“Islami kosovar” dhe vjedhja e identitetit

image

 

Vitet e fundit ligjërimi publik pasurohet me një lloj inflacioni konceptesh lokalizuese të fesë islame, që përpiqen ta ngjyrosin territorialisht dhe kulturalisht këtë fe. “Islami evropian”, “Islami perëndimor”, “Islami ballkanik,” “Islami shqiptar”, “Islami ynë”, janë disa nga kategoritë të cilave u bashkëngjitet edhe “Islami kosovar”. Mjegullnajës përkufizuese të formateve të tilla i duhej shtuar edhe ky, që, si shpeshherë, vjen nga mediat dhe nga jashtë ose, më saktë, nga dëshira e Tjetrit për të projektuar një skemë brenda së cilës duhet të – dhe jo mund të – stilizohet feja. Vëzhguesi konkret është kancelari i Kishës Katolike të Kosovës, Dom Shan Zefi, dhe qëndrimi i tij mund të lexohet i përmbledhur nga redaksia e studimit interesant të revistës katolike-kulturore torineze il dialogo – al hiwar. Artikulli përmbyllës i numrit kushtuar situatës islame në Shqipëri-Kosovë titullohet L’Islam Kosovaro con gli occhi della Chiesa dhe sintetizon, pak a shumë, qëndrimin publik të Kishës Katolike të Kosovës mbi historinë shqiptare, kulturën, identitetin kombëtar, fenë islame dhe vetveten në raport me këto aktor. Kush e ka lexuar studimin e Zefit mbi përhapjen e Islamit në trevat shqiptare, do të gjejë sërish autorin në të njëjtat hapa dhe qasje. Kush e njeh sadopak ligjërimin e kategorisë së Zefit në Kosovë, do të përshkojë në pak rreshta qëndrimin zyrtar mbi disa linja bazike. Në fund, se çfarë është “Islami kosovar” duhet ta imagjinojë lexuesi, çka ndikon në misterin e mëtejshëm të semantikes së konceptit.

 

Histori pa të vërteta

Tre janë linjat e përshkuara nga kancelari: historiografia, teocentrizmi dhe katekizmi i Islamit. “Për sa i përket Islamit me prejardhje shqiptare kemi bërë një studim historik dhe juridik, nga shek. XV deri më sot”, pohon Zefi, nga ku del në pah, që në fjalinë e parë, pretendimi i analizës shkencore të çdo argumenti vijues të artikullit. Duke rikujtuar titullin, bëhet fjalë për një historiografi të parë me sytë e Kishës. Sipas pikëpamjes historiografike, “shqiptarët ishin katolikë” dhe argument për këtë paradigmë është prania e “selisë së parë ipeshkvnore, në shek. IV, në Ulpianë, kryeqendra e Dardanisë romake, në shek. II, afër Prishtinës”. Ideja e pranisë së “shqiptarëve” në këtë shekull, identifikimi kombëtar (specifik) i Dardanisë së asaj periudhe dhe njehsimi i një krahine të tërë me rrjetin e saj urban – aq më tepër më kryeqendrën – janë supozime që shkaktojnë më pak çorientim karshi tentativës së themelimit të një paradigme kaq të rëndësishme, siç është peizazhi fetar i shqiptarëve, (thjesht) mbi praninë e selisë në fjalë, sepse ekzistenca e një ipeshkvie nuk shpjegon në vetvete besimin e banorëve të asaj njësie administrative fetare. Është njëlloj sikur, i nisur nga njësia e sotme e “Dioqezës së Kosovës”, një historian i ardhshëm, pas gjashtëmbëdhjetë shekujsh, të pohojë se shqiptarët e shek. XXI ishin katolikë. Zefi ndikohet nga tradita fetare e Evropës së pas-Kundërreformës, kur prania e një kishe të caktuar ishte sinonim i fesë së banorëve të zonës ose i metodologjisë së shkollës historiografike serbe të disa dekadave më përpara, ku prania e një guri varri serb ose toponimia – kolegu Lush Gjergji bazon predikimin e Shën Palit në trevat shqiptare nisur (edhe) nga toponimi Shpal – legjitimonte identifikimin serb të komplet zonës. Mbase banorët e Dardanisë së atij shekulli i përkisnin vërtet dhe tërësisht një kishe specifike, por kjo nuk vërtetohet aspak prej pranisë së selisë, aq më tepër në një zonë si Ballkani dhe shekulli IV, në të cilin paganizmi ishte akoma prezent, sidomos në territoret e thella, pak të urbanizuara ose në rajonet e ekspozuara ndaj dyndjeve. Prania e martirëve Lauri dhe Flori, aq të adhuruar nga kishat lindore, është domethënëse: ata nuk ishin ilirë, jetonin në qytetin kryesor të rajonit, i përkisnin klasës elitare të arkitektëve dhe skulptorëve të oborrit. Me fjalë të tjera, nuk përfaqësojnë masën urbane e akoma më pak Dardaninë, por shpjegojnë mirë teorinë e Rodney Stark mbi përhapjen urbane të Krishterimit.  

Kancelari niset nga njohuri historike të habitshme, si p.sh pohimi se Kosova dhe Shqipëria “në atë kohë [shek. XV] nuk ishin të ndara”. Është qartësisht e vërtetuar se Kosova e asaj periudhe gjendej prej dekadash nën sundimin serb të familjes Brankoviq, me të cilën Skënderbeu kishte herë miqësi e herë rivalitet, aq sa Barleti na njofton për të paktën një plaçkitje të “territoreve armike” kosovare – siç i quan ai – ngaqë Brankoviqi e pengoi të bashkohej me Huniadin. Prej 250 vitesh Kosova ndodhej nën sundimin serb dhe kishte qenë e bashkuar me “Shqipërinë” vetëm gjatë periudhës së Stefan Dushanit. Në shek. XV as vetë Shqipëria nuk ishte e bashkuar: Venediku sundonte direkt një pjesë të hapësirës, Napoli sundonte indirekt përmes vasalitetit (të kastriotëve, aranitasve etj.), osmanët zotëronin një pjesë të konsiderueshme, prijësve vendas u mbetej një hartë e fragmentuar nga hasmëria me njeri-tjetrin. Bashkimi më jetëgjatë i Kosovës me Shqipërinë, kur identitetet etnike po territorializoheshin, ironikisht ndodh vetëm gjatë sundimit osman dhe që atëherë nuk është verifikuar më, me përjashtim të një fragmenti kohor gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vijim Zefi hyn në periudhën osmane me paradigmën klasike të konvertimit të dhunshëm ‘ose pronën ose fenë’: “kush mbeti në zonat fushore dhe në qytete u detyrua të përqafonte islamin ose të humbiste tokën”. E, pra, nuk ka dokumente, përveç disa rasteve të aristokracisë, që dëshmojnë ekzistencën e një sistemi ligjor, i cili për motive fetare ia sekuestronte pronën një banori të nënshtruar. Përkundrazi, kronikat, ligjet, fermanet flasin ndryshe. Defterët e vërtetojnë në këtë aspekt dhe po mjaftohem me regjistrin osman (1467) të zonës ku veproi Skënderbeu në momentet kulmore: nga 29 timare – të vilajeteve të Matit, Akçehisarit (Krujës), Urakës, Dhimitër Jonimës – 14 kanë përdorues të krishterë, e madje njëri (koleg i Zefit) është prift i regjistruar me emrin Petër. 

 

Hero i pakicës 

Artikulli mban në titull peshën e këndvështrimit kishtar, që mund të bashkëjetojë me versionin shkencor, laik dhe kombëtar të historisë, por nuk është rasti i Zefit, pasi ai e interpreton të kaluarën përmes një analize teocentrike, me diellin që vërtitet rreth tokës: në këtë model Skënderbeu mbetet hero; ndryshojnë objektivi i rezistencës dhe pjesëmarrësit. Për rrjedhojë: ekspansioni osman devijon në ‘ekspansion islam’; heroi i luftës kundër osmanëve shndërrohet në ‘frenues i islamit’; pushtimi osman i Kosovës zëvendësohet nga “pushtimi i Kosovës nga myslimanët”. Çdo gjë e lidhur me epopenë e Skënderbeut fetarizohet: “në shek. XV ekspansioni i Islamit u ndal nga heroi ynë kombëtar”.   

Antiteza këtu shfaqet e pakapërcyeshme, sepse Skënderbeu konsiderohet hero i të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe shumicën me besim islam ndaj të cilëve heroi i Zefit luftoi dhe të cilët janë pushtues. Faktikisht, përcaktimet “sundim islamik” dhe “pushtim islamik” janë pjesë e fjalorit të mjaft kolegëve të Zefit. Në thelb At Luigj Marlekaj, për shembull, i cili ka vdekur në 2003 dhe ka jetuar në Itali, praninë e komuniteteve fetare “katolike, laramane dhe turke” (myslimane) në kohën e Pjetër Bogdanit e quan dëshmi të “dameve të pandreqshme të shkaktueme familjes shqiptare prej sundimit islamik”. Dhe kjo përputhet plotësisht me deklaratën e Zefit, pas ngacmimeve të Kim Mehmetit, në të cilën kancelari – sipas mediave – pohonte se “është islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve”. Sundimi osman, për Zefin dhe kolegun Marlekaj, është “sundim islamik”, ndërsa “familja shqiptare” është monopol i një feje. Krijohet përshtypja sikur janë kronika kishtare mesjetare dhe jo analiza historianësh në shek. XXI dhe në fundin e shekullit të kaluar.         

Ashtu si në modelin e Ancien Regime, Zefi nuk e koncepton dot kombin përtej fesë, ndërsa për ta theksuar këtë qëndrim shkruan se shqiptarët e Kosovës mbetën të bashkuar pas vitit 1054 “nga kultura, nga gjuha, nga territori dhe nga një ndjenjë e fortë kombëtare”, që mbijetuan edhe në Mesjetë “falë klerit katolik, i cili përherë i ka konsideruar shqiptarët si katolikë”. Së pari bie në sy shpjegimi i shqiptaritetit nga Katolicizmi (as Krishterimi jo). Tek Bogdani vërehet një qëndrim pjesërisht i ndryshëm: vetëm katolikët janë shqiptarë, ndërsa myslimanët janë turq dhe ortodoksët skizmatë, njëlloj si serbët, bullgarët etj., pra në kontradiktë me përdorimin e termit përherë. Termi konflikton edhe me qëndrimin e Kishës Katolike Shqiptare të periudhës së Gjergj Fishtës, që shqiptaritetin e përcaktonte nga vlera të pavarura prej feve tradicionale, çka e pamundëson përcaktimin kohor të përherë-s së Zefit. Por, ai i Bogdanit është një qëndrim pjesërisht vijues me logjikën e Zefit për aq sa të qenit shqiptar përputhet vetëm me të qenit katolik: shqiptarët nuk konsiderohen nga kisha si të tillë, me identitet të dallueshëm dhe të bazuar mbi vlera jofetare, por si bashkësi monofetare, si katolikë. Pjesa e tepërt mbetet jashtë trungut të përbashkët, pohon kolegu i Zefit, Dom Lush Gjergji: “shumë shqiptarë të “islamizuar” e kanë pranuar atë vetëm formalisht [...] por nuk janë shkëputur kurrë tërësisht nga trungu i përbashkët iliro-shqiptar”. Kjo përbashktësi kombëtare tani përcaktohet nga feja e Gjegjit dhe Zefit. Kuptohet, pastaj, që historia kombëtare, ngjarjet, fenomenet, karakteristikat dalluese, shpjegohen në varësi, në shërbim dhe nëpërmjet fesë. Heroi kombëtar shfaqet si dekor në festa fetare, siç ishte rasti i triptikut të propozuar nga Dom Dominik Qerimi për 25 Dhjetorin. 

Së dyti, teocentrizmi shfaqet dukshëm nga mosprania domethënëse e lidhëzës edhe përpara “klerit katolik” të fragmentit të mësipërm. Mungesa shpreh monopolizimin e angazhimit kombëtar të institucioneve dhe grupeve fetare shqiptare. Nuk është mënjanim e as reduktim i rolit të “rivalëve”, por përjashtim i plotë. Zefi e pati deklaruar edhe tek reagimi ndaj Mehmetit: “Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por [...] Kisha Katolike”. Pra i njëjti skenar, mohimi i Tjetrit dhe ekzaltimi i fesë personale, me ndryshimin që tek ajo deklaratë kancelari fajësonte direkt fenë islame si shkatërrimtare të pasurisë kulturore kombëtare. Do të thotë se kultura, gjuha, territori dhe ndjenja kombëtare shqiptare, janë rezultat vetëm i klerit katolik. Në mungesë të tij, 95% e shqiptarëve të Kosovës, 90% e shqiptarëve të Shqipërisë e thuajse 100% e atyre të Maqedonisë nuk do ta flisnin shqipen, nuk do të kishin shtëpi e atdhe, nuk do të kishin kulturë dhe as ndjenjë kombëtare. Nënvizohet serish që çdo komunitet ose person tjetër shqipfolës nuk ka dhënë qoftë edhe një kontribut kulturor e kombëtar; kleret e tjera, intelektualët dhe laikët thjesht nuk ekzistojnë. 

Duket paradoksal supozimi që Kisha Katolike e ka ruajtur ndjesinë kombëtare në një kohë që paralelisht mbështetet ideja se i njëjti institucion e ka konsideruar komunitetin shqiptar jo nga kombësia, por nga feja. Nga ana tjetër, historia ka dëshmuar se elemente, si gjuha dhe kultura, krijohen, përpunohen dhe transmetohen pavarësisht nga lëvrimi i shkruar: gjuhët dhe kulturat nuk lindin të shkruara. Për të ardhur deri tek shek. XVI, që është momenti i fillimit të përdorimit të shqipes së shkruar për arsye prozelitizmi nga kleri katolik, gjuha ka kaluar disa shekuj përgjatë të cilëve paraardhësit tanë e përçuan pa e shkruar. Kosova osmane, ku kleri katolik ishte i papërfillshëm në numër dhe në peshën publike, ku analfabetizmi ishte i niveleve astronomike – normale për epokën, pasi 90% ishte në shtetin e Papatit – e, për rrjedhojë, edhe ndonjë kontribut kishtar mbetej tërësisht elitar, e kultivoi dhe e ruajti më së miri gjuhën amtare. Gjuha dhe kultura shqiptare, të promovuara nga Sami Frashëri, me të cilat përpunoi doktrinën e shqiptarizmit, tërësisht në konflikt me konsideratën e shqiptarëve si pjesëtar të një feje tradicionale, arrijnë te ky mendimtar shqiptaro-osman pa kontaktet e mjaftueshme me veprimtarinë letrare të klerit katolik. 

Ndërsa spekulimi më absurd lidhet me pretendimin e ruajtjes së territorit nga veprimtaria e Kishës Katolike. Paradoksi i parë është se Kisha Katolike nuk kishte pushtet për të ruajtur territore. Pastaj, veprimtaria e Propaganda Fide-s përfshinte edhe krijimin e mundësive të pushtimit të territoreve nga austriakët. Ruajtja e territoreve është vepër mbarëshqiptare, duke përfshirë të gjitha komunitetet e institucionet, fetare ose jo, e madje koniunkturat joshqiptare, si osmanët dhe austro-hungarezët, që mbase ndikuan më shumë në drejtim të forcimin të territorializimit etnik të shqiptarëve. Sikur Kisha Katolike të kishte qenë rojtarja kryesore apo ekskluzive e territoreve, nuk shpjegohet statusi minoritar i shqiptarëve të Kosovës në periudhën paraosmane dhe kalimi në mazhorancë të padiskutueshme gjatë sundimit osman, pikërisht gjatë atij “sundimit islamik” të përfolur nga Zefi.   

 

Katekizmi i Islamit

Teksa nëpërkëmbja e historiografisë, si rezultat i përpjekjeve analitike teocentrike, mund të tërheq vëmendjen e një kategorie profesionale, gjykimi se si duhen të jenë myslimani shqiptar dhe feja i tij për të qenë të pranueshëm nga Kisha përfshin një masë të gjerë, e do të thosha edhe heterogjene, sepse në thelb është një tentativë konformizuese sipas vullnetit kishtar. Nuk di të ketë ndonjë shembull kosovar, ku palët e kundërta, të këtyre niveleve administrative, të pretendojnë modelimin e fesë dhe besimtarit jopërkatës si në ketë rast. 

Islami në sytë e kancelarit është dyllojesh: njëri integralist, me burim arabo-saudit, dhe tjetri, kuptohet, autokton – ndërkohë që feja është një, ndërsa interpretimet janë të shumta. Në aspektin doktrinal, aty ku një lexues mund të vërejë identifikimin e këtyre dy islameve, Zefi nuk propozon asgjë, por reduktohet, siç është bërë e modës, tek “100 xhamitë e ndërtuara në stil arab” dhe “vajzat me shami” që “vishen me të zeza”. E ndërsa Islami i pranuar nga Zefi mbetet misterioz, ai nënkuptohet përmes modelit të myslimanit, konkretisht nga Ibrahim Rugova. Mes myslimanit radikal dhe Ibrahim Rugovës nuk ka asgjë tjetër dhe çdo mysliman që nuk e shpreh publikisht “islamin rugovian” automatikisht i mbetet varianti “integralist”. Njësia matëse e myslimanëve konsiderohet ai Rugovë i cili e quante veten “mysliman simbolik”, që nuk e kujton njeri të këtë shkelur ndonjë xhami ose të ekspozonte ndonjë foto, përveç atyre me Nënë Terezën dhe Gjon Palin II, e mbi të gjitha, siç vëren Zefi në një intervistë, që “ishte i fascinuar me Krishterimin, At Pjetër Bogdanin dhe ndjehej si njëri nga ne”. Ja, ky duhet të jetë “myslimani” dhe “islami kosovar”, pa histori, me fajin e derivatit nga pushtuesi lindor, armik i heroit kombëtar, shkallmues i vlerave kombëtare e natyrisht pa vlera të tilla, sepse ato i ka monopolizuar institucioni i Zefit, që “fascinohet me Krishterimin” dhe “ndjehet si një” katolik. Pastaj kancelari ka tagrin të akuzojë të tjerët për integralizëm. E ç’ndryshim ka integralizmi nga tentativa e tij në uniformizimin e Tjetrit në bazë të një dogme fetare, në aplikimin e disa principeve te masa dhe në mospranimin e diversitetit? Nëse Zefi pretendon reciprocitet, respekt në marrëdhëniet ndërkomunitare, duhet të ndjehet edhe ai “i fascinuar nga” nga besimet e tjera – meqenëse kjo qenka toleranca dhe harmonia fetare shqiptare – e jo t’i përshtatë për nevojat e veta dogmatike, duke i shpërfytyruar identitetin. 

 

Vjedhja e identitetit

Së fundmi, dua t’i rikthehem konceptit të vjedhjes së identitetit, që Jack Goody e ka përpunuar si vjedhje e historisë në librin me të njëjtin titull, duke nënkuptuar, në thelb, pjesërisht si Peter Burke, privatizmin evropian të një sërë arritjesh e kontributesh sociale dhe institucionale të popujve të ndryshëm. Në momentin që ky monopolizim jetësohet në mikrokozmose, siç janë hapësirat e grupeve etnike ose kombëtare, s’është gjë tjetër veçse përvetësim ose mohim i çdo kontributi të secilit komunitet përbërës të grupit, që e përjashton Tjetrin përmes formave të ndryshme, duke filluar nga e kaluara, si rezervuar jetik i dy (nga tre) dimensioneve të identitetit: të gjitha komunitetet, të çfarëdo natyre, përjashtohen nga identitetformimi i përbashkët, në rastin konkret ai kombëtar. Kjo shpjegon edhe mbrojtjen e mosintepretimit të historisë, si fenomen antikombëtar, turkofil ose diçka tjetër, dhe njëkohësisht interpretimin e saj sipas nevojave të reja fetare e aspak laike. Për rrjedhojë, identiteti kombëtar merr ngjyrat e komunitetit dominues (jo numerikisht), i cili ka krijuar një piramidë vlerash sipas botëkuptimit vetjak dhe përballë saj vendos një piramidë antivlerash për të hapur një hendek akoma më të dukshëm me Tjetrin. Ashtu siç ka vepruar Evropa e antropologut Goody me imponimin e një sistemi vlerash dhe modelesh, edhe në mikrohapësirat ku vidhet identiteti pretendohet përparësia dhe imitimi i një ekzegjeze ekskluziviste.     

Rezultati është një sistem egocentrik që përpiqet në skalitjen e diversitetit sipas këndvështrimit personal dhe detyrimisht shoqërohet nga inferiorizimi i Tjetrit. E tërë logjika e Zefit përshkohet nga kjo frymë dualiste, ku grupi Ne ka rrënjë antike, ndërton vlera, zhvillim, shtet, prodhon tolerancë, është ura lidhëse mes grupeve të tjera, ka aspirata evropiane e me radhë, ndërsa grupi Ata përfshin të kundërtën. Natyrisht, Evropa iu imponua botës në tre shekujt e fundit fillimisht dhe kryesisht me forcën e armëve dhe zhvillimit ekonomik. Forca e sotme qëndron më së shumti tek informacioni dhe raporti i elitave. Kombinimi i manipulimit të historisë – dhe më sipër ka plot shembuj – i mediatizimit të dualizmit (të cituar) me organe të shumta shtypi, i kompleksit të inferioritetit të Tjetrit, i përqendrimit të reagimit të tij në aspekte dytësore ose në ligjërime periferike e agresive, janë disa nga mjetet dhe faktorët e legjitimimit të vjedhjes së identitetit dhe imponimit të modeleve.  

Në momentin që ky interpretim dhe kjo piramidë vlerash nuk pranohen, lëvizin mekanizmat e frikës kolektive: minaret me stil arab, vajzat me shami dhe ngjyra e zezë, i shërbejnë pikërisht këtij objektivi. Por nuk mjafton kjo dhe prodhohet edhe modeli i pranueshëm, pra “islami kosovar” i “myslimanit” Ibrahim Rugova, që “fascinohet” nga besimi i Zefit. Shtojmë këtu zërin atëror, buzëqeshjen e ngrirë, termin ‘vëllezër’, paradat për paqen, urimet hartimore, dhe teatraliteti përmbushet me skenografinë e plotë, që sidoqoftë nuk e fsheh dot radikalizmin – madje nga majat e piramidës institucionale – të cilin e propagandon si armik, por në fakt aq sa e bart edhe e shkakton. 

E nëse sot ekziston një ligjërim radikal në atmosferën e institucioneve islame kosovare, kjo shpjegohet nga izolimi publik i tyre dhe politikës i kujtohen vetëm në fushata elektorale, nga agresiviteti banal i mediave kosovare, paralelisht me qëndrimet e institucionit të Zefit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme