
Analizat e fundit të tregut për 2014 japin shenja për një përmirësim të ekonomisë botërore, ndonëse restaurimi global mbetet i dobët, me performancën e shumicës së ekonomive të mëdha nën nivelin e trendeve të para-krizës. Specifikisht, të ardhurat për kokë banori dhe shkalla e papunësisë mbetet ende nën figurat e para-krizës. Sidoqoftë, shikuar përtej këtij viti, ndonëse klasa e mesme në Perëndim thuhet se po i çmon të mirat e tregut secilën herë më pak, në anën tjetër të rruzullit klasa e mesme në zhvillim e sipër, duket se po i çmon të mirat e tregut secilën herë e më shumë. Kjo mund të reflektojë një trend paradoksal në nivelin global të pabarazisë së statusit social dhe të ardhurave, sipas të dhënave të analizave dhe prognozave të firmave të ndryshme për investim dhe konsultim global. Paradoksi i cekur këtu është se ndonëse pabarazia ekonomike ndërmjet shteteve të ndryshme të botës po bie dhe po neutralizohet, duke qenë se numri i shteteve që po ngjiten në rripin e mesëm po rritet gjithnjë e më tepër, posaçërisht si pasojë e arritjes në skenë e ekonomive të akronimuara si BRICS and N-11, ndërkohë, pabarazia sociale brenda vetë shoqërive të këtyre vendeve po rritet, përfshirë edhe vetë vendet e zhvilluara. Pra, pabarazia e statusit social ende mbetet një problem i debatuar gjerësisht, edhe pse shtresa e mesme në shifër absolute po pritet të rritet globalisht, me më se 2 miliardë parashikuar t’i bashkëngjiten shtresës së mesme më 2030, shumica syresh nga Azia. Si zakonisht, kjo tregon se si figurat optimiste statistikore mënjanojnë realitetet jo aq të ndritshme të shoqërive në terren, jashtë letrave dhe ekraneve kompjuteristike.
Shumica normale
Në diskursin mediatik, hulumtues, ekonomik dhe politik flitet për klasën e mesme, ngase në perëndim historikisht klasa e mesme është parë si një motor i rritjes ekonomike, forcë e stabilitetit, bajraktar i vlerave kombëtare dhe kulturore dhe, po aq e rëndësishme, përcaktuese e rezultateve në arenat elektorale. Për një ilustrim të spikatur, citati klasik i Lord Broughamit, një aktivist britanik kundër skllavërisë në shekullin XIX, e përmbledh më së miri këtë koncept dhe konotacionet e tij: ‘Me popullin, nënkuptoj klasën e mesme, pasurinë dhe inteligjencën e këtij vendi. Lavdinë e emrit britanik’.
Është një truizëm tashmë se një shtresë e mesme, e gjerë dhe relativisht e kamur, e edukuar, është ajo që e bën një vend të sigurt dhe politikisht stabil. Vendet me një masë të madhe të popullsisë së varfër, pa klasë të mesme, si dhe një shtresë të imtë, por tejet të pasur në krye, thuhet se kanë dispersion të shtrembëruar të popullatës, dispersion jonormal. Përkundrazi, një klasë e mesme që përbën shumicën dërrmuese të popullsisë, me një hise minimale në të dy anët ekstreme të spektrit dispersues, të varfrit dhe të pasurit e skajshëm, matematikisht do të konsiderohej si një dispersion normal. Në të vërtetë, nëse shihen shumica dërrmuese e dispersioneve të të dhënave në natyrë, sipas së cilit modeli i distribucionit Gausian është bazuar, që ndryshe edhe njihet si distribucioni Normal, dhe në të cilën mbështetet vetë teoria statistikore e probabilitetit, pra një pjesë e mirë e shkencës moderne dhe praktikës së përditshmërisë, shumica e njerëzve do të duhej të grupoheshin ekonomikisht në të ashtuquajturën klasën e mesme. Ky është modeli matematikor sipas të cilit shumica e të dhënave në natyrë mendohet të grupohen, me shumicë të rasteve 95%, rreth një mesatareje të gjerë dhe me një pakicë të rasteve të skajshme në të dyja anët e kundërta të spektrit. Se pse në kontekstet e sistemeve shoqërore, në domenin e tregjeve të përsosura, ligjet e natyrës nuk reflektojnë, është kryesisht një pyetje që rrallëherë ngrihet. Është një çështje kryesisht e mundësuar nga të bëmat e njeriut. Por, nëse pyetjes i jepet sqarimi, përgjigja jepet në kuadër të një fajësimi ndaj faktorëve tjerë, pa dyshuar asnjëherë në aftësitë dhe qëllimet vetë-organizuese të njeriut.
Forcë stabilizuese?
Titujt në media që kapin drejtime të kundërta si ‘Vdekja e çuditshme e klasës së mesme britanike’, ‘Klasa e mesme e Amerikës: një soj i rrezikuar me zhdukje’, për dallim nga titujt si ‘A do të tronditë klasa e mesme Kinën?’, ose ‘ Ngritja e parezistueshme e klasës së mesme muslimane’, ose ‘Klasa e mesme, tashmë jo më një bazë stabiliteti”, si shpeshherë, tregon një storie të ndryshme për Perëndim dhe Lindje. Pas së gjithash, në rajonet joperëndimore, ndryshe nga përvoja perëndimore, klasa e mesme edhe po shihet si potencial i destabilitetit të vendeve. Edhe pse lulëzimi i klasës së mesme po prognozohet të sjellë disa nga shtetet e BRICS dhe N-11 të kapërcejnë ose të rivalizojnë disa nga shtetet e G-7 në të ardhmen, klasa e mesme në këto vende ende diskutohet si burim potencial i destabilitetit. A do t'u mbeten besnike rregullave të lojës së tregut shtresat e reja të mesme në Kinë, Indi, Meksikë, si dhe disa nga vendet muslimane të N-11 (Turqia, Indonezia, Egjipti, Pakistani, etj)? A do t’i përmbahet pritshmërive të tregut klasa e fuqishme e mesme në bërje e sipër të Kinës, “proletariati-dje”, klasa e mesme sot? A do të arrijnë qeveritë e këtyre vendeve t’u ofrojnë këtyre masave një ombrellë të pranueshme të vizonit politik dhe performansës ekonomike? Kjo po ashtu reflektohet në nevojat dhe motivet e vetaktualizmit të kësaj shtrese të mesme, se ku do të pozicionohen ato, ndërkohë që filozofia e tregut po depërton zemrën e Azisë, Lindjes së Mesme, Afrikës etj., në nivel të konsumimit fizik ose në nivel të dinjitetit dhe lirisë, barazisë, altruizmit, etj. Dhe, ky është një interaksion jo krejt i predikueshëm, duke qenë se pjesa më e madhe e Lindjes sot përbën gjenerata të reja, të cilat janë me mendësi mjaft të ndryshme nga ato të moçmet. Klasa e mesme në Lindje mund të vazhdojë t’i riformulojë prioritetet e saj dhe të kërkojë respekt nga pushteti, sikurse po ndodhë sot në Turqi, Tunizi, Malajzi, Kinë, Tajlandë etj. ajo mund të jetë duke u ndrydhur për vdekje si në Siri, Bahrejn dhe Egjipt ose mund të vazhdojë të lastohet në konsumerizëm si në monarkitë e Gjirit, ku virtualisht pushteti e ka blerë kesh legjitimitetin e tij. Klasa e mesme në Perëndim pat luftuar dhe arritur të drejtat e saj dhe ky sukses ende është mjaft i freskët në memorien e saj. Por, motivet e piramidës së Masllovit nuk janë të radhitura pastër dhe të izoluara hermetikisht në praktikë. Ato të gjitha mund të bashkëveprojnë në mënyrë të të paparamendueshme. Ndonjëherë ngulmimi në të drejtat e vetëshprehjes e liritë politike bëhet shkas i kërcënimit për ekzistencë, për motivet e mbijetesës fizike dhe të sigurisë. Ose, ndonjëherë, thjesht mungesa e vetë ushqimit ditor mund të bëhet shkas i përkushtimit ndaj motiveve më të larta ideale të vetëvendosjes.
Konstrukte ekonomike
Nëse gjithë orvatjet civilizuese moderne, që nga iluminizmi e këndej janë, ndër tjerash, drejt barazisë, si bëhet që sistemi më modern ekonomik po ecë në kahun e kundërt? Shpeshherë, shumë zhurmë mediatike dhe politike bëhet kur konstrukti teorik i barazisë ose lirive individuale kërcënohet ose cenohet diku, posaçërisht nëse është fjala për disa nga ato vendet e sipërpërmendura nga N-11, të cilat po pësojnë një fazë transformuese shoqërore, mirëpo shumë heshtje ofrohet kur oportunitetet e barabarta për jetë, shkelen praktikisht në Perëndim apo kudo qoftë tjetër. Teoritikisht është pritur që klasa e ardhshme e mesme t’i integrojë vendet e botës së tretë paqësisht dhe pozitivisht në ekonominë globale, duke siguruar edhe kushte më demokratike për vetë këto vende. Kjo ende nuk ndodhi, edhe pse thuhet se në Azi pabarazia ndërmjet shteteve është më e theksuar sesa pabarazia ndërmjet shtresave shoqërore në të njëjtin vend. Pra, theksimi pabarazisë sociale brendavendore, si karakteristikë e ekonomisë së tregut, është një realitet në zhvillim e sipër. Përveç kësaj, vetë konceptet e lirisë, barazisë, altruizmit etj., po ridefinohen në logjikën neoliberale, ku liria nënkupton kryesisht lirinë e blerjes dhe shitjes me çmim të caktuar, për aq sa nuk i cenon të drejtat e tjetrit. Liria bëhet një konstrukt ekonomik, barazia bëhet paanësi në fuqinë shpenzuese dhe identiteti vetë-shprehës bëhet funksion i markave. Sikur të mos mjaftonin këto, në Lindje, si çdo gjë tjetër, edhe koncepti i klasës së mesme, edhe motivet e Masllovit e të tjera koncepte të përmendura më parë, është e mundur t'u shtohet edhe një dimension mistik. Kushedi, ndoshta vetëm ky dimension mistik mund edhe të shpjegojë se pse një konstrukt objektiv ekonomik, si klasa e mesme, nga një forcë stabilizuese në një rajon, projektohet si forcë destabilizuese në rajonin tjetër!