Thelbi

Thelbi është ana më e “thjeshtë” në dukje e sendeve, e sjelljeve, e fjalëve dhe e veprimeve, që gjithmonë merr formë më në fund, por është më esencialja brenda tyre. Ai edhe primordialisht edhe realisht është më i thelli dhe më i gjeri në aspektin e dhënies kuptim sendeve, sjelljeve, fjalëve dhe veprimeve. Disa here forma mundohet që jo të mirën ta paraqes si të mirë, kurse jo të keqen si të keqe, ndërsa thelbi, edhe pse ndonjëherë me vonesë, arrin që ta “korrigjojë këtë gabim” të anës së dukshme, gjegjësisht të formës, duke nxjerrë në pah esencialen, të brendshmen. Thelbi, si një koncept në vete, në fjalorin e shqipes së sotme shpjegohet si mjaft e rëndësishme, si mesi dhe më e rëndësishmja e gjërave, si një thellësi, si një brendi, si një anë e brendshme më e domosdoshme dhe më e qëndrueshme e sendeve ose e dukurive. 

Thelbi, lirisht mund të thuhet, është ura lidhëse midis fizikes dhe tejfizikes, midis historikes dhe metahistorikes, gjithësores dhe metakozmikes. Si rrjedhojë, ekuilibri i njeriut, ekuilibri shpirtëror i njeriut, baraspesha në shoqëri dhe në gjithësi varet krejtësisht prej thelbit, e jo prej formës. Nëse ne sot në të gjitha dimensionet jetësore ballafaqohemi me çekuilibrime, kjo është rezultat i mospërfilljes së thelbit. M’u për këtë Sejjid Husein Nasri për krizën ekologjike do të thotë se është pas-efekt i përlyerjes së shpirtit-thelbit.

Kërkimi i thelbit

Pyetja më e vështirë, por dhe më e “shijshme”, gjegjësisht më e këndshme, është të bisedosh ose ta kërkosh thelbin e problemit, thelbin e të mirës ose të keqes, gjegjësisht “thelbin e arrës”, duke e thyer mbështjellësin e saj. Gjithmonë e mira është më e vështirë të bëhet, të realizohet, të qëndrohet pranë saj, pasi ka shumë pengesa, shumë barriera që duhet tejkaluar. E mira kërkon sakrificë, djeg, është e hidhur dhe kushton shtrenjtë, prandaj është e mirë. Ajo ndonjëherë paguhet me “para”, ndonjëherë me kohë, ndonjëherë me jetë, ndonjëherë duke folur, e ndonjëherë duke heshtur. Ajo ndonjëherë vlerësohet në moment, ndonjëherë pas një kohe, e ndonjëherë mbetet që të shihet vlera e saj në këtë ose në tjetrën botë. Por, në anën tjetër edhe e keqja ka barriera dhe pengesa që duhet tejkaluar. Po, ku qëndron thelbi i vështirësisë, atëherë? Te barrierat apo te e keqja? Pa dyshim se mu aty qëndron thelbi i problemit. E mira, e bukura, estetika është e vështirë, pasi barrierat apo pengesat e saja janë të shumta dhe emërtohen si të këqija. Pra e mira për armik të saj ka të keqen. Ndërkaq e keqja, e shëmtuara dhe kiçi ballafaqohet me barriera dhe pengesa, të cilat ne nuk mund t’i quajmë të këqija dhe nuk e përdorin fuqinë e të keqes. Nëse vetë e keqja ballafaqohet me një barrierë që është e keqe, atëherë është paradoksale; si ka mundësi që edhe thelbi i një veprimi të jetë i keq, edhe barrierat të jenë të këqija. Nëse thelbi është i shëmtuar, atëherë barrierat sa do që të duken të këqija ata në fakt janë të mira, jo pse janë vërtetë të mira, por ata pse i paraprinë të keqes duken të mira dhe e kundërta. Nga kjo mund të përfundojmë se e mira është e vështirë pasi barrierat e saj janë të këqija, kurse e keqja është më pak e vështirë, sa të mos them se është e lehtë, pasi barrierat e saj janë të mira. Të mirën, të bukurën ose estetiken kur e ke edhe armik, ajo mbetet përsëri e mirë, e bukur dhe estetike. Kur të keqen, të shëmtuarën apo joestetiken e ke armik, ajo mbetet e tillë edhe në vazhdim.

Por si ta kuptojmë të mirën, të bukurën dhe estetiken, apo të keqen, të shëmtuarën dhe joestetiken? A është e mirë, e bukur dhe estetike çështja vetëm kur duket si e tillë, apo kur vetëm në thelb është e tillë, edhe nëse vepruesi i saj nuk është i mirë apo nuk ka metodë të mirë? 

E mira ka tri faza nëpër të cilat kalon, si thelbi (brendia-përmbajtja), manifestimi dhe realizimi i saj; atëherë nëse në njërën fazë ajo bashkohet më të keqen, a mund të quhet ende e mirë? A mund e mira të jetë e tillë nëse thelbi i saj është i keq? A mund e mira të jetë e tillë, nëse manifestimi i saj është i keq? A mund e mira të jetë e tillë, nëse realizimi i saj është i keq? Pra, e mira nuk mund të jetë e mirë nëse në njërën prej këtyre tri etapave nuk është e mirë. 

Manifestimi i të mirës/të keqes

Nëse idealet shtetërore, shoqërore, familjare, individuale dhe shpirtërore në thelb janë të mira, të bukura dhe estetike, a mund ato të manifestohen në mënyrë të keqe apo të realizohen si të këqija? Kjo mund të ndodhë, por nuk mund të mbrohet, pasi thelbi/qëllimi është i mirë, atëherë të arsyetohet edhe mënyra e manifestimit edhe mënyra e realizimit të së mirës, nëse realisht ajo është e keqe. 

Në Turqi, në këtë periudhë kohore, mendoj se ndodh një gjë e tillë. Njerëzit veprojnë sipas standardeve të dyfishta. Pra, sipas mendimit tim, ai që thotë se ka qëllim të mirë dhe se është duke vepruar drejtë, kurse në anën tjetër vepron keq, dhe kjo duket shumë qartë, realisht nuk kanë qëllim të mirë. Këtë e tregon veprimi i tyre që duket. Po këtu nuk duhet harruar se ndonjëherë njeriu është edhe naiv, e mbron të mirën me një metodë e cila i bën dëm të mirës, sa e shkatërron atë po edhe vet pronarin e saj, pa qenë i vetëdijshëm për atë që ndodh. Mendoj se kjo është njëra prej sfidave me të cilat ballafaqohet kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Ai, për mendimin tim, ballafaqohet me njerëz të cilët ose mendojnë se qëllimi i mirë i tyre do t’ua arsyetojë veprimin e tyre që fund e krye duket i keq ose ata janë naivë, gjegjësisht të pavetëdijshëm për të keqen që janë duke e bërë. Nuk dua ta mendoj pozicionin e tretë, se atëherë nuk ka as qëllim të mirë e as veprim të mirë. 

Kështu është rasti edhe me futjen e zërit të ezanit dhe të kambanave në grupin e zhurmës, në vendimmarrjet politike në Kosovë. Duke dashur që njerëzve t’u bëhet mirë, duke e larguar zhurmën nga veshët, ua shton zhurmën në shpirtin e tyre. Në vend që shteti të marrë masa për ta gdhendur këtë “zhurmë” të shenjtë, nëpërmjet institucioneve shtetërore, gjegjësisht Bashkësisë Islame dhe Kishës Katolike, po edhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ai po e ndalon dhe po krijon një zhurmë tjetër, e cila është më e thellë dhe më e gjerë edhe kombëtarisht, edhe metafizikisht, edhe historikisht, edhe sociologjikisht, edhe filozofikisht etj. Kjo të jep të kuptosh sikur shteti është vetëm i atyre që ju bën “zhurmë” zëri i shenjtë. Nëse i krahasojmë ata të cilëve ky zë u bën “zhurmë” me ata të cilët nuk shqetësohen nga kjo “zhurmë”, pa dyshim që të parët do të mbeten pakicë. Pra, nëse është qëllimi i mirë, atëherë ai nuk mund të jetë arsyetim për manifestimin e një veprimi të keq, i cili në thelb mund të ketë tjetër vetëm se një qëllim të keq.

Këtu dua të potencoj edhe atë se të bësh një veprim të shenjtë, si të thirrësh ezan ose t’i biesh kambanës, ka një kuptim të mirë, të bukur dhe estetik. Ky veprim edhe qëllimin e ka të mirë. Por, qëllimi i mirë dhe vepra e mirë nëse interpretohen, gjegjësisht manifestohen keq ose edhe realizohen keq, atëherë parashtrohet pyetja se sa është thelbi/qëllimi i mirë këtu. Apo, mos vallë dikush dëshiron që naivitetin, joprofesionalizmin, jodevotshmërinë e tij, ta fshehë pas këtyre veprimeve të shenjta. Nëse një njeri “i mirë”, gjegjësisht “i shenjtë” dëshiron të kënaq dëshirat e tij duke “shitur” në mënyrë të vrazhdë të shenjtën, ai vet është vrasës i të shenjtës, i të mirës, i të bukurës, i estetikës. Jo rastësisht Pejgamberi thotë se veprat vlerësohen sipas qëllimit. 

E mira nuk e pranon ekskomunikimin, margjinalizimin, fobien ose urrejtjen ndaj askujt dhe ndaj asgjësë. Ajo luan rolin e magnetit, ajo tërheq drejt vetes dhe ky funksion i të mirës tregon se ajo nuk ekskomunikon, por ofron, ajo nuk margjinalizon të tjerët, por barasvlerësohet me tjerët, nuk ka fobi prej “tjetrit”, por ndjehet e kënaqshme me të, nuk krijon urrejtje, por mbjell dashuri. Dashuria në këtë rast, sipas fjalëve të Rumiut, nuk duhet shikuar si një pjesë e një tërësie, por si një tërësi ku të gjitha pjesët kanë mundësi të jenë të gatuara me të njëjtin miell. Ky pra është edhe thelbi i çdo gjëje.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme