Përshkallëzimi i luftës në Irak

Disa ditë përpara se presidenti Bush të bënte të ditur strategjinë e tij të re për Irakun duke përfshirë edhe dislokimin e mijëra trupave shtesë në Bagdad dhe ndihmat financiare për Irakun, si plani i shansit të fundit për t’i dhënë fund dhunës sektare, e cila e ka çuar vendin në prag të shpërbërjes, kryeministri irakian, Nuri El Maliki, kishte premtuar se do të ndërmarrë masa ndaj grupeve të armatosura ilegale në Bagdad, në përpjekje për të përmirësuar gjendjen e sigurisë.

El Maliki kishte thënë se plani do të zbatohej nga ushtria irakiane e mbështetur nga trupat amerikane dhe do të kryhej pavarësisht nga lidhjet politike të këtyre grupeve.

Edhe demokratët në SHBA, para se Bushi të publikonte strategjinë e re mbi Irakun, filluan të ushtrojnë presion mbi të, duke paralajmëruar se plane të reja për të dërguar trupa shtesë në Irak do të përballeshin me vëzhgim të detajuar nga Kongresi që kontrollohet tani prej tyre.

Kryetarja e re e kongresit, Nancy Pelosi, kishte thënë se Bush duhet t'i bëjë të qarta justifikimet e tij nëse do që të shtojë misionin aktual:

"Populli amerikan dhe Kongresi i përkrahin këto trupa. Ne nuk do t'i braktisim ata. Por nëse presidenti kërkon t'i shtojë numra këtij misioni, ai duhet ta justifikojë atë. Dhe kjo gjë është diçka e re për të, pasi deri më tani Kongresi republikan i ka dhënë atij çek të bardhë pa mbikëqyrje, pa standarde, pa kushte dhe ne kemi hyrë në këtë situatë që është luftë pa fund – gjë që populli amerikan e ka kundërshtuar."

Edhe përkundër paralajmërimeve të bëra nga demokratët, Bushi me rastin e publikimit të strategjisë së tij të re për Irakun, ka thënë se përparësia më urgjente është siguria – veçanërisht në Bagdad dhe provincën perëndimore të Anbarit të banuar nga sunitët.

Në një fjalim televiziv para popullit amerikan, ai konfirmoi se më shumë se 20 mijë trupa shtesë amerikane do të dërgoheshin në Irak. Mes të tjerash ai tha:

"Ky është një angazhim i fortë, por që të ketë sukses, komandantët tanë thonë se irakianët do të kenë nevojë për ndihmën tonë. Amerika do ta ndryshojë strategjinë për t'i ndihmuar irakianët të zhvillojnë fushatën e tyre për të goditur dhunën sektare dhe për t'i sjellë siguri popullit të Bagdadit. Kjo do të kërkojë shtimin e nivelit të forcave amerikane, kështu që unë kam angazhuar më shumë se 20 mijë trupa shtesë në Irak, shumica e të cilave – pesë brigada – do të dislokohen në Bagdad."

Si shkëmbim, Bushi tha se qeveria irakiane duhet të mbajë premtimet e saj – duke paralajmëruar se angazhimi amerikan nuk ishte i pafund.



Paralajmërim fqinjëve



Bush paralajmëroi Iranin dhe Sirinë, duke thënë se ato i lejonin kryengritësit dhe armët të futeshin në Irak nga territoret e tyre dhe se Shtetet e Bashkuara do të vepronin për ta ndaluar këtë trafik. Ai gjithashtu tha:

“Ky vit, do të kërkonte më shumë durim, sakrifica dhe vendosmëri nga populli amerikan. Fitorja nuk do të duket si në luftërat e tjera – por se dështimi në Irak do të ishte një fatkeqësi për Shtetet e Bashkuara. Tërheqja tani do të sillte një rrëzim të qeverisë irakiane, do ta shkatërronte vendin dhe do të çonte në vrasje masive të një shkalle të paimagjinueshme. Një skenar i tillë do t'i detyronte trupat tona të qëndronin në Irak për një kohë më të gjatë dhe të përballeshin me një armik që do të ishte më shumë vdekjeprurës. Nëse rrisim mbështetjen tonë në këtë moment vendimtar dhe i ndihmojmë irakianët që të shkatërrojnë këtë cikël dhune, ne mund të shpejtojmë ditën kur trupat tona mund të fillojnë të kthehen në shtëpi."



Kritika ndaj strategjisë së Bushit

Ish presidenti amerikan Bill Klinton ka akuzuar administratën e Bushit për paaftësi dhe arrogancë në zgjidhjen e krizës irakiane, duke theksuar se strategjia e re nuk pasqyron përgjigjen e dëshirave të zgjedhësve amerikanë.

Fjalimi i Bushit solli kritika të menjëhershme nga kundërshtarët e tij politikë në Partinë Demokratike. Senatori Dick Durbin tha se eskalimi i luftës në Irak nuk ishte ndryshimi që kishte kërkuar populli amerikan në zgjedhjet e nëntorit.

Senator Durbin u ankua se, duke dërguar trupa shtesë, presidenti po injoronte këshillat e shumicës së gjeneralëve të tij. Ai tha se irakianëve u duhet thënë që të marrin përgjegjësitë për sigurinë e vendit të tyre.

Kurse, demokrati Jose Serano nga Nju Jorku thotë se “Bushi sillet si bixhozçi që i ka humbur të gjitha, dhe përpiqet që të tërhiqet duke dyfishuar edhe një herë lojën. Problemi është në atë se ai luan bixhoz me jetën e njerëzve të tjerë. Problemi i Irakut nuk mund të zgjidhet ushtarakisht dhe këtë realitet Bushi duhet ta pranojë domosdoshmërisht.”

Ndërsa shumica e anëtarëve republikanë të Kongresit e mbështetën presidentin, një senator, George Voinovich, tha se ai ishte skeptik se vetëm një rritje e trupave do t'i jepte fund dhunës në Irak.

Analistë të ndryshëm shprehin dyshimin e tyre lidhur me dërgimin e trupave të reja se ato do të mund të ndryshonin situatën në Irak. Një veprim i këtillë konsiderohet si hedhje e fundit e zarit nga presidenti Bush. Edhe opinioni i gjerë arab, edhe ai amerikan është skeptik.

Skepticizmi rreth arritjes së ndonjë suksesi me rastin e kësaj strategjie të re është shumë i qartë. Si mund të pritet që t’i jepet fund dhunës sektare e cila po rrezikon tërësinë e Irakut, kur vetë kryeministri irakian, Nuri El Maliki akuzohet nga sunitët si një udhëheqës i një qeverie fraksioniste dhe të një anshme.

Shumë gazeta arabe shkruajnë se Bushi dërgon në varrezat e Irakut edhe 21 mijë e 500 ushtarë të tjerë amerikanë. Gjatë katër viteve pushtimi të Irakut nga ShBA, janë vrarë 3 mijë ushtarë amerikanë dhe rreth 23 mijë janë plagosur.

Dërgimi i forcave amerikane shtesë në Irak konsiderohet si 'shansi i fundit' për Irakun. Bushi rrezikon që, nga kundërshtarët e tij, krahas vlerësimit të tij si njëri ndër politikanët më gënjeshtarë të vlerësohet edhe si një president i dështuar në Irak.

Nëse vërtet qëllimi i Bushit ishte sjellja e demokracisë nëpërmjet qeveritarëve që hynë në Irak me tanket amerikane, atëherë strategjia e tij duhet të vlerësohet si e dështuar. E nëse qëllimi i tij ishte shkatërrimi i Irakut dhe përçarja e popullatës së tij, vetëm në këtë rast mund të thuhet se strategjia e tij ka pasur sukses. Kundërshtarët e Bushit, arritje të vetme të tij në Irak, vlerësojnë shkatërrimin e Irakut dhe përçarjen e irakianëve në fraksione.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme