Tendencat për një Turqi pa kryeministrin Erdogan

Hipoteza kryesore e kësaj analize ose korniza hulumtuese është se vitet e fundit “disa” forca të jashtme dhe të brendshme në  Turqi, në mënyrë eksplicite tentojnë dobësimin e partisë së kryeministrit të Turqisë Recep Tayyıp Erdoğan (Partısë për Zhvillim dhe Drejtësi) si dhe diskreditimin e personalitetit të kryeministrit duke e cilësuar atë si diktator, përçarës, njëri i korruptuar etj, por intenca kryesore është detyrimi për largimin  nga skena politike.

 

Maj 2010: Turqia forcë centrifugale në Lindjen e Mesme dhe fillimi i shkëputjes

Me  ardhjen  në pushtet të Partisë për Zhvillimi dhe Drejtësi në Turqi (PDZH) në vitin 2002, marrëdhëniet Turqi dhe SHBA-Izrael në vija të trasha mund t'i vlerësojmë si pozitive, mirëpo me konsolidimin e ekonomisë dhe fuqizimin politik të Turqisë këto “marrëdhenië pozitive” kanë filluar të zbehen, si pasojë e politikave të ndryshme lidhur me  çështjen e  Lindjes së Mesme, këto divergjenca hapen rrugë për dyshime ndaj qëllimeve politike të kryeministrit Erdoğan, kështu në sytë e SHBA dhe më gjerë qeveria e Turqisë filloj të humbë  statusin e  një qeverie demokratike (ashtu si vlerësohej në periudhen e parë të qeverisjes). Në një vlerësim të këtillë janë tri ngjarje (momente) të  muajit maj të vitit 2010, që benë të ditur fillimin e ndryshimit të kursit politik të SHBA-së dhe Izraelit ndaj qeverisë së PDZH dhe kryeministrit Erdogan.

Momenti i parë, ka të bëjë me të ashtuquajturën “Kontratën  e shkëmbimit” (Takas Antlaşması) ku Turqia bashkë me Brazilin më 17 Maj 2010, morën iniciativën për ndërmjetësim mes faktorit ndërkombëtarë dhe Iranit lidhur me çështjen e programit bërthamor, me qëllim pengimin e aplikimit të embargos, në kundërvlerë të disa lëndëve energjetike që do t'u jepeshin nga ana e Iranit. Në fillim nisma për ndërmjetësim u përkrah nga SHBA-të, por pas marrjes së përgjigjes pozitive nga Irani, SHBA-të të ndikuara nga shtypja e partnerit strategjik në Lindjen e Mesme, Izraelit penguan miratimin e marrëveshjes në kuadër te OKB. Pra ky veprim i SHBA-së, zhgënjeu autoritetet turke dhe mund të vlerësohet si hapi i parë drejt lëkundjeve ndërmjet raporteve të dy shteteve ne fjalë.

Momenti i dytë, ka të bëjë me marrëdhëniet Turqi-Izrael. Turqia në krye me Erdoganin ka qenë dhe është përkrahësi më i madh i çështjes palestineze. Mospajtimet ndërmjet këtyre dy shteteve me seriozisht fillojnë të reflektojnë  në vitet 2008-2009 me sulmet izraelite ndaj Gazës, tendenca e kryeministrit turk për ndërmjetësim ndërmjet Sirisë dhe Izraelit duke arritur kulmin në Davos me të ashtuquajturën “ One Minute”.

Momenti i tretë, lidhet me “Mavi Marmaranë”. Më 31 Maj 2010, anija turke e cila dërgonte ndihma humanitare në Gaza, u sulmua me armë zjarri nga ana e forcave ushtarake të Izraelit në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ky sulm shkaktoi vdekjen e 9 personave  dhe plagosjen e 60 të tjerëve, të gjithë shtetas turk. Konsekuencat nga ky sulm ishin, ngrirja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turqisë dhe Izraelit. Sa do që nën presionin e Presidentit amerikan  Obama në mars të 2013, për stabilizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve me qëllim të rivendosjes së ekuilibrave në rajon dhe  që rezultoi me pranimin nga ana e Izraelit që të kërkoj falje dhe shpagimin e dëmshpërblimit Turqisë, përsëri raportet e ftohta vazhdojnë edhe sot.

 

Pas 2010: Pole të kundërta

Pas këtij viti qasja e Turqisë ndaj “çështjeve botërore” dhe Lindjes së Mesme dallon  në masë të madhe prej  atyre të bllokut SHBA-Izrael. 

 

Çështja e Sirisë

Në suaza të politikës së jashtme të Turqisë për rritjen e ndikimit në Lindjen e Mesme në vitin  2008, kryeministri Erdogan realizoi një takim të “ngrohtë” me kryetarin e Sirisë, Bashar al-Assad gjë që dukshëm shqetësoj autoritet politike izraelite. Por kursi i afrimit të Turqisë dhe Sirisë u ndalua me "pranverën arabe", e cila u reflektua edhe ne Siri dhe si pasojë e politikave të Assadit, gjë që çoi në luftë civile në Siri. Përdorimi i dhunës dhe masakrat mbi popullatën civile sunite, rritja e numrit të refugjatëve dhe përjetimi i tragjedisë së popullit sirian, shkaktoj reagimet e  Turqısë për thirrje ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake  në Siri, por e cila hasi në vesh të shurdhër nga faktori ndërkombëtar dhe administrata e presidentit Obama. Përdorimi i armëve kimike në Siri nga regjimi shtetëror që nga administrata e Obamas dhe shteteve anëtare të  NATO-s u  cilësua si “vija e kuqe” e regjimit sirian, nuk mjaftoi për ndërhyrje ushtarake. Edhe përkundër vendosjes së sistemit anti-raketorë të NATO-së në Turqi, përsëri ekziston rrezik ndaj sigurisë kombëtare të Turqisë. Në këto rrethana politike Turqia ngeli e vetmuar ndaj çështjes së Sirisë kurse kryekëshilltari për politikë të jashtme në kabinetin e Erdoganit, Ibrahim Kallën pozitën në të cilën u gjend Turqia e vlerësoi si “vetmi e ndershme dhe virtytshme”.

 

Çështja e Irakut

Në vitin 2011 paralelisht me tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Iraku, Qeveria e kryeministrit me prejardhje shiite Nuri-el Malikut dha urdhër për arrestimin e kryetarit të shtetit Irakian me prejardhje arabe dhe sunnite Tarik El- Hashimit. Pas strehimit te El-Hashimit në Turqi, në 2012, nga Lëshilli i Lartë Gjyqësor Irakian presidenti në fjalë dënohet me vdekje. Këto zhvillime ndikuan në acarimin e raporteve të Turqisë me Qeverinë Qendrore të Irakut, dhe me ndihmën e SHBA-ve Turqia, me qellim të përfitimit nga burimet e naftës dhe burimeve tjera energjetike në rajonin e Kirkukut afroi qëndrimet politike me kryetarin e Zonës Autonome Kurde në Irakun Verior, Mesud Brazanin.

Këtë përafrim Turqia e realizoi për dy qëllime kryesore: arritjen e paqes me kurdët e vendit dhe përfitime ekonomike. Në nëntor të vitit 2013, në Dijarbakar të Turqisë u realizua një takim ndërmjet Erdoganit dhe Barzanit, takim që nga shumëkush u vlerësua si historik. Në këtë takim nga ana e dy qeverive u nënshkrua në marrëveshje sipas së cilës parashihej instalimi i tubave të naftës në territorin e Turqisë që do të përcillnin naftën nga Iraku verior në Evropë, sipas marrëveshjes  do transferoheshin 350 mijë deri më 1 milion barel naftë në ditë, prej së cilës Turqia do të fitonte 9 miliardë euro në vit. Kjo marrëveshje akoma nuk ka filluar të aplikohet për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet autoriteteve turke dhe amerikane në çështjen se cila bankë do ta bëjë transferimin e mjeteve financiare nga tregtia me këtë naftë.

 

Çështja e Palestinës dhe Egjiptit

Gjatë gjithë kohës së qeverisjes së kryeministrit Erdogan problemi palestinez ka qenë njëri nga preokupimet  kryesorë të politikës së jashtme turke. Ndër të tjerash hapin më të rëndësishëm që ka ndërmarrë Turqia për çështjen palestineze është roli i saj si gjeneratorë kryesor për fitimin e statusit të shtetit palestinez si shtet vëzhgues në OKB. Edhe ky rol i Turqisë ka hapur rrugën për thellimin e hendekut ndërmjet SHBA-ve dhe Izraelit.

Kur vijmë te Egjipti, me fitoren e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë në zgjedhjet presidenciale në Egjipt dhe me ardhjen në pushtet të  presidentit Muhamed Mursi, Erdogan personalisht te Mursi gjeti një bashkëpunëtorë, gjë që u dëshmua me miqësi dhe  me prezencën e Mursit në mbledhjen e katërt të kongresit të PZHD më 2012. Që në fillim Presidenti Mursi ndërmori  hapa pozitive për t'i dalë në ndihmë popullit palestinez dhe krijoji marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinë. Ndaj këtij koalicioni të “fuqishëm” në Lindjen e Mesme nuk munguan reagimet izraelite. Sa për elaborim në një panel shkencor në Izrael mendimtari francez me prejardhje çifute, Bernard Henry Levy në prani të ish-ministres së Drejtësisë dhe ish-anëtare e Mosadit në statusin e pjesëmarrjes në këtë panel, në lidhje me fitoren e Presidenit Mursi  deklaroj që “Nuk mund të them që fitoren e Mursisë e kërkon demokracia dhe nuk mund të presim deri ne zgjedhjet e ardhshme”, në këtë kontekst mund të cilësohet si thirrje ushtrisë egjiptian për  e grushtet. Pas grushtetit të paligjshëm në Egjipt vendi që ka dënuar dhe kritikuar më ashpër ka qenë Turqia dhe Erdogani, kurse SHBA-të nuk e quajti grushtet, ndërsa Izraeli e përshëndeti.

 

Çështja e Iranit

Pas vendosjes së embargos tregtare ndaj Iranit nga ana e OKB-së, Turqia me qëllim të plotësimit të nevojave të naftës dhe burimeve tjera energjetike refuzoi që t'u përmbahet detyrimeve nga ky vendim. Ky veprim i Turqisë ndikoj dukshëm në rritjen e shkëmbimit tregtar me Iranin dhe në shumë sfera tjera ekonomike, ndër më të rëndësishmet është importimi i arit nga Turqia në Iran. Për t'iu shmangur bllokadave të embargos, shteti iranian ka hapur llogari bankare në pronësi të firmave vendase turke në bankën kombëtare të Turqisë HALKBANK, kështu që shteti iranian fitimet të cilët i realizon nga shitja e lëndëve energjetike dhe të naftës i konverton në ar. Nga ky rast të dyja palët kanë përfituar ekonomikisht. Ndaj kësaj kanë reaguar SHBA, gjatë vizitës së kryeministrit turk në maj 2013 në SHBA, autoritet amerikane ia përcollën shqetësimet ndaj kësaj çështje, rrjedhimisht me këtë në korrik të të njëjtit vit Kongresi Amerikan miratoi ligjin për  embargo të arit ndaj Iranit. Ky vendim sigurisht që shkaktoi pakënaqësi te pala turke.

Nga ana tjetër, fitorja e reformistit Hasan Ruhanit në zgjedhjet presidenciale në Iran të mbajtura në vitin 2013, paraqet  një pikë kthesë në marrëdhëniet Iran-SHBA. Pikëpamjet e tij liberale kanë ndikuar në zbutjen  e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve gjë që menjëherë rezultoi me fillimin e negociatave për çështjen e programit bërthamor të Iranit në përbërje të 5 shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë në kundërvlerë të heqjes së vendimit për zvogëlimin e prodhimit të kuotave të naftës nga Irani.

Turqia duke i përdorur lidhjet historike, fetare dhe kulturore  me vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore, Kaukazit dhe vendeve të Ballkanit tenton rritjen e ndikimin politik dhe ekonomik në këto shtete, kurse blloku SHBA-Britani e Madhe-Izrael nën hijen e politikave tradicionale ndaj vendeve të Lindjes së Mesme edhe Afrikës Veriore mundohet që të margjinalizojë rolin e Turqisë në këto rajone.

Në një pozitë të këtillë duke mos mundur të gjej gjuhë të përbashkët me SHBA, BE dhe vendet tjerë anëtare të NATO-s, Turqia është duke bërë hapa drejt gjetjes së alternativave tjera. Në tetor të vitit 2013, kryeministri Erdogan u takua me homologun e tij rus, Vlladimir Putin, të cilit i shprehu dëshirën e anëtarësimit të Turqisë në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait si dhe nënshkrimin e disa memorandumeve për  investime  reciproke në fushat ndërtimit të centraleve bërthamore, ndërtimtarisë, mbrojtjes ushtarake dhe industrisë së automobilave.

Kurse një moment tjetër që shkaktoi reagime të ashpra nga ana e vendeve anëtare të NATO-s, veçanërisht të SHBA-ve, është nënshkrimi i marrëveshjes Turqi-Kinë për bashkëprodhimin e sistemit të mbrojtjes raketore. Në bazë të gjithë këtyre mund të themi që Turqia nga aspektet ekonomike, ushtarake dhe politike ka krijuar një pavarësi autonome ndaj shteteve perëndimore, duke iu shmangur pozitës dhe rolit të deritanishëm “qendër-periferi”.

 

2013: Kërkimi i një alternative të Erdoganit

12 vitet e qeverisjes së Erdoganit Turqia si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm  ka arritur një zhvillim marramendës thuajse në të gjitha sferat e jetës publike. Duke nisur që nga rritja dhe zhvillimi ekonomik, prodhimi vendor teknologjik, projektet gjigante në transportin publik, si dhe reforma në të gjitha fushat tjera, dukshëm kanë ndikuar në përmirësimin e mirëqenies shoqërore dhe ekonomike në vend. Paralelisht me këtë si rezultat i ndjekjes së një politike te jashtme idealo-normativiste  ka rritur influencën  politike ne arenën ndërkombëtare dhe në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Kaukaz dhe Ballkan. 

Sipas analistëve në Turqi edhe më gjerë të gjitha këto suksese nuk do ishin të mundura pa figurën karizmatike dhe ambicioze të kryeministrit Erdogan. Karizma, aftësitë, vendosmëria, besimi, si dhe modestia e tij kanë bërë që Turqia të vijë në këtë nivel dhe PDZH të fitojë një përkrahje të fuqishme nga elektorati vendas por edhe nga të gjithë popujt e gjithë botës islame. Sot figura e tij është bërë simbol i shpresës, paqes dhe shembulli i burrështetasit brenda publikut të Turqisë dhe botës islame. Por për t'u arritur vizioni i vitit 2023, Turqisë i duhen raporte të mira me Iranin, Irakun, Sirinë dhe pjesën tjetër të botës. Marrëveshjet të lartpërmendura me Iranin dhe Irakun dhe projektet në fushat tjera,  Turqisë i sigurojnë në rend të parë pavarësi energjetike dhe fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake.

Është interesante se në vitin 2013, gjatë 11 vjet qeverisje të PDZH ndodhën dy ngjarjet më të rëndësishme kundër qeverisë së kryeministrit Erdogan: Gezi Park dhe Operacioni kundër korrupsionit.

Duke u bazuar në atë që përmendem më lartë, më të drejtë mund të konstatojmë se SHBA, Britania e Madhe dhe Izraeli në bashkëpunim me grupe të caktuara brenda Turqisë  në të dy këto ngjarje në mënyrë direkte apo indirekte kanë kontribuar dhe kanë mbështetur realizimin e tyre. Këtë bindje e përforcon fakti së në protestën e Gezi Parkut qëllim kanë qenë pengimi i realizimit të 4 projekteve gjigante që duhet të realizohen në vitet e ardhshme: Aeroporti më i madh në botë në vlerë rreth 30 miliardë euro; Kanali i Stambollit 10 miliardë euro, ndërtimi i centralëve atomik me vlere prej 21 miliardë euro dhe Ura e tretë mbi Ngushticën e Bosforit 3 miliardë euro. Kurse në të ashtuquajturin “Operacioni kundër korrupsionit” të ndërmarrë në 17 dhe 25 dhjetor 2013, është paraparë arrestimi i drejtorit gjeneral të Halkbank, biznesmenët që duhej të bënin investimet në aeroportin dhe kanalin e Stambollit dhe djali i kryeministrit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme