POEMA E MËRGIMTARËVE*

Damasku


Ta dëgjojmë

vajin e lisit

dhe bukën e grumbulluar

nga rrezet e diellit

dhe yjet që zgërdhihen

mbi tufën e deleve.

T’i dëgjojmë fëmijët

që vizatojnë vendlindjen

atje tek flasin retë

dhe titërron uji si ajri

ma përkëdhel veshin tim

atëherë i arrestoj

frymëmarrjet e plakave

në vargjet mbi atdheun

sapo na e rrëfejnë

çastin kur i mblodhën plaçkat

dhe pulat.

Sapo i ngarkuan qerret

me sëmundjet vdekjeprurëse

dhe vazhduan rrugën

duke kërkuar atdheun në rërë

atdheu gjelbërim pas tyre

psherëtinte

me të jehonës kërmëzamë

pastaj fjetën mullinjtë

në nofullat e lugjeve

u shpërndanë lulet nëpër rrugë

në ritmin e lutjeve

nëpër tokë e qiell

O,

ide e kripës

ku është atdheu?

a s’ishte në ethet e kodrinave

kur ishin të gjakosura?

Të huajt

në kohën e ve

ju mbështollën në mjegull

dhe duhmë e kodrave

që dilte nga nënsqetullat

në atë tokë

e sollën vëllezërit e mi

lotët shtuan rrezet e diellit tim

m’u dogj shtëpia në kujtime.

 

O baba i madh!

babai im -

ja, gushti

hypi mbi shpinën e lumit

dhe pullazet janë bërë

si qefinët

familjet më rrëfejnë pa maska

unë dal nga dritarja në vetmi

në gjelbërim

në lagështirën e syrit tënd

strukem si kufomë në gjoksin tënd.

Ju rrëfej nga varri im

pse e lashë koren e bukës

s’ia dinim kufirin jetës!

S’di as të marr leje

për të hyrë në skamje!

Kishit frikë për atë tokë

dhe erdhët te ky varr?

Këto varre janë

përplot aromë të atdheut

dhe turpërime nga rëra;

kështu lindin e vdesin

pigmejtë

në hije të atdheut!

Babai im

familja jote ishte nga rruaza

e gjelbëruar e kurrizit

fshatarët dheun e bëjnë lule

dhe e lënë tokën e terur

nga djersa e ballit;

jeta e tyre

është një sofër malesh

sa buzëqeshja e shkëmbit;

rreth sofrës së kodrinave

të mbështjellë nga shkronjat

sillet e hutuar

duke fluturuar mbi të verbërit

me një këngë të paditur

kërkon parajsën

në gjethet e rërës:

atëbotë natën e kaluam në heshtje

me kërcëllimën e rrotave

si nga këngët e vdekjes së qetë…

 

A je duke kërkuar në gjoks

ta fshehësh atdheun?

U takova me një fshatar

që e njeh skamjen e atdheut përmendsh

sopata i shkëlqente në dorë;

e këshillonte barin

këshillonte lisat

që të mos tremben

se këtu

do të përtërihet atdheu

me plumba…

Atje

mbi gjoksin e atdheut

e kam lënë barin e njomë

dhe tokën.

I kam thënë mos të flejnë

rojet e natës

gjersa kodrat

të jenë të mbuluara me lule…

Kemi ikur

kemi ecur si shkuma e vdekjes

dhe qerrja ngeli

duke vizatuar gjurmët mbi rërë

sapo kalonin në baltën e kohës;

u shpërndanë varret tona

në të dy anët e rrugës

dhe kau

zgurdullonte sytë në mëngjesin e kurbetit

shkretëtira

përbinte atdheun e largët!

Piramidat e eshtrave

akoma flasin:

këndej pari përftuan

era dhe shqiptarët e regjur

nëpër gropa as që ka mundur

të rraset dielli

në eshtrat e kalbura

ata ranë si mbi degët e gurit

në fshatin Misime

ua lanë të ligat e dhelprave

shumë vjet.

U zhytën në erën e besnikërisë

e vitet e shterura

kthyen mbrapsht teshat e veta

dolën përmbi kodrina

dhe u lutën për fëmijët

nën shkrumbin e kamxhikut

që ia hante palcën kurrizit

e ia derdhën shpinës.

U kthyen herën e dytë

në qytet

i përveshën mëngët

dhe iu falën Zotit

i mbështolli tymi gjersa humbën

me vremçët e zi të kurbetit

që s’e dinë tokën

por që pikojnë në melodinë e vdekjes

kështu mashtrohet jeta

ecën

pa fije pranvere

e unë duke pritur çastin tim

mendoja:

sa na duhet mendtë

t’i korrigjojmë gabimet

ndërkohë

në kujtime më kthehet

shtëpia e mbuluar me tjegulla

sheshi i gjelbëruar dhe lisat

akoma të butë si ëndrra

dhe buzët që i shpalos ofshama

afrohem ngadalë

eci nëpër lotët

dhe

kërkoj falje.

 

Përktheu nga gjuha arabe: Abdulatif ARNAUTI

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme