

Zgjerohet debati për fenë, por fatkeqësisht edhe kësaj here me fort pak profesionalizëm. I ngjashëm ishte dhe në vitin 2009. Megjithatë është mirë kur, të paktën në këtë formë, opinionit të gjerë i hapet një dritare për të mësuar pak më shumë për çështjen e fesë. I afron mundësinë, por edhe obligimin që të mendojë seriozisht për këtë çështje dhe të rreshtohet sa më drejt që të jetë e mundshme. Shoqëria ka obligim të mendojë edhe për shtigje jetësore për tërë shoqërinë, kurse individi mund të zgjedhë a do t`i qaset fesë i mbështetur në librat e shenjt, apo do të eci rrugës që përpiqen ta trasojnë teoricientë të fushave të ndryshme: filozofisë, sociologjisë, politikës, ekonomisë, teologjisë, historisë, deri te “ekspertët” e Teofobisë!
Nuk ka dyshim se , FEJA ËSHTË BARRË DELIKATE. PO NUK IU QASE SERIOZISHT – me sinqeritet, të qet në hund e n`buzë! Varësisht nga doza e jo sinqeritetit dhe jo seriozitetit, ta then edhe qafën. Ka plot shembuj e dëshmi në histori, për ata që dëshirojnë ta dinë.
FENOMENI FE- din, nuk është i sotshëm. Nuk fillon me ne as nuk do të përfundojë me ne. Stimulimi e diskutimi për çështjet fetare, kohë pas kohe në mediat tona, është i ndërlidhur me rrethanat aktuale e zhvillimet shoqërore jo vetëm në Kosovë – edhe Kosova është pjesë e botës. Nuk mund të burgoset Kosova në 10 mi km katror në Ballkan.
Vetëm titujt e nëntitujt e gazetave të japin pasqyrën se si i qasen fesë disa studiues, analistë, politikanë, diplomatë, dijetarë islamë (ulema), e madje edhe bashkëbisedues të rastit, të cilët pahiri janë përfshi në çështje të fesë. Si rrjedhojë janë apele e konstatime: “Të mbyllet debati për fe,…. Feja faktor përçarës i popullit… secili e beson zotin e vet…. Zoti i shqiptarëve me tri fytyra…” e ndonjë shprehje tjetër…. ! që mjafton për të nxjerr një si konstatim se pjesa dërrmuese e të përfshirëve në këto diskutime janë diletantë, madje jo të zakonshëm. Janë diletantë destruktivë, që nuk i kanë hy çështjes fetare nga dashuria – ashtu siç e ka kuptimin themelor termi diletant, por të nxitur nga zhvillimet aktuale në botë dhe si rrjedhim i sajë janë kualifikime e gjykime destruktive, jo më nga dashuria por nga një farë urrejtje e porositur, sa për të thënë edhe unë thash diçka…. ! Prandaj bëhen thirrje: Mbrojeni shkollën nga feja! Feja nxitje vëllavrasëse;
Kësajë mjegullnaje i kontribuon edhe moskujdesi në nomenklaturë të fenomeneve: fe, religjion, ideologji, luftë e shenjt, ekstremizëm fetarë, fe arabe, fe shqiptare, islam i moderuar…, islam tradicional, islam evropian, islam i ri, islam ekstrem, islam amrikan… etj..
Kjo është pasojë e injorimit të burimeve themelore të feve nga ana e “ekspertëve” të përfshirë në këtë valle. Këtu shihet se nuk e kanë lexuar përkufizim e fenomenit fe në Lxikonin Amerikan të viteve 2000, sipas të cilit rezulton se: “Feja është një besim i sistemuar, i mbështetur në shpallje hyjnore, bartësit e të cilave shpallje janë evidentuar në librat e shpallur, të pa zgjeruar e të pa deformuar, që e pranon, nderon dhe e adhuron Zotin Një. Atë fuqi mbinatyrore, e cila pranohet si Krijues i gjithësisë.”
Zgjerimi i debatit për fenë, në rastin konkret është keqpërdorim i fesë, manipulim i opinionit, jo për zgjidhjen e çështjeve fetare, kombëtare, shtetërore, sociale, kulturore, në hapësirën e Kosovës, të cilat i përmendin autorët e atyre opinioneve. Disa prej tyre e kanë humbur krejtësisht topin e kandarit! Me qëllim apo me pahirë këtë e dinë vetë, por që luajnë jashtë fushe, kjo nuk diskutohet!
Njëri ngatrron fenë me luftën në Siri, tjetri e përzien me poezinë e Pashko Vasës, por harron Çajupin, dikush tjetër ngrit në qiell Naimin por e len pas dere Samiun, njëri thirret në stabilizim të shtetit, tjetri në kapitalin e Marksit, ai tjetri në vlerat evropiane, etj.
Shumica sish këtë e bëjnë për t`iu shmang punës e përgjegjësisë! Më lehtë e kanë me parolla se sa me angazhim konstruktiv, siç kërkojnë Çajupi dhe Samiu. Këta “opinionistë” tërë këtë luftë e bëjnë për qëllime të ngushta, interesa individuale, klanore, partiake, e tek pastaj “kallan kusuri” çka mbetet për komb, për fe e për shtet! Me referime kah feja shpresojnë se mund të fitojnë ndonjë pikë më shumë duke manipuluar popullatën – votuesit, duke nëpërkëmbur parimet themelore të fesë. Me referime kah stabilizimi i shtetit kombëtarë, harrojnë se nuk ka popull pa fe apo pa Zot! As shtet pa popull nuk ka! Ndarja e fesë nga shteti do të thotë shtet pa popull!!!
Apelojnë: larg fenë nga shkolla , larg fenë nga politika, larg politikën nga feja, etj. Ndonjë i par i fesë apelon, madje edhe shumë me këmbëngulje, që një fe të mbahet larg kontinentit të Evropës….! dhe po ajo politikë që apelon për bashkëjetesë e mirëkuptim në kontinentin e vjetër, nuk brengoset fare për thirrje të tilla që vinë nga zëra me peshë në hierarkinë fetare! Madje as për qëndrime ekskluziviste nuk do të di fare!
Feja pa politikë, mbase bën diçka… por politika pa fe e hudh në greminë shoqërinë. Kjo për të vetmen arsye se në thelb nuk ka ekstremizëm fetarë! Por ka ekstremizëm ideologjik që kamuflohet nën maskën e fesë. Manipulimi në emër të Zotit të ngrit më lehtë tek qëllimet e djallit! E tërë kjo në dëm të popullit dhe të shtetit – përfundimisht, në dëm të tërë njerëzisë.
Në erën e demokracisë – duke manipuluar edhe me konceptin e demokracisë shumë kujt ia kujton periudhën e viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar kur, ngjashëm sikur sot që devalvohet demokracia, ndodhte me socializmin.
Ajo kohë ishte kur diletantët kishin dalë në sipërfaqe dhe mendonin se socializëm do të thotë t’ia marrësh pasurinë atijë që e ka fituar me djersë e ta ndashë me proletariatin, për të bërë shoqëri të barabartë. Sot në emër demokracisë, shprehjes së lirë, etj., dikush nuk bën punën e vet, por hidhet të prashisë në arë të huaj, ku nuk ia di as kufijtë, as çfarë rendimenti jep ajo tokë.
Ai “farë socializmi” u merrte tokën”beglerve, agallarëve, qehallarëve”, pa kurrfarë kriteri të drejtësisë, kurse sot, kjo “far demokracije” ka ngrit agjensione të posaçme për, t`ia marrë, gjithashtu, pa kurrfarë kriteri të faktorit drejtësi, pasurinë shoqërisë dhe ta shndërrojë në kapital individual a klanor – pa pikën e djersës! Ngrit klane të kapitalizmit të egër në emër të kush e di se kujt – por jo të drejtësisë! Drejtësia heshtë, gjykatat flejnë, krimi i organizuar heq valle mbi shpinë të popullit e të shtetit, me lutjen “Bëne zo llugë!”
Për fenë flasin politikanë – kryesisht me bindje dhe me kulturë ateiste, për politikën flasin fetarë, që e kanë me të dëgjuar se me politikë mund të ngjitesh lart më shpejt dhe bëhesh njeri me autoritet. Nuk bëjnë fare dallimin ndërmjet fesë dhe kulturës fetare; as midis fesë dhe ideologjisë. Thirren në hyjnore e njerëzore, në laike, sekulare, etj., pa i kuptuar se çfarë shprehin. Arsimin e organizojnë ata që kanë para, ata që kanë dije merren me tregëti për të mbijetuar dhe për të mbajtë familjen, institucionet me kompetencë e me përgjegjësi për mbarëvajtjen e punëve të shtetit hapin sytë prej kah mund të sigurojnë më shumë vota, pa menduar shumë se ku të shpie kjo rrugë. Sado të vogla qofshin këto dukuri – janë tepër!
Në Kosovë nuk ka problem të fesë, nuk ka problem të kombit,- janë të zgjidhura moti. Është shumë i qartë identiteti fetarë: Musliman e të krishterë- perendija na ka bërë…. (Çajupi), edhe ai kombëtarë, po: jemi vëllezër shqiptarë… kemi një gjak, një gjuhë e një farë… (Samiu, Voka).
Është e hapur rruga e ndërtimit të shtetit të Kosovës – kjo vazhdon…. dhe tash, “muleni burra ta pengojmë” apo të paktën ta vonojmë shtetndërtimin e Kosovës! Këtu të qesin diskutimet për çështje të zgjidhura shumë më heret! Këtë rrugë duhet rrahur e shtruar strukturat intelektuale shqiptare, ndërtimi i shtetësisë së Kosovës ka nevojë për energjinë e tyre që duan të kontribuojnë për Kosovën.
Njerëzimi – edhe shqiptarët – kanë dy rrugë: të jenë POLITESIT ose MONOTEIST, rrugë të tretë nuk ka. Vetëm mund ta trillojnë mendje jo të shëndosha që përfundojnë me ideologji.
Monoteistët mund të rreshtohen: Pas Tevratit (me Musain a.s.) , pas Ungjillit (me Isain a.s.) ose pas Kur’anit (me Muhammedin a.s.). Nomenklatura tjetër nuk është më çështje fetare.
Rreshtimi i shqiptarëve pas këtyre Librave të shpallur, nuk është çështje për ta diskutuar e rregulluar diletantët e hapësirës kosovare.
Qasjet diletanteske rrezikojnë ardhmërinë e Kosovës! I përmbysin vlerat dhe dalin në sipërfaqe karrieristë, pseudoanalistë, kontrabdnadist – sepse profesionalistët që bëjnë punën e vet dhe nuk janë fare në sipërfaqe, kjo kohë i ka nxjerr jashtë loje. Konstruktohet një renditje krejtësisht mbrapsht! Në rend të parë del : individi , klani i tij, partija, shteti, populli…- në vend se të jetë e kundërta e kësaj.
Sa për Zot! Kur fillon fushata zgjedhore të gjithë e kanë gojën plot me zot e fe! ( të gjithë janë familje hoxhallarësh, dikush babën, dikush nanën, tjetri gjyshin, njëri dajën tjetri tezen, etj… por ama MUSLIMAN JOPRAKTIKANTË! Ndoshta e dinë se çfarë thonë?! Unë jo!
Si rezultat i këtij degradimi të vlerave Kosova sot, është këtu ku është!
Nëse vazhdon edhe më tutje me diletantizëm, nëse ngulfatet profesionalizmi dhe shkelen vlerat e këtij vendi, virtytet e këtij populli, nëpërkëmbet gjaku që është derdhur për këtë Kosovë, nuk i shkruhet mirë! Të gjitha gjërat kanë njëfarë kufiri, edhe keqpërdorimi dhe shkelja e kapitalit që e ka Kosova, DUHET TË KETË NJË KUFI. Askush nuk lirohet nga përgjegjësia, por secili sipas takatit që e ka në kohë dhe rrethana të caktuara!