"Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij"

image

 

Në shkollë të mesme, në kuadër të letërsisë jugosllave, e kishim lektyrë shkollore romanin "Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij" nga shkrimtari slloven Ivan Cankar. Tash e di se këtë roman nuk e lexon më ndonjë i ri, pos ndonjë entuziasti të përkushtuar, andaj desha ta ndaj këtu pak subjektin e tij. Jerneji është një shërbëtor, të cilin pas vdekjes së zotëriut plak, zotëriu i ri e përzë, sepse ai tashmë është plakur shumë dhe nuk është i aftë për punë. I zënë ngushtë në pleqëri, Jerneji endet nga dera në derë për ta dëshmuar të drejtën e tij për të vdekur në shtëpinë të cilën e kishte ngritur me duart e tij gjithë jetën, duke qenë shërbëtor. Ai përpiqet ta bindë studentin, kryetarin e komunës, gjykatësin, madje shkon deri te mbreti në Vjenë, por askush nuk ia var veshin. Në fund ai kthehet në shtëpinë e zotëriut të tij të ri dhe ia vë flakën shtëpisë, duke e djegur edhe veten në të. Dhe, kur në fund e nxorën prej flakëve, varrmihësit e Jernejit, thotë Cankari, ishin fytyrënxirë dhe duarnxirë. Jernej sot është secili shqiptar në Maqedoni. Jernej janë fshatarët e Sopotit, të cilët edhe pasi që i bënë më shumë se shtatë vjet burg edhe pasi që të gjithë (mes tjerash edhe ish ambasadori i NATO-s në Maqedoni, Nikolas Bigman) dëshmuan se janë të pafajshëm, ende enden gjykatave pa epilog dhe as që bëhet fjalë për dëmshpërblimin e tyre nga "zotërinjtë e Jernejit". Ndërkaq shfaqja më e re me personazhin e Jernejit po luhet këto ditë me gjykimin në rastin "Monstra", ku gjashtë shqiptarë akuzohen se në prill të vitit 2012 kanë vrarë pesë të rinj maqedonas. Por, kësaj radhe Jerneji është krejt i pafuqishëm. Atë e kanë gjykuar qysh kur e kanë arrestuar. E mbajmë mend paraqitjen e ministres së MPB-së, bashkë me atë zëvendësministrin shqiptar pranë saj, kur para dy viteve deklaroi se i kishte kapur vrasësit (pra jo të dyshuarit për vrasje) - një grup shqiptarësh të organizuar në baza terroriste islame, të cilët këtë vrasje e paskëshin bërë për motive fetare. Dhe, unë s'di pse njerëzit u habitën kur javën që shkoi prokurorja kërkoi që ata të gjykohen me burg të përjetshëm po ashtu për këso motive. Është krejt e kuptueshme se, në këso shteti kaq totalitar, fjala e polices patjetër duhet të përputhet me fjalën e prokurores dhe me fjalën e gjykatëses. Sepse edhe studenti, edhe kryetari i komunës, edhe gjykatësi, edhe mbreti, të gjithë pra, kanë vendosur ta gjykojnë Jernejin e pambrojtur. Për këtë arsye edhe Jozef K. i Procesit të Kafkës i dorëzohet dënimit me vdekje pa asnjë rezistencë. Në gjithë këtë storje kaq të dhimbshme, në të cilën sipas mbrojtjes prokurorja nuk ka arritur ta dëshmojë asnjë akuzë, janë tri gjëra shumë të rëndësishme që duhet t'i kemi parasysh. E para është se nëse të akuzuarit e Monstrës akuzohen për terrorizëm islamik ose, thënë më butë, vrasje për motive fetare, siç kërkon prokurorja sipas rekomandimit të ministres, hapet një shteg i keq, të cilit nuk i shihet fundi. Kështu shqiptarët e Maqedonisë për herë të parë do të gjykohen për një vepër që në botë janë gjykuar Usame Bin Ladeni dhe Ajman El- Zavahiri, duke u paraqitur kështu si element i rrezikshëm mbarëbotëror. Nëse posedimi i disa librave me përmbajtje fetare konsiderohet organizim terrorist (prej kur libri fetar islam qenka bërë dëshmi terrorizmi?!) dhe nëse përkimi i vrasjes me Pashkët qenka po ashtu në këtë funksion, atëherë gjyqësori në Maqedoni me gjithçka mund të mburret, pos me drejtësi. Në këtë mënyrë le që dëmtohet imazhi i shqiptarëve në botë, por kështu do të kultivohet edhe armiqësia mes komuniteteve në Maqedoni, që disa nga frika, e disa nga urrejtja, të fillojnë të ndjellin ndjenja kryqtare ose fundamentaliste ndaj përkatësisë tjetër, pra ndjenja të hakmarrjes, që mund të kenë epilog të cilin nuk besoj se do ta dëshironte dikush në Maqedoni. Sepse, kur u dogj Jerneji, u dogj edhe shtëpia e zotërisë së tij. E dyta është pyetja se cili është roli i shqiptarëve të pushtetit në këtë dramë? Ata duhet ta dinë se edhe pas "rasteve të Hagës", kur ata pranuan koalicionin që ua ofroi Gruevski për t'i mbyllur ato raste, shqiptarët vazhdojnë të gjykohen ende në procese të montuara politike. Siç duket ata kësaj radhe nuk e kanë fort këtë dert, sepse personazh është dikush tjetër! Por, a e kuptojnë ata se çfarë etikete na ngjitet neve shqiptarëve me gjykimin e të akuzuarve të rastit "Monstra"? Apo ata janë vetëm për dekor kur ministrja e Punëve të Brendshme i akuzon shqiptarët për terrorizëm, që ata të rrinë si dudukë para saj, apo ata janë edhe ministra të Drejtësisë që nuk asnjë lidhje me drejtësinë e shtetit, sepse ata i "çelë sabahu" në diskoteka ku shërbehet "gjithçka"? Vërtet cili është roli i tyre në krijimin e prokurorisë së paanshme, cili është roli i tyre në paanshmërinë e gjykatave, thjesht a kanë ata ndonjë ndikim në drejtësinë e shtetit? Apo ata janë të zënë me punë "më të mëdha"? Dhe, e treta është se çfarë shteti po ndërtojmë kështu? Nëse maqedonasit, duke e fuqizuar shtetin njëetnik, e (keq)përdorin shërbimin sekret të shtetit, për të sajuar "Vreshta të Rashtakut", "Sopota" e "Monstra", nëse ata e (keq)përdorin MPB-në për t'i shpallë shqiptarët terroristë islamikë në sy të botës, nëse ata e (keq)përdorin gjykatën për t'i gjykuar shqiptarët ashtu si i dirigjon policia njëetnike maqedonase, atëherë vërtet vijmë të pyetja se pse Jerneji lodhet kot duke kërkuar drejtësi? Që mos të keqkuptohemi, ndonëse ndjej dhimbje për humbjen e pesë jetëve dhe do të doja që patjetër të gjykohen vrasësit e tyre të vërtetë, megjithatë - si qytetar - nuk do të doja që duke shëruar një plagë të krijohen dhjetë të tjera vetëm për shkak të tekave të dikujt. Këtë, ma merr mendja, se nuk e dëshirojnë as familjarët e pesë të vrarëve - të lumturohen duke i shkaktuar tragjedi dikujt tjetër. Dhe, për fund, derisa shqiptarët nuk merren me oborrin e vet, për t'i pastruar dudukët shqiptarë në Polici dhe Drejtësi, derisa ata marrin pjesë në pushtet për shkak të pushtetit, e jo për shkak të shtetit, e pastaj kërkojnë që OSBEja t'ua zgjidhë punët, vaj halli për Jernejin plak! Megjithatë, në gjithë këtë dhimbje një lajm është i bukur për Jernejin - ne do të hyjmë në NATO! Kështu na kanë thënë....

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme