Gulagu i Zajeçarit & 2557 ditë burg nën dhunën serbe

Burgu i Dubravës para boshatisjes

 

Pranvera e vitit 1988 paralajmëronte ndryshime të mëdha politike në Jugosllavinë e cunguar, por edhe në jetën tonë prej të burgosurish. Flitej e përflitej. Shushuritej se Burgu i Dubravës do të boshatiset, kurse të burgosurit do të transferohen nëpër burgje të ndryshme të Jugosllavisë.

Disa flisnin se kjo nuk do të ndodh. Mendimin se nuk do të ndodh transferimi i të burgosurve e konfirmoi edhe Ministri i Drejtësisë së Serbisë së asaj kohe në lajmet televizive. Ai e vizitoi Burgun e Dubravës dhe në një paraqitje televizive në mbrëmje të po asaj dite kumtoi se Burgu në Dubravë ka siguri të mjaftueshme dhe do të vazhdojë të jetë i populluar sikurse deri atëherë. Ai tha se nuk ka nevojë për transferim të burgosurish, sepse shteti serb është mjaft i fuqishëm që të mos druajë nga sulmet eventuale të “terroristëve” shqiptarë.

As gardianët e burgut, që bliheshin me një pako cigare, nuk dinin gjë. Edhe ata i përflisnin thashethemet e dëgjuara. Madje, njëri prej tyre i tha kolegut të tij gardian: Nëse ikin të burgosurit nga Dubrava, duhet ta lëmë duhanin. Këtë e tha për arsye sepse gardianët e burgut nuk blinin duhan, por atë e merrnin në forma të ndryshme si mito nga të burgosurit. Rrogat ishin të vogla dhe vetëm në këtë mënyrë mund ta pinin duhanin ata dhe familjarët e tyre.

Jeta në burg në pamjen e jashtme zhvillohej normalisht. Mirëpo, a ishte njëmend gjendja normale?!? Zemra më thoshte se do të ndodhin gjera të rënda për ne, për familjet tona dhe për tërë Kosovën. Një shenjë se do të ndodhin gjera të paparashikueshme por të zymta ishte edhe fakti se në këtë kohë burgun e vizitoi një grup paramilitar serb, të tërët të tatuazhuar. Ata në praninë tonë, drejtorisë së burgut i dhanë disa orë kohë që të gjithë të burgosurit nga tipi gjysmë i mbyllur, të vendosur në pavijonin jashtë mureve të larta, të transferohen në tipin e mbyllur dhe në pavijonet e tjera, sepse këtij grupi paramilitar i nevojitej objekti i tipit gjysmë të mbyllur i Burgut të Dubravës. Në objektin e të burgosurve u vendosën paramilitarë kurse shtegun e gjerë të asfaltuar për nevoja pune të burgut e shndërruan në shteg aeroplanësh luftarak. Arritën pesë aeroplanë, që të gjithë të tipit të vjetër. I kam harruar shenjat e tyre, por disa sigla që i posedonin të shkruara në trup të aeroplanit dhe vetë lloji tregonin se aeroplanët ishin prodhim i vjetër. Paramilitarët e okupuan edhe zonën industriale të burgut, që ishte një hapësirë me sipërfaqe disa hektarësh, me katër helikopterë policorë, në pamje të rinj, kurse njëri prej tyre më dukej se ishte helikopter policor. Këta helikopterë ngarkoheshin me municionin përkatës kryesisht nga tetë të burgosur serbë e malazezë dhe gjatë ditës bombardonin nëpër vende të ndryshme të Kosovës. Nga kati i dytë i pavijonit “B” mund ta shihnim horizontin disa dhjetëra kilometrash larg neve, respektivisht mund të shihnim zjarret dhe tymnajat në horizontin nga Peja e deri në Deçan e Klinë. Pas bombardimit, këta helikopterë dhe aeroplanë ktheheshin në bazë, armatoseshin nga të burgosurit serbo-malazezë dhe prisnin urdhrin e ri për sulm në ndonjë fshat apo qytet. Disa herë një i burgosur malazez (sipas gjasës e kishte një vijë familjare shqiptare), vinte dhe më njoftonte se si sot kanë ngarkuar kaq e kaq helikopterë dhe këtë e këtë lloj municioni. I besoja sepse shumë gjera i shihja edhe vetë, por nuk mund ta kuptoja qëllimin e djaloshit malazez përse më rrëfen mua për këtë ndodhi. E bënë këtë për qëllime humane, për qëllime naive të tij që të dëshmohet se di diçka apo për të më provokuar, në mënyrë që të bëhem pre e ndonjë plani sekret të tyre. Për këtë arsye, e dëgjoja me kujdes rrëfimin e tij, por nuk tregoja ndonjë interesim të hapur për këtë rrëfim.

Intensifikimi i luftës në Kosovë ishte shenjë plotësuese se fati i Burgut të Dubravës ishte as në qiell as në tokë, varej më shumë nga zhvillimi i luftës në terren se sa nga pacenueshmëria e institucionit të burgut.

 

***

 

Nga Dubrava në ‘askund’!

 

Në një mëngjes të hershëm, diku me agun e parë të ditës së 21 qershor 1998, u zgjova herët për të marrë abdest për sabahun e asaj dite. Me hapje të derës, dëgjova një britmë të madhe në gjuhën serbe. Fillimisht mendova se dikush paska tentuar ikje, ndaj hyra brenda në dhomë duke pritur ndonjë urdhëresë të re. Pas 2-3 minutash, dëgjova rrapëllimën e shumë këmbëve. Dilema ime se ç’po ndodh rritej, por kjo dilemë nuk zgjati shumë. Pasoi urdhri: për pesë minuta të gjithë jashtë. Vetëm gjerat e domosdoshme në duar. Asgjë tjetër. E kuptova. Vesha rrobat e burgut me shpejtësi, mora në dorë sexhaden dhe kutinë me medikamentet më të domosdoshme, të cilat për shkak të gjendjes së keqësuar shëndetësore i ruaja në skaj të jastëkut.

U rreshtuam të gjithë në korridor. Pas numërimit dhe identifikimit emër për emër, filluam të zbrisnim shkallëve. Në dalje prej ndërtesës, gardianët na vendosën kllapat. Gardiani që më prangosi mua ishte një kriminel nga lufta e Bosnjës. Më shtrëngoi shumë. I tërhoqa vërejtjen që ta lirojë për një hallkë kllapën në dorën e majtë, por ai nuk pranoi. Madje më shikoi me ironi, sikur i bëhej qejfi që iu ankova. Tipare të një sadisti. Nga aty, na dërguan jashtë mureve kryesore të burgut dhe na vendosën në disa autobusë. Brenda na lidhën me zinxhirë nga karriget e para e deri në fund. Na lidhën me një zinxhir nga i pari deri në fund në anën e majtë dhe me një tjetër në anën e djathtë. Filloi udhëtimi drejt të panjohurës. Në autobus kishte disa gardianë dhe policë të armatosur. Çdo pyetje apo lëvizje “e tepërt” ndëshkohej me goditje kondaku pistolete. Nuk dinim ku po shkonim dhe ku do të vendoseshim. Udhëtim i gjatë dhe pa pushim. Filluan edhe problemet më serioze me nevojat fiziologjike, sepse të burgosurve nuk u qe dhënë rasti ta vizitojnë tualetin në mëngjes. Nga gjumi drejt në kllapa dhe zinxhirë në autobusë. Dhjetëra orë.

Një ndodhi duhet të theksohet. Duke udhëtuar me autobus, arritëm në një qytet. Policët që na përcillnin, duke parë se hymë në qytet u ulën, së paku shtireshin se janë të qetë. Ndaj, e shfrytëzova rastin të shoh ku gjendemi. E njoha Jeni (Novi) Pazarin, disa rrugë të tij. Meqë policët nuk na vështronin si më parë, me shenjën që i dhashë disa të burgosurve, u ngritëm një çikëz nga karriga (sepse vetëm njëri nuk mund të ngrehej për shkak të zinxhirit të përbashkët që na kishin lidhur), dhe u treguam qytetarëve se autobusi nuk bartte pasagjerë të rregullt por robër lufte shqiptarë nga Kosova. Ky veprim i yni kishte bërë jehonë. Populli muslimanë boshnjakë e kishte hetuar se jemi shqiptarë, madje kishte shkruar edhe shtypi lokalë i tyre. Këtë e morëm vesh pas shumë kohësh, kur dy familje gjakovare kishin mësyrë t’i vizitonin të dashurit e tyre në Burgun e Zajeçarit. Duke shfrytëzuar një moskujdes të gardianit, ata u kishin rrëfyer për ndodhinë në Novi Pazar. Disi e ndjeva veten të lumtur, që veprimi ynë në qytetin e Novi Pazarit megjithatë kishte dhënë sinjal se shqiptarët trajtoheshin si një thesë me patate që barten nga tregu në treg, nga shporta në shport deri në gatimin përfundimtar.

Sipas vlerësimit të lirë, ndalja e parë ndodhi në brendi të Burgut të Nishit. Këtë e kuptuam nga tabela me mbishkrim. Kërkuam leje për tualet dhe pas shumë pyetje-përgjigjesh, na lejuan nga disa minuta.

Pas një pritjeje të gjatë (nuk e dinim pse), në orët e vona të pasdites, na hipën në një autobusë tjetër. Ishim 17-18 të burgosur nga Dubrava. Të tjerët qenë nisur nëpër burgje të tjera: Pozharevac, Smederevë, Sremska Mitrovicë, Prokuplje, Vranjë e burgje të tjera. Në autobusin tonë kishte 4-5 gardianë me pushkë automatike, shumë vigjilentë, kërcënues. Njëri nga ata na pyeti se a e dinim ku po shkonim. Dikush u përgjigj se nuk e dinim. Gardiani tha se po shkonim në Burgun e Zajeçarit. E dini ku është ky vend – na pyeti. Ndonëse kisha njohuri elementare për këtë qytet, nuk fola. Asnjë nga të pranishmit shqiptarë nuk kishte qenë kurrë më herët në këtë qytet.

Udhëtuam 2-3 orë, ndoshta edhe 4-5 orë. Në orët e vona të mbrëmjes, ndoshta afër mesnatës arritëm në Burgun e Zajeçarit. Së paku pandehnim se shkonim atje. Fjala e gardianit mund të ishte vetëm një shaka e ëmbël. Autobusi hyri brenda ambientit të burgut, sigurisht për shkaqe sigurie. Pas zbarkimit nga autobusi, zyrtarët e burgut filluam identifikimin tonë. Komandanti i burgut dhe një gardian i merrnin shënimet e përgjithshme të secilit të burgosur. Na sistemuan në tri dhoma. Pas një udhëtimi prej rreth 20 orësh ndiheshim të rraskapitur. Rrëfim i posaçëm qenë kllapat dhe zinxhirët me të cilët ishim të lidhur. Nuk kishim ngrënë asgjë mbi 30 orë. Ishim të brengosur për veten, për të ardhmen tonë, por edhe për familjet, për të cilat me muaj të tërë nuk dinim gjë.

Në kërkesën tonë se jemi të uritur, na sollën nga një fetë bukë me marmelatë.

 

 

Si e gjeta kiblen?

 

Edhe pse barku më ishte bërë petull nga uria nuk hëngra gjë. Shikoja ambientin e dhomës dhe mendoja, para së gjithash, në ç’drejtim është kiblja. Vallë nga do të drejtohesha! Pas një dileme në kokën time, vendosa të falem në drejtimin e caktuar ashtu si më foli intuita. Nuk kisha gabuar. Dy-tre muaj më vonë, një gardian (vlleh), emri i të cilit tash nuk më kujtohet, i cili i kishte përcjellë veprimet e mia nëpërmjet vrimës së derës, më pyeti se ç’bëj ashtu, a mos është ky ndonjë ritual?! Po, iu përgjigja. Është lutje te muslimanët. Më pyeti sërish: Përse lutesh në atë ngushtësi, kur këndej ke më tepër hapësirë. Iu përgjigja se muslimanët luten në drejtim të qytetit të shenjtë, drejt Mekës në Arabi. Ai më shtroi edhe pyetjen vijuese: Si e di ti ku gjendet Mekja, kur nuk ke parë ende dritë natyrore, kur nuk ke dalë jashtë objektit të burgut, nuk ke as kompas as hartë? Nuk e di, iu përgjigja, është çështje intuite; Mekja është afërsisht 25 shkallë në juglindje të Jugosllavisë.

Ai më ndihmoi duke e identifikuar veriun dhe pastaj u orientova drejt. Nuk kisha gabuar shumë, ndoshta pak. E çmova interesimin e tij dhe ndihmën që e ofroi.

 

***

 

Por, vetëm kur u bëra gati të marr abdest u ballafaqova me problemin vijues. Si t’i fërkoj krahët kur të dy bylyzykët e duarve kullonin gjak, sidomos bylyzyku i majtë, si pasojë e shtrëngimit të kllapave nga gardiani në Burgun Dubrava. Lëkura për shkak të shtrëngimit ishte prerë. Tmerr! Dhembje të papërshkrueshme. Ndonëse eprorët i kishin vërejtur këto varrë të hapura që gjakojnë, nuk më ofruan ndihmë. Por, duke e mbledhur veten, duke i shtrënguar dhëmbët, e kalova disi ujin mbi varrën e hapur.

Nuk kishim me se të fshiheshim. Çdo gjë kishte mbetur në Burgun e Dubravës. Nuk kishim as rroba, as furçë për pastrimin e dhëmbëve, as sapun e shampon, as çorape as ndërresa të brendshme. Çdo gjë kishte mbetur në Kosovë. Pas dy–tre ditësh na lejuan t’ua shkruajmë nga një letër familjeve. I shkruam vetëm fjalët më të domosdoshme: dy palë çorape, dy majica, dy peshqirë, dy këmisha, dy .... të gjitha këto mund të peshonin deri në katër kilogram. Çdo peshë më e madhe do të kthehet, hedhet ... kjo ishte porosia e burgut.

Nuk vonoi shumë. Pas 2 javësh afërsisht, pakot filluan të arrijnë. Ende punonte posta me Kosovën. Me arritjen e pakove u lehtësua gjendja. Arritën edhe paratë e para në kantinën e burgut. Mund të blinim ndonjë gjësend: pastë dhe furçë dhëmbësh, sapunë etj. Kjo ishte shenjë se edhe dikush nga familjarët është gjallë. Megjithatë mirë!

Filloi stabilizimi ynë në burgun e ri dhe një qetësi relative brenda burgut. Gardianët silleshin në mënyrë shumë rigoroze, zakonisht dy gardianë, medoemos njëri me pushkë automatike. Nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 22 të natës kishim të drejtë të ulemi në një karrige prej dërrase me tavolinë para. Nëpër krevat nuk kishim të drejtë të pushojmë. Çdo shtrirje jashtë orarit ndëshkohej rëndë. Kjo periudhë e qetësisë relative nuk zgjati shumë. Zyrtarët e Burgut, duke vërejtur se gjendja midis nesh ishte e qetë, filloi të përdorë metodat e vjetra. Filloi joshjen e disa të burgosurve me privilegje të caktuara, për shërbime të caktuara. Çdo privilegj kishte çmimin e vet. Këtu filluan konfliktet e para mes nesh, konflikte këto që do të përkeqësohen deri në rrahje.... Kjo gjendje do të zgjasë deri në fund. Dy shqiptarë, njëri nga Prizreni e tjetri nga Drenica, morën shpërblim nga disa ditë të lëshohen më herët, por shokëve të tyre, në dëm të të cilëve spiunuan, një ditë burg ua bënë sa 100 vjet.

 

 

 

Bombardimet e NATO-s

 

Gjendja në burg filloi të përkeqësohej edhe më sidomos pas 24 mars 1999, kur NATO-ja e filloi bombardimin mbi caqet ushtarake dhe ekonomike serbe. Ajo gjendje që deri atëherë ishte e rëndë u shndërrua në ferr të vërtetë.

Radioja shtetërore serbe nëpërmjet altoparlantit zyrtar jepte lajmet. Me padurim i prisnim lajmet, sepse trupin e kishim në Serbi por shpirti ynë fluturonte tërë kohën mbi Kosovë. Ç’po ngjet me Kosovën tonë?.

Befas u ndërpre programi i radios që e dëgjonim nëpërmjet altoparlantëve qendrorë, të vendosur në të gjitha dhomat e burgut. Ishte rreth 20.24 minuta. Filluan lajmet e jashtëzakonshme në Radio Jugosllavi. Spikeri kujdestar njoftoi se sot, më 24 mars 1999, filluan bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi. Ndonëse kishte shumë kohë që e prisja një lajm të tillë, megjithatë ky lajm në rrethanat e asaj kohe më shqetësoj. Paralajmërimet për një bombardim të mundshëm që i bëheshin Serbisë dhe që disi nuk më besoheshin, sepse shpresoja dhe mendoja se politika fluturuese ndërkombëtare në minutën fundit do ta eliminojë luftën, u bënë realitet. Duke menduar kështu, megjithatë mblodha veten dhe shokëve të dhomës ua tërhoqa vërejtjen që të jenë të kujdesshëm se tash mund të fillojë dhuna e gardianëve ndaj neve. Pa e përfunduar fjalën, ndoshta dy-tre minuta nuk kaluan, ndodhi ajo që e parandjeva. Një goditje e rëndë ndodhi në derën e dhomës sonë. U dëgjuan edhe disa të shara. Ishim tre dhoma me shqiptarë në fund të korridorit, të veçuara nga të burgosurit serb. Tmerr! Qëndronim kokë ulur dhe në pritje të veprimit vijues. Gardianët serbë të nervozuar nga sulmi i NATO-s, godisnin dyert dhe shaheshin me fjalët më të fëlliqura, që s’mund t’i dëgjosh nga ndonjë popull tjetër.

Filloi dhunë e paparë. Filluan ofendimet dhe dhuna fizike. Nga dita e nesërme filloi zvogëlimi i ushqimit, nga tre herë ushqim të dobët tash kishim dy herë ushqim edhe më të dobët. Çka tepronte nga mëngjesi i serbëve servirej për ne rreth orës dhjetë. Çka tepronte nga dreka e tyre servirej për ne në ora katër pasdite.

 

 

 

Ke bërë ushtri të na vrasësh,kurse tash kërkon bukë!?

 

Gjendesha në gjendje të vështirë. Çdo ushqim përgatitej me yndyrë derri. Servohej makarona, përsheshi, njëfarë buçkurishi e ushqime të tjera me yndyrë derri. Bukë nuk na jepnin, sepse nuk shkonte buka me makarona, me buçkurish apo me përshesh. Në kërkesën time që në vend të gjellës ta marrë një fetë bukë, përgjigja e tyre ishte negative. Më ndodhte që edhe dy ditë të mos shijoj kurrfarë buke, sepse gjellat me yndyrë derri servoheshin pa bukë. Gjendja shëndetësore ishte e rëndë. Shëndeti çdo ditë e më tepër më rëndohej. Pata arritur në minimumin e peshës trupore. Edhe të tjerët ishin në gjendje të keqe, por megjithatë e kishin më lehtë se unë, meqë ushqeheshin me çdo gjë që u servohej. Kërkesat e shumta që të na jepej më shumë bukë refuzohej me arsyetim se kjo që na jepej ishte sipas rendit shtëpiak. Jozyrtarisht nga zyrtarët më është thënë:

Ç’kërkon ti? Ke bërë ushtri të na vrasësh kurse tash kërkon bukë? Iu përgjigja: Unë nuk kam formuar ushtri për Serbi por për Kosovë, për pragun e shtëpisë sime. Nuk kam formuar ushtri për të vrarë serbë, por luftëtarë në fushëbetejë. Tash jam i burgosur i juaji, sipas ligjeve tuaja dhe duhet ta siguroni vendosjen, ushqimin, mjekimin etj. Por, si përgjigje shumë herë e mora kamxhikun, ofendimet, zhantazhet, frikësimet.

Por, keqësimi edhe më i madh ndodhi nga qershori i vitit 1999, kur nga Kosova në Burgun e Zajeçarit arritën rreth 160 të burgosur. Këta ishin refugjatë të cilët policia serbe i kishte mbledhur rrugëve të Kosovës si mall për kusuritje por edhe si garantim për ekzistencën e tyre në rast të një intervenimi tokësor nga jashtë në Serbi. Një pasdite kishte disa lëvizje ndryshe. Hapeshin e mbylleshin dyert më shpesh se zakonisht. Intuita e të burgosurit hetonte se diç e jashtëzakonshme do të ndodh. Këtë ndjenjë nuk e ka civili. U hap edhe dera jonë. Në dhomën tonë i vendosën edhe disa sfungjerë për fjetje. U kuptua sekreti. Do të kemi mysafirë nga Kosova. Kjo ishte bindja jonë, sepse kishim lexuar se Serbia po i tërheq të burgosurit nga Kosova.

 

***

 

Ishte mesnatë e thellë. Ndoshta na kishte kapluar gjumi i parë. Në largësi, ndoshta në fund të korridorit, atje te dera e hyrjes, dëgjoheshin britma të mëdha, dëgjoheshin goditje, rrahje, klithje tmerruese, të qara, rënkime. Zërat nga atje gjithnjë e më shumë diferencoheshin, bëheshin më të kapshëm. Ishte e qartë se filloi edhe një natë e tmerrshme për shqiptarët në Burgun e Zajeçarit. Pasuan hapjet e dyerve dhe ardhjet më të reja. Pas dy-tre orësh, nga 6 të burgosur sa ishim në një dhomë, afërsisht me 20 m2, u bëmë rreth 25 vetë. Të burgosurit e rinj ishin njerëz të mbledhur rrugëve të Kosovës, të rrahur, të lodhur, të papastruar me javë të tëra, që kundërmonin në pafund.

Mëngjesi i ardhshëm ishte jetë e re. Deri sa të burgosurit serbë ushqeheshin tri herë në ditë, ne vetëm dy herë. Sasia e ushqimit ishte në minimum. Thuajse nuk ishim brenda një shteti, brenda një kushtetute, brenda një burgu; thuajse nuk ishim njerëz të së njëjtit planet! Gulag i vërtetë, Holokaust në mënyrën serbe, por pa shfarosje të shpejta.

Rrobat edhe ashtu deficitare që i kishim, filluam t’i ndajmë me të burgosurit e tjerë shqiptarë. Një shqiptar rrëfente ngjarjen e tij, vuajtjet e tij. E kishin ndarë nga kolona e të burgosurve, nga fëmijët... Njëri thotë: vajzës sime të vogël, vetëm pesë vjeçe, polici ia mori vathët nga veshi. Leri vathët, le t’i hajë dreqi, por edhe ia shqeu veshin vajzës. Çfarë klithje e vajzës. Më larguan në drejtim të panjohur. Nuk e di a është gjallë më, nuk e di a janë gjallë të tjerët. Mua më ndanë nga familja dhe më futën në kamion. Ky njeri i ri ishte nga rrethi i Istogut. Tjetri rrëfen ngjarjen e tij trishtuese. Secili rrëfim më rrëqethës se tjetri.

 

***

 

Familja në Prizren bëri çka mundi në atë situatë rrëqethëse. Komunikuam me Prizrenin një kohë nëpërmjet letrave dhe dy-tri pakove me gjësende elementare, por lidhjet u ndalën për shkak të intensifikimit të luftës në Kosovë. Serbia kishte vendosur që njëherë e përgjithmonë ta pastrojë Kosovën nga shqiptarët.

Por, deri sa lidhjet u ndërprenë me Prizrenin, të dashurit tonë gjetën rrugë të tjera. Nga Zvicra depërtuan lajmet e para: të shkurtra por shumë të dobishme. Atje jetonte vëllai me familjen e tij. Tashmë një kohë të shkurtër atje kishte shkuar dhe ishte vendosur te vëllai i saj edhe bashkëshortja ime me dy fëmijët. Me ndihmën e të vëllait të saj, bashkëshortja me fëmijë kishte arritur dhe ishte vendosur në Zvicër, në apartamentin e të vëllait të saj, me status refugjati. Krahas lajmeve shumë të nevojshme për gjendjen e tyre, ata kishin dërguar edhe ca franga e marka gjermane, gjithashtu, shumë të nevojshme për mua. Arritën edhe ca rroba shumë, shumë, shumë të nevojshme... por dhjetëra letra dhe fotografi të dërguara nga Zvicra drejtoria e burgut nuk m’i kishte dorëzuar fare. Këtë e kuptova kur sërish u bashkova me familjen.

Lidhje tjetër ishte edhe Shkupi. Zotëri Adnani, drejtori i Logos-A, i sinjalizuar nga Zvicra se më mungojnë medikamentet, më kishte nisur disa lloj medikamentesh medicinale shumë të nevojshme në sasi të konsiderueshme dhe një shumë dinarësh. Kjo ndihmë ishte infuzion me rëndësi për t’i përballuar vështirësitë shëndetësore dhe materiale në burg.

 

 

 

“Ç’mendon ti, nuk është burgu babamalli yt”!

 

Meqenëse në këtë burg i kalova 18 muaj pa pesë ditë, është interesant të përshkruhet biseda me mjekun e burgut në Zajeçar. Qysh nga Burgu i Dubravës isha shëndetlig. Kartelën e mjekut të Dubravës e kishte pranuar edhe ky mjek. Mirëpo, kur kërkova ndihmën e tij, meqenëse kisha nevojë urgjente, ai m’u përgjigj: “Çka mendon ti, nuk është burgu babamalli yt”! (Sta mislis, nije ti to babovina!).

Edhe në disa raste të tjera, Burgu nuk ofroi mjekim, kurse gardiani që na përcillte nga qelia te dhoma e mjekut, më dha përgjigjen që nuk e shprehi mjeku: “Ti kërkon nga ne të të japim ilaçe, kurse ti ke formuar ushtri të na vrasësh. Shporru atje në birucë”!

 

 

 

“Ti e dëshiron kufirin deri te Molla Kuqe apo jo”?

 

Gjendja brenda burgut nga dita në ditë ishte gjithnjë e më e rëndë. Lufta në Kosovë përfundoi, por lufta në burg vazhdoi. Aty ende frymonte aromë lufte. Masat e sigurisë, rreptësia e gardianëve, trajtimi i përgjithshëm, ushqimi i pamjaftueshëm etj., jepnin shenjën e një kazamati mesjete. Letra nga familjet thuajse nuk kishte asnjë. Në dy-tre muaj na sillte ndonjë lajm te vyshkur e të venitur Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Fjala vjen, KKN raporton: Ekipi ynë e ka vizituar familjen tënde dhe ata janë mirë. Mirëpo ky lajm ishte i vjetruar për 1-2 muaj. Në Kosovë lajmi vjetrohej për një orë e lere dy-tre muaj. Për shkak të humbjes së politikës serbe, gjendja ishte e acaruar brenda mureve. Për më tepër që të gjithë gardianët kanë kaluar nga disa muaj në Kosovë, në vijën e luftës. Kishte edhe gardianë më matur, që e kuptonin situatën tonë dhe silleshin brenda një normaleje, nëse në burg ka diç normale.

            Është interesant për t’u theksuar roli i edukatorit të burgut, Zoran Timotijeviq, ish-komandant i këtij burgu. Ishte njeri i informuar mirë për gjendjen në Kosovë, madje kishte qenë në Kosovë, sigurisht me rol të agjentit sekret. Me një rast më pyeti: Pse je përzier ti në këtë punë, a nuk është hoxha për punë shpirtërore?” dhe pa pritur përgjigjen time, sërish më pyeti: “Ti e dëshiron kufirin deri te Molla Kuqe apo jo”!, duke asocuar në vendbanimin afër qytetit Prokuplje që quhet me këtë emër, që tregon se ky toponim është shqiptar. Atëherë iu përgjigja se unë nuk e dua deri te Molla Kuqe. Po çka dëshiron, më tha, ti je kundër Ibrahim Rugovës? Përgjigjja ime ishte se nuk pajtohem me Ibrahim Rugovën, sepse unë jam zëri i popullit kurse ai është zëri i partisë. Vazhdova t’i them: I nderuar, ne shqiptarët po rritemi si popull, kurse ju po zvogëloheni. Ne po lindim fëmijë, kurse ju kultivoni qenë e mace në vend të fëmijëve. Kështu thonë demografët tuaj. Ndaj vënia e kufirit te Molla Kuqe do të thoshte tkurrje të territoreve shqiptare. Unë jam për obcionin që të mbesim bashkë dhe për 20-30 vitet e ardhshme ju do të jeni pakicë kombëtare në Serbi. Edukatori u befasua nga përgjigjja kurse gardiani i pranishëm e nxori kamxhikun 80 cm, por edukatori nuk lejoi rrahjen time me këtë rast. Përgjigjja ime ishte provokative dhe aludoja në faktin historik se ato territore para 100 vjetësh ishin shqiptare. Me këtë përgjigje dëshirova ta provokoj kujtesën e tyre se ata janë okupatorë jo vetëm në Kosovën e përgjakur sot, por serbët janë okupatorë edhe në vendin Molla Kuqe, edhe në Nish, edhe në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë.

Është interesant edhe kuvendimi vijues me edukatorin Z. Timotijeviq. Si çdo herë ai i pari e provokonte bisedën me pohimin se “ti je hoxhë terrorist”. Me një rast iu përgjigja: Po!, në sytë e gjykatës serbe dhe të serbëve unë jam terrorist, por në sytë e popullit tim dhe të fesë sime, unë jam njeri që kam bërë përpjekje ta mbroj fenë time dhe pragun e shtëpisë sime pa e dëmtuar askënd. Nuk kam shkuar nga Prizreni, nga Kosova në Kraljevë apo Çaçak të vendosi bomba dhe të vrasë njerëz të rastit. Jam qytetar normal që kam për obligim të mbrohem nga formacionet paraushtarake të Arkanit e Kapiten Draganit, të bandave të Sheshelit dhe të vetë ushtrisë e policisë serbe, që djegin fshatra e qytete në emër të slloganit “Kosova është zemra jonë”, “Kosova është shpirti ynë”. Armata jugosllave po i armatos serbët e lagjes sime, ndërsa mua, më dëbon nga puna, nga shkolla, më arreston nëse i them jo ... edukatorit ia numërova një varg gjerash. Madje i thashë: Mua si shqiptar dhe si musliman nuk më mbron ligji juaj, ndaj jam organizuar me një grup bashkëmendimtarësh që të mbrohemi, që t’i ndihmojnë më të afërmit tanë në rast nevoje. Por, si do ta komentoni këtë që vijon: përkundër faktit se ju, Serbia, keni shtet me ushtri të rregullt dhe me ushtri rezervë, me polici të rregullt dhe me polici rezervë, individët tuaj ta marrin ligjin në dorë dhe të posedojnë armatim të rëndë? Nëse vullnetarët muslimanë që i ndihmojnë shqiptarët dhe joserbët në Kosovë i quani muxhahidinë, terroristë, fundamentalistë, si do t’i quani mercenarët e huaj që kanë ardhur të luftojnë në Kosovë për ortodoksinë serbe, kurse ju i keni të gjitha strukturat e rregullta dhe jo të rregullta për mbrojtje? Për ju ata janë patriotë, heronjë, atletë të Krishtit, ndërsa çdo përpjekje timen për mbrojtje e kualifikoni si terrorizëm e xhihadizëm në kontekstin pezhorativ. Në fund të fundit, le të jetë ashtu. Nuk më pengon ky emërtim kur këtë ma thotë politika juaj agresore. Pa një pa dy, i pakënaqur me përgjigjen e dhënë, edukatori u largua duke e mbyllur derën me përplasje, pa kontroll. Edhe këtë herë shpëtova pa u ndëshkuar rëndë për shkak të këtij dialogu të tensionuar.

Nuk hezitoja të flasë, nuk kisha përse t’i fsheh bindjet. Kjo ishte e qartë! Në fund të fundit, edhe ashtu do të rrehesha më herët apo më vonë... kamxhiku është pjesë përbërëse e jetës së të burgosurit shqiptar musliman. Në këtë kohë mjaftonte të jesh nga Kosova që të jesh i urrejtur.

Edhe në raste të tjera ky edukator dëshironte të zhvillonte biseda të nxehta. Pas një rafali etiketash nga ana e tij dhe disa përgjigjeve nga ana ime, shtova edhe këtë. Shqiptarët në Kosovë tash 80 e sipër vite jetojnë nën serbët. Ju sundoni, ju dominoni, ju përfitoni. Nga serbët nuk do të gjeni punëtorë krahu, pastrues etj. Këto punë të rënda dhe të ndyta i kryenin shqiptarët dhe romët. Por, si do ta komentoni faktin se ndonëse serbët në Kosovë janë pakicë dhe jetojnë me shumicën shqiptare, nuk e njohin gjuhën shqipe. Si e komentoni faktin se shqiptarët deri në vitet e fundit përbëjnë fuqinë punëtore të krahut pa përjashtim. Mendoni se ne shqiptarët nuk dimë të mendojmë, nuk e dimë rëndësinë e shkollës? E keni gabim. Pikërisht, ky është fakti që e ka prishur ekuilibrin e mirëkuptimit mes popujve. Mos e harroni se kultura jonë muslimane shqiptare e njeh banjon publike qysh në shekullin XV-XVI, kurse ju banjon e parë publike serbe e keni pikërisht në Zajeçar në vitin 1928? A nuk fletë ky fakt se ju vonoheni për katër shekuj krahasuar me muslimanët shqiptarë!!

Edukatori mbeti pa tekst, sepse as që e dinte se banjoja e parë publike serbe ishte hapur në qytetin e tyre para shtatë dekadave. Nuk bëri komente të tjera, pos pyetjes se ku e di ti këtë! Iu përgjigja se shqiptarët e njohin Serbinë, madje edhe hollësitë e historisë dhe kulturës suaj, kurse ju nuk e njihni Kosovën dhe popujt e saj, ndaj edhe do ta humbni përgjithmonë.

 

 

 

Shantazhat çoroditëse

 

            Deri sa edukatori, gjoja, fleksibël fliste kështu, komandanti i burgut, njëfarë Zorani, kishte qëndrim tejet gjakpirës si në shikim e bisedë ashtu edhe në veprim. Në vërejtjen time se më humbin paratë, dinarët nga kantina e burgut, ku kisha një sasi dinarësh, kurse të cilat menaxhoheshin nga njerëzit e drejtorisë, duke i shtruar para tij si prova faturat e tyre, ai dhe një njeri i sigurimit shtetëror të qytetit (bezbednjak) më thanë se unë po shkaktuakam në burg “pakënaqësi të organizuar ndër të burgosurit”. U përgjigja se nuk qëndron një akuzë e tillë ndaj meje, sepse unë me muaj të tërë nuk kam dal nga ambienti i dhomës sime, se dera e dhomës hapet në prani të më së paku dy gardianëve me pushkë automatike në dorë, se nuk kam kontakt me askënd, se letra nuk pranoj por edhe nëse do të vinte ndonjë, ato së pari lexohen nga autoriteti i burgut... pra, si mund të shkaktoj pakënaqësi të organizuar në mesin e të burgosurve kur unë jam i izoluar nga të burgosurit e tjerë.

            Më qortuan se unë duhet ta dijë se kjo, pakënaqësia e organizuar, është vepër e rëndë që mund të ndëshkohet me burg. Ky veprim ishte shantazh i qartë: nëse vazhdoj të flasë se më vidhën paratë, do të akuzohem për organizim të rebelimit në burg. Nëse flasë do të më montojnë procese. Pra, edhe pse vidhesha qartazi, nuk kisha të drejtë të kërkojë dinarët e mi. Kjo ishte shpata e Demokleut.

            Po ky “bezbednjak” i kishte frikësuar edhe disa të burgosur të tjerë nga Hajvalia, që gjendeshin në dhomën time. Ata shpresonin të lëshoheshin nga janari 2000, por frika u kishte hyr në palcë, sepse autoriteti i Shërbimit Shtetëror i kishte frikësuar se meqenëse juve hoxha ju mban orë fetare dhe politike për UÇK-në, ju mund të mos lëshoheni nga burgu. Po ashtu, familjarët e juaj janë në UÇK dhe pasi ata nuk mund t’i kapim, juve do t’jua vazhdojmë burgun. U përpoqa t’i qetësojë çunat, u përpoqa t’u jap moral por frika e tyre ishte brenda zemrave të tyre.

            Por, nëse këta dy djelmosha i kishte frikësuar, disa të tjerë drejtoria e burgut i kishte mikluar me premtime. Këtyre u kishin premtuar se do të lëshohen më herët nga burgu, se do t’u mundësojnë të flasin me telefon me familjet e privilegje të tjera. Dhe vërtetë ata flisnin me telefon, ata dilnin jashtë mureve që gjoja të punojnë... por ç’flisnin ata për ne të tjerët. Ata kanë folur se hoxha falet në dhomë dhe se i pengon të burgosurit e tjerë, se e prish qetësinë gjatë natës duke u falur, se hoxha fletë për UÇK-në por edhe për xhihadin islam. Shqiptarë të tillë kemi pasur edhe në jetën jashtë burgut, edhe në Burgun e Dubravës, ndaj Burgu i Zajeçarit nuk mund të bëhej përjashtim.

 

 

 

Ditët e fundit në Serbi dhe kthimi në Kosovë

 

            Kishte arritur dhjetori 1999. Isha në fundin e vitit të shtatë të burgut. Nga një anë mezi prisja të shoh ndryshimet në Kosovë, kthimin e refugjatëve nëpër shtëpi, ndërtimet e reja, formimin e TMK-së etj. Nga ana tjetër, nuk isha krejt i sigurt se do të lëshohesha, sepse gjithnjë më shantazhonin me nenin famëkeq “përgatitje për kryengritje të armatosur” deri me 20 vjet i dënueshëm. Këtë ua kishin thënë edhe të burgosurve shqiptarë në Zajeçar se mos shpresoni te hoxha, sepse ai edhe shumë kohë do të mbetet në burg.

            Megjithatë rrezikun se mund të mbesë në burg edhe më tutje pas skadimit të dënimit, shumë muaj para përfundimit të dënimit, gjatë vizitës së Kryqit Ndërkombëtar pata kërkuar që ata ta organizojnë kthimin tonë në Kosovë, sepse e kemi rrezik të arrijmë deri në Kosovë. Për më tepër që jemi pa mjete materiale, pa dokumentacion personal etj. Nuk premtuan gjë, por unë insistova edhe në dy rastet e tjera. Pse ndodhi ky insistimi im? Ka disa arsye, por më i rëndësishmi ishte biseda ime me edukatorin serb. Zorani më pyeti se si do të kthehem në Kosovë pas përfundimit të burgut. Iu përgjigja se thjesht do t’i hipi autobusit dhe do të shkoj në drejtim të Kosovës. Ai shtoi: A e lexon kronikën e zezë nëpër gazeta? Iu përgjigja: Po! Ai shtoi: A nuk sheh thuajse çdo ditë se si serbi i ri e vret pensionistin serb për dhjetë marka gjermane? I thashë atij: Po, i lexoj shpesh. Shtoi sërish: Pse mendon se ata poshtë (aludonte në Shërbimin Sekret Serb në Zajeçar) nuk do t’i sinjalizojnë bandave të shumta që për dhjetë marka të të vrasin edhe ty? U përpoqa të mbetem i qetë, por këtë qortim të tij e mora seriozisht. Me largim nga dhoma e burgut, ai më tha: Mos vepro si Hoti yt (aludonte në Ukshin Hotin). Për ta mbajtur kokën mbi kraharor nuk mjafton të kesh të drejtë ligjore në letër.

            Këtë brengosjen time ia shpreha në dy raste edhe KKN-së dhe insistova te ata që kthimi ynë në Kosovë të bëhet i organizuar. Madje, KKN-së i jam kërcënuar me grevë urie para derës së burgut nëse nuk do ta organizonin kthimin në Kosovë. Gjatë vizitës së fundit të tyre KKN-ja na premtoi se kërkesa ime është aprovuar dhe se do të bëjnë diç në lidhje me këtë.

Kështu edhe ndodhi. Më 15 dhjetor 1999, pas 7 vjet e një ditë, respektivisht në ditën e 2557, gardiani e hapi derën e dhomës së burgut. Ishte dhoma nr 31, ku qëndrova nga 21 qershor 1998 deri më 15. 12. 1999. Më ftuan t’i marr gjësendet e mia.

U përshëndeta me shokët e dhomës, me Gazmendin e Prizrenit, me dy Bekimët e Hajvalisë dhe të tjerë. Iu dëshirova kthim sa më të shpejtë. Mora ato pak gjësende dhe i kërkova të më kthehen disa qind marka e franga dhe një sasi dinarësh që i kisha të depozituara në drejtori. Po ashtu, kisha 4-5 lloj ilaçesh në sasi së paku edhe për 12 muaj të ardhshëm. Por, për befasinë time, medikamente nuk kishte pos edhe për dy-tre ditë ... Në atë kohë Serbia kishte mungesë të medikamenteve dhe kjo vjedhje sigurisht ia ka lehtësuar buxhetin e ndonjë gardiani. Kishte humbur edhe letërnjoftimi im ndonëse ka qenë më herët.

            Nënshkrova fletëdaljen nga burgu dhe hyra në automjetin e Kryqit të Kyq Ndërkombëtar. Me mua i bashkëngjiten edhe dy të burgosur të tjerë, të ardhur rishtazi, muajve të fundit, që policia serbe i kishte mbledhur rrugëve të Kosovës. Pa vonuar shumë filluam rrugën për Nish. Aty u takuam edhe me disa të burgosur të tjerë shqiptarë; gjithsej ishim shtatë vetë. Por, rruga nuk shkoi lehtë. Në dalje të qytetit Prokuplje policia na ndaloi, na legjitimoi dhe pas shumë llafesh me përfaqësuesit e KKN-së, filluam rrugën për Kosovë. Nuk donin të më lëshonin të kthehem në Kosovë. Sipas tyre kam edhe shumë vepra me të cilat e kam dëmtuar Serbinë, ndaj duhet të ndalem për ta paguar këtë borxh. Madje më treguan edhe për dënimin që duhet ta vuajë vëllai im, Naxhiu. Nuk u përgjigja, më tepër se: unë e kam kryer dënimin tim, kurse vëllanë kur ta kapni, dënojeni. E dija se vëllai është në Zvicër dhe atij nuk kishin ç’t’i bënin.

Nuk ishim larg, edhe rreth 30 km larg kufirit Serbi-Kosovë. Edhe pse automjeti i KKN-së ecte normalisht dhe i afroheshim kufirit, më dukej se po ndodhte e kundërta; natyra ecte e ne qëndronin në vend. Por, pikërisht në dalje të Serbisë, në vijën kufitare, para syve tonë shohim një turmë të madhe policësh serbë. Ndoshta 100 e sipër. Edhe një tmerr, edhe një stres, edhe një luftë nervash deri në delirium. Aty filloi legjitimimi i sërishëm dhe problemet me mua. Donin të më mbanin në Serbi, sepse, sipas tyre, ende nuk e kisha pastruar hesapin me shtetin juridik serb. Pas shumë bisedimeve dhe dëshmimit me dokumentacion të burgut dhe pas lejes së Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, më në fund, ndoshta pas 40 e ca minutash, na lejuan kalimin në anën e Kosovës. Përfaqësuesit e KKN-së qenë këmbëngulës të mos më lenin në duart e policisë serbe.

U gëzova tej mase që më lëshuan, sepse kjo ishte dita e 2557 në duar të policisë dhe gardianëve të regjimit serb. Por, ky gëzim nuk më zgjati shumë. Gëzimi im u venitë, sepse në atë rast mu kujtua Burgu i Zajeçarit dhe dhuna e egër që zhvillohej atje: dhuna psikologjike, dhuna në pakësim të ushqimit, dhuna fizike, dhuna e pafund e shumëllojshme. Mu kujtuan dhe mbi 40 të burgosur shqiptarë në këtë burg, të gjithë me shpresë që një ditë të dalin nga ajo godinë famëkeqe.

Pas daljes në tokën e Kosovës, automjeti u ndal. Disa familjarë kishin dal në vijën kufitare serbe-shqiptare Merdar t’i prisnin të dashurit e tyre. U përshëndetën mes veti aty. Meqë ishin nga Mitrovica apo rrethina nga aty shkuan në shtëpitë e tyre. Edhe ne dolëm jashtë automjeti për t’u çlodhur nga shtangimi i shkaktuar nga udhëtimi disa orësh me automjet dhe nga stresi i shkaktuar nga policia serbe. Pas 2557 ditë isha i lirë të eci lirshëm, pa komandë e pa dhunë. Nuk u ula për ta puthur dheun e Kosovës, sepse nuk dëshiroja të bëj teatër sikur shumë të tjerë, por në vetvete iu luta Zotit: O Allah, bekoje këtë tokë, bekoje këtë popull, lehtësoja dhembjet e luftës dhe falja mëkatet, sepse është popull që nuk di!

Vazhduam për Prishtinë. Tashmë kisha një frikë tjetër, jo a do të më lëshojnë serbët të hyj në Kosovë, por ç’do të shoh në Kosovën time të përgjakur, në Kosovën time të vrarë, por që megjithatë arriti ta mbijetojë shfarosjen kolektive, murtajën e quajtur Serbi, ....

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme