Drejtëvijimësia kulturologjike dhe në përgjithësi e mendimit filozofik shqiptar, tashmë është një sfidë e radhës në fillimshekullin XXI, kur përballë kemi shumë probleme të cilat duhet të “zgjidhen”! Ajo ka qenë e vështirë në çdo epokë dhe në çdo rrethanë, por sot në këtë krizë të thellë të pasmodernes kur disa mendimtar e studiues të mëdhenj kanë filluar ta emërtojnë si “pasnormale” (Z. Sardar; 2010. http://ziauddinsardar.com/?s=Welcom) është shumë më e theksuar! Drejtëvijimësia e anatomisë kulturore në këtë epokë është luhatur dhe është sfiduar seriozisht, ndërsa perceptimi ynë për këtë çështje është “mjaft i dobët”!
Hapja ndaj botës në epokën pas’socialiste, bumi i madh me informacionin, transfromimet e shpejta të institucioneve themelore/tare shqiptare (familja, fisi, arsimi tradicional, tradita, apo tradizmi në përgjithësi, arti, muzika etno-folklorike etj, etj) dukuri për të cilat mund të mos jemi të vetëdijshëm, dhe mund të mos jemi të përgatitur, të cilat kërkojnë një vetperceptim më të thuktë në këtë pasmoderne – apo në këtë “pasnormale”, janë përditshmëria jonë me të cilat ballafaqohemi në çdo moment të ditës. Këto të lënë përshtypjen sikur pasmoderna te shqiptarët ka arritur fill pas rënies së komunizmit socialistë- sovjetik, pra është prezentë që dy dekada të plota, dhe jo diku pas Luftës së Dytë Botërore ashtu siç kemi konsensusin e studiuesve të mendimit human!? Nuk i dihet, ndoshta dhe mund të jetë e vërtetë, apo diç ka këtu për t’u marrë seriozisht?!
Të mendosh njëdimensionalisht në vijimësinë filozofike-kulturore dhe të bësh krijimtari të tillë, në kohën e kibernestikës dinamike dhe të këtij bumi medial të dhënash (rreth 90% e të dhënave të përgjithshme të botës janë krijuar në dy vitet e fundit dhe deri në vitin 2020, sasia e të dhënave të ruajtura mund të jetë 50 herë në e madhe se ajo e vitit 2010; (Kosovapress: 20.01. 2014 ), është shumë e vështirë - në këtë kontradiktë të madhe konceptologjike të mendimit pasmodern dhe zhvillimeve të llojllojshme.
Ziauddin Sardar – mendimtar, kritik letrash dhe vrojtues i hollë i bashkëkohësisë tonë, në shkrimin: “Mirëseerdhët në kohët e pasnormales” thekson se këtë bashkëkohësi të pasmodernes (“modernes së skajshme” – SH.I) e karakterizojnë tri K-të e mëdha: kompleksiteti, kaosi dhe kontradikta - komponente të kudondodhura dhe kudoshfaqura, një fenomenologji tashmë shumë “normale” e jetës sociale të njeriut bashkëkohor, e organizimit të tij, menaxhimit, jetës dhe bashkëkohësis së tij!? Madje aq shumë janë prezente, sa dhe tri elementet themelore të kohësisë dhe kosmologjisë: koha, hapësira, dhe lënda janë duke u munduar që t’i “sfidojnë”, dhe me këtë zhvillim aq të madh kibernetik e digjital tashmë i kanë hutuar edhe mendjet më të forta!?
Ishin vitet e 20-ta të shekullit të kaluar kur mendimtari francez Guenoni e kishte paralajmëruar një gjë të tillë, me “Kriza e Botës Moderne”(e botuar për herë të parë në Paris më 1927) por ai si duke nuk kishte bërë një ndarje të tillë strikte si Sardari, dhe nuk kishte klasifikuar këto tri K-të pasnormale! Thjesht në Kriza e Botës Moderne të Guenonit kemi nje filosofi mitologjike hinduse nëse mund ta quajmë, dhe ndoshta paralajmëronte një krizologji mitologjike të modernizmit, duke e patur parasysh botëkuptimin laik dhe shekullarist për botën dhe gjithçka rreth saj, pra duke mos dhënë një totalitet botëkuptimor të mendimit njerëzor! Ndryshe, gnoseologjia me të cilën i percepton fenomenet Guenoni në librin e përmendur, që epokën tonë e quan – “epokë e errësirës” sipas ndarjes së kohësisë hindusiane, shikuar në botëkuptimin “ndryshe” janë tërësisht të papranuara! Pikërisht ne që jemi “mëkëmbës të Frymës Hyjnore” dhe Dritës së Madhe mendojmë se kjo epokë është epoka kur “përfundoi koha e injorancës dhe erdhi koha e dijes” e cila sjell në botën e mendimit njerëzor gnoseologjin dhe botëkuptimin “ndryshe”, atë diversitet me të cilin plotësohet dhe avancohet mendimi njerëzor dhe “fundizmi ndryshe”!? Pikërisht ky botëkuptim i ri, pra “ndryshe” ka ardhur për t’i çrrënjosur këto tri K-të pasnormale të mendimit njerëzor.
Të gjitha konceptologjitë e mendimit njerëzor i kanë në esencën ontologjike këto tri K-të e mëdha të pasnormales së Sardarit, por ato janë perceptuar si filozofi pluraliste e mendimit njerëzor dhe asnjëherë nuk janë parë si “elemente të rrezikshme” të cilat ndërtojnë një identitet bipolar të qenies njerëzore dhe të cilat kurdo herë do të sjellin vështirësi të mëdha – edhe praktike edhe teorike. Duke filluar që nga përkufizimet konceptuale, nga pikëzat e mendimit disiplinar e interdisiplinar, nga institutet dhe institucionet: ato të së drejtës, mendimit filozofik, atij politik, etikë, kulturologjik, pedagogjik, psikologjik, e deri te disiplinat më bashkëkohore të mendimit njerëzor, siç janë diplomacia, administrata, parlamentarizmi, civilizimi, ideologjia, gjeopolitika, qeverisja dhe menaxhimi - pra të gjitha vlojnë nga këto tri K-të pasnormale të pasmodernes?!
Duke filluar nga individi, bashkëshortësia, familja, lagjja, komuniteti, bashkia apo dhe komuna, rrethi rajonal, shteti, komuniteti ndërkombëtar e ndërshtetëror, institucionet e specializuara rajonale, e deri te Kombet e Bashkuara si “qeveria e botës” - të gjitha vlojnë nga elemente tepër kontradiktore, kaotike dhe kompleksive sa që në esencë ontologjike janë duke e “ç’thurrur çdo element”. Në dijen bashkëkohore, nuk ka madje asnjë çështje, pyetje apo dhe muhabet të thjeshtë njerëzor i cili ka një drejtvijimësi mendimi dhe veprimi, duke bërë që krizologjia dhe pasnormalizmi i mendimit të njeriut të mbizotëron kudo dhe duke e zhvleftësuar konstruktivitetin dhe qëndrimin e tillë, madje edhe në çështjet më të thjeshta njerëzore! Thjesht mbizotëron një krizë e thellë e të menduarit të njeriut bashkëkohorë!
Ndoshta me këtë “mendimi sardiarian” avancon edhe më tutje dhe kërkon ti vë pikat fillestare të diferencimit epokal të pasmodernes, duke paralajmëruar një Epokë plus në këtë kohë të pas’socializmit sovjetik të emërtuar nga ai si “pasnormale”. Me këtë kam bindjen se iu ka kundërvënë teoris/ive të përplasjes së civilizimeve dhe të fundizmit” – se nuk ka një përplasje civilizimesh dhe fund të ideologjis e konceptologjis njerëzore, por ka tri K, të pasmodernes që quhen si “pasnormale”. Sido që të jetë, koha e tregon sa është e saktë dhe mbetet të shihet se si do ta konceptojnë dhe përvetësojnë këtë “tezë filozofike” të tij komuniteti i studiuesve, filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhënjë të cilët bëjnë “konceptologjin e dijes me të cilën ne shërbehemi dhe punojmë!
Kjo rrëmujë e madhe e bashkëkohësisë tonë në civilizimin dhe dijen shqiptare, mund të tejkalohet dhe të fillon të hyn në rrjedhat e një konceptologjie dhe vijës simetrike të logjikës gnoseologjike, vetëm me “krijimin” e një “klase të re intelektualësh!” Ajo duhet të reflekton dhe është rezultat i proceseve të reja të hapjes ndaj botës dhe dijes së avancuar të qytetërimeve, urë e së cilave jemi ne shqiptarët, përvetësimin dhe konceptimin e së cilave me kohë e kemi kapur dhe tashmë jemi bërë “logjikë” vazhduese e bipolarizimit dhe filozofisë pluraliste të të dyjave – Lindjes dhe Perëndimit, vazhdimin e së cilave duhet të ndjekim me një balancë të rrjedhave të kohës tonë.
Për t’i “hequr qafe” këto tri K-të e “pasnormalizmit sardarian” duhet të fillojmë të implementojmë një botëkutim të ri gnoseologjik të të menduarit - për dhe rreth botës, procese të cilat janë të pandalshme dhe transfomimet e të cilave kanë filluar që me rënien e “perdes së hekurt”- proces i rimëkëmbjes së vlerave tonë në mirëfillta dhe tradizmit etno-popullor, pas shthurjes së këtyre të fundit nga ish ideologjitë të cilat u dëshmuan si pjellë e së keqes.