Me shekuj muslimanët në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë jetuar në paqe intime të fesë së tyre duke i praktikuar ritet fetare në mënyrën e miratuar nga osmanët prej të cilëve edhe e kanë pranuar fenë islame. Vetëm gjatë agresionit në vendin tonë dhe më pas, pra, pas më shumë se 500 vitesh që Islami është pjesë integrale e identitetit të boshnjakëve, disa persona të caktuar, të arsimuar në Arabinë Saudite, Siri, Jemen apo në ndonjë vend tjetër arab, më në fund “e kanë zbuluar" se si muslimanët në Bosnjë e Hercegovinë nuk falen sipas "Sunnetit", andaj kanë nxituar që përmes ligjëratave, pamfleteve dhe librave t’i "mësojnë" se si falet namazi me xhemat.
Argumentet juridike të sheriatit për aspektet e caktuara të kryerjes së namazit sipas medhhebit hanefij, të cilat kryesisht janë gjetur në shënjestër të këtyre kritikëve siç janë: shprehja në vetvete amin pas el-Fatihas, ngritja e duarve deri në pjesët e buta të veshëve vetëm në Tekbirin fillestar, mos leximi i Kuranit në kijam pas imamit, bërja vetëm një shenjë me gishtin tregues gjatë leximit të Et-tehijātu, falja e 20 rekateve në namazin e taravihve , etj, janë shpjeguar në një numër diskutimesh, prej të cilave në këtë punim, lexuesit do t’i udhëzoja në veprat: Fikhu Hanefij nga Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, dhe Ebu Hanifja dhe namazi në medhhebin hanefij, të autorit Shefik Kurdiq. Në të dyja këto vepra, janë analizuar pjesët përbërëse të namazit dhe argumentet, të cilat Ebu Hanifja dhe nxënësit e tij i kanë shfrytëzuar për të sjellë zgjidhje të caktuara juridike.
PEJGAMBERI A.S. E KA RESPEKTUAR KULTURËN DHE TRADITËN E CILA NUK KA QENË NË KUNDËRSHTIM ME MËSIMET E TIJ THEMELORE
Muslimanët boshnjakë, gjatë kryerjes së namazit me xhemat, nuk janë lënë në zgjedhjen e tyre se çfarë të bëjnë para ose pas faljes së namazit farz, por ata janë udhëzuar dhe inkurajuar që të lexojnë sure të caktuara të Kuranit, që ta përmendin Allahun e Madhërishëm në mënyrë të njohur, që të lexojnë salavate për Pejgamberin a.s. dhe të lexojnë lutje. Kjo strukturë e faljes së namazit me xhemat, ka hasur në kritikë të disa personave të cilët po e prishin rendin e vendosur, po futin trazira në mes të xhematit, dhe po e shkatërrojnë traditën e vjetër shekullore, krejt këtë nën maskën, se si kjo traditë nuk qenka e bazuar në Sunnetin e Pejgamberit fisnik savs.
Para se ta bëjmë një analizë të detajuar të disa ritualeve të caktuara të përfshira në strukturën e namazit me xhemat të muslimanëve boshnjakë, do t’i themi disa fjalë mbi frymën e Porosisë së Pejgamberit savs, të cilën “mësuesit e rinj” po e injorojnë në përpjekjen e tyre që boshnjakëve t’ua mësojnë Sunnetin. Raporti i Muhamedit a.s. dhe i Islamit ndaj cilitdo popull, ndaj kulturës dhe traditës tij, është më së miri të shikohet nëpërmjet raportit të Islamit ndaj adeteve para-islame të vetë arabëve. Nga ky aspekt funksioni i Muhamedit a.s. si reformator shoqëror, nuk ishte i ndryshëm nga ai i pejgamberëve të mëparshëm a.s. Shah Velijullahu, mirë ka vërejtur se:
"Pejgamberi a.s. nuk e kishte për qëllim as nuk ishte në gjendje ta ndryshojë tërësisht praktikën sociale dhe ligjore të popullit; qëllimi i tij ishte të ndërtojë një shoqëri në parime morale dhe shpirtërore, dhe në këtë aspekt e la të paprekur krejt çka gjeti, përveç asaj që nuk ishte në përputhje me ideologjinë e re. Ai me kujdes është përpjekur të merret me ato (gjëra, çështje) që janë në përputhje me parimet morale, ndërsa pjesën tjetër e ka ndryshuar sa më pak që ishte e mundur, duke iu shmangur ndryshimeve që nuk ishin të domosdoshme dhe të cilat shoqëria e tij nuk mund t’i pranonte lehtë.”
Kjo që u theksua, në mënyrë të qartë, e konfirmon transmetimin e Muslimit, sipas të cilit i Dërguari savs i kishte thënë hazreti Aishes r.a.: “Po mos të kishte dalë populli yt së fundmi nga paganizmi, unë do ta kisha rrënuar Qabenë dhe pastaj pa kushte do ta kisha ndërtuar mbi themelet e Ibrahimit a.s., sepse Kurejshët e kanë zvogëluar ndërtesën e Qabesë...” Në të vërtetë, kur Pejgamberi a.s. ishte i ri, rrebeshi e kishte rrënuar Qabenë. Banorët e Mekës e kishin filluar rindërtimin e saj, por pasi që nuk kishin pasuri të mjaftueshme hallall, dhe nuk donin që për ndërtimin e Qabesë të përdorin pasuritë e fituara në mënyrë të pandershme, ata i zvogëluan përmasat e saj. Pjesën e lënë jashtë, ata e kishin shënuar me një mur të ulët i cili edhe sot e kësaj dite i tregon dimensionet origjinale të Qabesë.
Më vonë, kur Pejgamberi a.s. i mposhti idhujtarët, ishte në gjendje për ta shkatërruar Qabenë dhe për ta ndërtuar mbi themelet e Ibrahimit a.s., por ai hoqi dorë nga kjo për shkak se i respektonte ndjenjat e arabëve të cilët sapo kishin pranuar Islamin, nga frika se një veprim i tillë do të shkaktonte pakënaqësi në mesin e tyre. Pejgamberi a.s. tregoi respekt të mahnitshëm ndaj historisë së njerëzve, ndaj traditave dhe zakoneve që nuk ishin në kundërshtim me mësimet e tij themelore. Kjo gjithashtu është e qartë nga dispozitat që i rregullojnë marrëdhëniet mes njerëzve, sepse shumë institucione para-islame kanë mbijetuar, një numër i madh syresh u është përshtatur nevojave të reja, ndërsa janë hequr vetëm ato ligje dhe zakone të cilat kanë qenë në kundërshtim me parimet themelore të Islamit.
A është në frymën e Sunnetit kundërshtimi i traditës islame të boshnjakëve
Nëse e krahasojmë raportin e individëve dhe organizatave të caktuara ndaj kulturës dhe traditës islame të boshnjakëve, do të shohim se ajo nuk është në përputhje me shembujt e përmendur më lartë nga Sunneti i Pejgamberit a.s., sepse ai ju është shmangë çështjeve shumë më të mëdha, siç është ndërtimi i Qabesë në themelet e saj burimorë, nga frika e lëndimit të ndjenjave të bashkatdhetarëve të tij. Çfarë do të thoshte, vallë, Pejgamberi a.s. kur të shihte se në çfarë mënyre sillen këta persona ndaj traditës së muslimanëve të Bosnjës? Sidomos për shkak se kritikët e traditës islame të boshnjakëve, në fakt, ofrojnë ndryshimin e një sunneti më një sunnet tjetër, duke prishur kështu traditën e themeluar dhe paqen e xhematëve boshnjake. Pejgamberi a.s. nuk ka dashur të ndryshojë asgjë që nuk ishte në kundërshtim me mësimet e tij, ndërsa kritikët e këtushëm e ndryshojnë mësimin e tij me një mësim të tij, duke mos i marrë parasysh ndjenjat intime të boshnjakëve, kulturën e tyre, traditat dhe praktikat fetare. Ndryshimi i një sunneti me një sunnet tjetër, duke prishur me këtë rast harmoninë dhe unitetin e xhematit nuk është veprim i urtë as i mençur.
Në frymën e Sunnetit është kryerja e farzeve, vaxhibeve, e pastaj e Sunneteve. Përkatësisht, cili është kuptimi i insistimit për ndonjë sunnet, nëse ai si pasojë rezulton me kryerjen e haramit. Ose, jemi dëshmitarë se si disa njerëz në xhamitë tona, nga njëra anë insistojnë për disa sunnete të caktuara si: shprehja me zë e fjalës amin pas el-Fatihas, apo ngritja e duarve deri në pjesën e butë të veshëve pas rukusë, kurse nga ana tjetër, shumë rrallë i falin sunnetet të cilat, siç do të shohim në këtë punim, i Dërguari i Allahut a.s. me xhelozi i ka falur dhe ruajtur. Janë të gatshëm që një sunnet ta mbrojnë ashpër, ndërsa një tjetër, shumë më të rëndësishëm, e injorojnë dhe nuk i kushtojnë fare vëmendje. Këtu nuk ka mençuri, as dituri, as veprim në frymën e Sunnetit të Pejgamberit a.s. Me një qasje sipërfaqësore ndaj riteve të përfshira në faljen e namazit me xhemat në kontekstin boshnjak, nuk vihet re një numër i dobive dhe përfitimeve të cilat, të konceptuara në këtë mënyrë në strukturën e namazit janë trashëgimi.(http://www.preporod.com/index.php/vjera/islamske-teme/3997-klanjamo-li-po- sunnetu.html?tmpl=component&print=1&layout=default&page=)
ANALIZA E NAMAZIT ME XHEMAT TE MUSLIMANËT E BOSNJES DHE HERCEGOVINËS NË BAZË TË KUR’ANIT DHE SUNETIT
Ndër gjërat e para të cilat në mënyrë indirekte kritikohen te muslimanët boshnjakë, kur është fjala për namazin në xhami dhe xhematin, është këmbëngulja në faljen e sunneteve të lidhura me namazet ditore. Në të vërtetë, si ka qenë qasja e të Dërguarit a.s. ndaj sunneteve të namazeve ditore?
Shumica e muslimanëve në Bosnje e Hercegovinë nuk e dinë hadithin e Pejgamberit a.s., në të cilin thuhet se atë i cili e lexon Ajetu-l-Kursinë pas namazit vetëm vdekja e ndanë nga xhenneti. Unë besoj se kritikët e tyre e dinë këtë hadith, sepse ai mund të gjendet në koleksionet e hadithit. Xhematlinjët tonë nuk e dinë hadithin, por pas çdo namazi e lexojnë Ajetu-l-Kursinë, ndërsa kritikët e tyre e dinë hadithin, por nuk e lexojnë Ajetu-l-Kursinë. Atëherë, kush do të shpërblehet dhe kush po vepron sipas Sunetit: ai i cili si libër e bartë tekstin e hadithit, apo ai i cili vepron sipas tekstit të hadithit!? Pra, sikur muslimanët e Bosnjës e Hercegovinës nuk do ta kryenin namazin me xhemat në mënyrën se si janë duke e bërë me shekuj, do të privoheshin nga shumë përfitime (dobi) për të cilat nuk kanë pasur njohuri teorike adekuate.
Në të gjitha xhamitë e qytetit në vendin tonë, shpesh mund të shihen njerëz të ulur para xhamive duke pritur ikametin për farz, që pastaj menjëherë pas farzit të njëjtët njerëz, largohen nga xhamia, me arsyetimin se sunnetet do t’i falin në shtëpi, ose, thjesht, pa ndonjë dëshirë për t'i falur sunnetet.
Në Bosnje e Hercegovinë, krahas farzeve, rregullisht falen edhe sunnetet: 2 rekate para farzit të sabahut, 4 rekate para dhe 2 rekate pas farzit të drekës, 4 rekate para farzit të ikindisë, 2 rekate pas farzit të akshamit dhe 4 rekate para dhe 2 rekate pas farzit të jacisë. Gjithsejtë 20 rekate sunnete prej të cilëve 12 të përforcuar (muekkede) dhe 8 të pa përforcuar (gajri muekkede). Kritika indirekte qëndron në faktin se me shembull praktik demonstrohet se si sunnetet e namazeve ditore nuk janë aq të rëndësishme që të falen rregullisht dhe në mënyrë të pashmangshme.
Në të gjitha xhamitë e qytetit në vendin tonë, shpesh mund të shihen njerëz të ulur para xhamive duke pritur ikametin për farz, që pastaj menjëherë pas farzit të njëjtët njerëz, me arsyetimin se sunnetet do t’i falin në shtëpi, ose, thjesht, pa ndonjë dëshirë për t'i falur sunnetet largohen nga xhamia.
Sunnetet e përcaktuara rrallëherë i falin në xhami, ndërsa për faljen e sunneteve të lëshuara (kaza) as që bëhet fjalë. Qasja e tyre e pavendosur ndaj sunneteve të namazeve ditore i huton muslimanët boshnjakë duke futur dyshime se sunnetet nuk janë të nevojshme dhe nuk janë të bazuara në burimet e Islamit. Atëherë, çfarë qasje ndaj sunneteve të namazeve ditore ka pasur Pejgamberi a.s.? Sunnetet e namazeve ditore janë quajtur sunnete, për shkak se ato bazohen në praktikën (Sunetin) e Pejgamberit a.s.. Të gjitha koleksionet e haditheve flasin për atë se si Muhamedi a.s. krahas namazeve ditore të obliguara (farz) ka falur edhe një numër të caktuar të namazeve vullnetare (sunnet).
Në një rast Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kushdo që rregullisht i fal 12 rekate sunnet: 4 rekate para dhe 2 rekate pas farzit të drekës, 2 rekate pas farzit të akshamit, 2 rekate pas farzit të jacisë dhe 2 para farzit të sabahut, Allahu do t'i ndërtoj atij një shtëpi në xhennet.” Nëse i kujtojmë sunnetet të cilat muslimanët boshnjakë tradicionalisht i falin, do të shohim se këto janë namazet e njëjta të cilat u numëruan në hadithin e mësipërm. Këto sunnete muslimanët në Bosnje e Hercegovinë rregullisht i falin, ndërsa në qoftë se për ndonjë arsye ndodh që nuk i falin në kohë të caktuar, ata i falin edhe pas kohe (kaza). Nga pozita e personit që sipërfaqësisht ju qaset sunneteve të namazeve ditore, kjo duket e pakuptimtë. Mirëpo, a është kështu? Hazreti Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. pas farzit të drekës i falte 4 rekate sunnet të drekës, në qoftë se nuk kishte mundësi t’i falte para farzit. Atëherë, pra, a është praktika e muslimanëve të Bosnjës e Hercegovinës në aspektin e faljes së rregullt të sunneteve të namazeve ditore në frymën e Sunetit, apo sjellja neglizhente ndaj sunneteve është sipas Sunetit!? Kush e ka drejtë, ai që ulet para xhamisë dhe e pret farzin, apo ai i cili në xhami i fal sunnetet të cilat i ka falur Pejgamberi a.s. dhe i ka këshilluar muslimanët për faljen e tyre.
Pse i falim sunnetet në xhami
E vetmja vërejtje e vlefshme ndaj traditës së faljes së sunneteve të namazeve ditore në xhami është rekomandimi i Pejgamberit a.s. që namazet nafile të falen në shtëpi. Transmeton Xhabiri r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush e fal namazin në xhami, një pjesë të namazit le ta lë për në shtëpinë e tij, sepse Allahu për shkak të namazit do të jepe hajr në shtëpi.” Transmeton Omeri r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Namazi vullnetar në shtëpi është dritë, andaj kush do le ta ndriçojë shtëpinë e tij.” Krahas këtyre, koleksionet e haditheve përmbajnë edhe një numër të transmetimeve me kuptim të ngjashëm. Duke i marrë parasysh të gjitha hadithet në këtë temë En-Neveviu konkludon: "Nafilet duhet të falen në shtëpi, sepse kjo lë më pak hapësirë për hipokrizi dhe për gjëra që i shkatërrojnë veprat. Në këtë mënyrë, në shtëpi futet bereqet, mëshirë dhe vijnë engjëjt. Shejtani nga shtëpitë e tilla ikën.” Shtrohet pyetja: në qoftë se i kanë ditur këto rekomandime pse muslimanët në Bosnje e Hercegovinë i falin sunnetet në xhami. Sipas mendimit tonë, për këtë ka disa arsye, por tri janë kryesore:
1. Sunnetet e namazeve ditore, siç tregon edhe emri, janë të lidhura me namazet ditore. Disa prej tyre falen para farzit, e disa pas farzit. Duke pasur parasysh se njerëzit shpesh nuk banojnë në afërsi të xhamisë, për dallim, të themi, me Muhamedin a.s., i cili ka jetuar pranë xhamisë, apo shumica e sahabëve, banorëve të atëhershëm të Medinës, në qoftë se sunnetet do t’i falin në shtëpi nuk do të kishin arritur në farz, apo vazhdimisht do të vonoheshin në të. Prandaj, ata kanë konsideruar se është më mirë të shkohet në xhami më herët, që gjithashtu rekomandohet, të pritet ezani, e pastaj të falen sunnetet para farzit në xhami. Kush e kupton sipërfaqësisht realizimin e rregullave islame në kontekstin e Bosnjës mund të pyes pse dijetarët islamë në vendin tonë nuk e kanë ndjekur sistemin si në Arabi, ku muezini e thërret ezanin, dhe pastaj pas dhjetë minutave apo më shumë paraqitet imami dhe falet namazi farz. Përgjigja është shumë e thjeshtë: Bosnja e Hercegovina nuk është Arabi, veçanërisht në dimër. Në Arabi është e mundur që të kalohet një kohë në xhami edhe verës edhe dimrit pa asnjë vështirësi dhe shqetësim të dëmshëm për shëndetin. Gjatë periudhës osmane, xhamitë në Bosnjë gjatë dimrit nuk kanë pasur ngrohje dhe nuk ishte e këndshme, as e shëndetshme që gjatë të ftohtit të madh të kalohet më shumë kohë, andaj njerëzit e kanë përvetësuar metodën e cila u përshtatet kushteve të tyre klimatike. Kjo është arsyeja kryesore pse në xhamitë tona pas ezanit falen sunnetet e parapara, lexohet dhikri i shkurtër për të cilin do të diskutohet më vonë, dhe pastaj këndohet ikameti dhe falet farzi.
Nga gjuha boshnjake: Miftar AJDINI