Ujku i ri nga Luboteni

Maja nuk pushtohet! Asnjë majë nuk është armik që duhet mposhtur. Maja është pikë lartësimi. Çdo udhëtim drejt majës është një provim etik. Kur të arrini në majë, do bëheni më të mirë sesa ç’ishit në nisje. Arritja në majë nënkupton se e keni dhënë atë provim dhe se jeni ngritur më lart në rrafshin moral. Këtë leksion e mësova pasi u ngjita për herë të parë në majën e Lubotenit. Atëbotë akoma nuk i kisha mbushur të pesëmbëdhjetat dhe mendoj se është me interes t’jua rrëfej këtë ngjarje. Sidoqoftë, për mua ajo ishte një ndër përvojat më të forta, që i ndryshoi përgjithmonë aftësitë, planet dhe veprimet e mia në dyzet vitet e ardhshme. Qysh nga ajo kohë e gjer më sot unë u ngrita shumë herë lart në majën e Lubotenit, në majën më të njohur dhe, njëherësh, më të pazakontën e malit Sharr. I ngritur si një piramidë madhështore mu në fillim të Sharrit, përgjatë vijës së shtrirjes së tij nga verilindja drejt jugperëndimit, Luboteni paraqet një pikë dominuese, e cila komunikon në mënyrë optike me hapësirat e stërmëdha: në perëndim, përmes kurrizeve të këtij mali të mrekullueshëm shihen Deshati dhe Korabi; kah veriu shpalohet e tërë  Kosova, e kurorëzuar me Koritnikun dhe Pashtrikun, deri në Bjeshkët e Nemuna, Hajla dhe Mokra Gora; në lindje dhe juglindje, në largësi shihen Rila dhe Pirini; në jug shtrihet Pollogu, i ndërthurur me Malin e Thatë, pastaj Karadaku i Shkupit, Sollunska Gllava, Kozhufi, Kajmakçallani dhe, në fund, Pelisteri. 

Siç ju thashë, pas kësaj u ngjita shumë e shumë herë. E di që në shtator të vitit 1997 kam shënuar “lartësimin” jubilar në Luboten, të njëqindepesëdhjetin – nocioni me të cilin unë përcaktoj aktin e arritjes në majë. Sa mund të jetë numri i këtyre ngjitjeve në kilometra? Pra, sa shkon lartësia e të gjitha ngjitjeve të mbledhura së toku? Punë e lehtë, do thoni ju: shumëzoje lartësinë e Lubotenit me 150 dhe ja ku doli... Po, është krejt logjike, mirëpo çështja e Lubotenit paraqet një komplikim të veçantë. Në fakt, problemi është se – po deshët besojeni, po deshët mos e besoni – lartësia e Lubotenit nuk dihet saktësisht. Nuk e di a do më besoni, por, asnjë matje tjetër lartësie në botë nuk ka shfaqur aq shumë dallime dhe aq oscilime si Luboteni. Dihet rëndom se dallimet në matjet e veçanta të së njëjtës majë janë gjysmë metri. Tani përgatituni të më akuzoni se po shpik: “Dallimi ndërmjet vlerës më të ulët dhe vlerës me të lartë të Lubotenit tejkalon 1000 metra!?” Po. E nëse doni detaje, ajo është saktësisht 1064 metra, sepse vlera më e ulët në matjet zyrtare të Lubotenit është 1986 metra, ndërsa më e larta 3050 metra!? Të dhënën për matjen e parë e ka bërë ekspedita e francezit Ami Bue, kurse të dhënën e dytë e ka regjistruar Instituti Hartografik i Austro-Hungarisë dhe, njëherësh, ky është rasti i vetëm në Ballkan që është matur lartësia e një maje mbi 3000 metra. Enigma “Luboten” ndërlikohet edhe më shumë për shkakun se rezultatet e po të njëjtave ekipe, gjatë matjeve të të gjitha majave të tjera në rajon, përputhen centimetër më centimetër me vlerat e matura më parë.

Luboteni është mister, por edhe magjepsje që nuk i gjendet yrneku e që nuk ka një të dytë. Bindjen e tyre se mali Sharr përmban gjithçka që i duhet një njeriu për të qenë i lumtur, delmerët e kanë shprehur në proverbin: “Për të qenë i lumtur mjaftojnë tri gjëra: ujë Luboteni, qen Sharri dhe vajzë Prizreni.”

Megjithatë, personalisht, të gjitha gjërat e malit Sharr më bëjnë të lumtur dhe, madje, më shpijnë drejt vëzhgimeve të thella metafizike. Shqip(on)ja e bardhë, të cilën e pashë për herë të fundit në qiellin mbi Karabunar, më 1976, kur zbriti aq poshtë, sa më bënte hije me flatrat e zverdhemta teksa qëndroja i shtrirë përmbys në bar, e në fund u afrua fare pranë meje, aq afër sa, shqiponja dhe unë, për herë të parë e të fundit u pamë sy më sy. Skifteri i përhimët bëri dhjetë rrotullime përreth meje. Duke qëndruar drejt në kreshtat e Kepave të Mpreftë, ariu gjigant më tregoi në ëndërr se ku ta gjeja skeletin e tij, që të lidh nofullën e poshtme me kafkën e tij. (“Nga shkëmbi më i lartë i Smikut, me sa fuqi të kesh, hidh shkopin tënd të larmë drejt përroit dhe bash aty do gjesh të miat eshtra!” – kështu m’u drejtua në ëndërr, dhe aty i gjeta.) Një tubëz enciani, një tufë bari e “lajmëtarit qiellor”, e bukur si ikebana më e butë, që mbin në lartësi mbidetare prej 2700 metrash; ahu i madh pranë Gurrës së Ëmbël, mbi 45 metra i lartë, që nuk mund ta mbërthejnë dot me krahë as katër vetë; ujqërit... po, ashtu është – në veçanti ujqërit! Mësova shumë gjëra nga grupi legjendar i ujqërve, që quhej “4 Musketarët e Shullanit”, mbi Vratnicë, të prirë nga ujkonja, që brenda pesë vjetësh çanë mbi treqind dele, dhjetë kuaj, po aq gomarë, gjashtë mushka, si dhe asgjësuan rreth shtatëdhjetë zagarë dhe një duzinë qenë Sharri, ndër të cilët edhe Sariun, mejdanxhiun e famshëm, që u kallte datën ujqërve e u fuste frikën arushave. Qëkur më pikasën një herë pranë qerthullit të tyre, të paarritshëm dhe të pakalueshëm, u njohëm aq mirë, saqë më prisnin, e së largu më shoqëronin për orë të tëra në udhëtimet e mia vetmitare nëpër male.  

Megjithatë, më shumë se çdo gjë më la gjurmë në kujtesë dhe më preku fort një mësim i shkurtër i një ujku nga Luboteni. Pasi e kisha lëçitur disa herë ligjëratën kult të Heidegger-it,  “Lectio brevis”, mezi ia dola të rrokja hijen e kundrimit të të vërtetës, që ujku i ri, me një gjest të vetëm, arriti të ma mësonte si një përvojë absolute dhe krejtësore. Nëse ju ka zënë ndonjëherë furtuna natën dhe ashtu, përnjëherë, mes territ dhe shiut litar ju është përndritur me bujë vetëtima, do keni vënë re se peizazhi i ndriçuar bollshëm ka qëndruar në retinën tuaj për disa sekonda pas tërheqjes së vetëtimës dhe ajo hapësirë më pas është mbuluar sërish nga errësira. Pikërisht si ajo hapësira e zdritur nga shkëlqimi i rrufesë, ashtu shkëlqen edhe peizazhi metafizik i retinës së shpirtit tim akoma edhe sot, pasi vetëtima me të cilën ai qe përndritur është shuar prej kohësh – vetëtima e leksionit të shkurtër nga ujku i ri. 

Ja si ndodhi: pas një telefonate urgjente nga një mik, një blegtor i njohur me një grigjë dhensh, shkova në stanin e tij dimëror afër S.S. Telefonata e tij më gjeti në Tetovë, dhe kësisoj mbërrita për nja gjysmë ore. Miku dhe dy barinjtë që ishin me të vrapuan dhe më dolën përpara. Nga stalla me tulla dhe e mbuluar me kashtë e degë ahu dilte (më saktë: jehonte dhe gjëmonte) lehja e turmës së madhe të qenve. 

– Doje të provoje se a i zë stalla njëqind qenë!? Apo i ke lënë që ta hanë njëri-tjetrin? – e pyeta.

– Ujku... ujku ka hyrë brenda! Është ngjitur mbi çati dhe ka rënë përmes një golleje. Tani nuk del dot! – më tha miku, duke më vështruar ngultas. Sytë gati sa nuk i lëshonin shkëndija nga shqetësimi. 

U futëm brenda përmes portës gjysmë të hapur. Pesëdhjetë e kusur dhen ishin strukur në skajin e hapësirës së errët. Në këndin tjetër, i mbledhur si një thupër hekuri, me këmbë të shtrënguara, qëndronte ujku. Dhëmbët e fortë e të bardhë i shkëlqenin nga nofulla gjysmë e hapur  dhe e rrudhur; nga sytë i derdhej një flakë e gjelbër fosfori, ndërsa gëzofi i murrmë i ishte kërleshur që nga veshët, përmes qafës e deri në bisht. Rrethimi nga qentë delmerë, i mbyllur nja pesë a gjashtë hapa larg ujkut, u sforcua edhe më shumë kur hymë ne. Kohë pas kohe, ndonjë nga qentë, me hallka me thepla në qafë, do sulmonte ujkun e do tërhiqej shpejt prapa, duke skërmitur dhëmbët e duke shkumëzuar nga të gjitha anët. 

– Delmerët e kanë gjetur këtu. U ka marrë erë e dhenve, ka hipur mbi çati dhe ka rënë pikërisht këtu në qoshk, aty ku ne kemi thurur për merak degët. Ishte fshehur aq mirë, sa ia kish dalë t’u kalonte nëpër këmbë barinjve, kur ata kishin hapur stallën. Nuk kishte prekur asnjë dele. Mbase ka pritur gjithë natën, si e si për të shpëtuar kokën. Është i ri, kushedi... duhet ta ketë mbushur një vit! 

Vërtet ujku ishte ende i njomë, me këmbë të gjata e të forta dhe me muskuj po aq të fortë, por trupi i brishtë i tij nuk vinte më shumë se nja 35 kile.

– Më kërkuan me celular. Menjëherë urdhërova barinjtë që t’i sillnin të gjithë qentë këtu. Ja, tani janë këtu, katërmbëdhjetë syresh. Ka kaluar një orë dhe asnjërit prej tyre nuk ia merr mendja t’i bjerë ujkut. E sheh ç’është ujku! Të gjithë po presim të sjellin Balën, ai është me qengjat. Kur të vijë ai do kesh çfarë të shohësh!

Kohë pas kohe, shkurtazi, ujku i ri hidhte shikimin drejt golles, prej së cilës kishte rënë nga çatia. Që andej buronte drita e vetme në hapësirën e errët, e bashkë me të edhe të gjitha aromat e jetës, të gjitha imazhet e lirisë dhe shpëtimit që kishte ndjerë e kish mbajtur mend ujku në jetën e tij të shkurtër. Mënyra se si e shikonte gollen më preku shumë e më kujtoi diçka. Po çfarë? Atë nuk mund ta zgjidhja. Mikut i thashë se do ishte korrekte që t’i jepnim një shans ujkut! Të dalim, të hapim stallën gjerë e gjatë dhe të lëmë vetëm qentë dhe ujkun që ta zgjidhin problemin. Nëse ujku ia del të çajë rrethimin, le të ketë çfarë t’u tregojë pasardhësve për heroizmin e tij. E nëse vdes, qentë do kenë çfarë të rrëfejnë për aq sa të jenë gjallë.

Por, e kisha të qartë se asnjërit prej aktorëve të kësaj drame nuk i shkonte ndër mend të ishte korrekt. Tragjedia antike tashmë kishte imponuar ligjet e poetikës së saj të parevokueshme. Mallkimi nuk mund të shmanget! – thoshte Pllatnari i madh. Kur fati nis të veprojë, nuk ka fuqi që ta ndalojë!

Secili nga katërmbëdhjetë qentë ishte më i madh dhe më i vjetër se ujku i ri. Megjithatë, asnjëri nuk mori guxim të afrohej pranë dhëmbëve të syrit të bardhë e helmues të ujkut, e as të shikonte zjarrin që derdhej si lavë nga sytë e tij. Po e shikoja këtë dramë krejt i mahnitur; sikur para këmbëve tona të jetë rrëzuar një pullaz; sikur të gjithë ne të kishim rënë përmes asaj golleje: edhe ujqit, edhe qentë, edhe dhentë e mbledhura krye më krye, edhe miku im, edhe barinjtë, edhe unë – dhe sikur asnjëri nga ne të mos dilte dot nga ajo stallë magjepsëse. 

Pastaj mbërriti bariu me Balën. Sapo hyri brenda, qeni i bardhë mezi e mbajti veten për një hop, sa t’i mësoheshin sytë me stallën e errët. Pikërisht në atë hop të fundit të jetës së tij, ujku i ri hodhi edhe një shikim – një shikim që nuk të shqitet – kah gollja e çatisë, nga ku buronte e gjithë drita e botës që i kish mbetur të shihte! Dhe atëherë m’u kujtua...

Në atë çast, si një gur i hedhur me dorë, Bala iu sul ujkut. Pas tij, ujkut të ri iu turrën edhe qentë e tjerë. Tinguj vdekjeje, pastaj një heshtje e shkurtër, por jo e tmerrshme. Shekspiri ka pasur të drejtë: The rest is silence! (Pjesa e mbetur është heshtje!) 

Dy qenë të shtrirë anash gërhisnin qetë dhe i lëpinin plagët – njëri në këmbën e përparme, tjetri në ijë. 

Teksa po kthehesha për në shtëpi dhe vozisja nëpër shiun e butë, përmes një të çare në re depërtoi pak dritë dhe kësisoj shkëlqeu kaltërsia e kthjellët jashtëtokësore. M’u duk sikur gollja e çatisë qiellore ishte po ajo drejt së cilës shikoi dhe iku ujku i ri; dhe, për një çast mendova se e gjithë kjo botë dhe të gjithë ne, ndonjëherë, kemi rënë nga ajo golle dhe jemi gjendur këtu dhe se për asnjërin nga ne nuk ka rrugëdalje tjetër nga kjo stallë magjepsëse që ne e quajmë “botë” – përpos golles në çatinë qiellore. 

Ndalova mbi S.S. Nga lartësia e Lubotenit u shfaq një ujk. Kumbonte si një lutje e qetë dhe fshehtë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme