Ezani dhe debati mbi Islamin

Para do kohe në Kosovë u miratua një ligj për kufizimin e zhurmës dhe kjo ishte shkak që edhe një herë në opinionin kosovar të ngrihet debati për Islamin te shqiptarët. Dhe, as kësaj radhe nuk munguan ligjërimet pro et contra, që nga ato që brenda nate i zbuluan “dinsëzat që nuk e duan dinin e Allahut” dhe i publikuan emrat e tyre për t’i stimgatizuar, e deri te ata që nuk ngurruan të thonë se ezani është njësoj si zhurmat e tjera dhe ashtu duhet të trajtohet. 

Dhe, tashmë kur ka pushuar kjo çështje dhe aktual është problemi i Universitetit të Prishtinës, po i kthehem rishtazi kësaj teme, për të kontribuar sadopak, shprehur me terma juridikë, në procedurën e debatit mbi Islamin.

Kur flasim për Islamin te shqiptarët, do të duhet t’i përkufizojmë së pari disa çështje: prej kur u bë Islami problem?; cilat janë problemet reale dhe cili do të duhet të ishte debati i vërtetë për rolin e religjionit islam te shqiptarët?


“Islami turbofolk” 

Në fakt, derisa shoqëritë shqiptare gjatë viteve të ’90-ta nuk e merrnin dot veten dhe nuk e dinin se çka do të ndodhte me fatin e tyre, në anën tjetër, me ndihmën e shumë fondacioneve e shoqatave ndërkombëtare të botës myslimane, në vendet si Arabia Saudite, Jemeni, Jordani, Siria etj., u shkolluan dhjetëra e qindra të rinj shqiptarë, që shkonin atje me formim të varfër shkollor dhe ktheheshin të diplomuar në shkenca islame. Atëbotë për neve kjo nuk ishte shumë serioze, sepse kishim “punë të tjera”, por aty zënë rrënjë interpretimet e Islamit që sot i dërgojnë dhjetëra shqiptarë në Siri. Kështu, njësoj si muzika tallava, te shqiptarët erdhi edhe interpretimi tallava i Islamit – i kapshëm për masat e gjera të popullit, sipërfaqësor dhe jokompatibil me vlerat tradicionale të shqiptarëve. Përnjëherë u harrua se shqiptarët janë komb me tri fe, se jetojnë pranë etnive të tjera me fe të tjera dhe se jetojnë pranë kombeve që, duke na stigmatizuar, dëshirojnë të na paraqesin para botës si të rrezikshëm. Ky interpretim “turbofolk” na ka bërë që sot shumë familje shqiptare ta marrin vesh nga mediat se djali i tyre gjendet në luftë të Sirisë dhe, madje, të mos e dinë se për kë dhe në anën e kujt lufton atje. 

Megjithatë, duke qenë popull që merremi vetëm me pasojat e jo edhe me shkaqet, ne as sot nuk pyetemi se nga “pikuan” këta hoxhallarët që sot të fusin nga dhjetë herë në ditë në ferr e të skuqin aty, nga na erdhën këta hoxhallarë që sot japin fetfa për “meçkat që duhet me i lënë rrugëve” (ndërsa nuk i gjykojnë njësoj edhe “mëzetërit” me të cilët “meçkat” qenkan dalldisur), nga na erdhën ata hoxhallarë që i dhanë këso interpretimi fesë, që sot nuk përkon me natyrën kulturore e politike të shoqërive shqiptare.


Teologjia e munguar shqiptare

Derisa secili komb dhe shtet serioz ka arritur të krijojë teologji islame (shkencë mbi interpretimin e Islamit) konform realitetit të tij kulturor, politik, ekonomik etj., te shqiptarët kjo vazhdon të mungojë. Derisa dikur identitet i Islamit te shqiptarët ishte Hafiz Ali Korça, Haxhi Vehbi Dibra, Imam Vehbi Ismaili, më vonë edhe Haxhi Sherif Ahmeti, sot këtë identitet e përbëjnë disa imamë të Kosovës – të njohur me zhurmën që e prodhojnë për “ta thirrur ezanin në Parlament” ose për t’u tallë me “meçkat”, që flet më shumë për cektësinë e tyre teologjike, por edhe disa hoxhallarë të tjerë të Maqedonisë që “kanë zbuluar” rregulla të tjera të martesës dhe të punësimit, ndërsa nuk mungojnë as “gylenxhinjtë” shqiptarë të Shqipërisë, që kanë krijuar një version “gylenist” të Islamit atje, që me asgjë nuk i ngjan më Islamit të kultivuar ndër vite te ne. Kjo në terma sociologjikë i bie se nga Islami tradicional shqiptar, tolerant ndaj tjetrit dhe me plot dashuri për tjetrin, kemi kaluar në një Islam të dhunshëm, të zhurmshëm e agresiv, që ndryshe emërtohet vehabizëm (në Maqedoni e Kosovë) ose në një Islam (të Shqipërisë) që më shumë është ideologji gyleniste se ndonjë interpretim teologjik shqiptar. Duke e fshirë traditën tonë teologjike, ne kemi vepruar njësoj si Muhamed ibn Abdulvehabi, që me apo pa vetëdije e inicioi (në shek. XIX) rrënimin e gjithë historisë islame në Arabinë Saudite, ashtu që sot atje nuk gjen asgjë që të lidh me historinë e Shpalljes dhe të jetës së Profetit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të). E tillë tash është bërë edhe teologjia e vehabistëve dhe gylenistëve shqiptarë, për të cilët historia shqiptare duhet të fillojë me ata, për të cilët nuk pranohen këngët e kreshnikëve, ritet e motmotit, këngët historike shqiptare, rilindja kombëtare shqiptare, letërsia shqipe, ndërsa nacionalizmi shqiptar (që kërkon barazimin e njësisë etnike me atë politike shqiptare) për ta paraqet një “devijim nga feja e Allahut”. Dhe, bashkësitë islame vazhdojnë të sillen sikur nuk ndodhë asgjë (madje, gjejnë kohë të aktrojnë si sulltanë – siç bën kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë), ndërsa shtetet shqiptare, veçmas ai i Kosovës, vazhdojnë të merren me pasojat, duke bërë marketing politik në kurriz të fesë pa çarë kokë se cila do të jetë e ardhmja fetare e shqiptarëve myslimanë. 


Bashkësia Islame Shqiptare 

Derisa kemi politikanë si ish presidenti Mojsiu që deklaron se shqiptarët janë të gjithë të krishterë, derisa kemi përfaqësues politikë si Atifete Jahjaga, që injoron faktin se shqiptarët në Kosovë janë mbi 90% myslimanë, derisa kemi politikanë si Enver Hoxhaj që sillet ndaj myslimanëve me kapadaillëk, derisa Ramushi pa fije turpi bën zgarë në ditë të Ramazanit dhe deklaron se nuk e di pse është mysliman, natyrisht që në anën tjetër do të kemi ekstremizëm islam, sepse ekstremizmi vetëm ekstremizëm prodhon. 

Prandaj ne propozojmë që të iniciohet krijimi i Bashkësisë Islame Shqiptare, e cila do të jetë përgjegjëse për jetën islame të të gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe në diasporë, e cila do ta kontrollojë kuadrin e xhamive dhe ligjërimet aty, e cila do të hartojë sillabuse për medresetë e fakultetet islame shqiptare, krejt konform traditës, historisë dhe kulturës shqiptare dhe në konsultim edhe me ekspertë të tjerë vendorë dhe të huaj të fushave përkatëse. Për këtë arsye konsideroj se derisa politikanët shqiptarë në zgjedhje koketojnë edhe me vehabistët (në Maqedoni e Kosovë) edhe me gylenistët (në Shqipëri), për të fituar ndonjë pikë politike dhe derisa kemi analistë që dëshirojnë të dalin nga anonimiteti duke i sharë myslimanët si mish i egër në qenien kombëtare, pa arritur të bëjnë as dallimin elementar se për cilët myslimanë e kanë fjalën në të vërtetë, për imamët “lexhendarë” apo edhe për myslimanët si unë e miqtë e mi, gjithnjë do të kemi arsye që në anën tjetër të dalin militantët islamikë për të thënë se Islami është në rrezik dhe nuk duhet ndalur yryshi. 


Ezani

Që të dëshmojmë praktikisht se si do të dukej veprimtaria e kësaj Bashkësie Islame Shqiptare (BISH), do ta ilustrojmë me zgjidhjen e çështjes së ezanit. Mbasi tashmë ezani nuk ka karakter përkujtues (sepse kemi orë gjithkund, takvime, alarme dhe aplikacione në telefon), por ka vetëm karakter simbolik (për të dëshmuar identitetin religjioz të një vendi) dhe karakter estetik (për të shprehur bukurinë akustike të Islamit), Bashkësia Islame Shqiptare duhej të hapte një degë specializimi për myezinë, të cilët të edukuar edhe me përgatitje muzikore, do të merrnin të drejtë për të thirrur ezan në qytetet shqiptare. Aty ku nuk do të kishte myezinë të këtillë, do të kërkohej që ezani të jetë i incizuar ose të thirret sa për oborrin e xhamisë, që mos ta dëmtojë karakterin estetik të ezanit të vërtetë. Po ashtu BISH-i do ta rregullonte edhe lartësinë e ezanit, që në asnjë mënyrë të mos i shqetësojmë vëllezërit tanë të krishterë shqiptarë, por edhe fqinjët e krishterë sllavë e të tjerë, që jetojnë pranë nesh. 

Nëse do të bëhej kjo, sigurisht nuk do të kishte vend që shqiptarët shekullarë/laikë ose agnostikë, siç parapëlqejnë ta quajnë veten, ta trajtojnë atë si zhurmë, ndërsa ekstremistët myslimanë ta trajtojnë ligjin e sipërpërmendur si sulm ndaj Islamit dhe ndalesë të ezanit dhe kështu të prodhohet një shoqëri me plot mosbesim, polarizim dhe e gatshme për konflikt. 

Nisur nga kjo, duke shkruar nga prizmi i një njeriu që pretendon të jetë besimtar, dëshiroj që debatin mbi fenë ta vendosim në binarët e vërtetë të dialogut dhe para pyetjes se “Çfarë interpretimi të Islamit na duhet neve?” apo “Kë do ta lejojmë të na e interpretojë Islamin?”.

Po e përmbyll këtë tekst me një thënie që shumë hoxhallarë e citojnë, por pak prej tyre dinë si ta interpretojnë. Omer ibn Hatabi, kalifi i dytë i historisë islame, ka thënë: “Llogariteni veten para se t’ju llogarisin”. Këtë thënie hoxhallarët tanë e interpretojnë si thirrje për ta kalkuluar veten para kalkulimit në botën tjetër, që mund të jetë edhe ashtu, ndërsa asnjëherë nuk e shpjegojnë në kuptim të asaj se “Mos lejoni që të tjerët të vendosin për ju, por vendosni ju për veten tuaj; mos lejoni që të tjerët të gjykojnë për gabimet tuaja, por gjykojeni ju veten tuaj; mos lejoni që të tjerët t’jua interpretojnë fenë tuaj, por interpretojeni ju atë; teologjinë mos e importoni, por krijojeni vetë dhe mos lejoni që as ekstremistët shekullaristë e as ekstremistë islamikë të tallen me të”. Në të kundërtën, ashtu si Diogjeni dikur, do të duhet të dalim me fener në dorë për të gjetur ndonjë dijetar shqiptar mysliman, sepse ekstremistët islamikë dhe ekstremistët shekullaristë/laikë e kanë zaptuar krejt skenën dhe nuk lënë aty vend për njerëz të esëllt e me arsye. /koha.mk/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme