PALESTINA PAS RËNIES SË PERANDORISË OSMANE DHE DEKLARATA E BALFURIT

Fundi i administrimit islam në rajonin e Lindjes së Afërt dhe zëvendësimi i tij me alternativën perëndimore, solli deri te çrregullimet sistematike, e jo deri te lirimi i premtuar nga antagonizmat e vjetra. Lindja e Afërt dhe ajo e Mesme arabe-islame është shembulli i parë në historinë e një paqeje të ëndërruar lindore - botë e cila gjatë periudhës ndërmjet viteve 1517 dhe 1917 nuk përjetoi asnjë konflikt qytetar e as religjioz. Kjo periudhë në historinë e paqes së Lindjes së Afërt dhe asaj të Mesme konsiderohet si periudha katërshekullore e paqes dhe e baraspeshës etnike dhe religjioze. Megjithatë, sot ai rajon është një ndër pjesët më jostabile të planetit . Marrëdhëniet arabe-hebraike veçanërisht u keqësuan atëherë kur nga qeveria e Britanisë së Madhe - në nëntor të vitit 1917 - u shpall e ashtuquajtura Deklaratë e Balfurit.
Pasi që Britania e Madhe mbante primatin e udhëheqjes së politikës botërore, që këtu edhe roli i saj në themelimin e shtetit hebre në Palestinë ishte mjaft i rëndësishëm. Më 2 nëntor të vitit 1917 qeveria britanike për herë të parë në mënyrë të qartë dhe eksplicite do ta pranojë programin hebre për themelimin e shtetit hebre në Palestinë duke premtuar se do të ofrojë angazhime të mëdha në realizimin e atij qëllimi.
Dokumenti që mbante datën 2 nëntor 1917 - drejtuar kryetarit të Organizatës Sioniste, baronit Lionel Rotshild - në të vërtetë ishte një porosi e Ministrit Britanik të Punëve të Jashtme, Arthur Xhejms Balfur. Që këtu edhe kjo deklaratë është e njohur si Deklarata e Balfurit. Në mes tjerash në Deklaratën e Balfurit thuhej edhe kjo:
“Qeveria e Lartmadhërisë së Tij (kryeministri britanik Lojd Xhorxh) e sheh si të përshtatshme vendosjen e një vendstrehimi të popullit hebre në Palestinë dhe do t’i ofrojë të gjitha forcat për lehtësimin e realizimit të atij qëllimi, ku qartë nënkuptohet se nuk do të bëhet asgjë që do t’i minimizonte të drejtat qytetare dhe ato fetare të bashkësive jo hebraike në Palestinë si dhe as të drejtat dhe statusin politik të cilin do të mund ta gëzonin hebrenjtë në cilindo shtet tjetër. Do të isha mjaft falënderues ndaj jush po qe se me këtë deklaratë e njoftoni Federatën Sioniste. Me sinqeritet, i juaji Artur Xhejms Balfur” .


Arthur Xhejms Balfur


Në shtypin britanik ky dokument u publikua më 9 nëntor të vitit 1917, ndërsa në vendet e Lindjes së Afërt shumë më vonë. Megjithatë, edhe pranë asaj që autorët e mëvonshëm sionistë ende e konsideronin Deklaratën e Balfurit si ndodhi kyçe e cila e vërtetoi legjitimitetin e themelimit të shtetit hebre në Palestinë, ajo deklaratë paraqiste një akt të njëanshëm të qeverisë britanike me të cilën nuk mund të argumentohej mbështetja juridike për pretendimet sioniste për themelim të shtetit hebre në Palestinë .
Shkaqet të cilat e nxitën Britaninë e Madhe t’i përkrahë kërkesat sioniste ishin të shumta. Para së gjithash, Britania e Madhe konsideronte se ekzistojnë mundësi reale që “vendstrehimi i ardhshëm nacional hebre” të arrijë potenciale të mëdha ekonomike dhe ushtarake që do të jenë të nevojshme për ta marrë funksionin e një qendre strategjike të Britanisë së Madhe në këtë pjesë të botës. Pretendohej se “atëherë kur të vijë koha për themelimin e institucioneve përfaqësuese në Palestinë - po qe se hebrenjtë do të dinin ta shfrytëzonin rastin që iu është ofruar për themelimin e një vendstrehimi nacional dhe të paraqesin numrin më të madh të banorëve - atëherë Palestina do të bëhet një shtet i pavarur hebre” .
Me këtë, Britania e Madhe ofroi kushte për përforcimin e bashkësisë hebraike në Palestinë që duhej të ishte kundërmasë ndaj nacionalizmit arab i cili bëhej gjithnjë e më i fuqishëm, gjë që nuk ishte në harmoni me politikën kolonialiste britanike. Nga ana tjetër, Deklarata e Balfurit ishte shprehje e karakterit hipokrit e qeverisë dhe diplomacisë së atëhershme britanike dhe ajo paraqet fundin e administrimit osman në Palestinë dhe fillimin e kolonizimit britanik të Palestinës. Gjatë periudhës 1917-1948 pati një numër shumë të madh të aktiviteteve politike, madje edhe konflikte të vazhdueshme ndërmjet forcave palestineze dhe hebraike...
Sidoqoftë, Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1947 votoi pro-ndarjes së territorit palestinez midis arabëve dhe hebrenjve, duke ia njohur Jerusalemit një status ndërkombëtar . Menjëherë pas këtij vendimi, më 14 maj 1948 Izraeli shpalli pavarësinë. Shpallja e shtetit të pavarur izraelit nga Këshilli Nacional Hebre ndodhi një ditë para skadimit të mandatit britanik mbi Palestinën, pikërisht më 14 maj të vitit 1948 .


Një fillim i çuditshëm

Assesi nuk mund të jetë i vërtetë pohimi i Samuel Huntingtonit se “konflikti ndërmjet arabëve dhe çifutëve në Palestinë ka nisur që me themelimin e shtetit hebre”, pasi që ekzistojnë dëshmi historike se dimensionet e dhunës të këtij fati tragjik palestinez nuk filluan në truallin e Palestinës në vitin 1948, por pikërisht në Evropë, aty në Bazel të Zvicrës në vitin 1897.
Në të vërtetë ideja për emërtimin e organizatës me emrin Sion është marrë pikërisht nga emri i një kodre të quajtur Sion që gjendet në jug të Jerusalemit, të cilin Davidi (Davudi a.s.) e kishte pushtuar dhe kishte sunduar ndaj jebusitëve (filistejëve/palestinezëve) të cilët atëherë jetonin aty dhe përreth kështjellës së Sionit. Aty gjendet edhe varri i Davudit alejhisselam (Davidit), që sipas traditës hebraike ky vend është qendër shpirtërore e judaizmit .
Me nocionin sionizëm nënkuptohet “vendosja e hebrenjve - bijve të Israilit /Jakubit a.s./në Palestinë, gjegjësisht në kodrën e Sionit dhe rrethinën e saj si dhe mbështetjen e një veprimi të tillë sipas shtetit të hershëm që e kishin zhdukur romakët” .
Janë të shumtë ata hebrenj të cilët Moisiun (Musain a.s.) e konsiderojnë si prijës të parë të sion¬izmit që ka ndërtuar kështjellën e lëvizjes sioniste dhe që i përforcoi shtyllat e saj, sepse ai iu priu bijve të Israilit që të hynin në Palestinë pas daljes së tyre nga Egjipti. Sionistët pretendojnë se Palestina - për të cilën përdorin termin Eretz Izrael (Toka e Izraelit) ose “Toka e kthimit” apo nocione tjera fetare të ngjashme me këto - është qendra e hebrenjve dhe se është pika në drejtim të së cilës hebren¬jtë drejtohen gjatë lutjeve të tyre. Palestina është toka në të cilën ata kthehen me vullnetin e tyre të lirë kur atyre u hapen rrugët për një gjë të tillë .
Shikuar historikisht, do të vërejmë se ideja për themelimin e shtetit izraelit do të lind si pasojë e persekutimeve dhe dëbimeve hebraike nga Evropa, veçanërisht nga Rusia Cariste dhe Franca. Në të vërtetë - përderisa grupet hebraike të Rusisë Cariste të viteve ‘80 të shekullit XIX kërkonin shpëtim përmes shpërnguljeve në Tokën e Re (SHBA) - disa hebrenj të tjerë e formuan grupin e quajtur “Dashamirët e Sionit”, përmes së cilit e përhapnin idenë për zgjidhjen e çështjes hebraike në Rusi e cila do të realizohej vetëm përmes shpërnguljes së hebrenjve në Palestinë .
Lëvizja sioniste paraqet edhe reaksionin e një pjese të hebrenjve evropianë si pasojë e gjendjes së tyre të rëndë sociale. Në fund të shek. XIX pjesa më e madhe e hebrenjve jetonte në vendet e Evropës Juglindore, të cilët vetëm në këto vende (në vitin 1880) përbënin 75% të gjithsej 8 milionë hebrenjve .
Historikisht, themelues të idesë së sionizmit politik njihen katër njerëz:
- Mojse Hes (Moses Hess) - hebre gjerman dhe njëkohësisht njeriu i parë dhe themelues ideor i sionizmit politik. Vizionin e tij për shoqërinë e re hebraike ai e publikoi në librin e titulluar “Jerusalemi dhe Roma” në vitin 1862. Ai orvatej për themelimin e Komonvelthit hebre në Palestinë, prandaj ai apelonte tek të gjithë hebrenjtë që ta riafirmojnë përkatësinë e tyre hebraike dhe ta themelojnë shtetin e tyre i cili do t’i gëzojë hebrenjtë dhe mbarë njerëzimin. Pra, ai parashihte që shteti izraelit të themelohet në Palestinë. Moses Hess vdiq në vitin 1875 në Këln të Gjermanisë, ndërsa për shkak se konsiderohej si themelues i parë i sionizmit, në vitin 1962 varri i tij u bart prej Këlnit në Izrael.
- Mojse Leib Lilienblum nga Rusia - Ky e konkretizoi shpërnguljen dhe vendosjen e hebrenjve në Palestinë.
- Cvi Kalisher, rabin nga Rusia - i cili gjithashtu njihet si ideologu i tretë i kësaj lëvizje, i cili pas persekutimeve të para ruse në vitin 1871 filloi të predikojë idenë për ripërtëritjen popullore hebraike duke e ndërlidhur kthimin hebre në “atdheun e vjetër” me mesianizmin fetar dhe me vendimin e Dorës së Zotit.
- Leo Pinsker - hebre rus (1821-1888) i cili gjithashtu konsiderohet si bartës kryesor i sionizmit politik. Në një shkrim të tij, Pinsker publikoi tezën për pamundësinë e zgjidhjes së çështjes hebraike në shoqërinë ruse, përfshirë këtu edhe asimilimin e tyre (hebrenjve). Pasi që në këtë ide ai nuk pati sukses, ai shpresoi se një gjë të këtillë do ta përkrahnin hebrenjtë gjermanë, andaj edhe e publikoi librin e tij “Vetëmancipimi” në vitin 1882 në gjuhën gjermane si autor anonim me nofkën “Një hebre rus”. Përmes këtij pamfleti politik zhvillohet teza themelore se antisemitizmi është sëmundje e pashëruar në Rusi. Si pasojë e këtyre bindjeve dhe zhvillimeve, Pinskeri përfundon se hebrenjtë medoemos të themelojnë shtetin e tyre në Palestinë ose “diku tjetër” .
Me qëllim të publikimit të idesë përfundimtare për themelimin e një shteti hebre, një grup intelektualësh hebrenj prej 28 e deri më 30 korrik të vitit 1897 në Bazel të Zvicrës, do ta organizonin Kongresin e Parë Sionist Botëror. Në këtë kongres prezantuan 197 delegatë nga Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia, SHBA-të, Anglia, Palestina, nga vendet e Skandinavisë etj. Ndër të tjerat që u bisedua dhe u përfundua në këtë Kongres, do të veçojmë vetëm faktin se në Rezolutën që u soll në Kongresin e Parë Sionist në Bazel të viti 1897 thuhet edhe kjo:
“Sionizmi lufton për krijimin e një vatre në Palestinë për popullin hebre, në bazë të të drejtës ndërkombëtare. Për ta arritur këtë qëllim, Kongresi i parasheh këto masa:
- Zhvillimin e Palestinës në një formë të mirëfilltë nga ana e bujqve hebre, zejtarëve dhe tregtarëve;
- Bashkimin dhe organizimin e krejt hebrenjve përmes institucioneve lokale dhe atyre më të gjera në pajtueshmëri me ligjet e çdo shteti;
- Përforcimi i vetëdijes nacionale hebraike dhe edukimi etj.”
Për kryetar të lëvizjes botërore sioniste në këtë kongres u zgjodh Theodor Herzli .
Natyrisht, Kongresi Botëror Sionist (KBS) i mbajtur në Bazel në vitin 1897 shënoi fillimin e zbatimit konkret të doktrinës sioniste. Para së gjithash, përkundër sionizmit fetar, Herzli në konceptimet e tij ishte agnostik më radikal, madje ashpër iu është kundërvënë atyre të cilët hebraizmin e kanë definuar si religjion .
Prej vitit 1897 e deri në vitin 1978 janë mbajtur gjithsej njëzet e nëntë Kongrese të Organizatës Sioniste Hebraike .

 


BURIMET:

GARAUDY, Roger, “Rasti Izrael - Studim i sionizmit politik”,
HUNTINGTON, Samuel, “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror”, Logos/A, Shkup, 2004, f. 423.
SINADINOVSKI, Branislav, “Palestinsko nacionalno pitanje i bliskoistočna kriza”, Studentski Zbor, Skopje, 1988.
SINANI, Ajni, “Çështja e Palestinës pas Luftës së Dytë Botërore (1948 - 2008)”, Shoqata Kulturore “Zëri Ynë”, Prishtinë, 2010.
ŠOBAJIČ, Vojimir, “Jevrejstvo i Izrael“, ZUS, Skopje, 1982.
VINTER, J. Tim, “Islam 2000: Feja për fundin e modernizmit”, Ljiljan, dhjetor, 98 - Janar 99.
http://www.rtv.rs/sr_lat/magazin/balfurova-dekleracija-za-jevrejsku-drzavu_37129.html (23.09.2012).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme