Fizionomitë e sotme kombëtare me ngjashmëri shpirtërore-psikologjike te shqiptarët dhe boshnjakët u formuan nëpërmjet procesesh të ndërlikuara historike në Ballkan, ku gjatë shekujsh janë kryqëzuar, ndeshur e ndërthurur popullsi, qytetërime, fe, ideologji e sisteme të ndryshme shoqërore e politike. Shqiptarët e boshnjakët u gjendën bashkë në betejën e Fushë-Kosovës të vitit 1389 përballë ushtrive osmane. Trojet e Bosnjës e trojet shqiptare u përfshinë në Perandorinë Osmane pothuajse në të njëjtën kohë, në shekullin XV. Procesi i myslimanizmit ka qenë më masiv dhe më i vrullshëm te boshnjakët dhe shqiptarët sesa te ballkanasit e tjerë. Shqiptarët e boshnjakët ishin elementë më dinamikë se ballkanasit e tjerë në fuqizimin e Perandorisë Osmane, por e paguan shtrenjtë rënien dhe shembjen e saj në shekujt XIX-XX. Megjithatë, në Bosnjë dhe në trojet shqiptare ruhen ende shenja të dukshme të trashëgimisë së çmuar nga periudha e sundimit perandorak osman.
Gjysma e kombit shqiptar dhe boshnjakët u trajtuan si elementë të dorës së dytë në Jugosllavinë monarkiste dhe komuniste. Megjithatë, edhe në ditët më të mira të “miqësisë” midis “Shqipërisë së Enverit” dhe “Jugosllavisë së Titos” nuk u krijuan marrëdhënie të afërta shqiptaro-boshnjake. Ndërkaq rënia e sistemit komunist u pasua në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX nga luftërat gjenocidale dhe spastrimet barbare etnike të Serbisë, si kundër boshnjakëve, ashtu edhe kundër shqiptarëve. Megjithatë, nuk pati reagime të bashkërenduara institucionalisht midis tyre kundër rrezikut dhe armikut të përbashkët. Në Bosnjë vërtet luftuan një numër shqiptarësh nga Kosova, por kjo bëhej mbi baza vullnetare individuale. Kur luftohej në Bosnjë, në udhëheqësinë politike shqiptare në Kosovë mbizotëronte fryma dhe politika e “rezistencës paqësore” pasive, që natyrisht i shkonte për shtat Serbisë. Kur luftohej më vonë në Kosovë, në udhëheqësinë politike dhe opinionin boshnjak, të stërmunduar nga lufta, mbizotëronte fryma pragmatiste e përshtatjes ndaj “zgjidhjes së Dejtonit”.
Karakteristikë e përbashkët dhe e veçantë e fizionomive kombëtare boshnjake shqiptare është se ato janë formuar dhe ruajtur nën ndikimin e njëkohshëm, të fuqishëm e begatues të fesë islame. Por, në Bosnjë-Hercegovinë ndarjet e besimtarëve sipas feve myslimane, katolike e ortodokse çuan në kristalizimin e ndarjes në tri identitete kombëtare. Ndërkaq në trojet etnike shqiptare, ku gjithashtu kanë vepruar e veprojnë të tria këto fe, nuk ndodhi një dukuri e ngjashme, por u konsolidua një komb i vetëm shqiptar, me shumicë myslimane (Nathalie Clayer, 2007).
Edhe pse fetarisht shumica e shqiptarëve janë më të lidhur me boshnjakët se me cilindo popull tjetër ballkanas, marrëdhëniet konkrete kanë munguar. Këto “marrëdhënie të munguara” bien më shumë në sy kur hedhim vështrimin te fusha më kryesore, ajo e marrëdhënieve ndërshtetërore ose institucionale. Federata 2 (kroato-boshnjake)+1(Republika Sërpska) e Bosnjë-Hercegovinës ka marrëdhënie diplomatike e politike vetëm me njërin nga dy shtetet e sotme shqiptarë, me Republikën e Shqipërisë. Por, këto marrëdhënie janë konkretizuar dobët në fusha të tjera me interes praktik. Herë pas here shkëmbehen vizita personalitetesh, që nuk lënë gjurmë e mbresa për t’u mbajtur mend. Janë përfunduar edhe marrëveshje që nuk kanë dhënë rezultate të prekshme në shkëmbimet tregtare ose kulturore dhe nuk kanë krijuar prirje afruese. Vetë mekanizmat e burokracisë fetare myslimane të Bosnjës e të Shqipërisë janë sjellë si të panjohur midis tyre. Shqipëria dhe Bosnja mbeten për njëra-tjetrën shumë më të largëta se sa janë në realitet gjeografikisht dhe sa u intereson gjeopolitikisht. Shqipëria nuk ka dëshmuar shkathtësi diplomatike për të hedhur drejt Bosnjës ura lidhjeje e bashkëpunimi, që të paktën marrëdhëniet me të të mos mbeten shumë larg nivelit të marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e saj fqinje ortodokse.
Gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë binin në sy qëndrimet e rezervuara të politikës e të diplomacisë shqiptare për t’u solidarizuar me kauzën boshnjake. Reagimet në Tiranë ishin më shumë përsëritje formulimesh standarde, që dëgjoheshin nga shtete që nuk mbështesnin hapur agresionin serb. Në kujtesën time nga ato vite kam të shënuar vetëm një takim në nivel të lartë shqiptaro-boshnjak. Në dhjetor të vitit 1992 në Xhedah të Arabisë Saudite u mbajt takimi në nivel të lartë i Organizatës së Konferencës Islamike, ku Shqipëria u pranua si anëtar me të drejta të plota. Bëja pjesë në delegacionin qeveritar, ndonëse isha vetëm deputet. Në atë takim mbërriti veçmas edhe Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha. Shkova në dhomën e tij në hotel të bisedoja lirshëm për zhvillimet politike në Shqipëri dhe në Partinë Demokratike. Nuk qëndrova gjatë, sepse më tha që priste t’i vinte në ato çaste për bisedime Presidenti i Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Nuk mësova ndonjëherë nëse u takuan e çfarë biseduan. Izetbegoviqi ka shkruar vetëm pak fjalë se avioni i posaçëm, që ishte dërguar prej një miku të tij nga Emiratet Arabe ta çonte në Arabinë Saudite, kishte bërë një ndalesë në Tiranë për të marrë edhe Sali Berishën. Nuk bën fjalë për bisedime politike. Madje tregohet i painformuar mirë për jetëshkrimin e Berishës, sepse e cilëson “mjek shqiptar që ka studiuar në SHBA” (Alija Izetbegoviq “Inescapable Questions”, 2003, f. 149).
Ndërsa me udhëheqësit më të lartë politikë serbo-malazezë në atë kohë lufte, Presidenti Berisha dhe Kryeministri Aleksandër Meksi janë sjellë krejt ndryshe. Ata kanë pritur në vizita zyrtare në Tiranë kryeministrin e Serbisë, Milan Paniq, dhe Presidentin e Malit të Zi, Momir Bullatoviq. Jo vetëm kanë biseduar me ta, por u kanë bërë dhe lëshime. Vite më vonë Bullatoviqi është mburrur publikisht se kishte bindur Berishën të thyente embargon e OKB-së ndaj Jugosllavisë së cunguar (Serbi-Mal i Zi) dhe ta furnizonte atë me karburante nëpërmjet kufirit shqiptaro-malazez. Këtë e ka pohuar edhe Berisha, por duke u justifikuar se nuk ishte vetëm Shqipëria që thyente embargon dhe se ai vendosi ta bënte atë hap për të furnizuar me naftë shqiptarët e Kosovës. Millosheviqi po u merrte frymën e fundit shqiptarëve të Kosovës, kurse Berisha nëpërmjet tij po u çonte atyre ndonjë fuçi nafte(!).
Historia e thyerjes së embargos ka qenë shumë më e ndërlikuar. Ajo drejtohej nga Athina, nga qeveria greke dhe kisha greke. Në vitin 1992 në Athinë ishte vendosur multimilioneri serb, Vlladimir Bokan, që kishte marrë menjëherë shtetësinë greke dhe koordinonte veprimtarinë për furnizimet me naftë nga Greqia drejt Serbisë, nëpërmjet Shqipërisë. Qeveria shqiptare së pari shkelte ligjet e vendit, duke lejuar që nafta greke të hynte pa kontroll doganor (kontrabandë) në Shqipëri dhe pastaj e përcillte këtë, po me kontrabandë, drejt Malit të Zi (Takis Michas, “Unholy Alliance, Greece and Miloseviç’s Serbia” 2002, f. 68-69). Historia me thyerjen e embargos së OKB-së ndaj Serbisë do të mbetet përgjithmonë mëkati më i rëndë ndaj popullit mysliman boshnjak dhe turpi më i madh për shtetin shqiptar, që i bënë pushtetarët e Tiranës të asaj kohe.
Horizontet e marrëdhënieve shqiptaro-boshnjake i errëson edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnjë–Hercegovina, e cila është radhitur kështu përkrah Serbisë dhe pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që vazhdojnë me kokëfortësi të pengojnë harmonizimin e politikës së këtij bashkimi lidhur me Kosovën. Kjo mosnjohje është pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira në interes të përbashkët shqiptaro-boshnjak në tërësi. Shqiptarët natyrisht dinë të bëjnë njëfarë dallimi midis “armiqësisë” së Bosnjë-Hercegovinës dhe armiqësisë që tregojnë Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia e Spanja ndaj pavarësisë së Kosovës, sepse është Republika Sërpska që luan sigurisht rolin kryesor në bllokimin e njohjes nga federata 2+1. Por, edhe faktorit boshnjak në këtë federatë i takon të marrë përgjegjësitë e veta parimore dhe të mos priret vetëm nga pikësynime konjukturale për të mos u ballafaquar me qëndrimin e Republikës Sërpska. Federata 2+1 nuk mund të ruhet duke mohuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Qëndrimi negativist boshnjak në këtë çështje ushqehet dhe me disa qëndrime të së shkuarës lidhur me pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Udhëheqësit komunistë të myslimanëve të Bosnjës në thelb nuk e vështronin ndryshe nga Serbia zgjidhjen e problemit të shqiptarëve, por e trajtonin vetëm në kuadër të statusit të pakicave kombëtare brenda republikave sllave të përcaktuara në Jajce. Në vitin 1981, kur shqiptarët manifestuan fuqishëm me parullën “Kosova Republikë”, udhëheqësit boshnjakë në forumet më të larta të Jugosllavisë, sidomos Raif Dizdareviqi, ishin po aq të vendosur kundër kërkesës shqiptare sa edhe udhëheqësit serbë e malazezë. Gjatë tratativave politike për fatin e Bosnjë-Hercegovinës, nëpërmjet një “Marrëveshjes historike” të dështuar serbo-boshnjake në fillim të viteve 1990 udhëheqësit boshnjakë (më konkretisht Adil Zylfikarpashiqi) përsëri prireshin nga koncepti se midis 6 republikave ekzistuese duhej krijuar një konfederatë jugosllave ose dhe vetëm midis Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës e Maqedonisë, kurse për shqiptarët “vëllezër në besim” mjaftoheshin me kërkesën që të mos trajtoheshin më aq keq, por të mbeteshin në pozitën e pakicave (Alija Izetbegoviq “Inescapable Questions”, 2003; Adil Zylfikarpashiq e të tjerë , “Bosnja në Pranga-biseda. 1994”; Millovan Gjillas “Boshnjaku Adil Zylfikarpshiq”, 1996).
Shqiptarët e boshnjakët i japin Ballkanit një tipar e disa vlera të veçanta si e vetmja pjesë e kontinentit europian ku jeton një popullsi e konsiderueshme autoktone që i përket besimit islam. Njerëzit e arsyeshëm i çmojnë vlerat e kësaj dukurie. Por, ka edhe shumë të paarsyeshëm që ëndërrojnë për një “rikonkuistë të krishterë “ si në mesjetë. Islamofobë të çoroditur në Shqipëri kanë dhënë disa herë alarmin se bota myslimane po krijonte “rrethimin islamik shqiptaro-boshnjak” kundër Serbisë. Gjenocidet e spastrimet e tyre etnike në Bosnjë e në Kosovë serbët përpiqeshin t’i shfajësonin duke i paraqitur si “mbrojtje të Europës nga fundamentalizmi dhe terrorizmi islamik”. Kësaj propagande asnjëherë nuk i janë kundërvënë reagime shqiptaro-boshnjake të bashkërenduara. Udhëheqësit myslimanë në Bosnjë interesoheshin në radhë të parë të shpëtohej ajo që ishte krijuar historikisht, harta gjithë njolla të imëta etnike e Bosnjë-Hercegovinës si një formacion shtetëror. Në Kosovë udhëheqësitë politike e intelektuale kujdeseshin vetëm që të mos u shkiste ndonjë gjest që dikush mund ta interpretonte si shenjë të fundamentalizmit islamik.
Në Shqipëri dhe në Bosnje (Jugosllavi) për dekada Islami është goditur rëndë nga regjimet komuniste. Në Bosnjë në shënjestër të përndjekjes politike, policore e ligjore ishte vënë kryesisht “Islami politik”, organizata “Myslimanët e rinj” dhe ithtarët e “Deklaratës islamike”. Në Shqipëri Islami dhe fetë e tjera u shpallën të jashtëligjshme, u shkatërruan faltoret, u ndaluan praktikat e ritet fetare. Boshnjakët patën përfitime të mëdha nga “Islami politik”. Nga radhët e “Myslimanëve të rinj” dolën drejtuesit kryesorë të luftës së boshnjakëve në vitet 1990, kurse shqiptarët nuk krijuan dot organizim e përvojë të “Islamit politik”.
Pas rrëzimit të komunizmit, mbi shqiptarët ka vepruar një frymë islamofobe e panjohur në të kaluarën. Në shënjestër më shumë vihet “Islami politik”, që në fakt ende nuk është përvijuar si duhet dhe nuk luan ndonjë rol të mirëfilltë fetaro-shoqëror. Në muajt e parë të vitit 2014 shpërthyen dy stuhi islamofobe. Së pari, në Kosovë dhe pastaj në Shqipëri, nisi zhurma për të miratuar një ligj të rreptë që ndëshkon rëndë “shqiptarët që shkojnë të luftojnë në vende të tjera” (konkretisht në Siri). Absurditetin politiko-ligjor të një ligji të tillë dhe dëmet që mund të sjellë ai kur të zbatohet, i ka zbuluar qartë Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës. Në Tiranë, nën psikozën e këtij projektligji, filloi rrufeshëm e frikshëm, para miratimit të tij, një aksion i forcave policore, që vunë në pranga dy “imamë të vetëshpallur” e disa pasues të tyre. U sajua një herezi e re fetare dhe një koncept i padëgjuar penal nëpërmjet akuzës: kanë bindur dhe kanë rekrutuar shqiptarë të shkojnë të luftojnë në Siri. Kjo shërbeu edhe si provë e shpërthimit të frymës së keqe të ngulitur në mendjet politike, policore, ligjzbatuese dhe propagandistike të Shqipëri gjatë dy dekadash trysnie islamofobe mbi shqiptarët, në të cilën janë dalluar e dallohen shkrimtarë si Ismail Kadare, Kiço Blushi, Ben Blushi, pamfletistë katolikocentristë e janullatistë, intelektualë e gazetarë jugosllavistë në Kosovë e në Maqedoni. Ish-shefi i shërbimit sekret shqiptar, Fatos Klosi, i njohur dikur si protagonist i goditjeve kundër “rreziku të terrorizmit islamik”, bëri papritmas një deklaratë mbresëlënëse se në Shqipëri është më i madh rreziku që vjen nga kisha greke dhe Janullaotsi sesa nga terrorizmi islamik. Por, fjalët e tilla nuk e kthjelluan mendjen e deputetit Ben Blushi, që vazhdon të këmbëngulë se “Islami politik është rreziku për Shqipërinë” dhe kërkon që kundër tij të luftohet duke “defetarizuar shqiptarët”. Para 20 vitesh ishte Kiço Blushi që kthimin e myslimanëve shqiptarë në të krishterë synonte ta arrinte nëpërmjet “njëfetarizmit”, që dështoi. Tani i biri kërkon që kjo të bëhet duke u rikthyer tek praktikat e dështuara të komunizmit.