Besa dhe turpi

Megjithëse në diskursin shkencor besa dhe turpi janë relativizuar deri në masën që janë shpallë krejt të tepërta si terma, madje diku konsiderohen edhe si të dëmshme për prosperitetin e shoqërisë, me arsyetimin se tash ekzistojnë mekanizma të tjera që e funksionalizojnë shoqërinë dhe se tashmë nuk kemi nevojë të druajmë se mos e thyejmë besën ose mos turpërohemi, në Maqedoni te shqiptarët këto dy kategori vazhdojnë të bashkëjetojnë dhe të mbahen për vlera që e bëjnë të veçantë këtë komunitet. Madje, nëse këtë diskutim e shtrijmë më tej, te shqiptarët në Maqedoni mund të ndeshim në plot njerëz që vërtet besojnë kur thonë se “Po qe se nuk ke turp, bën ç’të duash!” ose se “Burri lidhet për fjale, ndërsa kafsha për brirësh”. Dhe, përkundër diskutimeve kritike në rrafshin shkencor, kujtoj se shoqëria jonë, veçmas në Maqedoni, ku – pa pasur qëllim të ofendoj askënd – ende funksionon mbi parime pak a shumë primordiale dhe ku ende nuk arrin ta pajtojë veten se jeton në shtet me kushtetutë, ligje, rregullore etj., sepse ajo fundja edhe nuk i beson shtetit dhe institucioneve shtetërore, jam i mendimit se mekanizmi i besës dhe turpit janë kategori që megjithatë mund të na mbrojnë prej devijimeve të ndryshme shoqërore. 

Nëse pak i qasemi teorisë, i bie të shpjegojmë se besa e shqiptarit ka qenë një institucion mesjetar shqiptar që i ka rregulluar marrëdhëniet ndërnjerëzore në kohën kur nuk kishte shtet ose kur shteti nuk arrinte të funksiononte. Në këtë mënyrë nëse dikush premtonte diçka në opinion, pra para njerëzve, ose e jepte fjalën publikisht për diçka, edhe bota po të rrokullisej ajo nuk mund të ndryshonte më. Neve na kujtohet rrëfimi dramës së Sami Frashërit “Besa”, ku një njeri e vret të birin që nuk e kishte parë disa vite vetëm sepse ia kishte dhënë besën një gruaje se ai do të hakmerret në cilindo që ia kishte vrarë burrin asaj. Sepse proverbi shqiptar thotë “Shqiptari kur jep fjalën, ther edhe djalën.”. Shembuj të këtillë kemi gjithandej në letërsinë tonë artistike ose atë gojore. Kështu pak a shumë ka funksionuar edhe kategoria e turpit. Nëse dikush turpërohet ose i merret nëpër këmbë nderi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, madje, parashikon sanksione se si mund të lahet turpi. Sepse “të mbetesh faqebardhë” ka qenë më e rëndësishme se të mbetesh gjallë. Për këtë arsye në poemën “Mrika në shkangull” të Risto Siliqit, Mrika hidhet nga shkëmbi sepse nuk mund ta durojë as vetë turpin, por e di se edhe familja nuk ia falin atë që e kishte bërë me një djalë. 

Ndonëse, si e thashë në fillim, sot këto kategori janë relativizuar në interpretimet shkencore, ajo në të cilën dua të dal është (keq)përdorimi i tyre nga politikanët shqiptarë, kësaj radhe nga ata në Maqedoni. Nëse e imagjinojmë që sot të jetë në mesin tonë Lekë Dukagjini dhe t’i dëgjojë se si flasin politikanët tanë gjatë fushatës zgjedhore dhe t’i shohë se si veprojnë ata pas zgjedhjeve, jam i sigurt se ai do të thoshte se ata ose nuk janë shqiptarë ose nuk janë burra që meritojnë t’u kushtohet vëmendje. 

Ata premtojnë se do ta hapin kufirin Llojan-Miratoc dhe nuk e bëjnë këtë; ata premtojnë se për “dy muaj” do ta zgjidhin statusin e ish veteranëve të UÇK-së dhe nuk e bëjnë këtë; ata kanosen se “nëse për dy muaj nuk zgjidhet statusi i këtyre veteranëve, do të bëhet keq për të gjithë” dhe pastaj nuk ndërmarrin asgjë; ata premtojnë se do ta zyrtarizojnë gjuhën shqipe në gjithë territorin e vendit dhe nuk e bëjnë këtë; ata premtojnë se shqiptarët do ta kenë një nga tre postet kryesore të shtetit dhe nuk e bëjnë këtë, ata premtojnë se për gjashtë muaj do të jemi në NATO e pastaj del se kjo punë as që ëndërrohet në këtë afat... ata premtojnë dhe vetëm premtojnë...

Ata premtojnë e pastaj nuk i realizojnë ato premtime dhe për këtë le që nuk sanksionohen as politikisht, as moralisht, por bile nuk e kanë dert që përsëri të dalin në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i përsërisin po ato premtime e hiç mos të skuqen. Prandaj sot një shqiptar ordiner i Maqedonisë mund të shtrojë pyetjen a janë këta njerëz shqiptarë më?! A u ka mbetur fije nderi, morali e turpi shqiptar? A e dinë ata se cila është pesha e fjalës së thënë në publik? 

Duke e ditur se njeriu është “Mbret i fjalës që nuk e thotë dhe rob i fjalës që e thotë”, shqiptarët gjithnjë kanë qenë të kujdesshëm për fjalën që e kanë thënë. Aq më shumë për fjalët e thëna në publik. Për këtë arsye sot lirisht mund të konkludohet se te shumica e politikanëve shqiptarë nuk ka mbetur asnjë fije shqiptarie, as kanun e as fe. Ndërkaq më e keqja se kjo është se kjo shkelje e besës dhe kjo paturpësi është kthyer në standard dhe model për të rinjtë, të cilët kanë filluar të besojnë se ne shqiptarët gjithnjë kemi qenë kështu dhe se ky është modeli që duhet të ndiqet.

Nisur nga kjo, kujtoj se kemi nevojë urgjente për riparimin e vlerave, për rikthimin e besës dhe të turpit, për një rikthim në këto vlera dhe për një interpretim bashkëkohor të tyre. Kjo jo vetëm për arsye se ato janë vlera tonat tradicionale, që na tipizojnë si qenie humane e politike, por edhe për arsye se, në mungesë të një funksionimi të mbarë institucioneve shtetërore, që duhet të merren me drejtësinë dhe segmentet e tjera të jetës, kodi i “fjalës së mbajtur” dhe morali i pjesëmarrjes në jetën publike mund të jenë mekanizmat më efikase për mbarëvajtjen e shoqërisë. Kjo, në të vërtetë, ka filluar të kultivohet edhe në vendet perëndimore që nuk e kanë pasur besën kod etnik, por që kanë mësuar se megjithatë pa elementin moral vështirë është që gjithçka të programohet përmes dokumenteve. 

Krejt kjo duhet të na mësojë se fjala e dhënë edhe në fushatë zgjedhore, edhe në Kuvend, edhe në TV, po edhe në treg, është peng që duhet të mbahet edhe me çmimin e jetës. Po ashtu në këtë dekadencë morale, kur vjedhja është bërë virtyt, korrupsioni aftësi dhe mashtrimi shkathtësi, gjithashtu kemi nevojë imediate të intervenojmë për ta riparuar një dëmtim kaq serioz dhe për të kumtuar se vjedhja, korrupsioni dhe mashtrimi janë vepra të njerëzve shpirtprishur dhe pa virtyte dhe se shqiptar i mirë është ai që nuk vjedh, aq më i mirë është ai që nuk e vjedh “shpinë e vet”, se shqiptari i mirë kurrë nuk përfiton në mënyrë të paligjshme dhe se shqiptari i mirë kurrë nuk mashtron për ndonjë përfitim. Nëse ky është synimi i arritjes së prototipit të shqiptarit në Maqedoninë, vërtet ka ardhur koha për ta dhënë një besë të re.

Ndryshe, do të vlejë proverbi i famshëm se “Çka është turpi për rezilin?!” /koha.mk/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme