
Kur Galileo Galilei, pas disa eksperimenteve, doli në mbrojtje të mendimit të Kopernikut se toka rrotullohet rreth Diellit e jo Dielli rreth Tokës, kjo për shumë njerëz të shekullit XVI ishte naivitet, sepse ashtu e rrezikonte jetën e tij, ndërsa për shumë te tjerë kjo ishte blasfemi, sepse ashtu mohoheshin interpretimet zyrtare të Biblës nga Kisha. Për këtë arsye të fundit ai u dënua me burg të përjetshëm, që pastaj u zëvendësua me burg shtëpie, ku edhe vdiq. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe hipoteza e tij u vërtetua dhe ai tashmë është ndër shkencëtarët më të mëdhenj të historisë. Tanimë edhe Kisha e pranoi gabimin e saj – më 1992, 359 vjet më vonë, e rehabilitoi. Po ashtu ishte i vonshëm edhe pendimi i atyre që e konsideronin naiv, sepse ai vdiq me statusin “i burgosur”. Dhe, askush në kohën e tij nuk mendoi ose së paku nuk ka shënime që të ketë menduar se a thua pse ai njeri i binte pingul qëndrimit të inkuizicionit dhe e vinte veten në rrezik të tillë?! Cila ishte ajo shtytje e brendshme që e bënte ta vë jetën në rrezik për ta mbrojtur një të vërtetë të pretenduar?
M’u kujtua kjo histori jo e panjohur për shumicën e njerëzve që kanë ndjekur pak shkollë, për arsye se sa herë që shkruaj, veçmas kur jam pak më shumë kritik ndaj figurave publike te ne, thuajse gjithnjë më paraqitet ndonjë nga miqtë e mi, kolegë, ish profesorë, shokë etj., duke ma tërhequr vërejtjen se “a jam i vetëdijshëm unë për atë që e shkruaj”, “a e di unë sa të fortë janë ata që i kam vënë në tapet”, ndërsa më të këndshëm janë ata që më thonë se “ti sigurisht e ke shpinën e fortë, që shkruan kaq lirshëm”. Kjo më ka bërë të mendoj se në cilën derexhe është sot një intelektual ose një njeri që dëshiron të mendojë me kokën e tij dhe për këtë të shprehet publikisht. Aq shumë janë trembur njerëzit, saqë ka filluar të krijohet përshtypja se ata që marrin guxim të kritikojnë ose janë naivë ose janë shumë të fortë. Ndryshe nuk bëhet! S’do mend se në këtë përshtypje kanë ndikuar “të fortët e pushtetit”, të cilët të gjithë ata që i kritikojnë nëpër media të ndryshme, ose i tallin ose u kanosen me pushtet, madje – kur kanë mundësi – edhe u hakmerren.
Për këto arsye në këtë tekst dëshiroj të flas për dy çështje që janë shumë të rëndësishme në lidhje me këtë temë: e para është nevoja e shoqërisë për ta kultivuar mendimin e lirë dhe e dyta është guximi për ta shqiptuar dhe për ta mbrojtur një të vërtetë.
Sa i takon nevojës për mendimin e lirë, mendimin ndryshe ose mendimin kritik, shoqëritë më të përparuara e kanë marrë vesh qëmoti se pa të nuk mund të imagjinohet prosperiteti shoqëror. Vetëm në saje të mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe zbulohen gabimet që mund t’i bëjë një elitë politike, religjioze, arsimore a shkencore në veprimtarinë saj. Dhe, elitat e mençura janë, madje, falënderuese që ka njerëz që me aq përkushtim i zbulojnë gabimet e tyre, qoftë edhe më gjuhë të ashpër, sepse ashtu arrijnë ta përmbledhin veten dhe mos t’i përsërisin gabimet.
Ndërkaq në lidhje me çështjen e dytë – guximin e shprehjes së mendimit të lirë – vërtet është për t’u brengosur. Edhe ata pak njerëz, ama që vërtet janë pak, të cilët në shoqërinë tonë marrin guximin të shprehen lirshëm dhe pa drojë, vazhdojnë të trajtohen si njerëz që “flasin kot”, që “askush nuk ua var”, pra nuk përfitojnë së paku mirënjohjen shoqërore se i rrezikojnë privilegjet e tyre për shkak të mbrojtjes së një të vërtete. Në vend që të bëhen konformistë dhe ashtu të përfitojnë, si shumë njerëz të shoqërisë sonë – veçmas ata të botës së a.q. akademike – ata preferojnë të mos heshtin, të mos i thonë liderit “se ti je më i bukuri, më i dijshmi, më i mençuri, më patrioti, më i madhi”, sepse nuk mund të tallen deri në atë pikë me dinjitetin e njeriut. Kjo do të thotë se ata nuk janë intelektualë në shitje. Ata para së gjithash janë njerëz që i detektojnë të metat dhe mundohen t’i evitojnë ato, pavarësisht humbjes së përfitimeve personale. Dhe, nuk heshtin e të bëhen sikur gjithçka është në rregull. Sepse, kjo pastaj ua ngjall liderëve pasionin diktatorial, që ata ta mendojnë veten se janë të pagabueshëm, ndërsa gjithë kjo në fund të prodhojë një shoqëri moniste dhe diktatoriale.
Kur këtë e zbresim në rrafshin konkret, i bie që nëse i thua Ali Ahmetit se i tradhtoi 153 mijë votuesit e tij, duke pranuar inkuadrimin në qeveri pa realizimin e premtimeve të dhëna, ty të shpallin se je i PDSH-së, kur i thua Menduh Thaçit se ti e ke bërë partinë ndërmarrje private dhe tallesh në mënyrë jonjerëzore me votuesit e tu, ti shpallesh tradhtar, kur i thua kryetarit të Bashkësisë Islame se nuk duhet ta luajë rolin e palaços me veshje sulltanësh, ti je “gati se heretik” dhe “i nxitur prej qarqeve antiislame”, kur u thua profesorëve e akademikëve se “mirënjohjet i duan ata që nuk i meritojnë” dhe se “plagjiatura është perversitet intelektual”, ty të mbyllen dyert e shumë institucioneve dhe anatemohesh. Madje, aq larg shkon rezistenca ndaj mendimit të lirë, saqë nëse e kritikon veprimin e një politikani, të vihen në qafë të gjithë aktivistët duke të etiketuar si “i paguar nga partia tjetër”, si “shpirtshitur”, bile duke e shpjerë në perversitet akuzën e duke u tallë me fjalën analist, për të krijuar stilema me ngjyrime tejet ofenduese.
Dhe, krejt harrohet se, megjithatë, edhe në këtë shoqërinë tonë kaq të prishur, ka njerëz idealistë, që të vërtetën e tyre janë në gjendje ta mbrojnë edhe me çmimin e jetës dhe se këtë e bëjnë jo për shkak të mirënjohjes, as për shkak të ndonjë përfitimi tjetër, por thjesht sepse besojnë se ky duhet të jetë misioni i njeriut në tokë. Ata janë njerëz që nuk i druhen “burgut të Galileit”, sepse – siç thoshte Izetbegoviqi – burgu është izolim fizik, ndërsa lumturia shpirtërore asnjëherë nuk burgoset, ajo vazhdimisht “ikë në liri”. Prandaj, ma merr mendja, derisa Galilei qëndronte burg, megjithatë ishte njeriu më i lumtur në botë. Sepse e dinte një të vërtetë që atë e lumturonte, të cilën – për fat të keq – shumë njerëz do ta kuptonin shumë më vonë. Për shkak të këtyre njerëzve, thoshte Borhesi, Zoti i falë botës jetë.
Ndryshe, për bindjen e këtyre njerëzve të mëdhenj, qenia njerëzore nuk do të ishte më qenie humane, por një qenie që evolucionin e pretenduar do ta kthente drejt animalizmit. Mbase është ambicie e vështirë, por është mirë të jesh qeniet humane.