Nesër votohet në Turqi

Turqia moderne  ka kapacitete njerëzore, ekonomike, ushtarake dhe politike. Ajo dëshiron që këtë realitet përfundimisht ta akceptojë edhe bashkësia ndërkombëtare dhe të kuptojë se Turqia nuk është një fuqi rajonale por ndërkombëtare. Ajo mund të shërbejë si një urë moderne ndërmjet civilizimeve për dialog dhe bashkëjetesë.

 

Viteve të fundit Turqia po përjeton një ngritje të ndikimit të saj politik dhe ekonomik në botë falë angazhimit të qeverisë së saj si në planin e brendshëm ashtu edhe në politikën e jashtme. Ky ndikim i potencuar sidomos në Lindjen e Afërt, Ballkan dhe në ish Republikat Sovjetike është identik me atë të Bashkimit Evropian në shtetet e mesdheut, të Rusisë në shetet socialiste, të Kinës dhe Japonisë në Azi e kështu me radhë.

 

Prandaj, është në përgjegjësinë e Turqisë si faktor rajonal se çfarë po ndodh me muslimanët kudo në rajon dhe botë, e sidomos në territoret e ish Perandorisë Osmane kur dihet se një pjesë e asaj kulture është thellë e rrënjosur tek popujt përkatës.

 

Tregtia dhe ndikimi i Turqisë me shtetet ballkanike, aziatike dhe arabe në dhjetë vitet e fundit është shumëfishuar.  Këtë ndikim po e vërejmë sidomos në shtetet ballkanike, ku krahas bizneseve dhe investimeve mjaft i theksuar është edhe rindërtimi i objekteve të vjetra, duke filluar nga xhamitë, varrezat, hamamet, bibliotekat dhe duke vazhduar me veprimtarinë botuese. Në këtë drejtim Ahmet Davutogllu në librin e tij "Thellësia Strategjike" thotë: Turqia nuk ruhet në Stamboll. Nëse dëshiron ta bësh, atëherë ajo duhet të  bëhet jashtë kufijve  të saj. Ta mbrosh pjesën perëndimore ajo duhet mbrojtur në Ballkan dhe atë duke e ruajtur çdo gur, varr, xhami, hamam. Rinovimi i tyre mban të freskët prezencën osmane në këto troje. E njëjta duhet bërë edhe në ish republikat sovjetike, arabe etj.

 

Viteve të fundit prezenca e Turqisë në shtetet afrikane është shumë e madhe. Për disa analistë edhe e neveritshme. Hapja e përfaqësive të reja  në shumë shtetet afrikane dëshmon edhe për rritjen e investimeve dhe hapjen e saj karshi këtij kontinenti. Ështe shteti i parë pas shumë vitesh që e ka hapur linjën ajrore me Mogadishon - Somalinë. Tani aeroplanët e kompanive turke aterojnë dy herë në javë në këtë shtet. Ky është premtim i mbajtur nga kryeministri Rexhep Tajib Erdogan me rastin e vizitës së tij në Somali.

 

Për shumë akterë të ndryshimeve të mëdha në shtetet arabe Turqia ështe një shtet model. Ata tek ajo po shohin një shtet religjioz dhe modern njëkohësisht dhe mundësinë më të mirë për të kaluar nga diktatura në demokraci. Kjo u vërejt me rastin e vizitës së  kryeministrit turk Erdogan në Libi dhe Egjipt dhe euforinë e pritjes nga populli dhe qeveritë në tranzicion. Ai ua bëri të qartë egjiptasve se ata mund ta marrin shembull turqinë, por duhet të zgjedhin një model egjiptian që i përshtatet mentalitetit, traditës dhe kulturës egjiptiane.

 

Edhe në aktualitetin e sotshëm ajo është ndër akterët kryesorë të asaj që po ndodh në shtetet fqinje arabe. Ajo që nga fillimi i ngjarjeve - revolucioneve nuk hezitoi ta mbajë anën e të drejtëve. Ankaraja përpiqej në mënyrë intenzive që presidenti sirian Asad të ndërmerrte reforma rrënjësore, dhe përfundimisht kur nga to nuk pat sukses  u përcaktuan për ta mbështetur opozitën. Shikuar më gjërësisht, edhepse kishin marrëdhënie shumë të mira me udhëheqësit e shteteve arabe Erdogani dhe qeveria e tij me të drejtë dhe në kohën e duhur u përcaktua  në anën e drejtë të historisë.

Ku qëndron sekreti i suksesit të Turqisë së këtyre viteve. Natyrisht që nga këtu nuk do ta marrim përgjigjen adekuate por në këtë drejtim do të shërbehemi me atë që tha Abdullah Gül në punimin e  tij "Kursi i ri i Turqisë" të dedikuar rrjetit botëror të gazetarisë "Project Syndicate". Ai në vazhdim të thotë:  Deri para një dhjetëvjetëshi, Turqia nuk konsiderohej më shumë sesa një aleat i NATO-s. Kjo nisi të ndryshonte në vitin 2002, kur agoi një epokë e stabilitetit politik, dhe duke i dhënë nxitje rritjes së një vizioni për një Turqi më të fortë. Deri në këtë qëllim , qeveritë turke që nga viti 2002, zbatuan reforma të forta ekonomike që shtruan rrugën për rritje të qëndrueshme dhe promovuan një mur zjarri karshi krizës financiare që goditi në vitin 2008.  Tani Turqia është ekonomia e gjashtëmbëdhjetë më e madhe në botë. Me fjalë të tjera vendi përfiton nga financat e forta publike, politika e suksesshme monetare, dinamika e qëndrueshme e borxhit, një sistem i mirë bankar dhe tregje të kredive që funksionojnë mirë.

 

Turqia moderne  ka kapacitete njerëzore, ekonomike, ushtarake dhe politike. Ajo dëshiron që këtë realitet përfundimisht ta akceptojë edhe bashkësia ndërkombëtare, dhe të kuptojë se Turqia nuk është një fuqi rajonale por ndërkombëtare. Ajo mund të shërbejë si një urë moderne ndërmjet civilizimeve për dialog dhe bashkëjetesë.

 

Për të gjitha këto suksese duhet falënderuar kryeministrin Erdogan dhe qeverinë e tij, ministrat, deputetët dhe të gjithë votuesit që ua dhanë votën dhe besimin e tyre.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme