Islami, kryqëzimi dhe kthimi i Isait alejhis-selam

Të dashur xhemat, sot, me ndihmën e Allahut, do të mundohemi të flasim diç në lidhje me disa zhvillime të jetës së pejgamberit të parafundit të Allahut, Isait a.s. Duke e pasur parasysh se këtu është ditë pushimi, dhe shteti ku po jetojmë e merr si shkas “ringjalljen” e Jezuit, siç qëndron te mësimet e krishtera, atëherë vendosa, me dy-tre fjalë, ta shtjellojmë çështjen nga këndvështrimi i Fesë islame, bazuar në Kur’anin Fisnik dhe në fjalët e Muhammedit a.s.

Pikëpamja islame në lidhje me Isain a.s., qëndron ndërmjet dy qëndrimeve të skajshme. Pikëpamja e parë e hebrenjve, të cilët e mohojnë profetësinë e Isait a.s., për të cilin thonë, gjithashtu, se ishte tradhtar e çka mos tjetër më keq, dhe pikëpamja tjetër është e të krishterëve, të cilët për Isain a.s. thonë se është djali i Zotit, e ndonjëherë vetë Zoti. Kurse, në Islam, Isai a.s., konsiderohet një njeri, si të gjithë pejgamberët përpara tij, por, madje, duke e radhitur në mesin e pejgamberëve më të dalluar, krahas Nuhit, Ibrahimit, Musës dhe Muhammedit ajehimus-selam.

Sa i përket asaj se si përfundoi çështja e Isait a.s., nga pikëpamja islame, të dhënat qëndrojnë siç vijojnë: Allahu i Madhërishëm, në Librin e Tij përshkruan ngjarjen e “kryqëzimit” dhe ngritjes së tij, duke përmendur se, ai që u kryqëzua, nuk është vetë Isai a.s., porse këtë Allahu e shpëtoi dhe e ngriti pranë Vetes. Kur’ani nuk e përmend emrin e personit i cili u kryqëzua në vend të Isait a.s., por vetëm thotë:

وَقَوْلِهِمْ إِنَّا قَتَلْنَا الْمَسِيحَ عِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ رَسُولَ اللَّـهِ وَمَا قَتَلُوهُ وَمَا صَلَبُوهُ وَلَـٰكِن شُبِّهَ لَهُمْ ۚ وَإِنَّ الَّذِينَ اخْتَلَفُوا فِيهِ لَفِي شَكٍّ مِّنْهُ ۚ مَا لَهُم بِهِ مِنْ عِلْمٍ إِلَّا اتِّبَاعَ الظَّنِّ ۚ وَمَا قَتَلُوهُ يَقِينًا ﴿١٥٧﴾ بَل رَّفَعَهُ اللَّـهُ إِلَيْهِ ۚ وَكَانَ اللَّـهُ عَزِيزًا حَكِيمًا

Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut”. Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë. Përkundrazi, All-llahu e ngriti atë pranë Vetes. All-llahu është i poltfuqishëm, i dijshëm.“ (En-Nisa, 157-158).

Dijetari ynë i shquar shqiptar, me përmasa botërore, V. Sulejman Gavoçi, shkon edhe më tej dhe deklaron se vendqëndrimi i Isait a.s., është qielli i dytë, duke u argumentuar me një dëshmi nga ana e Muhammedit a.s., ku thuhet se ai, gjatë udhëtimit të tij për në Miraxh, në qiellin e dytë e kishte takuar Isain a.s.

Tani le ta shikojmë edhe çështjen e kthimit të Isait a.s., në Tokë, gjë që, këtë, e besojnë si të krishterët, ashtu edhe muslimanët. Sa i përket zbritjes së Isait a.s., kemi hadithin që e tansmeton Ebu Hurejre r.a., se Muhammedi a.s, ka thënë: “Pasha Allahun, në Duart e të Cilit është shpirti im! Padyshim që biri i Merjemes (Isai a.s.) shpejt do të zbresë mes jush, dhe do të gjykojë njerëzit me drejtësi me Ligjin e Kuranit (si udhëheqës i drejtë), do të thyejë kryqin, do të vrasë derrat dhe do të heqë xhizjen (tatimin). Do të ketë bollëk parash dhe askush nuk do të pranojë të marrë lëmoshë. Atëherë një sexhde e bërë do të jetë më e vlefshme se krejt dunjaja.” (Buhariu dhe Muslimi).

Kadi Ijadi, një dijetar musliman me autoritet , thotë: “Kthimi i Isait a.s., dhe mbytja e Dexhallit nga ana e tij, është e vërtetë dhe se besimi i Ehli-sunetit në këtë është i saktë, duke u bazuar në hadithe autentike (sahih). Këtë bindje nuk e  kundërshton as logjika dhe as sheriati, andaj duhet pranuar ashtu sikur që njoftohemi.”

Është interesant fakti se, sipas haditheve, kuptohet se Isai a.s, do të jetë pasues dhe veprues i Sheriatit që iu shpall Muhammedit a.s. Pra, ai do të punojë sipas sheriatit tonë dhe do t’i ngjallë ligjet e tij, të lëna pas dore nga njerëzit. Dijetari i shquar bashkëkohor, Dr. Jusuf El-Kardavi, në lidhje me qëllimin e kthimit të Isait a.s. thotë: “Ai do të kthehet që të gjykojë tek njerëzit, për të larguar mendimet e gabuara në lidhje me rolin e tij në këtë botë. Ai është ngritur në qiell dhe nuk ka vdekur, kështu që do të kthehet sërish në tokë për ta shijuar edhe ai vdekjen. Kthimi i tij nuk do të jetë për qëllim që të sjellë një feve apo ligj të ri. Isai a.s., pas kthimit të tij, do të punojë me Sheriatin që iu shpall Muhammedit a.s. Sipas disa haditheve, thuhet se kur Isai a.s., do të zbres në tokë, në xhaminë në të cilën do të zbres, muslimanët do të jenë duke u përgatitur për faljen e namazit. Imami i xhamisë do t’ia ofrojë rastin që të bëhet imam i xhematit, porse Isai a.s. nuk të pranojë. Ai do t’i jap përparësi imamit për të udhëheq në namaz dhe vetë do të qëndrojë si muktedi (xhemat). Pra, do të veprojë sipas mësimeve të Muhammedit a.s., dhe asgjë nuk do të ndryshojë.”

Besimtarë të nderuar, me fjalë të tjera, themi se Isai a.s., ishte si çdo njeri tjetër, i lindur në një mënyrë të çuditshme për ne. Allahu xh.sh. e zgjodhi si pejgamberin e parafundit, i cili e lajmëroi edhe ardhjen e Muhammedit a.s. Allahu xh.sh. e ka ngritur afër Vetes, dhe akoma është gjallë, ku pret kohën për t’u kthyer në Tokë, si shenjë e Kiametit, me ç’rast do të realizojë misionin që ia ka caktuar Allahu Fuqiplotë. Në tokë do të jetojë 40 ditë, e që dita e parë do të zgjas sa një vit, e dyta sa një muaj, e treta sa një jave, kurse ditët vijuese do të jenë si krejt ditët e tjera. Në kohën e tij, Toka do të mbulohet me drejtësi e lumturi, deri sa Allahu t’ia merr shpirtin, ndërsa me përgatitjen dhe faljen e xhenazes nga ana e muslimanëve, do të përfundojë edhe misioni i tij i drejtë në Tokë.

Për fund, e lus Allahun e Lartësuar që të na mëshirojë e falë në Ditën e Llogarisë, si dhe të na e mundësojë që të jemi në shoqëri me pejgamberët, me shehidët dhe me robërit e Tij të mirë e të devotshëm. Amin!

 

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 30.05.2014, nga imami Mehas Alija).

(Breziiri)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme