili latino-amerikan është e pamundur të mos ndihet në to!
Cili ka qenë qëllimi i kësaj goditjeje kaq të hidhët, nga e cila nuk po e marrim veten ende? Për këtë jemi në pritje të fakteve të reja, por prej një gjysmë shekulli është e sigurt se CIA-a, sikundër do të shohim më poshtë, gjithnjë ka qenë e pa aftë të ruajë përpjestimin e goditjes që jep e aq më keq të kontrollojë pasojat e saj. Natyrisht, nëse ka një komb, të cilit ne si shqiptarë duhet t’i jemi mirënjohës, për një sërë arsyesh tepër madhore, ky është kombi amerikan. Kjo është një nga bindjet më të përgjithësuara në Shqipëri. Edhe në kohën e Luftës së Ftohtë shumica e shqiptarëve që ishin në gjendje të arsyetonin, nuk e kanë parë kurrë Amerikën si armikun e tyre. Përkundrazi, duke qenë se armiku i vërtetë ishte regjimi që kishin në krye, ishte e kuptueshme se, "armiku i armikut tim nuk mund të jetë veçse miku im", edhe pse këtë nuk guxonte kush ta shprehte. Por, CIA nuk është kombi amerikan, as presidenti i atij vendi dhe aq më pak të zgjedhurit e popullit amerikan. (Klinton kishte aq neveri për Agjencinë, sa, megjithë kërkesat e vazhdueshme, nuk denjoi t`i priste asnjëherë shefat e tij. Sipas kujtimeve të një shefi të CIA-s ai vetëm një herë e thirri dhe e ngarkoi të gjente, nëse Shiraku kishte ndonjë... të dashur! Mbase edhe për të treguar se Agjencia nuk meritonte detyra më të mëdha). Në dritën e të dhënave që po dalin, ka ardhur koha të guxojmë të mendojmë e të shtrojmë pyetje, pa patur frikë se do të na akuzojnë me ato termat e njohura nga të gjithë. Pra, siç po tregon fraza e cituar më sipër nga libri The Albanian Question, Reshaping the Balkans, CIA nuk paska qenë edhe aq dorëjashtë në ngjarjet e vitit 1997-të në Shqipëri. (Në të vërtetë, edhe kur u akuzua drejtpërdrejt më 1997-tën, ajo kurrë nuk e ka përgënjeshtruar praninë e saj në ato ngjarje) Jemi vetëm në fillim të dokumentimit të këtij fakti, por një fillim që flet shumë dhe krejt i paimagjinueshëm vetëm pak kohë më parë. Nëpërmjet asaj fraze të shkëputur pohohen një sërë gjërash: që CIA ka qenë aty, që ajo ka ndjekur jo vetëm ngjarjet, po ka shqyrtuar me imtësi fjalimet dhe veprimet e politikanëve të vendit. (Ndërkohë që gjithkund kjo është punë e diplomatëve). CIA pohohet se ka vepruar në rrjedhën e atyre ngjarjeve edhe në plan ndërkombëtar. Dhe, nëse ka vepruar në një plan të tillë, siç pranohet, kjo do të thotë se ajo administronte mjaft mirë jo vetëm informacionin, por edhe zhvillimet e brendshme në vend dhe arrinte t’i modelonte ato në funksion të strategjisë së jashtme që kishte parashikuar për Shqipërinë. Por asgjë nuk thotë se ajo është kufizuar me kaq. Me agjentët e CIA-s nuk kemi të bëjmë me atë diplomatin që kufizohet të japë qëndrimin e qeverisë së tij e më tej flet me shumë pasion për match-in e fundit të tenisit dhe për telefonin që kishte patur atë mëngjes nga i kunati, i cili e siguronte se në Florida kishte diell.... Jemi fort larg këtij imazhi! Jemi përpara xhentëlmenësh të një bote që nuk deshifrohet kollaj. Ndonëse ngjall respekt ndonjë nga drejtorët e parë të saj si A. Dulles apo edhe ndonjë nga të fundit si R. Gates (një intelektual i shkëlqyer), por më tej shihni fytyrën e z. J. Helms, drejtor i operacioneve të viteve `70-të, për të gjykuar se deri ku mund të shkonte dhuna që ai ushtronte gjatë grushteve të shtetit që organizonte në të katër anët e globit. Ka mundësi që me aksionin në Shqipëri, CIA ka dashur të vërë në vend dinjitetin e saj, të humbur. Në fakt, dinjiteti saj gjithnjë ka qenë i shtirë, virtual, i vështirë për të qenë i besueshëm, edhe pse në një kohë të caktuar, kishte një detyrë jo të parespektueshme: të mos lejonte përhapjen e regjimeve komuniste në vende të ndryshme. Por egërsia e goditjeve të saj ka qenë aq e madhe, sa është vërejtur se pas çdo regjimi që rrëzonte, kishte pesë të tjerë që ngriheshin në pushtet në vende të tjera, si pasojë e ndjenjës antiamerikane që zhvillohej e kultivohej pareshtur, si pasojë e akteve të CIA-s. Vetë kongresi amerikan ka shprehur në shume raste shqetësimet e tij ndaj Agjencisë në fjalë. Ata që kanë lexuar raportet e interpelancës së Kongresit pas grushtit te shtetit në Kili, e dinë se vetëm aty, të zgjedhurit e popullit amerikan mësuan se veç të tjerash Agjencia shiste armë (duke mos qenë e autorizuar) dhe krijonte një buxhet të vetin, me te cilin vriste e masakronte në të katër anët e globit, fare pa dijeninë e Kongresit. CIA gjithnjë ka qenë një grupim specialistësh, që shpesh ishin të detyruar ta mbulonin me krime të rënda paaftësinë e tyre. Në çdo kohë opinioni amerikan ka ngritur probleme moraliteti për titullarët e saj. Ish- Sekretarja e Shtetit, M. Ollbrajt, thotë se kurrë nuk ka ndjerë tmerr e llahtarë më të madhe sesa kur vihet në dijeni me dokumente të ndryshme të arkivit të CIA-s, sidomos në vitet `60-`70-`80-të! Nuk ka gjë më qesharake në historinë e agjenturave botërore se ato 24 atentatet e dështuara të CIA-s kundër F. Kastros, sikundër nuk ka mungesë përgjegjësie më të madhe për emigrantet e mjerë, kubanë që u masakruan në aksionin e saj, katastrofik të Gjirit të Derrave, aty në fillim të viteve `60-të! Me mijëra të tjerë u vranë në operacionet e dështuara në Ukrainë, Gjeorgji etj. Edhe shërbimet e fshehta ruse janë implikuar në mjaft operacione kriminale, por ishin më kalkulues dhe kanë luajtur si iu ka dashur qejfi me CIA-n. Djemtë emigrantë të popullit shqiptar, veçanërisht ata të Kompanisë 4000, kanë qenë viktimat e para të paaftësisë së CIA-s. Ndonëse askush nuk ka folur, përveç dy autorëve të huaj, të gjithë e kanë ditur se ata dërgoheshin në kasaphanë të sigurt, sepse shërbimet e CIA-s ishin të krimbura nga agjentë që punonin për rusët dhe ata ishin krejt të paaftë t’i zbulonin deri në fund.. CIA tregohet e fortë me ndonjë udhëheqës afrikan të pambrojtur si P. Lumumba, të cilin e zvarriti në pyll dhe nisi ta masakronte e t’i priste gjymtyrët, megjithëse ai deklaronte se nuk ishte komunist e se nuk kishte ndërmend të bënte reformën e tokës (se gjoja CIA mbronte interesat e atyre kapitalistëve të mëdhenj të xhunglës, që, ndërkohë hanin kalamaj për drekë). Si pasojë e këtij akti, ndjenja antiamerikane u bë aq e mprehtë, sa në Afrikë, në atë periudhë u ngritën në fuqi nja tre regjime autoritare, komuniste. Në çdo rast, në përpjekje për të mos lënë komunistët të vinin në pushtet, ata shkaktuan më shumë viktima se vetë komunistët. Nuk mungojnë edha ata që kanë besim se së shpejti do të dalin materiale se edhe M. Frashëri nuk vdiq nga zemra në atë hotelin e tij, njujorkez, më 1949-tën, por u helmua nga agjentët rusë që vepronin aty, të cilët, mbase midis dy vrasjeve në radhët e antikomunistëve që u mblodhën në SHBA-menjëherë pas L2B, hanin drekë me agjentet e CIA-s. Pas rënies se murit të Berlinit, qeveria amerikane u detyrua ta reformojë krejtësisht CIA-n, sepse ajo nuk ishte në gjendje të kuptonte dhe interpretonte as 24 orë më parë ato ngjarje që tronditën planetin, pra, shembjen botërore të sistemit komunist. CIA ishte e fundit që kuptoi se çfarë po ndodhte. Me informacionet për Sadamin ajo e futi në qorrsokak krejt Amerikën dhe përçau krejt perëndimin (duke mos folur sesa qesharak e bëri atë të shkretin sekretar të jashtëm amerikan, Pauell, me ato "provat" satelitore, me të cilat u përpoq të bindte Këshillin e Sigurimit për rrezikun që paraqiste Sadami). Hetimet për 11 shtatorin treguan se ato ngjarje nuk u penguan si pasojë edhe e paaftësive analitike dhe komunikuese të CIA-s. Sot, Guatanamo është mbushur me hoxhallarët e Kaukazit, që janë arrestuar kot nga shërbimet e CIA-s dhe po lirohen një e nga një, se nuk ka asnjë provë kundër tyre. Për shkak të CIA-s bota po shkon drejt një konfrontimi të pashembullt. CIA, siç thamë, tregon një moskujdes të hatashëm për të mos llogaritur pasojat e goditjeve që jep. Le të marrim vetëm shembullin e Kamboxhias. Për të pasuar duart e lira në kufijtë me Vietnamin, në fillim të viteve '70-të, ajo dobësoi tmerrësisht regjimin e mbretin Sihanuk, derisa e bëri të ikë nga vendi. Menjëherë pas tij, CIA solli një proamerikan në pushtet, një farë Lon Noli. Një regjim krejt pa mbështetjen e një klase politike, të përgatitur të inkurajonte vendin në një drejtim për të qenë. Për pasojë, ai nuk mund të kishte tjetër fat, veç atij që pati, pra të shkërmoqej i tëri para goditjes së Kmerëve të kuq, të mbështetur nga Kina. Pas kësaj, a mund të thotë ndokush se CIA nuk ka asnjë përgjegjësi në ardhjen në fuqi të regjimit më gjakatar që ka ekzistuar ndonjëherë në sipërfaqen e tokës, ai i Pol Potit? Ka të paktën nja dhjetë raste të tilla, që nga vitet `50-të e deri në vitet `80-të, si ai i Brazilit, Salvadorit etj, etj., ku ajo godet me shumë fuqi e saktësi, por tregon diletantizëm të pashembullt në kalkulimin e pasojave të goditjeve të saj. Në këto kushte, skema ngjan si dy pika uji. Mund të besohet se për një arsye a tjetër ajo kërkonte të largonte nga pushteti presidentin e kohës, S. Berishën. Për këtë të gjithë pamë shumë shenja në atë kohë. Madje, duke shkuar më tej, mund të thuhet se ky qëllim u arrit. Po si është e mundur, që skemës së saj, edhe pse aplikohet për herë të parë në një vend evropian, ajo nuk i bën asnjë ndryshim dhe e lë të përsëritet me të njëjtat pasoja si në Indonezi, Kili,Guatemalë etj, duke shkaktuar me mijëra të vrarë? Thua se Shqipërisë nuk i mjaftonin hallet që kishte grumbulluar në shekuj e po i thyenin kockat edhe pa ndërhyrjen e tyre! Natyrisht, për një opinion përfundimtar, duhen pritur fakte të tjera, por gjithçka flet se Agjencia vështirë që të dalë lugë e larë në këtë histori aq të turpshme. Në të vërtetë, diçka ndihej në ajër që më parë. Ne, që në atë periudhë e kemi shëtitur vendin si përkthyes me grupet e mediave që vinin nga e gjithë bota, na ndodhte shpesh, kur njoftoheshim në drekë në Tiranë se atë paradite kishte patur përpjekje në x qytet. Natyrisht, pas kësaj niseshim menjëherë, duke menduar se ishim të parët që mbërrinim në vend, por çapëlonim sytë, kur aty gjenim grupe të tjera, xhirimi, kryesisht anglezë. Përgjithësisht ata mbërrinin një natë më parë, ndërkohë që nuk kishte patur asnjë shenjë të veçantë për përpjekje me armë. Miqtë tanë aty na tregonin se në mëngjes grupi i xhirimit ishte ngritur me nge të pinte çajin, përgatitnin me nge kamerat dhe, kur gjithçka ishte gati... para syve të tyre fillonin ngjarje që pothuaj direkt bënin xhiron e botës... Ka me dhjetëra enigma të tilla!
Por, gjithsesi, do të qe e gabuar, madje e dëmshme të akuzonim vetëm të huajt. Asgjë nuk mund të ndodhte pa pjesëmarrjen "entuziaste" të faktorëve të brendshëm! Këtu po i lejoj vetes të sjell ndonjë pasazh nga një libër kujtimesh të Egon Bahr-it, ministër i Jashtëm i V. Brandit, ku ka një pasazh interesant për periudhën, pasi ky i fundit shpalli Ostpolitikën (për hollësi për të shih Fjalori enciklopedik i politikës, Tiranë, 2005). Tepër i shqetësuar Kisingeri (i akuzuari kryesor për grushtin e shtetit në Kili, pak kohë më pas se episodi që po tregojmë), u nis urgjent në Gjermani dhe kërkoi menjëherë Bahr-in në takim kokë më kokë. Aty, pa shumë ceremoni ai nisi ta pyeste ministrin e Jashtëm për synimet e kancelarit me Ostpolitikën. Bahr-i e pa një copë herë në sy pa i folur e pastaj i tha: “Henri, jam këtu që t'ju informoj e jo t'ju jap llogari!”. Është e drejtë e opinionit publik, shqiptar të kërkojë një dinjitet të tillë edhe nga politikanët e vendit të tij, në pushtet a në opozitë qofshin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme