
Brenda shoqërisë moderne pluraliste, siç mëtojmë ta ndërtojmë, angazhohemi për lirinë e plotë të ndërgjegjes dhe besimit fetar si dhe për ndarjen konsekuente të institucionit fetar nga shteti. Kjo, në pajtim me përcaktimet themelore të shtetit dhe përvojave të demokracive të pjekura perëndimore, nënkupton barazinë e plotë të të gjitha bashkësive fetare dhe bashkëveprimin e tyre të lirë me grupet e tjera shoqërore. Shoqëria jonë tashmë nuk ndërtohet në mënyrë totalitare, e as që guxon të koncipohet në mënyrë ideologjike – e as fetarisht në mënyrë monolite – sipas paradigmës së tejkaluar nacionale-religjioze.
Asnjë bashkësi fetare nuk mund të privilegjohet në llogari të të tjerave, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë, ndërsa të gjithëve duhet t’u mundësohet veprim i lirë dhe autonom. Gjatë kësaj duhet pasur parasysh se e drejta dhe liria e besimit (dhe mosbesimit), bëjnë pjesë në të drejtat dhe liritë themelore njerëzore. Ato askush askujt nuk ia falë e as që guxon t’ua mohojë, sepse ato rrjedhin nga vetë natyra dhe dinjiteti i çdo njeriu si individ. Në tekstin në vijim do të prezantojmë paradigmat tashmë të njohura në hapësirën e kulturave institucionale e shtetërore të Evropës.
Problematika e lirisë fetare në shoqërinë moderne dhe pas-moderne është bindshëm më e ndryshme, përmbajtësisht më e stërholluar dhe më e shprehur se në shoqëritë e mëparshme. Në shoqëritë parateknike, paraindustriale, rurale, liria fetare, për të cilën sot përcaktohet njerëzimi, ka qënë si sipas formave ashtu edhe sipas përmbajtjeve e panevojshme, joekzistuese dhe e padëshiruar. Siç e dijmë, të kuptuarit modern të lirisë fetare e thekson të drejtën e njeriut si individ dhe person, e gjithsesi edhe të grupeve shoqërore, që në pajtim me vetëdijen e tyre të zgjedhin mendimin e këtillë apo të atillë religjioz ose joreligjioz, që ta predikojnë atë publikisht dhe pa frikë e pa pengesa, që për atë qëllim të organizohen, e me atë rast të mbajnë llogari që mos t’i cenojnë të drejtat e njëjta të të tjerëve dhe të atyre që mendojnë ndryshe. Institucionet shtetërore dhe të tjerat publike duhet që lirinë fetare të kuptuar kësisoji jo vetëm ta rekomandojnë, por edhe ta mbrojnë. Çfarëdo lloj kufizimi i lirisë fetare duhet që të jetë saktë i përcaktuar dhe ekskluzivisht në funksion të promovimit të mirëqenies së përgjithshme të popullit dhe të sistemit.
Një kohë të a.q. religjione popullore në shoqëritë fillestare kanë qenë pronësi dhe privilegj i grupeve etnike, të cilat zotat e tyre i kanë ruajtur me përzemërsi para të tjerëve dhe kanë ruajtur identitetin e plotë të bashkësisë etnike dhe religjioze dhe të institucioneve të saja dobët të zhvilluara dhe të rralla. Periudha mesjetare në Evropë e realizon të a.q. lloj sociologjik të religjionit. Shoqëritë dhe shtetet me anë të mekanizmave të shumtë të kontrollit formal dhe joformal social të grupeve shoqërore nxisin edhe tek individët përkatësinë automatike religjioze dhe “kishtare” e cila është zakonore dhe në vete e kuptueshme. Kjo është tashmë periudhë e religjioneve universale të cilat, për dallim nga ato populloret, janë ekspansioniste dhe misionare.
Kalimi i njerëzimit në qytetërimin industrial, në shoqëritë qytetare, do të sjellë kthesë të madhe dhe ndryshime të thella gjithashtu përkitazi me liritë fetare. Janë të shumta shenjat përmes të cilave nga këndvështrimi i shkencës sociologjike, e identifikojmë periudhën moderne dhe pas-moderne të historisë njerëzore. Në mesin e atyre shenjave, përveç industrializimit dhe prodhimtarisë së mallrave, dhe demokracisë politike, gjithsesi mund t’i numërojmë vijueset:
1) Zgjerohet shekullarizimi si proces global shoqëror i themeluar në mënyrë objektive në raportet shoqërore, i cili në thelb nënkupton emancipimin e politikes nga religjiozja dhe anasjelltas. Format themelore të dukshme të shekullarizimit (të cilin duhet ta dallojmë nga shekullarizmi) para së gjithash janë ndarja e shtetit nga religjioni, shkolla dhe religjioni, kalimi i religjiozes nga jeta publike në atë private, zvogëlimi i përjashtueshmërisë fetare dhe ideologjike, laicizimi i shoqërisë dhe kulturës.
2) Rritja e rolit të shtetit jo vetëm në sferën e ngushtë politike, por edhe në sferat e tjera të jetës shoqërore, nga ekonomia deri te kultura. Pafundësisht rritet edhe numri dhe organizimi i administratës në kuadër të organizimit shtetëror, që i nxit proceset e burokratizimit të shoqërisë.
3) Në mënyrën e jetës mbisundon mendësia konsumuese dhe raporti ndaj jetës si të tillë. Tërësia e të mirave materiale dhe shpirtërore funksionon në mënyrë objektive dhe subjektive si mall konsumues i cili mund të blihet, shfrytëzohet dhe hidhet. Nuk janë të panjohura konstatimet e sociologëve se edhe në mesin e besimtarëve dhe institucioneve fetare krijohet raport tipik konsumues. Kjo do të thotë përhapje e bindjes për institucionin fetar si servis për gjëra të shenjta, gjë së cilës i përshtatet edhe praktika fetare.
4) Në hapësirën e përbotshme vjen deri te ndërvarësia e fuqishme mes shteteve dhe vendeve. Bota, e cila më parë ka qenë e përbërë nga një numër i madh botërash më të vogla të vetëdijshme, të vetëmjaftueshme dhe të pavarura, në të vërtetë shndërrohet në një. Në botën e varur, sjellja e një subjekti nuk mund të ngelë pa pasoja për tjetrin dhe për tërësinë. Mbi këtë bazë ngrihet vetëdija planetare e njerëzimit.
5) Bashkë me rritjen e njëkohshme të të gjitha formave të lirisë individuale dhe personale njerëzore, që vërehet në pjesëmarrjen gjithnjë e më të madhe të të gjitha klasave shoqërore në politikë, ekonomi, kulturë, duhet gjithnjë e më shumë të zbrapset represioni i hapur, dhuna dhe terrorizmi. Nga ana tjetër qendrat e reja të fuqisë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, në mënyrë të gjithanshme zhvillojnë mekanizmat e represionit të fshehur, të tërthortë, i cili sidomos vjen në shprehje si manipulim jashtëzakonisht i ushtruar me nevojat dhe të drejtat njerëzore. Në shoqërinë moderne dhe pas-moderne deri në fund realizohet shteti nacional (ose shumënacional) si formë themelore e ekzistimit dhe zhvillimit të bashkësive njerëzore. Ky shtet, tani si edhe më parë, vendos për ekzistimin e njeriut si shtetas dhe qytetar. Shoqëria qytetare, si formë alternative e bashkësisë njerëzore, vështirë depërton në sipërfaqe dhe në raport me shtetin, si tani ashtu edhe më parë, gjendet në pozitë të nënshtruar. Edhe në hapësirën e lirisë fetare shteti vjen si ndërmjetës kyç. Për lirinë fetare vendimtar bëhet raporti mes shtetit dhe institucionit fetar, gjegjësisht mes shtetit dhe formave oprganizative të religjionit, nga kulti përmes sektit, denominimit e deri te vetë institucioni.
Pra, nga pikëpamja sociologjike tematikën e lirisë fetare mund ta njohim edhe përmes analizës së raportit mes shtetit dhe institucionit fetar. Në këtë drejtim mund të propozojmë një model empirik, një shkallë tipologjike, e cila përfshin katër lloje themelore, ideale të raportit shtet-institucion fetar.
1. Lloji i bashkësisë fetare shtetërore është i pari në atë shkallë. Karakteristika qenësore e raportit të ndërsjellë qëndron në atë se nga njëra anë shteti e pranon, e përligj dhe e mbështet vetëm një doktrinë religjioze, vetëm një bashkësi fetare ose bashkësi ndryshe të organizuar religjioze. Nga ana tjetër ajo bashkësi e zgjedhur dhe e preferuar nga shteti me përkufizimet e veta përcakton çka është e ligë, mëkat, e mirë dhe e keqe në pajtim me normat dhe vlerat shtetërore. Sociologu Mensching përcakton se marrëdhëniet mes kishës dhe shtetit janë më të ngushta kur shteti e ngren një religjion të caktuar në nivel të religjionit shtetëror dhe kur religjioni i tillë shtetëror e hyjnizon shtetin. Fuqia shoqërore dhe politike e shtetit dhe bashkësisë fetare janë të bashkuara, të harmonizuara dhe bashkërisht i përcaktojnë modelet e mendimit dhe të sjelljes për shtetasit, qytetarët. Në këtë lloj marrëdhënieje qenësisht është e cenuar liria fetare si e drejtë njerëzore që sipas ndërgjegjes personale vet të zgjedhet dhe publikisht të predikohet botëkuptimi religjioz ose joreligjioz. Modeli i mendimit dhe sjelljes (jo)religjioze njeriut i imponohet nga jashtë. Në hapësirën shoqërore evropiane dhe amerikane ky lloj marrëdhëniesh më shumë paraqet të kaluar sesa të tashme.
2. Shteti i mbështet bashkësitë fetare dhe është i prirë ndaj religjionit si të tillë, historikisht vjen pas llojit të parë. Në të tilla raste shteti parimisht është i prirur ndaj të gjitha religjioneve, grupeve religjioze dhe bashkësive fetare. Këtë prirje të tij, simpatinë ndaj religjionit si të tillë, shteti mund ta shprehë në nivelin kushtetues-juridik asisoj që ta shpallë parimin e ndarjes së vet nga të gjitha bashkësitë fetare dhe të përcaktohet për pluralizmin religjioz si gjendje e dëshiruar. Kështu shteti e dëshiron dhe e mbështet stilin religjioz të jetës. Në krahasim me llojin e parë, ky lloj raportesh gjithsesi paraqet përparim, sepse e zgjeron sferën e lirisë. Por shikuar nga aspekti sociologjik, në këtë lloj megjithatë ekzistojnë disa caqe të hpura dhe kundërshtuese të lirisë fetare. Pyetja e parë është se a mundet shteti në mënyrë të barabartë të jetë i prirur ndaj të gjitha bashkësive religjioze pavarësisht nga numri, doktrina apo fuqia e tyre? E dijmë se në praktikë mbështetja e shtetit gjithmonë anon nga të fuqishmit. E dyta, ajo që shënon evidenca sociologjike është dukuria e dinamikës së madhe religjioze për shkak të krijimit të grupeve të reja. Kundërshtia më e rëndësishme e këtij lloji është fakti i padiskutueshëm se shteti i tillë më pak a më shumë nuk është i prirur ndaj të gjitha formave të orientimeve joreligjioze, sidomos ndaj ateizmit teorik. Këtu qëndrojnë kufizimet qenësore për kuptimin modern të lirisë fetare.
3. Shteti refuzon religjionin si të tillë. Ky lloj është në mënyrë diametrale i kundërt me llojin paraprak. Kjo detyrimisht nuk do të thotë se shteti persekuton ose ndalon ndonjërin apo të gjithë religjionet. Mënyrat e refuzimit mund të jenë më shumë apo më pak të ashpra dhe të rrepta: nga ndalimi i plotë i të gjitha religjioneve deri te format më të buta të nënshtrimit të religjiozes me mjete shtetërore në një sferë plotësisht të veçantë dhe personale. Literatura si shembull studimi e cek Gjermaninë naziste. Gjithashtu mund ta përmendim edhe Shqipërinë e para disa viteve si shembull të mjaftueshëm dhe të vetmin të pastër. Identifikimi i praktikës së tillë shtetërore nuk është i mundshëm me analizën krahasimtare kushtetuese, sepse në këtë moment asnjë shtet nuk e ndalon fenë si të tillë. Identifikimi para së gjithash është i mundshëm përmes metodës së analizës sociologjike. Po tërheqim vërejtjen edhe për një dukuri interesante: në shtetet në të cilat pak a shumë persekutohet religjioni si i tillë, sipas rregullit paraqitet i a.q. religjion shekullar në formë të hyjnizimit të shtetit, kultit të udhëheqësve shtetërorë, ideologjisë së pranuar dhe mbrojtur në mënyrë “religjioze” shtetërore, në ritualin hollësisht të përpunuar të nderimit të shteteve si të tilla dhe udhëheqësve të tyre. Shembull i pakapërcyeshëm për këtë janë Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik në kohën e stalinizmit.
4. Shteti është neutral, i painteresuar në raport me religjionin si të tillë. Ky më tepër është një lloj potencial historik, të cilin mund ta parandjejmë, parashikojmë dhe ta dëshirojmë. Mund ta quajmë edhe utopi. Shtetit nuk do t’i interesonte se a besojnë njerëzit dhe si besojnë ose nuk besojnë ata. Këto vendime në tërësi ua len njerëzve dhe grupeve shoqërore. Për botëkuptimet fetare apo jofetare shteti nuk gëzohet, nuk i ndalon apo kufizon, e as që ka apo nuk ka prirje ndaj tyre. Ai heq dorë nga çfarëdo ndërhyrje në bindjet fetare apo jofetare dhe manipulimet me to. Natyrisht, do të duhej të vendosej raport i ngjashëm edhe nga ana e religjionit ndaj shtetit dhe veprimtarive të tij. Religjioni do të duhej të heqë dorë nga çfarëdo lloj pjesëmarrjeje në pushtetin publik dhe çfarëdo lloj veprimi mbi shtetasit, sidomos mbi ata të cilët marrin pjesë në proceset politike, në proceset e vendimmarrjes. Njëri nga proceset në shoqërinë moderne dhe pasmoderne i cili nxit krijimin e themeleve shoqërore për realizimin e këtij lloji është me siguri ai të cilin e quajmë shoqërizim i shtetit. Është çështje vlerësimi, se a ndodh dhe në çfarë mase në shtetet e caktuara theksohet orientimi dhe praktika e bartjes së fuqisë politike dhe vendimmarrjes nga shteti tek shtetasit, qytetarët. Koncepti i shoqërisë civile, si alternativë e shtetit, është veprimtari e vetëdijshme dhe refleksion i rëndësishëm teorik në këtë drejtim. Pra, qenësore është çështja e institucioneve dhe rolit të tyre në shoqëri. Kjo çështje ka të bëjë jo vetëm me shtetin por edhe me bashkësinë fetare. Institucionet nuk janë vetëm të ngurrta dhe e ngulfasin njeriun si individ, si person, dhe aktivitetin e tij të lirë, por me vështirësi dhe vonesë u adaptohen spontatineteve shoqërore. Sidoqoftë, tashmë shoqëria moderne e akoma më shumë ajo pas-moderne janë në shenjën e gufimit të spontanitetit, sjelljes së lirë por edhe të konceptuar të njeriut. Gufimi shprehet në dukuritë e shumta të protestave, kontesteve, kundërshtimit brenda institucioneve dhe kundër tyre. Protestat i zbulojmë gjithashtu edhe brenda bashkësive fetare si dhe brenda partive politike. Spontaniteti, arbitrariteti i paramenduar dhe mahnitja me të nuk do të thonë dëshirë për anarki. Arbitrariteti do të thotë e drejtë dhe mundësi për zgjedhje personale të rrugëve dhe mënyrave për realizimin e mendimeve njerëzore, kujdes ndaj rrugëve dhe mënyrave të kërkimit të tillë te të tjerët, të cilët janë të ndryshëm, kujdesi që mos të lëndohet tjetri, përpjekja për harmonizimin me ta në mënyrë që të arrihen vlerat e përgjithshme dhe qëllimet që nënkuptojnë zhvillim, përparim në drejtim të shoqërisë së drejtë. Nëse supozojmë se spontaniteti do të përparojë ndërsa institucionalja do të shmangej, atëherë mund të realizojmë edhe supozime të tjera: Raporti mes shoqërisë dhe religjionit i cili para së gjithash shprehet si raport tradicional mes shtetit dhe bashkësisë fetare në format deri tani të njohura do të shmangej, do të zhdukej, do të bëhej i parëndësishëm, i pavlerë. Kjo sigurisht se mund të ngjajë si utopi. Mirëpo, parimi i utopisë është njëri nga parimet themelore që e formojnë jetën tonë. Parimi i utopisë dhe parimi i shpresës i ndërlidhur me të (Block) janë ajo që shumicën e mbushin me fuqi, lumturi dhe kënaqësi, që në vështirësitë e shumta të shikojmë para, në ardhmëri, ku do të duhej të ishin më të mira mundësitë për lirinë njerëzore, përfshirë edhe atë fetare, ku do të duhej të ishte e realizueshme (jo e realizuar) e gjithë ajo për të cilën sot ëndërrojmë, e që e supozojmë në shkencë. Nëse nga kjo nxjerrim përfundim, atëherë mund të themi se në përmasën e realizimit të spontanitetit si arbitraritet të menduar në aktivitetet njerëzore, në praktikën njerëzore, do të mund të realizohej në mënyrën më të mirë edhe liria njerëzore, përfshirë edhe atë fetare. Do të ishte ajo liri pa brigje, pa kufijtë e deritashëm. “Kufiri” i vetëm dhe njëkohësisht horizonti më i hapur është bashkë-njeriu, e jo rregullat, normat, modelet të cilat i përshkruajnë institucionet.
Shpesh herë hasim në analiza të ndryshme ku prezentohet raporti shtet-institucion fetar në hapësirën me shumicë muslimane, i cili nuk përputhet me realitetin dhe që nuk guxon të merret si paradigmë për një shoqëri moderne. Këtu nuk është në pyetje vetëm institucioni fetar, por shpesh herë vërehet shkelja flagrante e burimeve fetare.
E pamë, përmes shkallës së llojeve të raporteve mes shtetit dhe Kishës, se si liria fetare varet në mënyrë determinuese nga këto raporte. E pamë zhvillimin, ndryshimet dhe dinamikën, e cila është e intensifikuar në kohë, nga e kaluara në të tashmen dhe në të ardhmen.
Edhe shoqëritë ish-socialiste, apo tani në tranzicion, i numërojmë si moderne, edhe pse në krahasim me ato pastër qytetare kanë veçoritë e tyre madje edhe në lidhje me lirinë fetare. Shtetet ish-socialiste, ashtu siç i njohim në konkretësinë e tyre empirike, në lidhje me lirinë fetare (akoma) nuk kanë përfunduar me kontrollin historik. Mund ta themi edhe të kundërtën. Institucionet fetare në konkretësinë e tyre, teoretikisht dhe praktikisht (akoma) nuk i kanë tejkaluar stereotipet, nga mosbesimi dhe dyshimi deri në kundërshtim. Siç e dimë, ekzistojnë dallime mes shteteve ish-socialiste. Dallime gjithashtu ekzistojnë edhe mes religjioneve dhe institucioneve fetare. Supozimi themelor në lidhje me shtetet ish-socialiste është se në gjendjen në atë sferë të jetës së njeriut në mënyrë vendimtare ndikon mënyra e veprimit dhe sjelljes si e shtetit ashtu edhe e institucionit fetar. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se dëshiroj ta ndaj barabarësisht përgjegjësinë për gjendjen, me të cilën assesi nuk mund të jemi të kënaqur.
Jo vetëm për shkak të mirësjelljes qytetare, por edhe nga bindja, më duhet të konstatoj se tek ne, si një shtet që ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, rrethanat kanë qenë më të mira se ato në shtetet e real-socializmit. Nëse them se tek ne gjendja ka qenë ose është më e mirë, kjo nuk do të thotë se mohoj ekzistimin e një morie situatash dhe çështjesh të hapura që ndikojnë në kufirin e lirisë fetare.
1) E para është çështja e (pa)barazisë së qytetarëve besimtarë dhe jobesimtarë. Disa e identifikojnë si gjendje e rendit të dytë të besimtarëve. E dimë se shoqëria zyrtare jo me dëshirë pranon dialog rreth kësaj. Në studimet e mia të deritashme kam dëshmuar se kjo çështje është ekzistente, reale dhe se vazhdimisht duhet nënshtruar hulumtimeve reale empirike.
2) Pyetja e dytë e tillë është: A është për shoqërinë ish-socialiste vërtet i papranueshëm koncepti i shkollës ideologjikisht neutrale? Ose nëse e vendosim pozitivisht: A nuk do të ishte më e konceptueshme shkolla me programet edukativo-arsimore që do të mbështeteshin mbi arritjet shkencore në kuptimin e drejtë dhe përgjithësisht të pranueshëm të kësaj fjale? Sipas mendimit tim: po!
3) A është vërtet e nevojshme që kufijtë, të cilët përkitazi me shprehjen publike të fesë i përcaktojnë ligjet, të shihen në mënyrë statike si ndaj arritjes më të lartë të mundshme e jo në mënyrë dinamike, që do të kërkonte përshtatjen e ligjit ndaj ndryshimeve shoqërore?
4) A është vërtet e mundshme, në tërësi dhe pa përjashtim, të zbërthehen konfliktet, të bëhet të zhduken shmangiet e lirisë praktike nga ajo e deklaruar, vetëm me dinamikën e kushtëzimit të ndërsjellë të sektarizmit dhe klerikalizmit; apo siç është thënë me një kohë: me dinamikën e konfliktit mes klerikalizmit “të zi” dhe “të kuq”? Riprodhimi i thyerjes së lirisë fetare në vendin tonë është në lidhje të ngushtë me të metat të cilat janë të ndërtuara në sistemin shoqëror-politik.
5) Përse në nivelin e shoqërisë zyrtare aq me këmbëngulje qëndrohet në qëndrimin se në shoqërinë (ish)socialiste është e pashembullt dhe e palejueshme që besimtarët të angazhohen për projektin e shoqërisë së drejtë, në bazë të motivimeve të tyre fetare, kështu që qëndrohet në atë se besimtarët kur hyjnë në jetën politike, bindjet e tyre fetare t’i lënë “në shtëpi”? Kjo, mendoj, është e paqëndrueshme, sepse personaliteti njerëzor është i pandashëm. Do të mund të gjeja akoma “përse” të tilla, por kjo do të na shpiente shumë larg. Gjatë kërkimit të “prandaj” në nivel të përgjithshëm, do të mund ta parashtroja këtë supozim global:
Kufizimet e lirisë fetare në shtetet ish-socialiste do të vazhdojnë për aq kohë sa në to do të mbisundojë modeli bolshevik i rendit shoqëror. Me këtë mendoj në sistemin i cili mbështetet mbi parimet e monolitizmit dhe dirigjizmit politik, ekonomik, kulturor dhe ideologjik, mbi parimin e centralizmit demokratik i cili i obligon të gjithë. Sado që ka ardhur deri te evoluimi i atij modeli sërish vazhdojnë të ekzistojnë strukturat e tij fillestare të funksionimit si traditë e ngurrtë. Sa i përket fesë, pjesë e kësaj tradite janë edhe interpretimet dhe mendimet vijuese të cilat shpallen si autentikisht marksiste:
1) Religjionin, në përmbajtjen e tij konkrete mund dhe duhet ta përmbledhim si një përzierje paragjykimesh, bindjesh të gabuara, besëtytnishë dhe si pakuptimësi që për njeriun nuk ka kurrfarë rëndësie dhe vlere;
2) Religjioni është mbetje nga e kaluara e cila ekziston dhe mbahet para së gjithash si traditë dhe për shkak të njëfarë ngathtësie të shpirtit njerëzor. Kjo është pasojë e ligjshmërisë së përgjithshme se vetëdija shoqërore gjithnjë ngec pas transformimeve në qenien shoqërore. Pastaj, religjioni nuk ka kurrfarë rrënjësh më të thella dhe bazë në realitetin ekzistues shoqëror të shoqërisë ish-socialiste, e sidomos jo në ato sfera të jetës shoqërore të cilat janë themel i rendit të ri shoqëror;
3) Religjioni është një faktor politikisht dukshëm negativ, prapambetës i cili në rastin më të mirë për njeriun paraqet pengesë të konsiderueshme për orientimin e vetëdijshëm dhe përparimtar;
4) Në perspektivën e gjerë historike gjithsesi se religjioni si ideologji dhe religjioziteti si shembull specifik ideor dhe mënyrë e sjelles, janë të dënuar me zhdukje të pashmangshme, me vdekje. Atë do ta zëvendësojë ideologjia përparimtare socialiste dhe pikëpamja përparimtare e bazuar mbi marksizëm.
Pasojat sociale dhe politike të qëndrimeve të tilla për sjelljen praktike ndaj religjionit dhe njerëzve religjiozë, si dhe e kundërta, janë shumë të qarta.
Gjithsesi, duhet shtuar se konfliktet mes shtetit (ish)socialist dhe organizatave religjioze do të përtërihen edhe në të ardhmen, për aq sa në organizatat fetare do të vlejë dhe do të ketë fuqi tradita negative e antikomunizmit, antisocializmit kryqtar, e para së gjithash i përjashtueshmërisë botëkuptimore dhe antropologjike, dhe të mendimit se kuptimplota dhe të drejta janë vetëm ato sisteme shoqërore që bazohen mbi vlerat religjioze.
Këto mendime do t’i përmbyll me shprehjen e bindjes sime të thellë, si njeri dhe teolog, se në vetë thelbin e shoqërisë moderne dhe pas-moderne, qoftë të llojit qytetar apo atij (ish)socialist, ekzistojnë shumë mekanizma socialë, politikë, kulturorë dhe ideologjikë të cilët e kufizojnë lirinë e njeriut, realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të njohura dhe të pranuara njerëzore, po edhe të atyre fetare. Dhe ashtu siç është e pandashme paqa, asisoj që mos mund të durojmë dhe të jemi indiferentë ndaj konflikteve ushtarake dhe formave të tjera të dhunës fizike në një pjesë të botës ndërsa të mahnitemi për paqen diku tjetër, njësoj e pandashme është edhe liria e njeriut. Nuk mund të mahnitemi dhe të angazhohemi për liri ekonomike e politike, ndërsa të durojmë ose të jemi indiferentë ndaj moslirisë kulturore e fetare. Nuk mund të jemi indiferentë ndaj kufizimit të lirive ekonomike e politike, ndërsa të mahnitemi me liritë kulturore ose fetare. Kjo do të thotë se angazhimi për lirinë e plotë njerëzore mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse për të gjitha pikëpamjet, përmbajtjet, shtrirjen dhe format e saj angazhohen të gjithë njerëzit, pavarësisht nga bindjet personale ose përkatësia organizative. Ndërsa kjo mund të arrihet vetëm me respektin paraprak dhe të pakushtëzuar të ndërsjellë dhe dashurinë ndaj të ndryshmes.
Përmbledhëse
Brenda shoqërisë moderne pluraliste, siç mëtojmë ta ndërtojmë, angazhohemi për lirinë e plotë të ndërgjegjes dhe besimit fetar si dhe për ndarjen konsekuente të institucionit fetar nga shteti. Kjo, në pajtim me përcaktimet themelore të shtetit dhe përvojave të demokracive të pjekura perëndimore, nënkupton barazinë e plotë të të gjitha bashkësive fetare dhe bashkëveprimin e tyre të lirë me grupet e tjera shoqërore. Asnjë bashkësi fetare nuk mund të privilegjohet në llogari të të tjerave, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë, ndërsa të gjithëve duhet t’u mundësohet veprim i lirë dhe autonom. Gjatë kësaj duhet pasur parasysh se e drejta dhe liria e besimit (dhe mosbesimit), bëjnë pjesë në të drejtat dhe liritë themelore njerëzore. Ato askush askujt nuk ia falë e as që guxon t’ua mohojë, sepse ato rrjedhin nga vetë natyra dhe dinjiteti i çdo njeriu si individ.
Bashkësitë fetare në mënyrë kritike duhet ta përcaktojnë vendin dhe rolin e religjionit, në mënyrë që ai t’i ndihmojë zhvillimit të shoqërisë moderne me teologë dhe teologji që i përgjigjen kohës dhe vendit. Kjo arrihet duke krijuar institucione të larta arsimore-shkencore fetare dhe gjithsesi duke e rregulluar me ligj statusin e teologut. Në këtë drejtim dhe që të bëhet moderne, shoqëria maqedonase patjetër duhet t’i merr parasysh paradigmat ekzistuese në shoqëritë tanimë të stabilizuara dhe me përvojë më të gjatë, qofshin të sistemeve kapitaliste apo të atyre që tashmë kanë kaluar periudhën e të a.q. tranzicion.